Lajmet

Apeli vërteton aktgjykimin lirues ndaj të akuzuarve për vrasjen në restorantin “Shega”

Vrasje kishte ndodhur në maj të vitit 2014.

Published

on

Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktgjykimin lirues që Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shpallur ndaj të akuzuarve Besim e Besart Istrefi, për vrasjen në restorantin “Shega”, në maj të 2014-ës.

Në aktgjykimin e shkallës së dytë, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se janë refuzuar si të pabazuara ankesat e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe të përfaqësuesit të palës së dëmtuar, avokatit Nasuf Nasufi, ndaj vendimit të shkallës së parë.

Në vendim thuhet se Gjykata e Apelit pas shqyrtimit të aktgjykimit të shkallës së parë, ankesës së prokurorisë dhe shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka vlerësuar se aktgjykimi i shkallës së parë nuk është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.

Tutje, në vendim thuhet se është vërtetuar se vrasja e L.S nga ana e të akuzuarve Besim dhe Besart Istrefi është bërë nën rrethanat e mbrojtjes së nevojshme, ndërsa sipas kësaj gjykate për vrasjen e N.G nuk ka mundur të vërtetohet se nga cila armë e ka marrë plagën dhe se a e ka marrë brenda apo jashtë restorantit “Shega”.

“Bazuar në provat të cilat janë arsyetuar drejt nga gjykata e shkallës së parë dhe të analizuara drejt nga gjykata e shkallës së dytë, është vërtetuar se vrasja e L.S nga ana e të akuzuarve Besim dhe Besart Istrefi është bërë nën rrethanat e mbrojtjes së nevojshme, ndërsa sa i përket vrasjes së N.G, nuk ka mund të vërtetohet se nga cila armë e përdorur i njëjti e ka marrë plagën dhe se këtë plagë a e ka marrë brenda a po jashtë restorantit “Shega””, thuhet në vendim.

Po ashtu, në vendimin e Apelit thuhet se është vërtetuar edhe dënimin për të akuzuarin Besart Istrefi, për armëmbajtje pa leje, pasi sipas kësaj gjykate i njëjti e ka pranuar fajësinë.

Kurse, për të akuzuarin Jeton Saraqi, Gjykata e Apelit ka vlerësuar se nuk është vërtetuar se i njëjti ka shtënë me një pistoletë me ngjyrë të zezë në drejtim të Besim dhe Besart Istrefit.

Ndërsa, sa i përket për veprën penale të “falsifikimit të dokumentit”, më të cilën është ngarkuar Jeton Saraqi, kjo gjykatë ka vlerësuar se është arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 4 tetor të vitit 2018, e kishte shpallur fajtor për vrasje, të akuzuarin Besim Istrefin dhe e kishte dënuar me shtatë vjet burgim, kurse djali i tij, Besart Istrefi, ishte dënuar me dënim unik prej pesë vjet e katër muaj burgim, pasi ishte shpallur fajtor për vrasje dhe armëmbajtje pa leje.

Ndërkaq, i akuzuari i tretë, Jeton Saraçi, ishte liruar nga akuzat për tentim vrasje dhe për armëmbajtje pa leje.

Të pakënaqur me aktgjykimin e shkallës së parë, Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe mbrojtësit e të akuzuarve Besim dhe Besart Istrefi, kishin ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit.

Më 11 prill 2019, Apeli e ktheu çështjen në rigjykim, pasi kishte vlerësuar se aktgjykimi i atakuar me ankesë është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, për çka kishte vlerësuar se ndikojnë në vërtetimin e gjendjes faktike.

Më pas, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 9 mars 2021 i kishte liruar të akuzuarit Besim dhe Besart Istrefi, për vrasje të rëndë në tentativë, me arsyetimin se këtë vepër e kanë kryer në mbrojtje të nevojshme. Kurse i akuzuari Besart Istrefi ishte dënuar me 5 vite burgim për armëmbajtje pa leje.

