Si sot, para 30 vitesh, më 5 qershor 1996, u hap Zyra Amerikane në Kosovë në praninë e shumë qytetarëve të gëzuar shqiptarë, me pjesëmarrje nga zyrtarë të lartë amerikanë. Presidenti Ibrahim Rugova ishte aty për ta ngritur flamurin amerikan në përfaqësinë e SHBA-ve në Prishtinë.
Kjo ka qenë ngjarje e madhe për Kosovën.
Nën udhëheqjen e Presidentit Rugova, në rrugën e vet të lirisë, të pavarësisë dhe të demokracisë, Kosova ishte ankoruar me Perëndimin. “Ditë historike për Kosovën” e ka quajtur Rugova vendosjen e pranisë amerikane në Kosovë.
Në ceremoninë e hapjes së Zyrës Amerikanë morën pjesë John Kornblum, ndihmës sekretar amerikan i shtetit, Kongresmeni Eliot Engel, Presidenti i atëhershëm i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, diplomatë të tjerë amerikanë dhe zyrtarë vendor.
Hapja e Zyrës përbën një nga momentet më të rëndësishme në historinë moderne të Kosovës dhe në zhvillimin e marrëdhënieve shqiptaro‑amerikane. Kjo zyrë ishte përfaqësia e parë zyrtare amerikane në Kosovë dhe shënoi një hap të rëndësishëm diplomatik disa vite para fillimit të luftës.
Ajo u hap në një kohë kur Kosova ndodhej nën një regjim të ashpër politik dhe administrativ, ndërsa kërkesa për pavarësi dhe përkrahje ndërkombëtare ishte në rritje. Hapja e kësaj zyre u pa si një sinjal i qartë i interesimit të Shteteve të Bashkuara për situatën në Kosovë dhe si një mbështetje morale për popullin shqiptar.
Zyra Amerikane në Prishtinë shërbeu si kanal komunikimi ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe institucioneve politike e shoqërore në Kosovë, duke ndihmuar në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës.
Pas luftës së vitit 1999, kjo zyrë mori një rol edhe më të madh, duke shërbyer si misioni kryesor diplomatik i SHBA‑së në Kosovë deri në shpalljen e pavarësisë më 2008, kur u shndërrua zyrtarisht në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë.
Foto: Ridvan Slivova