Lajmet

Argumenti për Asociacionin, “në duart” e Vuçiqit

Stefan Surlliq: Serbia nuk heq dorë nga pozicioni se Kosova ka status të diskutueshëm.

Published

on

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të kushtëzojë vazhdimin e dialogut me Kosovën me zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, thotë Stefan Surlliq, profesor në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Surlliq thotë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me politikat e veta tregon se në Kosovë vlejnë konceptet njëetnike, por vetëm për shqiptarët.

Surlliq nuk pret që në rundin e 15 qershorit, palët të bisedojnë për Asociacionin.

Ai thotë se duhet të gjenden “forca të brendshme” që do t’i detyronin liderët të arrijnë marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve, pasi, sipas tij, Bashkimi Evropian ofron vetëm shkopin dhe jo karotën.

Radio Evropa e Lirë: Profesor Surlliq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të përballet të martën me një bashkëbisedues të ri në Bruksel: kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Cila është ajo gjëja e parë që prisni nga ky takim?

Stefan Surlliq: Pres që të dyja palët të tregojnë dëshirë dhe vullnet për të vazhduar dialogun, për të biseduar për temat që mund të dalin në tryezë gjatë periudhës së ardhshme. Ka pasur shumë mesazhe të ashpra dhe negative nga Beogradi dhe Prishtina, andaj është edhe simbolikisht e rëndësishme që të takohen dhe, nga pozita e udhëheqësve, të dërgojnë mesazhe më të moderuara dhe të dëshmojnë se janë të vendosur për dialog.

Radio Evropa e Lirë: Kurti ka thënë se Kosova do të paraqitet në Bruksel si palë e barabartë me Serbinë. Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka thënë të enjten në Tiranë se kjo është e pamundur, sepse – citoj – Serbia është shtet i njohur ndërkombëtarisht dhe Kosova jo. Si e shihni ju këtë qasje? Ku mund të çojë?

Stefan Surlliq: Serbia nuk heq dorë nga pozicioni se Kosova ka status të diskutueshëm dhe se ai nuk mund të zgjidhet derisa nuk ka marrëveshje midis Beogradit dhe Prishtinës. Në anën tjetër, Kurti e relativizon dialogun dhe konsideron se bëhet fjalë për palë të barabarta. Unë nuk do të pajtohesha. Nëse vërtet bëhet fjalë për palë të barabarta, atëherë përse zhvillohet dialogu? Çështjet teknike, që do të duhej të zgjidheshin midis serbëve dhe shqiptarëve, nuk përmenden më. Autonomia për serbët në Kosovë është lënë plotësisht anash.

Pra, ideja e dialogut është që të arrihet – siç thuhet shpesh – njohja reciproke. Marrë parasysh që Serbia është shtet i pranuar ndërkombëtarisht, zyrtarët evropianë dhe amerikanë presin që gjatë dialogut të arrihet një marrëveshje e atillë, që do të mundësonte zhbllokimin e Kosovës në planin ndërkombëtar dhe anëtarësimin e saj në institucionet dhe organizatat ndërkombëtare – gjë që tash për tash nuk është e mundur pa pajtimin e Serbisë.

Radio Evropa e Lirë: Kosova, megjithatë, është shtet i pranuar nga vende të shumta…

Stefan Surlliq: Po, [Kosova] është e pranuar. Por, shtrohet pyetja nëse Serbia nuk e njeh Kosovën – as pesë vende të Bashkimit Evropian nuk e njohin, çfarë është në favor të Serbisë – atëherë cila është perspektiva e Kosovës për t’u anëtarësuar në BE dhe në NATO, cila është perspektiva e anëtarësimit në Këshillin e Evropës? Mendoj se kjo është shumë e rëndësishme dhe nuk duhet relativizuar.

Albin Kurti tash i tregon muskujt për tema që janë vërtet të rëndësishme, para së gjithash, për qytetarët e Kosovës. Ai duhet ta thotë hapur se ‘është në interesin tonë’ dialogu me Serbinë, i cili do ta zhbllokojë Kosovën drejt rrugës evropiane dhe anëtarësimit në NATO.

Stefan Surlliq
Stefan Surlliq

Radio Evropa e Lirë: Kurti thotë se ky është fillimi i një procesi të ri të bisedimeve me Serbinë. Bashkimi Evropian thotë se është vazhdim i dialogut. Si komentohet në Serbi?

