Në kuadër të xhiros së tetë të Premier Ligës angleze është zhvilluar një nga ndeshjet më të zjarrta të sezonit, derbi mes Liverpoolit dhe Manchester Unitedit, i cili përfundoi me fitoren e “djajve të kuq” me rezultat 2:1.
Skuadra e trajnerit Ruben Amorim e nisi ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme, duke kaluar në epërsi që në minutën e dytë me golin e Bryan Mbeumo, i cili shfrytëzoi një gabim në mbrojtjen e vendasve dhe mposhti portierin Alisson.
Liverpooli kërkoi me ngulm barazimin gjatë gjithë pjesës së parë, por pa sukses, ndërsa reagimi erdhi vetëm në minutën e 78-të, kur Cody Gakpo realizoi për 1:1 pas një aksioni të bukur ekipor.
Megjithatë, gëzimi i “The Reds” zgjati pak, pasi në minutën e 84-të mbrojtësi Harry Maguire u ngjit më lart se të gjithë në zonë dhe me një goditje të saktë me kokë shënoi golin e dytë për Unitedin, duke i dhënë skuadrës së tij një fitore të madhe në transfertë.
Pas këtij triumfi, Manchester United ngjitet në kuotën e 13 pikëve dhe renditet në vendin e nëntë të tabelës, ndërsa Liverpooli mbetet në pozitën e tretë me 15 pikë, duke humbur mundësinë për t’u afruar me kryesuesit.
Ky derbi konfirmoi se United po rikthehet gradualisht në formë, ndërsa për Liverpoolin, humbja në “Anfield” shërben si alarm për përmirësim në javët e ardhshme./S.K/KP/