Lajmet
Argumenti për Asociacionin, “në duart” e Vuçiqit
Stefan Surlliq: Serbia nuk heq dorë nga pozicioni se Kosova ka status të diskutueshëm.
Published
5 years agoon
By
Betim GashiPresidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të kushtëzojë vazhdimin e dialogut me Kosovën me zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, thotë Stefan Surlliq, profesor në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Surlliq thotë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me politikat e veta tregon se në Kosovë vlejnë konceptet njëetnike, por vetëm për shqiptarët.
Surlliq nuk pret që në rundin e 15 qershorit, palët të bisedojnë për Asociacionin.
Ai thotë se duhet të gjenden “forca të brendshme” që do t’i detyronin liderët të arrijnë marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve, pasi, sipas tij, Bashkimi Evropian ofron vetëm shkopin dhe jo karotën.
Radio Evropa e Lirë: Profesor Surlliq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të përballet të martën me një bashkëbisedues të ri në Bruksel: kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Cila është ajo gjëja e parë që prisni nga ky takim?
Stefan Surlliq: Pres që të dyja palët të tregojnë dëshirë dhe vullnet për të vazhduar dialogun, për të biseduar për temat që mund të dalin në tryezë gjatë periudhës së ardhshme. Ka pasur shumë mesazhe të ashpra dhe negative nga Beogradi dhe Prishtina, andaj është edhe simbolikisht e rëndësishme që të takohen dhe, nga pozita e udhëheqësve, të dërgojnë mesazhe më të moderuara dhe të dëshmojnë se janë të vendosur për dialog.
Radio Evropa e Lirë: Kurti ka thënë se Kosova do të paraqitet në Bruksel si palë e barabartë me Serbinë. Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka thënë të enjten në Tiranë se kjo është e pamundur, sepse – citoj – Serbia është shtet i njohur ndërkombëtarisht dhe Kosova jo. Si e shihni ju këtë qasje? Ku mund të çojë?
Stefan Surlliq: Serbia nuk heq dorë nga pozicioni se Kosova ka status të diskutueshëm dhe se ai nuk mund të zgjidhet derisa nuk ka marrëveshje midis Beogradit dhe Prishtinës. Në anën tjetër, Kurti e relativizon dialogun dhe konsideron se bëhet fjalë për palë të barabarta. Unë nuk do të pajtohesha. Nëse vërtet bëhet fjalë për palë të barabarta, atëherë përse zhvillohet dialogu? Çështjet teknike, që do të duhej të zgjidheshin midis serbëve dhe shqiptarëve, nuk përmenden më. Autonomia për serbët në Kosovë është lënë plotësisht anash.
Pra, ideja e dialogut është që të arrihet – siç thuhet shpesh – njohja reciproke. Marrë parasysh që Serbia është shtet i pranuar ndërkombëtarisht, zyrtarët evropianë dhe amerikanë presin që gjatë dialogut të arrihet një marrëveshje e atillë, që do të mundësonte zhbllokimin e Kosovës në planin ndërkombëtar dhe anëtarësimin e saj në institucionet dhe organizatat ndërkombëtare – gjë që tash për tash nuk është e mundur pa pajtimin e Serbisë.
Radio Evropa e Lirë: Kosova, megjithatë, është shtet i pranuar nga vende të shumta…
Stefan Surlliq: Po, [Kosova] është e pranuar. Por, shtrohet pyetja nëse Serbia nuk e njeh Kosovën – as pesë vende të Bashkimit Evropian nuk e njohin, çfarë është në favor të Serbisë – atëherë cila është perspektiva e Kosovës për t’u anëtarësuar në BE dhe në NATO, cila është perspektiva e anëtarësimit në Këshillin e Evropës? Mendoj se kjo është shumë e rëndësishme dhe nuk duhet relativizuar.
Albin Kurti tash i tregon muskujt për tema që janë vërtet të rëndësishme, para së gjithash, për qytetarët e Kosovës. Ai duhet ta thotë hapur se ‘është në interesin tonë’ dialogu me Serbinë, i cili do ta zhbllokojë Kosovën drejt rrugës evropiane dhe anëtarësimit në NATO.