Stefan Surlliq: Më shumë komentohet në dritën e deklaratave të Kurtit. Ai, në fillim, ka thënë se dialogu nuk është fare i rëndësishëm, se është diku tema e pestë. Nëse është kështu, atëherë përse ai, si kryeministër, shkon në takim me presidentin e Serbisë? Ndoshta [presidentja e Kosovës] Vjosa Osmani do të mund të takohej me Vuçiqin. Por, fakti që ai e ka marrë këtë rol, tregon se ai e ka të rëndësishme të marrë pjesë dhe ta udhëheqë dialogun.

Sa i përket pjesës teknike të dialogut, nëse është vazhdim apo fillimi i një të riu, për ekipin negociues të Kosovës dhe për Albin Kurtin është fillimi i një procesi krejtësisht të ri. Ata nuk kanë kurrfarë përvoje. Në ekip nuk shoh anëtarë që kanë marrë pjesë më herët në proces. Kështu që takimi në Bruksel do të jetë një takim fillestar, me të cilin do të njoftohen. Por, supozoj se Bashkimi Evropian nuk do ta ndryshojë formatin.

Radio Evropa e Lirë: Vuçiq e ka porositur Kurtin se nuk ka nevojë të shkojë në Bruksel nëse nuk dëshiron të flasë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Kurti thotë se nuk mund të formohet ndonjë asociacion njëetnik. A mund të përafrohen këto qëndrime? Nëse po, si?

Stefan Surlliq: Mendoj se argumenti është në duart e Serbisë dhe të përfaqësuesve të komunitetit ndërkombëtar. Diçka që është rënë dakord në fazën paraprake dhe është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës me dy të tretat e votave, si mund të mos zbatohet? Mendoj se kjo pyetje, para së gjithash, është për qytetarët e Kosovës, për elitën politike në Kosovë. A do të sillen ata në mënyrë shtetërore dhe t’i respektojnë vendimet që lidhen me Asociacionin?

Albin Kurti thotë për Asociacionin se është koncept njëetnik, por me politikën e tij ai tregon në njëfarë mënyre se në Kosovë mund të kalojnë konceptet njëetnike, por vetëm për shqiptarët. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për pronat e Manastirit të Deçanit nuk respektohet, marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe nuk zbatohet – çfarë do të thotë që Kosova, si shtet, i respekton ligjet që i përshtaten shumicës shqiptare. Nëse është diçka në favor të komunitetit serb ose dëshirës së tij për autonomi, atëherë kjo nuk vlen dhe nuk do të zbatohet.

Andaj, Vuçiq, edhe pse ndoshta vetë nuk sheh ndonjë dobi të madhe nga Asociacioni, ai e sheh atë si argument të fuqishëm, që do ta përdorë edhe tek akterët ndërkombëtarë, duke këmbëngulur se nuk do të ketë vazhdim të dialogut, derisa ajo që është rënë dakord deri më tani, nuk zbatohet edhe në terren.

Radio Evropa e Lirë: A prisni që të martën në Bruksel të flitet për Asociacionin?

Stefan Surlliq: Mendoj se ka pak gjasa, sepse jo vetëm Albin Kurti, por të gjitha forcat politike në Kosovë janë të bashkuara në atë që Asociacioni është një zgjidhje negative për shoqërinë kosovare. Andaj, në këtë moment, nuk mendoj se do të ketë gatishmëri politike që [Kurti] të pranojë çfarëdo diskutimi për këtë temë. Në anën tjetër, mund të presim që Vuçiq të këmbëngulë pikërisht në këtë dhe kështu të kemi edhe një rund të pasuksesshëm të dialogut.

Radio Evropa e Lirë: Po, Vuçiq ka deklaruar se dialogu i ardhshëm në Bruksel nuk do të jetë i lehtë. A mund të supozoni se në çka ka aluduar?

Stefan Surlliq: Është një presion i vazhdueshëm nga vendet kryesore të Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, që duan marrëveshje, që do t’i mundësonte Kosovës njohje të plotë ndërkombëtare dhe anëtarësim në organizatat dhe institucionet ndërkombëtare. Të tjerat, për to janë tema periferike. Ai është i vetëdijshëm për këto dhe, javëve të fundit, disa herë ka thënë se Serbia përballet me presion të paparë.

