Lajmet

Ari arrin çmimin historik në treg përpara vendimeve kritike për normat nga bankat qendrore

Published

on

Ari po qëndron pranë niveleve më të larta historike, i nxitur nga dobësimi i dollarit amerikan, pasiguria ekonomike globale dhe tensionet gjeopolitike në rritje. Çmimet e arit kanë tejkaluar 2,600 dollarë për ons për herë të parë të premten e kaluar dhe vazhduan të mbaheshin në atë nivel gjatë fillimit të javës, pavarësisht një tërheqjeje të lehtë.

Ari sot arriti një nivel të lartë prej 2,589 dollarë për ons para se të zvogëlohej në 2,577 dollarë gjatë seancës aziatike të së martës. Gjatë shtatë muajve të fundit, çmimi i arit është rritur me më shumë se 500 dollarë për ons, ose 24%, duke tejkaluar vlerën kritike prej 2,080 dollarë që në mars.

Fokusi për këtë javë është në vendimet e normave të interesit nga tri banka qendrore kryesore: Rezerva Federale, Banka e Anglisë dhe Banka e Japonisë. Këto vendime mund të ndikojnë në mënyrë të konsiderueshme në kërkesën për ari, duke shtuar më shumë paqartësi në lidhje me rritjen ekonomike globale dhe politikat monetare.

Një faktor kryesor në rritjen e çmimeve të arit është dobësimi i dollarit amerikan. Indeksi i dollarit (DXY), që mat forcën e dollarit ndaj një shporte prej gjashtë monedhash kryesore, ka rënë me 5.7% që nga kulmi i tij në prill, duke arritur një nivel që nuk është parë që nga dhjetori 2023. Nëse indeksi bie nën pragun kritik të 100, dollari amerikan ka të ngjarë të dobësohet më tej, duke ndikuar pozitivisht në çmimet e arit.

Një dollar më i dobët e bën arin më të përballueshëm për investitorët në monedha të tjera dhe gjithashtu i bën aktivat si ari më tërheqës për shkak të normave më të ulëta të interesit. Për më tepër, një shtrëngim i mundshëm i politikës monetare nga Banka e Japonisë mund të forcojë jenin dhe të dobësojë më tej dollarin amerikan, duke shtuar paqëndrueshmërinë e tregut dhe rritur kërkesën për asete të sigurta si ari.

Ari konsiderohet si një aktiv tradicional i strehës së sigurt, që mbështetet gjatë periudhave të pasigurisë ekonomike dhe gjeopolitike. Tensionet aktuale në Lindjen e Mesme dhe konflikti i vazhdueshëm në Ukrainë kanë rritur kërkesën për ar. Një mjedis ekonomik gjithnjë e më kompleks dhe pasiguria e rritura globale po kontribuojnë në mbështetje të çmimeve të arit.

Ekonomia globale po përballet me sfida të konsiderueshme, përfshirë një ngadalësim të dukshëm në rritjen ekonomike dhe një ngadalësim të tregut të punës në SHBA. Përmbysja e yield-eve të thesarit amerikan dhe rritja e shqetësimeve për një recesion të mundshëm kanë nxitur presion për ulje të normave nga Rezerva Federale.

Ekonomitë e zhvilluara si Gjermania, Britania e Madhe, Japonia dhe Zelandës e Re kanë përjetuar recesione teknike, duke rritur shqetësimet për përkeqësimin e kushteve ekonomike globale. Këto faktorë, së bashku me tensionet gjeopolitike, ka të ngjarë të mbajnë arin në qendër të interesit si një mundësi e sigurt investimi./UBTNews/

lajme

Kurti takon në Paris emisarin Sorensen: Diskutohet për normalizimin dhe dialogun me Serbinë

Published

on

By

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili po qëndron në Paris, është takuar me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, në margjinat e Forumit të Paqes.

Gjatë takimit u diskutua për perspektivat e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve me fokus njohjen reciproke, stabilitetin institucional të paszgjedhjeve në Kosovë, si dhe rrugën e vendit drejt anëtarësimit në BE.

“Diskutuam për stabilitetin e plotë institucional që gëzon tashmë Kosova pas zgjedhjes së presidentit, rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në BE, si dhe perspektivat për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë, me fokus njohjen reciproke”, u shpreh kryeministri Kurti.

Edhe emisari evropian Sorensen konfirmoi takimin përmes një njoftimi, duke vlerësuar bisedën si të frytshme për përcaktimin e hapave të mëtejshëm në dialog dhe procesin e normalizimit në dobi të qytetarëve dhe rajonit. Gjatë qëndrimit në kryeqytetin francez, Kurti gjithashtu zhvilloi një bashkëbisedim me studentë, ku theksoi pritjet e tij që udhëheqja e re e Serbisë të njohë Republikën e Kosovës. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Kosova U19 mposhtet nga Belgjika në raundin e dytë kualifikues

Published

on

By

Përfaqësuesja U19 e Kosovës në futboll e ka nisur me humbje raundin e dytë kualifikues për Kampionatin Evropian Euro 2027, pasi u mposht nga Belgjika me rezultat 2:0.

