Sport

Anton Cena vazhdon ta bëjë krenare Kosovën, i fiton dy medalje në Amerikë

Published

on

Anton Cena po vazhdon ta bëjë krenare Policinë e Kosovës, por edhe vetë shtetin e Kosovës dhe shqiptarët në përgjithësi.

Pasi e fitoi medaljen e artë në xhudo, veterani i këtij sporti ia solli një tjetër medalje atdheut të tij, të argjendtë në Lojërat Botërore për Policë, Doganierë, Korrektues dhe Zjarrfikës. Përkundër lëndimit në krahëror e dhimbjeve që i ndjeu, Cena nuk u dorëzua.

Ky lëndim mund t’ia pamundësojë pjesëmarrjen në garë, por që e ka ndërmend ta provojë e ta sfidojë trupin në Birmingham, Alabama, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, atje ku po mbahen garat. Anton Cena ia ka sjell dhjetëra medalje Kosovës, duke qenë po ashtu lobues dhe ambasador i vendit tonë.

Më poshtë mund ta lexoni postimin në rrjetet sociale të kampionit Anton Cena.

“Në Birmingham, Alabama, në Lojërat Botërore për Policë, Doganierë, Korrektues dhe Zjarrfikës – një arenë ku guximi takon përkushtimin, dhe forca shpërthen në artin e disiplinës.

Në këtë skenë madhështore, përveç medaljes së artë në Judo, arrita të prek edhe një tjetër yll – medaljen e argjendtë në BJJ-Jujitsu, duke shkruar një kapitull tjetër krenarie për Policinë e Kosovës.

Megjithëse krahërori më dhimbte dhe zëri i lëndimit më paralajmëronte të tërhiqesha, unë zgjodha të luftoj me çdo atom të qenies sime, sepse fitoret e mëdha nuk vijnë nga komoditeti, por nga sfidat që thyhen me vendosmëri.

Noti, ku ëndërroja të shkëlqej, po duket u la pas, edhe pse neser do e bëjë të pamunduren, po duket do ngelë një ëndërr e përkohshme e ndërprerë nga dhimbja, por flaka e ambicies mbeti e ndezur.

Që nga viti 2012 në Irlanden e Veriut , unë kam hedhur gurët e parë të një ure krenarie, ura që lidh Policinë e Kosovës me botën, përmes medaljeve dhe rezultateve
që dëshmojnë se jemi më shumë se një emër në hartë.

Në këtë rrugë sfidash, edhe rrëzimi nga biçikleta, vetëm një javë para garës, u bë një motiv shtesë, një thirrje për të treguar se kur zemra është e vendosur, dhimbja bëhet një shok i heshtur.

Ne, si një forcë e re, jemi një feniks në ngritje, me flatrat e zjarrta të inteligjencës, punës dhe emancipimit, duke fluturuar mbi paragjykimet dhe kufizimet.

Këto gara janë skena ku ne shkëlqejmë, ku emri ynë bëhet simbol i forcës dhe dinjitetit.

E bëra këtë edhe për Kosovën, për atë tokë që më rriti, që më frymëzoi, dhe që kërkon nga ne të jemi drita e shpresës në errësirën e sfidave.

Faleminderit ish-kadetëve nga Shkolla Policore dhe miqve që me besuan dhe më mbështetën, duke më mundësuar qëndrimin dhe luftën për medaljet si Shkelqim Tmava, Shemsedin Balaj, Arben Kelmendi, Vedat Ademi, Jeton Shabani, Nexhmedin Laçi, Izet Peci dhe Dashmir Deda.

Tani, syri im është drejtuar nga Evropa, në Kampionatin Evropian të Policisë në Spanjë, një vend ku politika s’mund të mposhtë fuqinë e sportit dhe vlerave tona. Atje, në ato tri gara ku tashmë kam fituar shtatë medalje të arta dhe një argjendtë, do të shkoj jo për udhëtim qejfi, por për t’i dhënë një tjetër goditje krenarie Policisë së Kosovës.

Le të kujtojmë: Atdhedashuria është një zjarr që ndezet në zemër dhe shfaqet në veprat tona.

Sporti është ambasadori më i fuqishëm i identitetit tonë në botë, një gjuhë universale që i lidh zemrat e njerëzve.

Çdo njeri mund të jetë një hero në fushën ku gjendet, dhe së bashku, bashkë me pasion dhe përkushtim, ne krijojmë një shtet të fortë dhe të pathyeshëm.

Falenderimi i veçantë dhe i fundit shkon për Drejtorin e Përgjithshëm, z. Gazmend Hoxha, dhe Shoqatën Sportive të Policisë, pjesë e së cilës jam edhe unë si Kryetar i Klubut të Judos “Policia e Kosovës”.

Kjo është një mbështetje e çmuar që më fuqizon edhe më shumë në rrugën time për të bërë të dukshëm emrin e Policisë së Kosovës në skenën globale.

Ju dua dhe ju përqafoj nga zemra,

Shemsedin Balaj, Izet Peci, Negjmedin Laçi Vedat Ademi, Arben Kelmendi, Jeton Shabani dhe Dashmir Dedes e Shkelqim Tmaves.

Kampioni që nuk ndalet kurrë, që jep gjithçka nga vetja për atdheun, sepse për mua çdo fitore është një poezi e shkruar me djersë dhe zemër ! Kampioni.”

Sport

Malisheva dhe Prishtina ndajnë pikët në derbin e Superligës

Published

on

By

Malisheva dhe Prishtina kanë luajtur baras 1 me 1 në derbin e xhiros së nëntë të Superligës së Kosovës në futboll.