Radio Evropa e Lirë: Vuçiq me bashkëbiseduesit paraprakë nga Kosova ka hapur edhe temën e ndryshimit të kufijve. A prisni që kjo temë të hapet edhe në takimit Kurti- Vuçiq?

Stefan Surlliq: Nuk besoj. Mendoj se është bërë e qartë, para së gjithash, nga akterët kryesorë ndërkombëtarë se ky opsion nuk mund të merret në shqyrtim. Kurti po ashtu ka thënë në disa raste se nuk mund të flitet për këtë. Nëse ka dëshirë për shkëmbim territoresh, duhet pajtimi i dy palëve. Në këtë rast, nuk mendoj se kjo do të jetë temë, edhe pse kjo nuk do të thotë se Vuçiq nuk ka ende ide për një ndryshim të vijave kufitare, sepse për marrëveshjen finale nuk shihet mbështetje domethënëse e qytetarëve dhe e akterëve politikë, nëse në tryezë është vetëm njohja e Kosovës, pa ndonjë – të them – përmbushje territoriale.

Radio Evropa e Lirë: A prisni marrëveshje të shpejtë midis Kosovës dhe Serbisë?

Stefan Surlliq: Nuk pres. Pres më shumë një marrëveshje si ajo e Uashingtonit, të cilën do ta prezantonte [i dërguari i BE-së për dialogun, Mirosllav] Lajçak, në bazë të temave që kanë qenë pjesë e dialogut, e që janë: të zhdukurit, krimet, pronat private. Këto do të mund të gjenden në një draft-marrëveshje që do ta nënshkruanin Beogradi dhe Prishtina, por kjo marrëveshje nuk do të kishte karakter final, por do të ishte në vazhdën e Marrëveshjes së Brukselit dhe të Uashingtonit.

Nuk ka ende gatishmëri politike as në Beograd, as në Prishtinë që të vihet deri te kompromisi dhe të zgjidhen problemet që i mundojnë edhe serbët, edhe shqiptarët. Diçka finale mund të presim në momentin kur Serbia dhe Kosova të gjenden para hyrjes dhe anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian.

Radio Evropa e Lirë: Atëherë sa do ta dëmtojë rrugën e tyre evropiane mungesa e marrëveshjes?

Stefan Surlliq: Në Serbi, edhe politikanët, edhe përfaqësuesit e shoqërisë civile vazhdimisht thonë se edhe sikur Serbia e Kosova të merren vesh për çdo gjë nesër, nuk ka perspektivë të hapur [për anëtarësim në BE]. Thjesht, vendet anëtare nuk janë në disponim për politikë të zgjerimit dhe për këtë janë të vetëdijshëm edhe Vuçiq, edhe Kurti. Ndoshta evropianët do të krijojnë një Proces të ri të Berlinit, ndoshta do të ofrojnë mjete të konsiderueshme financiare, por ne nuk kemi ende angazhim të qartë politik që këto dy shoqëri do të jenë pjesë e BE-së në të ardhmen e afërt.

Pra, nëse ofrohet vetëm shkopi dhe jo karota, atëherë nuk çuditem që dialogu, që vazhdon për më shumë se një dekadë, nuk jep rezultate. Besoj se duhet të gjenden forca të brendshme dhe jo ndërkombëtare, që do t’i detyrojnë udhëheqësit politikë të arrijnë marrëveshje, që do të thoshin se për neve normalizimi i marrëdhënieve është i rëndësishëm për të jetuar normalisht dhe jo sa për të përmbushur formalisht një kriter evropian apo ndërkombëtar.

Lajmet

Miratohet rendi i ditës: Rezoluta për luftën pika e parë, Lista Serbe lëshon seancën

Published

on

By

Pas një debati të gjatë dhe mungese fillestare të konsensusit, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë arritur dakordim për rendin e ditës, duke miratuar atë me 91 vota për. Ndryshimi kryesor erdhi me propozimin e PDK-së, ku me votat e 86 deputetëve u vendos që rezoluta për mbrojtjen e viktimave të luftës të trajtohet si pikë e parë menjëherë pas pyetjeve parlamentare.