Në ndeshjen e zhvilluar në Skoci, pjesa e parë përfundoi pa gola, mirëpo belgët zgjidhën sfidën me dy goditje të shpejta me të filluar pjesa e dytë. Naim Amengai realizoi për 1:0 në minutën e 47-të, ndërsa Jessie Da Silva dyfishoi epërsinë dy minuta më vonë.

Sfida e radhës për futbollistët e rinj të Kosovës në kuadër të Grupit A2 do të jetë të shtunën kundër nikoqires së turneut, Skocisë.

Në anën tjetër, edhe Përfaqësuesja U17 e Kosovës ka pësuar humbje në sfidën ndaj Bjellorusisë, ndërsa ndeshjen e ardhshme do ta zhvillojë më 17 nëntor përballë Kazakistanit. Tri ekipet e para të secilit grup do të sigurojnë kalimin në raundin e tretë, me shortin që pritet të tërhiqet më 10 dhjetor. /E.A/

Continue Reading

lajme

Murati prezanton buxhetin për 2027-ën, opozita kritikon investimet kapitale

Published

on

By

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka prezantuar në shqyrtimin e parë para Komisionit për Buxhet Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për vitin 2027, i cili parasheh shpenzime në vlerë prej 4 miliardë e 268.7 milionë eurosh, të mbështetura nga të hyra prej 4 miliardë e 2 milionë eurosh dhe një deficit fiskal prej 2 për qind.

Gjatë raportimit, ministri Murati theksoi se buxheti reflekton rritjen ekonomike dhe ruajtjen e qëndrueshmërisë së financave publike, ndërsa arsyetoi rritjen e kostos së jetesës me faktorë dhe tronditje të jashtme gjeopolitike.

“Sa i përket inflacionit, patjetër që është problem rritja e kostos së jetesës edhe në Kosovë, sikurse në të gjitha vendet tjera të botës. Kjo ka dy shkaktarë, fillimisht ishte lufta në Ukrainë, e cila ndikoi në tronditjen globale të çmimeve të energjisë, por edhe të ushqimeve, dhe tash së fundi kemi edhe valën e re që vjen si rezultat i konfliktit në Gjirin Persik”, deklaroi Murati.

Prezantimi u pasua me kritika të ashpra nga anëtarët e opozitës. Deputeti nga radhët e PDK-së, Mërgim Lushtaku, ngriti shqetësimin për ngecjen e investimeve kapitale dhe ndikimin e inflacionit në mirëqenien e qytetarëve, duke iu referuar edhe raporteve që tregojnë se mbi një miliard euro investime të planifikuara kanë mbetur të pashpenzuara gjatë viteve të kaluara.

Seanca u karakterizua edhe nga debati i tensionuar mes ministrit Murati dhe deputetit të LDK-së, Avdullah Hoti, i cili kritikoi mungesën e një orientimi të qartë strategjik në infrastrukturë, shëndetësi dhe energji, duke vënë në dyshim pasqyrimin e premtimeve qeverisëse në kornizën trevjeçare buxhetore.

“S’je i interesuar sepse je mashtruesi më i madh që ka pasur ky vend… Buxheti nuk është një plan kontabël, është një dokument strategjik”, u shpreh Hoti gjatë përplasjes direkte me ministrin e Financave.

Sipas planifikimit të ndarjeve buxhetore sipas kategorive ekonomike, për paga janë paraparë 1 miliard e 84.9 milionë euro, për subvencione dhe transfere 1 miliard e 446 milionë euro, ndërsa për investime kapitale është alokuar shuma prej 1 miliard e 70 milionë eurosh. Projektligji pritet të vazhdojë procedimin në komisionet e linjës për shqyrtim të mëtejshëm. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Foda rindërton mbrojtjen pas largimit të Dellovës

Published

on

By

Kombëtarja e Kosovës në futboll është përballur me ndryshime të papritura në repartin defensiv në prag të ndeshjeve ndaj Izraelit dhe Irlandës.

Mbrojtësi Lumbardh Dellova është larguar nga grumbullimi i “Dardanëve”, ndërsa përzgjedhësi Franco Foda ka ftuar në vend të tij Betim Fazlijin. Kjo mungesë e ndërlikon edhe më shumë situatën në prapavijë, meqë jashtë fushave vazhdon të jetë edhe Albian Hajdari për shkak të një lëndimi afatgjatë.

Në skemën e tij të zakonshme 3-4-3, tekniku gjerman do të duhet të rindërtojë treshen e mbrojtjes. Lajm pozitiv për skuadrën është rikthimi i Kreshnik Hajrizit pas lëndimit, i cili pritet të jetë nga minutat e para pranë Ilir Krasniqit dhe Ron Raçit. Si opsione të reja në dispozicion janë edhe dy debutuesit nga Zvicra dhe Suedia, Lindrit Kamberi e Bleon Kurtulus, si dhe Betim Fazliji i cili mbulon disa pozicione në mbrojtje e mesfushë.

“Është e rëndësishme të kemi disa mundësi, jo vetëm për ndeshjet e radhës, por edhe për të ardhmen. Është e rëndësishme ta kemi parasysh të ardhmen e Kombëtares dhe ta ruajmë cilësinë, në mënyrë që të përgatitemi edhe për kualifikimet e Kampionatit Evropian”, u shpreh përzgjedhësi Foda lidhur me zgjedhjet e reja në mbrojtje. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara