Në zemër të kryeqytetit francez, artisti sirian dhe i mbijetuari i burgut, Khaled Dawwa, po bënë prekjen e fundit në një nga skulpturat e tij prej bronzi.
I mërguar në Francë që nga viti 2014, pasi u arratis nga vendi i tij i shkatërruar nga lufta dhe kaloi një vit në Liban, Dawwa tregon historinë e shkatërrimit të vendit të tij përmes artit.
Një nga krijimet e tij më mbresëlënëse përfaqëson rrënojat e lagjes siriane Ghouta, në periferi të Damaskut, e shënjestruar nga bombardimet e regjimit, me trupa dhe lodra të thyera që dalin nga rrënojat dhe ndërtesa të larta gri të shkatërruara, bosh, muret e tyre të hedhura në erë nga shpërthimi.
“Kur jam duke punuar për këtë pjesë në studion time, jam në Damask. Bëj gjithçka që mundem këtu, ndërsa nuk jam atje”, tha 36-vjeçari.
I plagosur thellë nga vitet e sundimit represiv dhe goditjeve të dhunshme dhe humbjes së miqve të vrarë, të zhdukur ose të burgosur, vepra e Dawwa është njëkohësisht një akt revolte dhe kujtese, duke synuar “mosveprimin e komunitetit ndërkombëtar kundër regjimeve diktatoriale” në Siri dhe gjetkë.
Në veprën e tij kolosale të titulluar “Këtu është zemra ime!”, artisti sirian ende po lufton me shtypjen, duke u kërkuar shikuesve “të mos harrojnë revolucionin e popullit sirian dhe të gjitha sakrificat e tij”.
“[Në vepër] Shohim njerëz të vërtetë që kanë vdekur ose janë në burgjet e regjimit ose masakruar. Janë shokë dhe njerëz që ua kam ditur historitë, ka qenë një shok që e kam njohur që fëmijë dhe ka 8 vjet që është i burgosur i regjimit dhe askush nuk e di se ku ndodhet”.
Dawwa e filloi punën në vitin 2018, ndërsa forcat e regjimit rimorën lagjen.
Me një gjatësi prej afro gjashtë metra dhe më shumë se dy metra të lartë, ajo është imponuese.
Duke përdorur polistiren, dhe, ngjitës dhe dru, të mbuluar me argjilë, ai detajon shkatërrimin brenda dhe jashtë – dyert e copëtuara, ballkonet e shkatërruara, deri te karriget e përmbysura.
“Është krejtësisht unik dhe inovativ” tha filozofi Guillaume de Vaulx, i Institutit Francez për Lindjen e Afërt.
Temat që i vënë njerëzit kundër autoritetit dominojnë veprat e Dawwa, i cili u diplomua në Shkollën e Arteve të Bukura të Damaskut.
Që nga fillimi, ai mori pjesë në protestat antiqeveritare mbarëkombëtare që filluan në vitin 2011, përpara se të bashkohej me artistë dhe aktivistë të tjerë për të ngritur një qendër të pavarur kulturore në Damask, të iniciuar nga aktori sirian Fares Helou.
Pavarësisht presionit të policisë, Dawwa vazhdoi të demonstronte dhe të punonte në qendër për tre vjet. Në vitin 2013, ai ishte praktikisht i vetmi i mbetur atje.
“Beteja ime ishte që të mos e braktisim projektin, përndryshe ishte sikur po humbnim shpresën”, tha ai.
Ishte gjatë asaj periudhe ai kuptoi ndikimin që mund të kishin skulpturat e tij. Duke postuar një foto të punës së tij në Facebook, ai u befasua kur e pa atë të shpërndahej qindra herë.
Edhe pse me rrezik, ai vazhdoi të krijonte dhe postonte foto, por më pas i shkatërroi skulpturat “për të mos lënë asnjë gjurmë”, shpjegoi ai.
Më pas, në maj të 2013-ës, ai u plagos rëndë në studion e tij dhe pasi doli nga spitali, u burgos, duke kaluar dy muaj në burgje të ndryshme. “Ishin mijëra njerëz. Çdo ditë, të paktën 10 do të vdisnin”, zbuloi ai. “Trupat e tyre do të qëndronin dy ditë pranë nesh, askush nuk i hiqte nga qelia… me qëllim”.