Për të finalizuar këtë dokument, një grup i deputetëve të ngarkuar për harmonizimin e tekstit është tërhequr nga salla pas konsultave me Kryetaren e Kuvendit dhe shefat e grupeve parlamentare. Paralelisht, me kërkesë të LDK-së, rezoluta për rritjen e çmimeve është zhvendosur nga pika e nëntë në pikën e gjashtë të rendit të ditës.

Ndërkohë, seanca u përcoll me një veprim politik nga Lista Serbe, deputetët e së cilës lëshuan sallën në momentin kur po votoheshin këto ndryshime. Pavarësisht kësaj, punimet e Kuvendit po vazhdojnë sipas prioriteteve të reja të votuara nga shumica parlamentare.

Dështon propozimi i LVV-së për ndryshimin e rendit të ditës pas kundërshtimit të opozitës

Opozita ka refuzuar propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje për të përfshirë tetë projektligje të reja në rendin e ditës të seancës së 10 prillit, duke bërë që nisma të dështojë.

Partitë opozitare si PDK, LDK dhe AAK u shprehën kundër kësaj kërkese, duke e cilësuar si një tentativë për fushatë zgjedhore dhe duke kritikuar procedurën e përshpejtuar për tema me rëndësi të lartë si çmimet tavan, sigurimet shëndetësore dhe banimi social.

Ndërsa grupi multietnik e mbështeti propozimin, deputetët e opozitës kërkuan që të respektohen procedurat e rregullta parlamentare dhe të mos krijohet praktikë e ndryshimit të vazhdueshëm të agjendës pa analizë të mirëfilltë.

Continue Reading

Lajmet

DITARI: Çfarë lajmesh kemi lexuar në çdo 10 prill, në vitet nëntëdhjetë

Published

on

By

10 prill 1993

Lajmet kryesore:

Nesër në Kosovë vjen delegacioni i kongresistëve amerikanë

Pjetër Arbnori qëndroi në Maqedoni

Një delegacion i Qeverisë së Kosovës qëndroi në Tetovë

Rektori i Universitetit të Prishtinës u dërgua në burgun e Mitrovicës

Adem Demaçi: Nuk bënë të ngrihemi në këmbë pas atyre që shpërndajnë trakte natën…

Aksion i policisë serbe në Mitrovicë

Një anëtar i misionit të KSBE-së vizitoi Malishevën

Në Podujevë u bastis dhe u maltretua familja Bejtullahu

Protestë kundër burgosjes së rektorit të Universitetit të Prishtinës

Nga banesat nxirren 55 punëtorë të “Ballkanit” të Suharekës

Masat e dhunshme u vunë edhe në shoqatën automoto “Semafor” në Suharekë

Policia arrestoi e rrahu tre nxënës prishtinas

Aksion në Parkun e Prishtinës

Plaçkitje të mëdha të policisë financiare

 

 

 

10 prill 1995

Lajmet kryesore:

Kryetari Rugova u takua me komunitetin shqiptar në Londër

Dr. Berisha: Athina mund të inkurajojë dialogun shqiptaro-serb

Sot në Shqipëri arrin ministri turk i mbrojtjes

Raport i KMDLNJ për represionin e pushtetit serb gjatë muajit mars 1995 në Kosovë

Persona të maskuar sulmuan Fazli Balajn

Në Prishtinë uji ende nuk mund të pihet

Dhuna e përditshme në Kosovë

Minatori Avdi Uka u mor dy herë në polici

Represioni në Gllogvc gjatë muajit mars

Policia ndërhyri në deponë e SHHB “Nënë Tereza” në Gllogovc

Policia ndërhyri në SHF “Idriz Seferi” në Bob të Kaçanikut

Policia serbe ndërhyri në dy shkolla në komunën e Malishevës

Në Geteborg përfundoi Java e Kulturës Shqipare

Filloi sezoni pranveror i kampionatit të Kosovës në futboll

Mësimdhënësit e Universitetit të Tetovës u shkruajnë institucioneve ndërkombëtare

SHBA të preokupuara me keqësimin e situatës në Bosnjë

Ekspertët e Grupit të kontaktit vizitojnë Beogradin, Zagrebin dhe Sarajevën

Në Prishtinë për kolonistët serbë jipen 150 troje

“Zëri i Amerikës” e “Evropa e lirë” për aktakuzën kundër ish-policëve të Kosovës në Prishtinë

Kryetari i Degës së LDK-së në Suharekë u lirua nga burgu

Në rrethana të pasqaruara vdiq Ilmi Loshi nga Vraniqi

 

 

10 prill 1997

Lajm i plotë:

Përfundoi punimet tryeza triditëshe në Nju Jork

Dje në Nju Jork i përfundoi punimet tridiëtshe tryeza shqiptaro-serbe për çështjen e Kosovës.

