Lajmet

Arrin në 45 numri i ankesave kundër Ligjit të Pagave

Këtë për “Betimi për Drejtësi” e ka konfirmuar zëdhënësi i Avokatit të Popullit, Petrit Çollaku.

Published

on

Mbi 80 mijë punonjës të sektorit publik kanë marrë pagat e reja me Ligjin e ri për pagat. Por, shumë nga ta janë ankuar se pagat me ligjin e ri u kanë marr më të ulëta. Kjo ka ndikuar që numri i sindikatave dhe i institucioneve të cilët janë të pakënaqur me këtë Ligj të rritet çdo ditë e më shumë.  

E mundësia e vetme e tyre për të shprehur këtë pakënaqësi mbetet kërkesa tek Institucioni i Avokatit të Popullit, që pastaj ky institucion ta dërgojë rastin në Gjykatën Kushtetuese.

Deri me tash numri i ankesave kundër Ligjit të pagave në Institucionin e Avokatit të Popullit ka arritur në arritur në 45.

Këtë për “Betimi për Drejtësi” e ka konfirmuar zëdhënësi i Avokatit të Popullit, Petrit Çollaku.

Sipas tij, ankesa kanë pranuar nga sindikatat dhe institucionet e vendit. Po ashtu, sipas tij, janë ankuar edhe profile të zyrtarëve të cilët ankesën e kanë bërë në emër të tyre individual dhe grupor.

Sindikatat dhe institucionet që kanë dorëzuar ankesë në IAP deri më tani janë:

Shoqata Sindikale e Shërbimit Sprovues të Kosovës –(SHSSHSK)
Sindikata e Policisë së Kosovës
Shoqata Sindikale e Punëtorëve të Administratës Tatimore të Kosovës
Shoqata Sindikale e punëtorëve Autoritetit të Aviacionit Civil-AAC-së (SPAAC)
Shoqata Sindikale e Punëtorëve të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm
Instituti Kosovar i Drejtësisë (IKD)
Këshilli Prokurorial i Kosovës
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve
Qendra për Punë Sociale-Komuna e Prishtinës
Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit (ARRU)
Zyra e Rregullatorit për Energji – ZRRE
Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM)
Këshilli Gjyqësor i Kosovës
Administrata Qendrore e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës
Stomatologët specialist që punojnë në Kujdesin Primar Shëndetësor
Mësimdhënës të Gjimnazit “Kuvendi i Arbërit” – Ferizaj
Oda e Fizioterapeutëve të Kosovës
Auditorët e brendshëm
Infermierët
Grupi i Laborantëve të Lartë Mjekësor
Shoqata e Instrumentarëve të Kosovës

Kuvendi i Kosovës, në dhjetor të vitit të kaluar kishte miratuar Ligjin për pagat në sektorin publik, pa qenë pjesë e tij shuma e koeficientit për t’u ditur se sa do të marrin pagën mbi 80 mijë punëtorë në sektorin publik.

Më pas, në janar të këtij viti, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kishte dekretuar shpalljen e Ligjit për Pagat në Sektorin Publik.

Por, për t’u kalkuluar paga bazë e secilit punonjës, Qeveria e Kosovës me 1 shkurt 2023, kishte marrë vendim për procedimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Ndarjet Buxhetore për vitin 2023, përmes së cilës përcaktohej shuma e koeficientit, e cila sipas këtij ligji ishte 105 euro.

Me 9 shkurt 2023, Kuvendi e miratoi në lexim të dytë këtë ligj, përderisa përkundër mospjesëmarrjes në votim të këtij projektligji nga ana e opozitës dhe pretendimeve të tyre për shkelje kushtetuese, ata nuk kishin proceduar me kërkesë për vlerësim të kushtetuetshmërisë në Gjykatën Kushtetuese brenda afatit kushtetues dhe ligjor prej tetë ditëve.

Në këtë mënyrë, në ditën e fundit të muajit shkurt, presidentja kishte dekretuar Ligjin si të tillë dhe ai ishte publikuar në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.

Sipas Kushtetutës dhe Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, tashmë inicimi i rastit në Gjykatën Kushtetuese mund të bëhet vetëm përmes Avokatit të Popullit dhe prej një bashkësie deputetësh prej 30, brenda periudhës kohore prej 6 muajve që nga hyrja e ligjit në fuqi.

Vendi

Takimet me LDK e PDK, Kurti: Nuk priten zgjedhje të reja

Published

on

By

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se ka konstatuar gatishmëri për zgjedhjen e presidentit, por se bashkëpunimi mes LVV dhe LDK nuk garanton automatikisht përfundimin e këtij procesi.