Pas lirimit të tij, ai u detyrua të hynte në ushtri, por u arratis paraprakisht, duke ikur në Liban, më pas në Francë në vitin 2014, ku iu dha statusi i refugjatit.
Vepra e tij artistike në skenën e rrugës, thotë ai, është një përpjekje për të përcjellë “gjithçka që nuk është më atje; familje, kujtime”.
Konflikti në Siri, i cili shpërtheu në vitin 2011, ka vrarë rreth gjysmë milioni njerëz dhe ka nxitur zhvendosjen më të madhe të shkaktuar nga konflikti që nga Lufta e Dytë Botërore.
Veronique Pieyre de Mandiargues, themeluese e “Portes Ouvertes Sur l’Art”, e cila mbështet artistët në mërgim, tha se Dawwa “dëshironte të krijonte një imazh të asaj që po ndodhte në Siri, në mënyrë që të mbetej në kujtimet tona”./UBTNews/
Elita Hajrizi, mentore e ekipit First Kosova, është përzgjedhur ndër 10 mentorët më të mirë në botë në garën e mbajtur në Incheon të Koresë së Jugut, duke vënë në pah rëndësinë e mentorimit dhe përkushtimit në zhvillimin e talenteve të reja.
Ky vlerësim vjen pas një procesi përzgjedhës, në të cilin mentorët pjesëmarrës në garë u ftuan për intervista, ndërsa një juri përzgjodhi dhjetë mentorët që u dalluan për kontributin e tyre. Përzgjedhja e Elita Hajrizit në mesin e tyre përbën një mirënjohje për angazhimin e saj në mbështetjen dhe zhvillimin e të rinjve në fushën e shkencës, teknologjisë dhe robotikës.
Roli i mentorëve në FIRST Global Challenge shkon përtej përgatitjes teknike. Ata i udhëheqin të rinjtë në procesin e të nxënit, i mbështesin në zgjidhjen e problemeve dhe i motivojnë të punojnë si ekip, duke zhvilluar aftësi që u shërbejnë edhe përtej garës.
Përzgjedhja e Elita Hajrizit ndër dhjetë mentorët më të mirë vjen në një edicion ku ekipi First Kosova arriti një tjetër sukses të rëndësishëm, duke u renditur në vendin e katërt në botë bashkë me grupin me Greqinë, Poloninë dhe Meksikën.
Kosova renditet e katërta në botë në FIRST Global Challenge 2026, garën ndërkombëtare të robotikës që u mbajt në Incheon të Koresë së Jugut, ku ekipi First Kosova, i përfaqësuar nga UBT, arriti këtë sukses bashkë me grupin me Greqinë, Poloninë dhe Meksikën, në mesin e 191 shteteve pjesëmarrëse nga e gjithë bota.
Ekipi përfaqësues i Kosovës ka dëshmuar përgatitje të lartë teknologjike, aftësi në robotikë dhe programim, si dhe bashkëpunim të suksesshëm ndërkombëtar, duke arritur deri në fazën e play-off-it dhe duke konkurruar për pozitat më të larta të garës.
Gara e këtij viti kishte në fokus zhvillimin e zgjidhjeve teknologjike për parandalimin dhe menaxhimin e zjarreve të egra. Përmes robotëve dhe sfidave inxhinierike, ekipet pjesëmarrëse u angazhuan në zgjidhjen kreative të problemeve dhe aplikimin praktik të njohurive shkencore.
Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, ka vlerësuar lart këtë sukses, duke theksuar rëndësinë e investimit në edukimin teknologjik dhe në zhvillimin e talenteve të reja.
“Renditja e ekipit të Kosovës në vendin e katërt në botë është dëshmi e fuqishme e talentit, dijes dhe potencialit inovativ të të rinjve tanë. Ky sukses dëshmon se, kur të rinjtë kanë mundësi, mbështetje dhe qasje në teknologji e inovacion, ata mund të konkurrojnë denjësisht me ekipet më të mira në botë. UBT do të vazhdojë të investojë në zhvillimin e gjeneratave të reja, duke i përgatitur për sfidat e së ardhmes dhe duke e përfaqësuar Kosovën me dinjitet në arenën ndërkombëtare”, ka thënë Rektori Hajrizi.