Në përfundim të tryezës u shpallën nga organizatori Projekti për Çështje etnike dy kumtesa. Në njërën, pasi ipet lista e pjesëmarrësve të tryezës së Nju Jorkut, përkujtohet takimi i para dy viteve në Beograd, kur, siç thuhet në kumtesë, Partia Socialiste e Serbisë pat propozuar “fillimin e bisedimeve serioze drejt gjetjes së zgjidhjes së problemeve në marrëdhëniet serbo-shqiptare”, ndërsa “rezultati më i rëndësishëm i tryezës së parë ishte pranimi i kësaj iniciative nga LDK-ja”.

Në kumtesën tjetër thuhet:

  1. Kosova paraqet një problem serioz i cili kërkon zgjidhje urgjente. Pa inkurajim dhe ndihmë ndërkombëtare nuk mund të tejkalohet mungesa e besimit mes palëve ose të arrihet zgjidhje qëndrueshme.
  2. Problemi mund të zgjidhet vetëm përmes marrëveshjes së ndërsjellë që arrihet përmes dialogut, në të cilin duhet të hyhet pa parakushte dhe pa paragjykime mbi rezultatet e mundshme.
  3. Marrëveshja duhet të mbështetet në parimet e demokratizimit, të respektit të ndërsjellë mes palëve, respektimit të të drejtave të njeriut, atyre individuale e kolektive dhe të avancimit të stabilitetit rajonal duke respektuar parimet e Helsinkut mbi kufijtë. Në zgjidhje e përkohshme kërkon një Kosovë demokratike dhe një Serbi demokratike.

Në njoftimet e shumta të mediumeve të huaja mbrëmë dhe sot theksohet qëndrimi i prerë i palës shqiptare për pavarësi dhe qëndrimi serb për zgjidhjen e çështjes së Kosovës në kuadër të Serbisë e të Jugosllavisë së mbetur.

Në fund të tryezës Alen Kasof, president i Projektit për Marrëdhënie Etnike që e përgatiti takimin në Nju-Jork, tha se këto bisedime ishin të rëndësishme për disa arsye.

Së pari, palët u njohën me njëra-tjetrën, sepse udhëheqjet e të dy palëve kanë vepruar në rrethana krejtësisht të ndryshme. Udhëheqësit e opozitës serbe janë politikanë të rinj, ndërsa politikanët shqiptarë kanë vepruar kryesisht në sistemin paralel.

Aspekti tjetër i rëndësishëm i bisedimeve është se pala serbe dhe ajo shqiptare, por edhe vëzhguesit amerikanë, tani kanë një pasqyrë më të qartë për spektrin e alternativave që ofrohen për zgjidhjen e krizës në Kosovë.

Ndërkaq aspekti më i rëndësishëm i bisedimeve është se palët u shprehën fuqimisht që problemi të zgjidhet në rrugë paqësore, me mjetet demkoratike dhe hap pas hapi, tha presidenti i Projektit.

Pastaj pjesëmarrësit dolën para gazetarëve të shumtë dhe u përgjigjen në pyetjet e tyre.

 

Lajme të tjera:

Demaçi: Presion për të marrë pjesë në zgjedhjet në Serbi e në Jugosllavi

Drashkoviq: Dialogu i ardhshëm për Kosovën – në Serbi?!

  1. Koshtunica: Po internacionalizohet çështja e Kosovës

Socialistët serbë të Kosovës opozitën e akuzojnë për tradhti

Nikollas Bërns: Sali Berisha nuk është pengesë për paqen në Shqipëri

Parlamenti italian miratoi vendimin për pjesëmarrjen e Italisë në forcat shumëkombëshe në Shqipëri

Lekë Zogu vjen të shtunën në Shqipëri

Dhuna e përditshme në Kosovë

Podujevë: Aksione plaçkitëse nëpër dyqane dhe ndërmarrje private

Në Mitrovicë disa serbë thyen banesën e një familjeje shqiptare

 

Lajm i plotë:

Në një bodrum në lagjen Ulpiana në Prishtinë u gjet trupi i pajetë i një fëmije

Dje, në bodrumin e bllokut banesor D-VII, në lagjen Ulpiana të Prishtinës, u gjet trupi i një fëmijë tash për tash të paidentifikaur. Sipas disa dëshmitarëve, fjala është për kufomën e një fëmije, e dëmtuar ç’prej kohësh, gjë që edhe ka vështirësuar shumë punët rreth përcaktimit të identitetit të saj, njofton “Bujku”.