Radio Evropa e Lirë: Kurti thotë se ky është fillimi i një procesi të ri të bisedimeve me Serbinë. Bashkimi Evropian thotë se është vazhdim i dialogut. Si komentohet në Serbi?
Stefan Surlliq: Më shumë komentohet në dritën e deklaratave të Kurtit. Ai, në fillim, ka thënë se dialogu nuk është fare i rëndësishëm, se është diku tema e pestë. Nëse është kështu, atëherë përse ai, si kryeministër, shkon në takim me presidentin e Serbisë? Ndoshta [presidentja e Kosovës] Vjosa Osmani do të mund të takohej me Vuçiqin. Por, fakti që ai e ka marrë këtë rol, tregon se ai e ka të rëndësishme të marrë pjesë dhe ta udhëheqë dialogun.
Sa i përket pjesës teknike të dialogut, nëse është vazhdim apo fillimi i një të riu, për ekipin negociues të Kosovës dhe për Albin Kurtin është fillimi i një procesi krejtësisht të ri. Ata nuk kanë kurrfarë përvoje. Në ekip nuk shoh anëtarë që kanë marrë pjesë më herët në proces. Kështu që takimi në Bruksel do të jetë një takim fillestar, me të cilin do të njoftohen. Por, supozoj se Bashkimi Evropian nuk do ta ndryshojë formatin.
Radio Evropa e Lirë: Vuçiq e ka porositur Kurtin se nuk ka nevojë të shkojë në Bruksel nëse nuk dëshiron të flasë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Kurti thotë se nuk mund të formohet ndonjë asociacion njëetnik. A mund të përafrohen këto qëndrime? Nëse po, si?
Stefan Surlliq: Mendoj se argumenti është në duart e Serbisë dhe të përfaqësuesve të komunitetit ndërkombëtar. Diçka që është rënë dakord në fazën paraprake dhe është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës me dy të tretat e votave, si mund të mos zbatohet? Mendoj se kjo pyetje, para së gjithash, është për qytetarët e Kosovës, për elitën politike në Kosovë. A do të sillen ata në mënyrë shtetërore dhe t’i respektojnë vendimet që lidhen me Asociacionin?
Albin Kurti thotë për Asociacionin se është koncept njëetnik, por me politikën e tij ai tregon në njëfarë mënyre se në Kosovë mund të kalojnë konceptet njëetnike, por vetëm për shqiptarët. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për pronat e Manastirit të Deçanit nuk respektohet, marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe nuk zbatohet – çfarë do të thotë që Kosova, si shtet, i respekton ligjet që i përshtaten shumicës shqiptare. Nëse është diçka në favor të komunitetit serb ose dëshirës së tij për autonomi, atëherë kjo nuk vlen dhe nuk do të zbatohet.
Andaj, Vuçiq, edhe pse ndoshta vetë nuk sheh ndonjë dobi të madhe nga Asociacioni, ai e sheh atë si argument të fuqishëm, që do ta përdorë edhe tek akterët ndërkombëtarë, duke këmbëngulur se nuk do të ketë vazhdim të dialogut, derisa ajo që është rënë dakord deri më tani, nuk zbatohet edhe në terren.
Radio Evropa e Lirë: A prisni që të martën në Bruksel të flitet për Asociacionin?
Stefan Surlliq: Mendoj se ka pak gjasa, sepse jo vetëm Albin Kurti, por të gjitha forcat politike në Kosovë janë të bashkuara në atë që Asociacioni është një zgjidhje negative për shoqërinë kosovare. Andaj, në këtë moment, nuk mendoj se do të ketë gatishmëri politike që [Kurti] të pranojë çfarëdo diskutimi për këtë temë. Në anën tjetër, mund të presim që Vuçiq të këmbëngulë pikërisht në këtë dhe kështu të kemi edhe një rund të pasuksesshëm të dialogut.
Radio Evropa e Lirë: Po, Vuçiq ka deklaruar se dialogu i ardhshëm në Bruksel nuk do të jetë i lehtë. A mund të supozoni se në çka ka aluduar?
Stefan Surlliq: Është një presion i vazhdueshëm nga vendet kryesore të Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, që duan marrëveshje, që do t’i mundësonte Kosovës njohje të plotë ndërkombëtare dhe anëtarësim në organizatat dhe institucionet ndërkombëtare. Të tjerat, për to janë tema periferike. Ai është i vetëdijshëm për këto dhe, javëve të fundit, disa herë ka thënë se Serbia përballet me presion të paparë.