Takimi i zhvilluar të enjten në stadiumin “Liman Gegaj” nisi më mirë për vendasit, të cilët kaluan në epërsi në minutën e 29-të, falë golit të Xhemal Ibishit.

Prishtina reagoi në pjesën e dytë, duke barazuar rezultatin në minutën e 76-të përmes Assane Diattas, i cili realizoi nga pika e bardhë.

Pas këtij barazimi, Malisheva vazhdon të kryesojë tabelën me 20 pikë, aq sa ka edhe Prishtina në pozitën e dytë.

Skuadra nga kryeqyteti mbetet e pamposhtur këtë sezon dhe ka një ndeshje më pak të zhvilluar, atë ndaj kampiones në fuqi, Dritës.

D.L

Continue Reading

Sport

Mbrëmje me përballje interesante në Ligën e Evropës dhe Ligën e Konferencës

Published

on

By

Futbolli evropian vazhdon sot me një numër të madh ndeshjesh në Ligën e Evropës dhe Ligën e Konferencës, ku priten përballje interesante mes skuadrave të njohura.

Në Ligën e Evropës, vëmendja do të jetë te përballja mes Salzburgut dhe Milanit, që nis nga ora 18:45. Në të njëjtin orar zhvillohen edhe ndeshjet Lyon – Crystal Palace dhe Torrense – Sunderland.

Ndërkohë, nga ora 21:00, Benfica përballet me Celticin, Celta Vigo pret Juventusin, ndërsa Hoffenheimi luan kundër Besiktasit.

Ndeshje interesante priten edhe në Ligën e Konferencës. Nga ora 18:45, Universitatea Craiova përballet me Getafen, Hajduk Spliti me Ajaxin dhe Lugano me Crvena Zvezdën.

Programi vazhdon nga ora 21:00, me përballjet Brighton – Kauno Zalgiris dhe Freiburg – Jablonec.

Të dyja garat pritet të sjellin një mbrëmje dinamike futbolli, me skuadrat që synojnë rezultate pozitive në arenën evropiane.

D.L

Continue Reading

Sport

Barcelona me fanellë të veçantë për El Clasicon ndaj Real Madridit

Published

on

By

Barcelona do të paraqitet me një fanellë të re në përballjen ndaj Real Madridit, e cila do të zhvillohet më 25 tetor në stadiumin “Camp Nou”, në kuadër të xhiros së dhjetë të La Ligas.

Sipas gazetës spanjolle Mundo Deportivo, klubi katalunas do të vazhdojë traditën e bashkëpunimit me Spotify, duke ndërthurur futbollin, muzikën dhe modën në një edicion të veçantë për El Clasicon.

Këtë herë, në qendër të bashkëpunimit do të jetë artisti amerikan Tyler, The Creator, marka e të cilit, “Golf Wang”, do të shfaqet në fanellat e futbollistëve të Barcelonës gjatë përballjes me rivalin historik.

Fanella e re pritet të dalë në shitje në dyqanet zyrtare të klubit nga e enjtja e ardhshme, me çmime që fillojnë nga 499.99 euro.

Ndryshe nga bashkëpunimet e mëparshme, këtë herë artisti amerikan do të ketë një rol më të gjerë, pasi përveç prezantimit të markës së tij në fanellë, do të udhëheqë edhe drejtimin krijues të fushatës vizuale dhe audio.

Ky bashkëpunim është pjesë e strategjisë së Barcelonës dhe Spotify për të sjellë elemente të muzikës dhe kulturës në futboll, veçanërisht në ndeshjet më të rëndësishme të sezonit.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Kosova rrezikon organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030, ICMG paralajmëron masa

Published

on

By

Kosova rrezikon të humbasë të drejtën e organizimit të Lojërave Mesdhetare 2030, pas paralajmërimeve nga Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare (ICMG) për mospërmbushjen e detyrimeve financiare dhe administrative.

Përmes një letre drejtuar kryeministrit Albin Kurti, kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, dhe presidentit të Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, ICMG-ja ka shprehur shqetësimin për vonesat në përgatitjet e këtij organizimi madhor sportiv.

Sipas dokumentit të publikuar nga Rama, institucionet përgjegjëse nuk i janë përgjigjur letrës së dërguar më 21 shtator 2026. Po ashtu, mungon garancia bankare që duhej të sigurohej në janar, ndërsa mbetet e papaguar edhe tarifa e muajit qershor.

ICMG-ja ka paralajmëruar se këto mangësi mund të rrezikojnë seriozisht organizimin e Lojërave Mesdhetare në Prishtinë.

Më 19 dhjetor, Komiteti Ekzekutiv pritet të shqyrtojë mundësinë e thirrjes së një Asambleje të Jashtëzakonshme, e cila do të vendosë për të ardhmen e këtij eventi.

Pas publikimit të letrës, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti për situatën e krijuar, duke e cilësuar rrezikun e humbjes së organizimit si një goditje të madhe për sportin kosovar.

Ai ka theksuar se mungesa e përgjigjeve institucionale dhe mosrealizimi i obligimeve po e vënë në pikëpyetje një mundësi historike për vendin.

Fitimi i së drejtës për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030 ishte vlerësuar si një nga arritjet më të rëndësishme në historinë e sportit të Kosovës, ndërsa zhvillimet e fundit kanë ngritur shqetësime për realizimin e këtij projekti.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara