Policia e Kosovës ka realizuar me sukses dy ekstradime nga shtete të ndryshme drejt Kosovës, në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar për luftimin e kriminalitetit dhe zbatimin e urdhrave ndërkombëtarë të arrestit.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, përmes Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor (ILECU), në koordinim me njësitet relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë, më 12 gusht është ekstraduar nga Gjermania në Kosovë shtetasi kosovar me inicialet M.T.. Ai ishte në kërkim me urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë, nën dyshimin për përfshirje në veprën penale që lidhet me blerjen, posedimin, shpërndarjen dhe shitjen e paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe substancave analoge.
Pas ekstradimit, M.T. i është dorëzuar njësive përkatëse të Policisë së Kosovës në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë, për vazhdimin e procedurave të mëtejshme ligjore.
Ndërkohë, më 13 gusht 2026, nga Hungaria drejt Kosovës është ekstraduar shtetasi i Serbisë me inicialet I.S., i cili gjithashtu kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë. Edhe në këtë rast, bëhet fjalë për dyshime lidhur me veprën penale të blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe substancave analoge.
Pas mbërritjes në Kosovë, edhe I.S. i është dorëzuar njësive përkatëse të Policisë së Kosovës në kuadër të DRP Prishtinë, për procedurat e mëtejshme ligjore.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se këto dy ekstradime janë mundësuar falë bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe autoriteteve të Gjermanisë dhe Hungarisë, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në luftimin e veprave penale dhe lokalizimin e personave të kërkuar nga drejtësia.
Përmes Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor (ILECU), Policia e Kosovës ka theksuar se do të vazhdojë shkëmbimin e informacionit me institucionet vendore, shtetet partnere dhe organizatat ndërkombëtare, me qëllim parandalimin, hetimin dhe zbulimin e aktiviteteve kriminale, si dhe lokalizimin dhe arrestimin e personave apo grupeve kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë territorit të Kosovës. /E.A/