Për herë të parë, veshjet tradicionale shqiptare u prezantuan në Oktoberfest të Mynihut, duke i dhënë një ngjyrë të veçantë festivalit më të madh të birrës në botë.
Ky parakalim historik u bë të dielën, më 21 shtator 2025, dhe u shoqërua me entuziazmin e shqiptarëve që jetojnë në Gjermani, si dhe me kureshtjen e mijëra vizitorëve nga e gjithë bota që marrin pjesë çdo vit në këtë festë.
Në kuadër të parakalimit të Oktoberfest, i cili njihet për shfaqjen e kostumeve popullore nga vende të ndryshme, përfaqësues të komunitetit shqipfolës parakaluan krenarë me veshje tradicionale, kostume të burrave dhe grave nga treva të Shqipërisë, Kosovës dhe viseve shqiptare.
Flamuri kuqezi dhe motivet kombëtare e bënë edhe më të dukshme dhe mbresëlënëse pjesëmarrjen shqiptare në këtë ngjarje prestigjioze.
Ky prezantim nuk ishte i rastësishëm, u mundësua falë përkushtimit të “Iliria München”, e cila prej vitesh punon në ruajtjen dhe promovimin e kulturës shqiptare në Gjermani. Përmes këtij organizimi, shoqata jo vetëm që arriti të vendosë shqiptarët në skenën ndërkombëtare të kulturës popullore, por edhe të krijojë ura miqësie mes komunitetit shqiptar dhe atij gjerman.
Sipas raportimit të Deutsche Welle, pjesëmarrja e shqiptarëve në këtë parakalim u prit me shumë interes nga publiku, duke e kthyer momentin në një festë të vërtetë të identitetit dhe krenarisë kombëtare.
Për shqiptarët që jetojnë në diasporë, ky ishte një rast i veçantë për të treguar se traditat dhe kultura shqiptare janë të gjalla dhe të denja për t’u prezantuar në skenat më të mëdha botërore.
Me këtë pjesëmarrje, shqiptarët shkruan një kapitull të ri në historinë e prezantimit të kulturës së tyre, duke e bërë Oktoberfest-in e këtij viti një ngjarje që do të mbahet mend gjatë.
Veshjet tradicionale, muzika dhe simbolet kombëtare sollën një aromë Ballkani në zemër të Gjermanisë, duke dëshmuar se kultura shqiptare është pjesë e mozaikut të pasur kulturor evropian. /A.Z/UBT News/