Lajmet

Arritën marrëveshje për pranim fajësie, veçohet procedura për dy të akuzuar për barrikadat në veri

Published

on

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë në seancën fillestare në gjykimin lidhur me barrikadat më 2022 në Komunën e Zveçanit, është veçuar procedura për të akuzuarit Millosh Radosavljeviq dhe Dushan Dobrac, pasi kanë arritur marrëveshje me Prokurorinë për pranim të fajësisë.

Paraprakisht, u bë e ditur se në seancë mungon i akuzuari Nenad Orloviq, si dhe mbrojtësi i të akuzuarit Sërgjan Vuçiniq, avokati Bogdan Llaziq.

Në këtë rast, Dushan Maksimoviq, Millosh Radosavljeviq, Nemanja Joloviq, Dushan Dobrac, Sërgjan Vuçiniq dhe Nenad Orloviq, ngarkohen lidhur me akuzën për vepra penale kundër rendit kushtetues- saktësisht barrikadimin e rrugëve më 2022 në Komunën  e Zveçanit, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Gjykatësi i rastit, Rrahman Beqiri tha se mungon i akuuzari Nenad Orloviq, për të cilin Gjykata ka përsëritur urdhërarrestin dhe se nga raporti i Policisë i datës 27 gusht 2026, konstatohet se Policia kanë shkuar ta ekzekutojnë urdhërarrestin, por i akuzuari nuk është gjetur në vendbanim, kurse fqinjët kanë deklaruar se jeton në Serbi.

Po ashtu, mungoi edhe avokati Petroviq për të cilin i mbrojturi i tij Joloviq deklaroi se ka folur në telefon dhe e ka njoftuar se është përfshirë në një aksident në komunikacion.

Gjithashtu, mungoi edhe avokati i Vuçiniq, Bogdan Llaziq, i cili përmes e-mailit e ka njoftuar Gjykatën se nuk mund të jetë i pranishëm për arsye shëndetësore.

Ndryshe, prezent në gjykim ishin prokurori special, Admir Shala, i akuzuari Maksimoviq me avokatin Millosh Nikoliq, i akuzuari Milosh Radosavljeviq me avokatin Mahmut Halimi, i akuzuari Dushan Dobrac me avokatin Boban Petkoviq, i akuzuari Sërgjan Vuçiniq, i akuzuari Nemanja Joloviq, si dhe mbrojtësja e Orloviq, avokatja Donjeta Leka.

Gjykatësi Beqiri tha se me qëllim të sqarimit të mungesës së avokatit Petroviq, ndërpreu seancën për pesë minuta. Më pas, në seancë u paraqit edhe avokati Petroviq.

Pas pauzës 5-minutëshe, gjykatësi tha se për shkak të mungesës së të akuzuarit Nenad Orloviq dhe avokatit Bogdan Llaziq, dhe duke qenë se kanë në shkresa të lëndës dy marrëveshje për të akuzuarit Millosh Radosavljeviq dhe Dushan Dobrac, Gjykata i ftoi palët për mundësinë e veçimit të procedurës, e që sot të vazhdojnë me marrëveshjet për pranim fajësie me dy të akuzuarit Radosavljeviq dhe Dobrac.

Prokurori Shala tha se nuk e kundërshtojnë veçimin e procedurës, për qëllim të ekonomizimit të procedurës.

Edhe mbrojtësi i Radosavljeviq, avokati Mahmut Halimi propozoi të veçohet procedura për shkak të marrëveshjes për pranim fajësie.

Gjithashtu, mbrojtësi i Dobrac, avokati Boban Petkoviq nuk e kundërshtoi veçimin e procedurës, duke pasur parasysh arritjen e marrëveshjes për pranim fajësie.

Fjalët e avokatëve të tyre i mbështetën dy të akuzuarit që kanë arritur marrëveshje për pranim fajësie.

Gjykatësi Beqiri tha se duke qenë se Gjykata i ka dëgjuar palët dhe pasi që për dy të akuzuar kemi marrëveshje për panim të fajësisë, atëherë me aktvendim veçohet procedura për të akuzuarit Radosavljeviq (për veprën penale “Bashkim për veprimtari kundërkushtetuese me qëllim të sulmit kundër rendit kushtetuese) dhe Dobrac (për veprat penale “Bashkimi në veprimtari kundërkushtetuese me qëllim të sulmit kundër rendit kushtetues” dhe “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”).

Ndërkaq, në mungesë të të akuzuarit Orloviq dhe avokatit Llaziq, seanca fillestare u shty për 15 shtator.

Më 20 korrik 2026, në mungesë të të akuzuarit Nenad Orloviq dhe mbrojtësit të të akuzuarit Milosh Radosavljeviq, avokatit Mahmut Halimi, dështoi të mbahet seanca fillestare në këtë rast.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 10 qershor 2026 ka ngritur ndaj Dushan Maksimoviq (i shpallur fajtor dhe i dënuar me burgim të përjetshëm për sulmi në Banjskë), Milosh Radosavljeviq, Nemanja Joloviq, Dushan Dobrac, Sërgjan Vuçiniq dhe Nenad Orloviq, për vepra penale kundër rendit kushtetues- saktësisht barrikadimin e rrugëve më 2022 në Komunën  e Zveçanit. Aktakuza thotë se grupi kriminal u udhëhoq nga Milan Radoiçiq, i cili deri tash është i paarritshëm për drejtësinë, andaj janë pezulluar hetimet ndaj tij për këtë rast.