Nga akuza ishte liruar edhe i akuzuari për vrasje në tentativë, Jeton Saraqi, pasi që sipas gjykatës nuk është provuar se i njëjti është kryes i kësaj vepre penale, ndërsa sa i përket veprës penale të falsifikimit është marrë aktgjykim refuzues, pasi që për këtë vepër ka arritur parashkrimi i ndjekjes penale.

Sipas aktakuzës, në restorant “Shega” në Milloshevë të Obiliqit, më 2 maj 2014, pas një mosmarrëveshjeje të çastit në mes Jeton Saraqit, Nazim Gërvallës e Lutfi Saraçit në njërën anë si dhe Besim Istrefit dhe djalit të tij, Besart Istrefi, në anën tjetër, të dy palët kishin nxjerrë armët dhe pas të shtënave kishin mbetur të vrarë N.G dhe L.S, ndërsa ishin plagosur rëndë, pronari i restorantit Besim Istrefi dhe djali i tij, Besart Istrefi, të akuzuar në këtë rast.

Në aktakuzë thuhet se e gjithë ngjarja kishte filluar kur kamerierët kishin filluar përgatitjen për mbylljen e lokalit, në të cilin i pandehuri Jeton Saraçi kishte qenë në tavolinë së bashku me Adem Dautaj dhe tani të ndjerët L.S dhe N.G

Për këtë gjë, sipas aktakuzës, Saraçi kishte reaguar dhe kishte filluar fjalosjen me Besart Istrefin, ku më pas kishin nxjerrë revolet dhe ia kishin drejtuar njëri-tjetrit.

Gjithnjë sipas aktakuzës, pas telefonatës nga i biri, kishte ardhur në restorant edhe Besim Istrefi, i cili ua kishte drejtuar revolen, ku më pas kishte shtënë nëntë herë në drejtim të tani të ndjerëve Lutfi Saraçi dhe Nazim Gërvalla.

Në ato çaste, siç thuhet në aktakuzë, kishte filluar një shkëmbim i të shtënave me armë nga të dyja palët, ku si pasojë e këtij shkëmbimi, plagë vdekjeprurëse kishin marrë tani i ndjeri L.S dhe N.G, ndërsa Besim dhe Besart Istrefi ishin lënduar rendë.

Në këtë proces, i akuzuar për vrasje të rëndë në tentativë, armëmbajtje pa leje dhe falsifikim të dokumenteve është edhe Jeton Saraçi.

Continue Reading

Lajmet

Ndalohet një person në Prishtinë për keqpërdorim detyre, ryshfet dhe zbulim të fshehtësisë zyrtare

Published

on

By

Prokuroria Themelore në Prishtinë, përkatësisht Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar se pas hetimeve disamujore në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka ndaluar për 48 orë personin me inicialet N.A., i dyshuar për disa vepra të rënda penale.

Arrestimi është realizuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit. Sipas të dhënave fillestare të hetimit, i ndaluari dyshohet se në bashkëpunim me persona të tjerë ka zbuluar informacione zyrtare për prona të caktuara te persona të paautorizuar në këmbim të ryshfetit, me qëllim tjetërsimin e tyre.

Nga organet e ndjekjes bëjnë të ditur se pronat e përfshira në këtë skemë dyshohet se kapin vlera mjaft të mëdha financiare.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera kompetente, mbetet e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit dhe korrupsionit, dhe do të vazhdojë ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rastit”, thuhet në komunikaten e Prokuroris Speciale

Continue Reading

Lajmet

Tensione dhe përplasje me policinë në protestën e studentëve para Ministrisë së Arsimit në Tiranë

Published

on

By

Studentë, gjimnazistë dhe qytetarë të shumtë janë mbledhur këtë të martë para ambienteve të Ministrisë së Arsimit në Tiranë, në një protestë të njoftuar prej ditësh për të ngritur zërin kundër problematikave që prekin arsimin dhe të rinjtë.

