Në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve pati përplasje mes anëtarëve të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me miratimin e buxhetit shtesë për zgjedhjet lokale.

Anëtari i KQZ-së nga Partia Demokratike e Kosovës, Ilir Gashi, tha se mungesa e miratimit të buxhetit nga Qeveria mund të ndikojë negativisht në organizimin e zgjedhjeve.
“E kam një pyetje për ju kryetar, po shkon koha dhe buxheti akoma nuk është i miratuar sa i përket zgjedhjeve nga ana e qeverisë dhe mendoj që ju do të duhej që jeni në komunikim direkt sepse mosmiratimi i shpejtë i buxhetit rrezikon disa operacione zgjedhore, kryesisht operacione të cilat tashmë janë të reja të futura në rregulloret zgjedhore të cilat janë në shërbim të procesit, sidomos sa i përket votimit të diasporës. Mos ndarja e buxhetit me kohë mund të rrezikoj realizmin e këtyre operacioneve”, tha Gashi.
Ndërkaq, anëtari i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, Alban Krasniqi iu kundërpërgjigj Gashit duke thënë se nuk është e vërtetë që qeveria nuk e ka ndarë buxhetin. Sipas tij, çështja qëndron te kërkesat shtesë buxhetore.
“Nuk është e vërtetë që qeveria nuk ka ndarë buxhet. Për të gjitha kërkesat që kemi pasur qeveria i ka ndarë. Buxheti për këto zgjedhjeve është tashmë i ndarë. Çështja është për kërkesat shtesë buxhetore që i kemi pasur. Për kërkesat shtesë buxhetore ne e dimë kur e kemi bërë një kërkesë të tillë, nuk e di nëse i ka një javë apo 10 ditë. Duhet mbajtur institucioni jonë në komunikim për kërkesat shtesë buxhetore, të cilat ne vetë si institucion nuk i kemi planifikuar”, tha Krasniqi.
Pas kësaj, Gashi iu drejtua Krasniqit duke i thënë se “nuk je zëdhënës i qeverisë”.
“Dorën në zemër unë Hekuran Muratit si bëra pyetje këtu. Po e trajtoj si shqetësim në kuadër të këtij institucioni sepse ky buxhet. Ta kryej unë pastaj mund ta marrësh fjalën. Vetëm ta përfundoj. Shqetësimi është real…Nuk je zëdhënës i qeverisë”, tha Gashi.
Në anën tjetër, Krasniqi iu referua Gashit duke i thënë se po e dezinformon publikun.
“Thatë që nuk ka ndarë qeveria buxhet, nuk është e vërtetë. Pranoje dezinformimin që e bëre. Duhet të pranosh se dezinformove publikun. Nuk është e vërtetë çfarë the. Qeveria ka ndarë që vitin e kaluar këtë buxhet. Ne kemi të drejtë ta shpenzojmë…Me mediat të caktuara që i keni dezinformuar opinionin”, tha tutje Krasniqi.
Përveç kësaj, në mbledhjen e KQZ-së u vendim për emërimin e 216 anëtarëve të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve në 38 komunat e Republikës së Kosovës, të cilët përfaqësojnë subjektet e ndryshme politike.
Anëtari i KQZ-së Arianit Elshani, bëri të ditur se për këtë proces të gjithë anëtaret kanë kaluar procedurat ligjore.
“Këshilli për operacione zgjedhore ka shqyrtuar kërkesën për emërimet e anëtarëve të komisioneve komunale të zgjedhjeve që nga nominimet që kanë ardhur nga subjektet politike. Nga 222 vende të përcaktuara sipas formulës të miratuar nga KQZ-ja, 216 vende janë plotësuar nga këto nominime të ardhura nga subjektet politike. Personat të cilët i kanë kaluar të gjithë filtrat ligjor të KQZ-së dhe mekanizmave të jashtëm me të cilët KQZ-ja i dërgon për verifikim”, tha Elshani.
Në mbledhje u potencua se për zgjedhjet lokale të 12 tetorit janë deklaruar dy koalicione, ndërsa pesë parti janë tërhequr nga gara.
“Koalicija Vakat”, i përbërë nga partitë politike Demokratska Stranka Bošnjaka (DSB) dhe Demokratska Stranka Vatan (DSV) dhe Koaliconi “SDU-NASA (NASA SDU)”, i përbërë nga partitë politike Socijaldemokratska Unija dhe Nasa Inicijativa, i formuar vetëm për komunën e Prizrenit.
Ndërsa, partitë politike të cilat nuk do të garojnë në zgjedhjet e 12 tetorit janë Organizata Balli Kombëtar Demokrat, Partia Demokratike e Diasporës, Partia e Drejtësisë, Kosovaki Nevi Romani Partia, Partia Balliste.