Kufomën e gjeti dje në mëngjes ekipi i punëtorëve të servisit privat “Universal” për mirëmbajtjen e banesave, derisa po bënin pastrimin e bodrumit të kësaj ndërtese. Punëtorët kanë njoftuar organet policore dhe thuhet se ato kanë dalë menjëehrë në vendin e ngjarjes. Kufoma ishte e shtrirë në shpinë dhe kishte këmishë me katrorë të kuq, pantollona xhins të kaltër dhe çorapë të trasha ngjyrë të kuqe të mbylltë, thanë punëtorët e këtij sevisi.

Hëpërhë nuk ka të dhëna të tjera lidhur me këtë kufomë, por së shpejti priten rezultatet e ekspertizës për identifikimin e saj.

 

 

 

Lajm i plotë:

Pas një viti u gjet kufoma e fëmijës Jeton Metaj

Trupi i pajetë i paidentifikuar, që u gjet dje në bodrumin e bllokut banesor D-VII, në lagjen Ulpiana të Prishtinës, është i Jeton M. Metajt (9) nga Prishtina, i deklaroi sot QIK-ut, babai i të ndjerit Muhameti.

Nga familja e tij, ai ishte larguar më 18 prill të vitit të kaluar dhe, përkundër të gjitha përpjekjeve familja e tij nuk kishte arritur të mësonte dot ku ndodhej ai.

Për shkak se babai i tij ishte i larguar nga puna, ai kishte dalë nga banesa për të shitur duhan dhe më nuk ishte kthyer, ndërsa fëmijët që ishin me të nuk ishin në gjendje të shpjegonin ku kishte mbetur ai.

Muhamet Metaj i tha QIK-ut se ai e kishte njohur kufomën e djalit të tij në bazë të një shenje që Jetoni kishte në vesh dhe nga rrobat e tij.

Ai tha se organet hetuese serbe nuk i kanë dhënë atij njoftime më të hollësishme. Policia i ka thënë atij se do ta njoftojnë më vonë për kohën kur do të mund ta marrë për ta varrosur kufomën.

 

Lajme të tjera:

Ushtarët grekë pritet që të vendosen në Tiranë dhe në Vlorë

Në Kosovën Lindore nesër fillon vaksinimi i fëmijëve kundër paralizës

Pejë: Merren në pyetje aktivistë politikë

 

 

10 prill 1998

Edicioni i parë (13:00)

Lajmet kryesore:

Konferencë për gazetarë e kryetarit të Republikës së Kosovës dr. Ibrahim Rugova

Mbi 50.000 qytetarë u mblodhën në rrugën kryesore të Prishtinës

Policia largoi qytetarët nga rruga kryesore e Lipjanit

Detonacione të fuqishme nga stacioni policor i Irzniqit të Deçanit

  1. Igëllberger: Shpërthimi në Kosovë, çështje e sigurisë amerikane

Zëdhënësi i Ushtrisë së Shqipërisë: Në rast të agresionit në Kosovë, do të reagonte mbarë kombi shqiptar

SHHB “Nëna Tereze” nuk merr pjesë në vaksinimin kundër poliomilitit

Ushtarët serbë provokojnë banorët e Ribarit të Madh të Lipjanit

Lipjan: U morën në pyetje dy aktivistë të LDK-së

Një helikopter i ushtrisë serbe incizoi dhe fotografoi terrenin mbi fshatrat e Malishevës

Në Prishtinë janë grumbulluar 265 mijë DM për Drenicën

Nga Universiteti Marmara të Stambollit: 42. 000 DM për Drenicën

Në Banjë policia plaçkiti dhe keqtrajtoi Alban Mazrekun nga Malisheva

 

 

Edicioni i dytë (15:30)

Lajm i plotë:

Sadako Ogata vizitoi familjen Sejdiu

Sadako Ogata e vizitoi sot familjen e Sejdi Osmanit nga Skënderaj, e cila është vendosur në një familje Prishtinë.