Radio Evropa e Lirë: Vuçiq me bashkëbiseduesit paraprakë nga Kosova ka hapur edhe temën e ndryshimit të kufijve. A prisni që kjo temë të hapet edhe në takimit Kurti- Vuçiq?
Stefan Surlliq: Nuk besoj. Mendoj se është bërë e qartë, para së gjithash, nga akterët kryesorë ndërkombëtarë se ky opsion nuk mund të merret në shqyrtim. Kurti po ashtu ka thënë në disa raste se nuk mund të flitet për këtë. Nëse ka dëshirë për shkëmbim territoresh, duhet pajtimi i dy palëve. Në këtë rast, nuk mendoj se kjo do të jetë temë, edhe pse kjo nuk do të thotë se Vuçiq nuk ka ende ide për një ndryshim të vijave kufitare, sepse për marrëveshjen finale nuk shihet mbështetje domethënëse e qytetarëve dhe e akterëve politikë, nëse në tryezë është vetëm njohja e Kosovës, pa ndonjë – të them – përmbushje territoriale.
Radio Evropa e Lirë: A prisni marrëveshje të shpejtë midis Kosovës dhe Serbisë?
Stefan Surlliq: Nuk pres. Pres më shumë një marrëveshje si ajo e Uashingtonit, të cilën do ta prezantonte [i dërguari i BE-së për dialogun, Mirosllav] Lajçak, në bazë të temave që kanë qenë pjesë e dialogut, e që janë: të zhdukurit, krimet, pronat private. Këto do të mund të gjenden në një draft-marrëveshje që do ta nënshkruanin Beogradi dhe Prishtina, por kjo marrëveshje nuk do të kishte karakter final, por do të ishte në vazhdën e Marrëveshjes së Brukselit dhe të Uashingtonit.
Nuk ka ende gatishmëri politike as në Beograd, as në Prishtinë që të vihet deri te kompromisi dhe të zgjidhen problemet që i mundojnë edhe serbët, edhe shqiptarët. Diçka finale mund të presim në momentin kur Serbia dhe Kosova të gjenden para hyrjes dhe anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian.
Radio Evropa e Lirë: Atëherë sa do ta dëmtojë rrugën e tyre evropiane mungesa e marrëveshjes?
Stefan Surlliq: Në Serbi, edhe politikanët, edhe përfaqësuesit e shoqërisë civile vazhdimisht thonë se edhe sikur Serbia e Kosova të merren vesh për çdo gjë nesër, nuk ka perspektivë të hapur [për anëtarësim në BE]. Thjesht, vendet anëtare nuk janë në disponim për politikë të zgjerimit dhe për këtë janë të vetëdijshëm edhe Vuçiq, edhe Kurti. Ndoshta evropianët do të krijojnë një Proces të ri të Berlinit, ndoshta do të ofrojnë mjete të konsiderueshme financiare, por ne nuk kemi ende angazhim të qartë politik që këto dy shoqëri do të jenë pjesë e BE-së në të ardhmen e afërt.
Pra, nëse ofrohet vetëm shkopi dhe jo karota, atëherë nuk çuditem që dialogu, që vazhdon për më shumë se një dekadë, nuk jep rezultate. Besoj se duhet të gjenden forca të brendshme dhe jo ndërkombëtare, që do t’i detyrojnë udhëheqësit politikë të arrijnë marrëveshje, që do të thoshin se për neve normalizimi i marrëdhënieve është i rëndësishëm për të jetuar normalisht dhe jo sa për të përmbushur formalisht një kriter evropian apo ndërkombëtar.
Lajmet
Sot mblidhet Kuvendi: Rezoluta për vlerat e luftës dhe marrëveshjet ndërkombëtare në qendër të debatit
Published
5 minutes agoon
April 10, 2026By
UBTNews
Kuvendi i Kosovës mblidhet sot në një seancë plenare të shoqëruar me tensione politike dhe mungesë konsensusi për rendin e ditës. Përplasja kryesore po ndodh mes PDK-së, që kërkon që rezoluta për “mbrojtjen e së vërtetës historike të luftës 1998–1999” të jetë pika e parë, dhe LVV-së, e cila kërkon harmonizim paraprak dhe radhitjen e saj si pikë të fundit.