“Grupi kriminal me në krye Milan Radojçiq kanë planifikuar strategjinë e bllokimit, koordinimit, logjistikën, monitorimin e Policës së Kosovës dhe vendosjen e qytetarëve dhe personelin në pika strategjike duke krijuar barrikada në rrugë dhe duke hapur gropa (istikame) apo pozicione ushtarake në shumë pjesë strategjike në pjesën veriore të Republikës së Kosovës”, thuhet në aktakuzën e hartuar nga prokurori special, Admir Shala.

PSRK njoftoi se ndaj 11 të pandehurve M.R., A.S., A.F., A.J., R.S., S.A., D.V., S.P., V.R., M.R., dhe M.R., janë pezulluar hetimet pasi ata deri më tani janë të paarritshëm për organet e ndjekjes. Rrjedhimisht, në këtë listë përfshihet edhe Milan Radoiçiq./EO/

Continue Reading

Lajmet

KFOR viziton pjesëtarët në Mitrovicë, thekson gatishmërinë për sigurinë në veri

Published

on

Zyrtarë të lartë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, kanë vizituar së fundmi pjesëtarët e misionit që veprojnë në Mitrovicë, me fokus në praninë e vazhdueshme dhe situatën e sigurisë në veri të Kosovës.

Sipas KFOR-it, gjatë vizitës komandanti i Njësisë së Specializuar Shumëkombëshe, MSU, ka vëzhguar aktivitetet e patrullimit dhe të sigurisë në terren.

Ndërkaq, shefi i shtabit të KFOR-it është takuar me pjesëtarë të MSU-së, si dhe me ekipet për ndërlidhje dhe monitorim, LMT, nga të cilat ka marrë informacione për zhvillimet dhe aktivitetet operative.

KFOR ka theksuar se prania e dukshme në terren dhe komunikimi i rregullt me komunitetet lokale ndihmojnë misionin të përshtatë praninë e tij dhe të jetë i gatshëm të reagojë në rast nevoje.

“Prania dhe gatishmëria përcaktojnë misionin”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.

Misioni i NATO-s ka përsëritur përkushtimin për të ruajtur një prani të informuar dhe të gatshme në të gjithë Kosovën, përfshirë edhe veriun e vendit./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Sot takimi Kurti-Abdixhiku: Përpjekje e radhës për marrëveshjen për presidentin

Published

on

By

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pritet të zhvillojnë sot një tjetër takim në përpjekje për të zhbllokuar ngërçin politik në vend.

Sipas burimeve të Ekonomia Online, takimi mes dy liderëve është paraparë të mbahet në orën 12:00. Fakti vjen pas disa takimeve intenzive që dy krerët partiakë kanë zhvilluar gjatë ditëve të fundit, ku në fokus të diskutimeve mbetet arritja e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit të ri dhe shmangia e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.

Përpjekja e fundit mes tyre u zhvillua të shtunën mbrëma, mirëpo pas përfundimit të saj nuk u dhanë detaje rreth përmbajtjes së diskutimeve. Kryeministri Kurti u mjaftua me një deklaratë të shkurtër, duke u shprehur se “do të ketë lajme atëherë kur të ketë rezultate konkrete”.

Takimi i sotëm konsiderohet vendimtar për të parë nëse palët do të gjejnë një gjuhë të përbashkët apo nëse vendi po shkon drejt një krize të re politike. /Ekonomia Online/

Continue Reading

Lajmet

Anëtarët e rinj të KQZ-së betohen para ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu

Published

on

By

Anëtarët e rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) kanë dhënë sot betimin zyrtar para Ushtrueses së Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu.

Ceremonia e betimit u zhvillua në ambientet e Presidencës, ku 10 anëtarët e rinj u betuan për kryerjen e detyrës me përgjegjësi, paanshmëri dhe në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Ky moment shënon edhe fillimin zyrtar të mandatit të tyre të ri në krye të institucionit kryesor për organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve në vend.

Përmes këtij hapi, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve rikompleton përbërjen e tij drejtuese, duke hapur rrugën për vazhdimin e punës administrative dhe përgatitjet operative për proceset e ardhshme zgjedhore në Republikën e Kosovës. /E.A/

Foto: Ekonomia Online

Continue Reading

Lajmet

Humb jetën gjatë transportit për në Tiranë 37-vjeçarja shtatzënë nga Pogradeci

Published

on

By

Një 37-vjeçare me inicialet M. K., e cila ishte në muajin e shtatë të shtatzënisë, ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në spitalin e Tiranës.

E ndjera ishte paraqitur fillimisht në spitalin e Pogradecit për shkak të disa problemeve shëndetësore. Pas ekzaminimeve mjekësore, mjekët vendosën ta dërgonin për trajtim më të specializuar drejt kryeqytetit.

Gjendja e saj është rënduar gjatë transportit, duke bërë që 37-vjeçarja të vdesë në afërsi të Elbasanit.

Pritet kryerja e autopsisë mjeko-ligjore për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes, ndërsa autoritetet po bëjnë verifikimet e nevojshme për rastin. /Euronews/

Continue Reading

Të kërkuara