Në bashkëpunim me Institutin Yunus Emre në Prishtinë, Fakulteti Media dhe Komunikim në UBT organizoi shfaqjen e filmit “The Colors of Nazar” (“Ngjyrat e Mësyshit”), në Bibliotekën e Kampusit Inovativ të UBT-së. Në aktivitet mori pjesë edhe drejtori i Institutit Yunus Emre në Prishtinë, z. Ramadan Yilmaz.
Pas shfaqjes së filmit, aktiviteti vazhdoi me një panel diskutimi, ku ekipi realizues ndau me të pranishmit përvojat nga procesi i krijimit të dokumentarit, duke trajtuar aspektet artistike dhe teknike të produksionit. Panelistë ishin regjisori Dr. Fatih Diren, drejtori i fotografisë Evrim Inci, protagonistja kryesore Gizem Ozdemir dhe profesori Berk Kyqyk.
Në këtë aktivitet morën pjesë dekani dhe prodekani i Fakultetit Media dhe Komunikim, profesorë dhe studentë të UBT-së, të cilët patën mundësi të bashkëbisedojnë me ekipin realizues dhe të njihen më nga afër me përvojën e tyre profesionale në fushën e filmit dokumentar.
Ky aktivitet shënon një tjetër mundësi për bashkëpunim kulturor dhe akademik ndërmjet UBT-së dhe Institutit Yunus Emre, duke krijuar hapësirë për shkëmbim përvojash dhe përfshirjen e studentëve në diskutime me profesionistë të industrisë audiovizuale.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji ndaj Gani Gecit, i cili dyshohet për kanosje ndaj gazetarit Lirim Mehmetaj.
Vendimi është marrë pas seancës dëgjimore të mbajtur në Pallatin e Drejtësisë në Prishtinë, e cila zgjati rreth dy orë.
Gjatë seancës, Prokuroria ka paraqitur kërkesën për caktimin e paraburgimit, ndërsa mbrojtja ka pasur mundësinë të shprehë qëndrimin dhe kundërshtimet e saj lidhur me këtë masë.
Ndërkohë, familjarët e Gani Gecit kanë pritur në ambientet e Gjykatës deri në marrjen e vendimit.
Pas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji ndaj Gani Gecit, i dyshuar për kanosje ndaj gazetarit Lirim Mehmetaj, është deklaruar avokati i tij, Besnik Berisha.
Berisha e ka cilësuar vendimin si të panevojshëm, duke pretenduar se masa e paraburgimit është caktuar për shkak të emrit të Gecit dhe jo mbi bazën e kushteve ligjore.
Ai ka paralajmëruar se mbrojtja do të paraqesë ankesë brenda afatit ligjor, duke shprehur bindjen se Gjykata e Apelit do ta korrigjojë këtë vendim.
Sipas Berishës, klienti i tij e respekton lirinë e shprehjes, por në këtë rast ka pasur një keqkuptim lidhur me kërkesën e tij për largimin e një postimi.
Avokati ka sqaruar se Geci kishte kërkuar që familja e tij të mos ndërlidhej apo asociohej me Serbinë, duke mohuar se qëllimi i tij kishte qenë kanosja e gazetarit.
Berisha ka përmendur gjithashtu një sulm të armatosur të vitit 2001, në të cilin Geci kishte qenë viktimë dhe ku kishin humbur jetën disa nga miqtë e tij të afërt, përfshirë edhe një gazetar.
Sipas mbrojtjes, për shkak të kësaj përvoje, Geci e kishte perceptuar postimin si një rrezik të mundshëm për sigurinë e tij dhe të familjes.
Avokati ka theksuar se kërkesa për largimin e postimit nuk kishte për qëllim kërcënimin, siç pretendohet nga organet e ndjekjes.
Ndërkohë, Gani Geci do të qëndrojë në paraburgim sipas vendimit të Gjykatës Themelore, ndërsa mbrojtja ka paralajmëruar kundërshtimin e kësaj mase në Gjykatën e Apelit.