Ky bllokim ka lënë pezull edhe katër marrëveshje ndërkombëtare financiare që dështuan të miratoheshin në seancën paraprake. Ndërsa opozita (LDK dhe AAK) mbështet rezolutën e PDK-së, LVV insiston që temat nacionale të mos trajtohen si parciale.
Rendi i ditës i paraparë për këtë seancë:
- Miratimi i rendit të ditës.
- Miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme.
- Deklarimet jashtë rendit të ditës.
- Pyetjet parlamentare.
- Votimi i Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim (Projekti i Sektorit Financiar).
- Shqyrtimi i Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë me Agjencinë Franceze për Zhvillim.
- Shqyrtimi i Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë me KfW për Energji dhe Klimë.
- Shqyrtimi i Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim (Lehtësimi i Tregtisë dhe Transportit 2.0).
- Votimi i Propozim-Rezolutës për rritjen e çmimeve të naftës dhe koston e jetesës.
- Zgjedhja e një anëtari joprokuror në Këshillin Prokurorial të Kosovës.
- Shqyrtimi i Propozim-Rezolutës për mbrojtjen e së vërtetës historike të luftës në Kosovë 1998–1999.
- Propozimi i PDK-së dhe AAK-së për emërimin e deputetëve në komisionet parlamentare.
Lajmet
Ferizaj: Sulmohen policët në krye të detyrës, një i arrestuar dhe një zyrtar i lënduar
Published
43 minutes agoon
April 10, 2026By
UBTNews
Gjatë 24 orëve të fundit në Policinë e Kosovës është raportuar një incident i rëndë në Ferizaj, ku tre persona kanë kanosur dhe penguar zyrtarët policorë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.
Sipas raportit policor, ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes rreth orës 22:10, ku si pasojë e rezistencës dhe sulmit, një zyrtar policor ka pësuar lëndime trupore.
Njëri nga të dyshuarit, i cili ndodhej në gjendje të dehur, është arrestuar menjëherë dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje, ndërsa dy të dyshuarit e tjerë janë liruar dhe do të ndiqen në procedurë të rregullt.
Rasti po trajtohet si kanosje dhe pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës.
Lajmet
Gjashtë raste të dhunës në familje brenda një dite
Published
50 minutes agoon
April 10, 2026By
UBTNews
Gjatë 24 orëve të fundit në Policinë e Kosovës janë raportuar gjashtë raste të dhunës në familje dhe kanosjes në disa qytete të ndryshme.
Sipas raportit lidhur me këto raste janë arrestuar katër persona.
Në Drenas është arrestuar një i dyshuar pasi ka sulmuar fizikisht dhe ka kanosur një grua, e cila ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Ngjashëm, në Podujevë dhe Kamenicë, dy persona janë dërguar në mbajtje nën dyshimin për dhunë në familje dhe kanosje ndaj viktimave.
Në Mitrovicën e Jugut, një person nën ndikimin e alkoolit ka sulmuar fizikisht një grua, e cila ka marrë ndihmë mjekësore, mirëpo i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Në Pejë po ashtu është raportuar një rast i kanosjes ku i dyshuari po hetohet në procedurë të rregullt.
Ndërsa në Vushtrri policia po vazhdon hetimet për një rast tjetër të dhunës ku viktima nuk ka kërkuar trajtim mjekësor. Të gjitha rastet janë iniciuar në koordinim me prokuroritë përkatëse.
Lajmet
Studentët e Inxhinierisë së Energjisë në UBT thellojnë njohuritë praktike përmes vizitës studimore në KOSTT
Published
14 hours agoon
April 9, 2026By
ubtnews
Në kuadër të angazhimit të vazhdueshëm për të ndërlidhur teorinë me praktikën dhe për të përgatitur profesionistë të gatshëm për tregun e punës, studentët e vitit të dytë të programit Inxhinieri e Energjisë në UBT realizuan një vizitë studimore në ambientet e KOSTT, operatorit të sistemit të transmetimit të energjisë elektrike në Kosovë.