Sipas Kurtit, të dy partitë politike disponojnë 81 vota, dhe nga ky numër mund të bjerë vetëm një deputet, por jo më pak se 80. Ai ka vlerësuar takimet me Abdixhikun dhe me Bedri Hamza nga PDK-ja si konstruktive dhe me përmbajtje pozitive.

“Zellë për zgjedhje të reja nuk shoh as te LDK, as te PDK, dhe kjo më jep shpresë që nuk do të ketë zgjedhje të reja,” tha kryeministri.

Ndërkaq, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ka konsideruar takimin mbi dyorësh me Kurtin si konstruktiv dhe me përmbajtje të qartë. Ai ka shtuar se për zgjedhjen e presidentit nevojitet një marrëveshje klasike mes partive ose konsensus mbi një kandidat të vetëm, dhe se LDK nuk ka plan të hyjë në qeveri./Kosovapress/

 

Continue Reading

Vendi

Kurti takon Përfaqësuesin e UNDP-së, rikonfirmohet bashkëpunimi strategjik

Published

on

By

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim Përfaqësuesin e Përhershëm të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), Nuno Queirós.

Perfaqwsuesi Queirós e uroi Kryeministrin Kurti për mandatin e tij të ri dhe kabinetin qeveritar.

Ndërkaq, Kryeministri Kurti falënderoi Queirós për bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe UNDP-së, duke theksuar se UNDP mbetet një partner strategjik në forcimin e institucioneve dhe në zbatimin e reformave me rezultate konkrete për qytetarët.

Në takim u rikonfirmua gatishmëria për bashkëpunim në fusha me prioriet si lufta kundër korrupsionit dhe sundimi i ligjit, mbrojtja e trashëgimisë kulturore, dokumentimi dhe adresimi i krimeve të luftës, mbrojtja e mjedisit dhe tranzicioni i gjelbër, si dhe reforma në arsim dhe ngritja e kapaciteteve institucionale.

Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e reformës në prokurimin publik, me fokus në rritjen e transparencës, digjitalizimin e proceseve dhe forcimin e mekanizmave mbrojtës kundër keqpërdorimit të fondeve publike.

Ai bëri me dije se qeveria do të vazhdojë me miratimin e strategjisë anti-korrupsion dhe ligjit për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Të dy palët theksuan se bashkëpunimi i deritanishëm ka dhënë rezultate të prekshme dhe shprehën përkushtimin për ta thelluar më tej partneritetin në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm dhe forcimit të institucioneve të Republikës së Kosovës.

 

Continue Reading

Vendi

Dialogu Kosovë-Serbi nën udhëheqjen e Konjufcës

Published

on

By

Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, priti sot Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sørensen, ku diskutuan mbi zhvillimet e fundit në dialog dhe mënyrën e avancimit të tij.

Gjatë takimit, Konjufca informoi  Sørensen se nga tani procesi i dialogut do të udhëhiqet nga ai personalisht, përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës. U shkëmbyen pikëpamje mbi momentumin aktual të dialogut dhe parimet që mund të sigurojnë një proces më efektiv dhe të qëndrueshëm.

Konjufca theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar që dialogun ta shohë si mundësi për përmirësimin e marrëdhënieve fqinjësore me Serbinë, si dy shtete sovrane në rrugën e tyre drejt integrimit evropian.

Konjufca dhe Sørensen u pajtuan mbi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë midis Kosovës dhe Bashkimit Evropian për një dialog konstruktiv dhe të rezultateve konkrete.

Continue Reading

Lajmet

Haxhiu dhe ambasadori britanik diskutojnë zgjedhjen e Presidentit

Published

on

By

Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, priti sot Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ku biseduan mbi marrëdhëniet e mes dy vendeve, zhvillimet aktuale institucionale dhe proceset lidhur me Presidencën.

Gjatë takimit, Kryetarja Haxhiu shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Kosovës, veçanërisht në faza kyçe të zhvillimit të saj, duke theksuar progresin e arritur në konstituimin e institucioneve dhe në kalimin e fazave të rëndësishme.

Ambasadori Hargreaves e përgëzoi Kryetaren Haxhiu për zgjedhjen në detyrë dhe vlerësoi përparimin e shpejtë të Kuvendit në miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe buxhetit për vitin 2026. Ai gjithashtu diskutoi me Kryetaren për zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe shprehu pritshmëri për bashkëpunim të ngushtë mes parlamenteve të Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Në këtë takim u ritheksua nga të dy palët gatishmëria për thellimin e bashkëpunimit dhe forcimin e partneritetit ndërmjet dy vendeve, duke përfshirë edhe intensifikimin e shkëmbimeve parlamentare që lidhen me institucionet e larta të shtetit.

Continue Reading

Të kërkuara