  1. Osmani ka punuar si bukëpjekës në Skënderaj. Pas sulmit në Prekaz kishte ardhur në Prishtinë dhe është vendosur në një familje shqiptare, në një banesë përdhese. Ai jeton me bashkëshorten dhe katër fëmijë të vegjël.

Sadako Ogata me bashkëpunëtorët qëndroi në këtë familje rreth dhjetë minuta dhe bisedoi me të për rrethanat e largimit të saj nga shtëpia e vet në Skënderaj dhe për kushtet e jetës në këtë banesë në Prishtinë.

 

Lajme të tjera:

Mitrovicë: Policia keqtrajtoi shumë qytetarë

Përforcime në postbllokun e fshatit Ternafc

Gjendje e rëndë në familjen e Xhemë Shalës në Kopiliq

Në Strugë janë mbledhur 75. 000 DM për Kosovën

Dhuna e përditshme në Kosovë

 

Edicioni i tretë (19:30)

Lajmet kryesore:

Në Ferizaj në shëtitje rreth 80 mijë veta

Shëtitje masive edhe në Podujevë

Në Pejë policia serbe pengoi shëtitjen

Veprimtarët politikë të Gllogovcit u morën në polici

Civilët serbë e rrahën Arlind Kadriun në prani të policëve

Nga Serbia erdhën forca policore

Mbrëmë në Qafë të Dulës u plagos një udhëheqës lokal i Partisë socialiste serbe në Dragash

Regjimi serb i dërgon ftesa për ushtri të rinjve shqiptarë

Foto: Nju Jorku

 

Continue Reading

Lajmet

Mbi dy mijë tiketa trafiku në raportin 24-orësh të Policisë

Published

on

By

Gjatë 24 orëve të fundit, Policia e Kosovës ka qenë mjaft aktive në teren, ku sipas raportit të fundit janë shqiptuar gjithsej 2270 tiketa trafiku për shkelësit e rregullave të komunikacionit.

Përkundër kontrolleve të rrepta, gjatë kësaj periudhe janë regjistruar 47 aksidente, prej të cilëve 21 përfunduan me persona të lënduar dhe 26 me dëme materiale, ndërsa fatmirësisht nuk u shënua asnjë rast me fatalitet.

Sa i përket rendit dhe ligjit, policia ka arrestuar 14 persona për vepra të ndryshme penale. Me vendim të prokurorit, 8 prej tyre janë dërguar në mbajtje, ndërsa 4 persona janë dërguar në vuajtje të dënimit.

Gjatë këtij raportimi 24-orësh, nuk është regjistruar asnjë person në ndalim policor.

Continue Reading

Lajmet

Sot në Kosovë çmimi i naftës bie në 1.89 euro

Published

on

By

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka publikuar çmimet maksimale të lejuara për shitjen e derivateve për datën 10 prill 2026. Sipas njoftimit, çmimet kanë shënuar rritje, duke reflektuar paqëndrueshmërinë në bursat ndërkombëtare:

  • Nafta (Dizel): 1.89 euro/litër
  • Benzina: 1.47 euro/litër
  • Gasi: 0.82 euro/litër

Kjo rritje vjen si pasojë e drejtpërdrejtë e konfliktit të përshkallëzuar në Lindjen e Mesme mes Iranit dhe boshtit SHBA-Izrael. Lufta, e cila ka nisur që prej fundit të shkurtit 2026, ka shkaktuar ndërprerje masive të furnizimit, veçanërisht për shkak të bllokimit të pothuajse plotë të Ngushticës së Hormuzit, përmes së cilës kalon rreth 20% e naftës botërore.

Edhe pse ditëve të fundit ka pasur një marrëveshje armëpushim dyjavor të propozuar nga SHBA, çmimet në pompat e Kosovës mbeten të larta.

Ekspertët paralajmërojnë se për sa kohë tensionet ushtarake mbeten aktive dhe rrugët detare të pasigurta, kostoja e transportit dhe energjisë do të vazhdojë të rëndojë xhepat e konsumatorëve globalë, përfshirë edhe ata në vendin tonë.

Continue Reading

Të kërkuara