Kjo vizitë, e organizuar nën udhëheqjen e profesorëve Vehebi Sofiu, Sami Gashi dhe Nexhmi Krasniqi, kishte për qëllim që studentët të njihen nga afër me funksionimin real të sistemit elektroenergjetik, mekanizmat e tregut të energjisë dhe sfidat bashkëkohore të këtij sektori strategjik.
Gjatë qëndrimit në KOSTT, studentët u pritën nga Dispeçeri Nacional, Muhamet Purellku, si dhe nga Zyrtarja për Zhvillim dhe Trajnime të Stafit, Aida Mirdita, të cilët ofruan një prezantim të detajuar dhe profesional mbi organizimin dhe funksionimin e sistemit të transmetimit të energjisë elektrike në vend.
Në fokus të prezantimit ishin proceset e monitorimit dhe menaxhimit të rrjetit elektroenergjetik, koordinimi ndërmjet sektorëve teknikë dhe operativë, si dhe struktura dhe zhvillimi i tregut energjetik në Kosovë. Studentët patën mundësinë të kuptojnë nga afër rolin dhe përgjegjësitë e institucioneve kyçe në këtë sektor, duke përfituar një pasqyrë reale mbi sfidat dhe zhvillimet e industrisë së energjisë.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe rëndësisë së zhvillimit të qëndrueshëm të sistemit elektroenergjetik, investimeve strategjike në rrjetin e transmetimit dhe planeve afatgjata që lidhen me sigurinë energjetike dhe integrimin në tregjet rajonale dhe evropiane.
Kjo vizitë dëshmon qartë qasjen moderne të UBT-së në arsim, ku përveç përgatitjes teorike, studentëve u ofrohen mundësi konkrete për përvojë praktike dhe kontakt të drejtpërdrejtë me industrinë. Programi i Inxhinierisë së Energjisë në UBT synon të formojë kuadro të specializuara, të afta për t’iu përgjigjur kërkesave në rritje të sektorit energjetik, si në nivel vendor ashtu edhe ndërkombëtar.
Përmes bashkëpunimeve të tilla me institucione relevante si KOSTT, studentët e UBT-së fitojnë një avantazh të rëndësishëm profesional, duke lidhur njohuritë akademike me realitetin e punës dhe duke u përgatitur për sfidat e së ardhmes në një nga sektorët më vitalë të zhvillimit ekonomik.
Në përmbyllje të vizitës, studentët dhe profesorët shprehën mirënjohje për mikpritjen dhe për ndarjen e përvojave profesionale nga stafi i KOSTT, duke e vlerësuar këtë vizitë si një hap të rëndësishëm në rrugëtimin e tyre akademik dhe profesional.

Sot mblidhet Kuvendi: Rezoluta për vlerat e luftës dhe marrëveshjet ndërkombëtare në qendër të debatit
Teatri i Gjakovës me “Vojçekun” drejt skenës ndërkombëtare në Vjenë
Prizren: Aksident fatal me motor, humb jetën një shtetas i huaj
REL: S’u morëm vesh kështu”: Trump e paralajmëron Iranin për Ngushticën e Hormuzit në prag të bisedimeve
Muriqi: “E mendova të shkruar në yje kualifikimin e Kosovës në Botëror”
Ferizaj: Sulmohen policët në krye të detyrës, një i arrestuar dhe një zyrtar i lënduar
Gjashtë raste të dhunës në familje brenda një dite
Ekuipazhi i Artemis II vëzhgon eklips të rrallë diellor nga hapësira
Ndahet nga jeta aktori Michael Patrick, i njohur nga “Game of Thrones”
Të kërkuara
-
Lajmet2 months agoUBT nderon Familjen Jashari me Dekoratën Jetësore të Nderit
-
Lajmet3 months agoProfesori i UBT-së, Kujtim Thaçi publikon artikull shkencor në revistën prestigjioze Frontiers in Immunology
-
Lajmet3 months agoStudentët e UBT-së në vizitë studimore në Presidencën e Republikës së Kosovës
-
Lajmet3 months agoProfesori i UBT-së, Naser Rugova, publikon studim shkencor mbi digjitalizimin e sistemit shëndetësor në Kosovë