Protesta e nisur rreth orës 14:00 ka përshkallëzuar me shpejtësi në tensione. Protestuesit kanë gjuajtur godinën e ministrisë me vezë, bojë të kuqe, gurë, sende të forta dhe kapsolla. Gjatë përplasjeve, disa prej tyre kanë shkulur kangjellat mbrojtëse të rrugës dhe kanë tentuar të hyjnë me forcë në ambientet e brendshme të institucionit.

Për të shpërndarë turmën, forcat e policisë kanë ndërhyrë me ujë dhe gaz lotësjellës, ndërsa gjatë përplasjeve fizike disa nga protestuesit janë shoqëruar në komisariat. Në terren janë angazhuar dhjetëra efektivë shtesë për të marrë nën kontroll situatën.

Tubimi i organizuar përmes rrjeteve sociale vjen me kërkesën për plotësimin e gjashtë pikave që lidhen me ngritjen e cilësisë në arsim dhe përmirësimin e kushteve për studentët. Përveç kërkesave arsimore, protestuesit kanë bërë thirrje politike duke kërkuar dorëheqjen e ministres së Arsimit, Mirela Kumbaro, si dhe të kryeministrit Edi Rama.

Continue Reading

Lajmet

Prof. Dr. Bekim Marmullaku takohet me profesorin nga Universiteti i Norvegjisë Juglindore, Glenn Agung Hole, për mundësitë e bashkëpunimit akademik

Published

on

By

Udhëheqësi i Departamentit për Bashkëpunim në UBT, Prof. Dr. Bekim Marmullaku, priti në takim profesorin Glenn Agung Hole nga Universiteti i Norvegjisë Juglindore (University of South-Eastern Norway – USN), me të cilin diskutoi mundësitë e zhvillimit të bashkëpunimit akademik dhe kërkimor ndërmjet dy institucioneve.

Gjatë takimit u diskutua për potencialin e bashkëpunimit në fushat e sipërmarrësisë, ekonomisë institucionale, zhvillimit rajonal dhe sigurisë kombëtare, me theks të veçantë në rolin e universiteteve në zhvillimin ekonomik, inovacionin dhe forcimin e kapaciteteve institucionale.

Continue Reading

Lajmet

Inspektorati i Tregut mbyll një biznes në Zubin Potok dhe shqipton gjobë 6,000 euro

Published

on

By

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka ndërmarrë masa ndaj disa subjekteve ekonomike gjatë inspektimeve të fundit në Komunën e Zubin Potokut, me qëllim garantimin e zbatimit të ligjit dhe sigurisë në treg.

Gjatë këtij aksioni, inspektorët kanë mbyllur një biznes që ushtronte veprimtarinë pa u regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës, si dhe kanë sekuestruar produkte që nuk kishin deklaracion të prejardhjes. Po ashtu, ndaj një subjekti tjetër ekonomik është shqiptuar gjobë prej 6,000 eurosh pasi u ka shërbyer pije alkoolike personave të mitur.

Nga Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut kanë bërë të ditur se këto masa janë pjesë e angazhimit të vazhdueshëm për mbrojtjen e konsumatorëve dhe respektimin e legjislacionit në fuqi.

“IQMT u bën thirrje të gjitha subjekteve ekonomike që të sigurojnë regjistrimin e rregullt të veprimtarisë së tyre në ARBK, të tregtojnë vetëm produkte me dokumentacionin përkatës dhe të respektojnë të gjitha dispozitat ligjore që rregullojnë ushtrimin e veprimtarisë ekonomike. IQMT do të vazhdojë me inspektime dhe mbikëqyrje të rregullta në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, me qëllim të identifikimit dhe trajtimit të çdo shkeljeje që cenon të drejtat e konsumatorëve dhe sigurinë e tregut”, thuhet në njoftimin e ministrisë. /E.A/

 

Continue Reading

Të kërkuara