Mbrojtja e Thaçit dhe Fazliut, pa deklarata hyrëse
Teksa jemi në pritje të nisjes së seancës në Hagë, përmes parashtrimeve të bëra ditë më parë, mbrojtja e Thaçit dhe ajo e Fazliut kanë njoftuar se nuk do të bëjë deklarata hyrëse, por do ta rezervojë të drejtën që të deklarohet më vonë gjatë procesit gjyqësor.
Kur u liruan me kusht të akuzuarit e tjerë?
Isni Kilaj u arrestua më 2 nëntor 2023 dhe një ditë më pas u dërgua në qendrën e paraburgimit në Hagë. Në maj të vitit pasues, Gjykata vlerësoi se zgjatja e paraburgimit ishte e paarsyeshme dhe ai u lirua në Kosovë nën kushte të rrepta. Por, pas konfirmimit të aktakuzës në dhjetor të vitit 2024 ai u dërgua sërish në paraburgim në Hagë më 6 dhjetor. Një vit më vonë, më 10 dhjetor 2025 ai u lirua sërish me kusht.
Pas konfirmimit të aktakuzës, Fadil Fazliu, së bashku edhe me të akuzuarit e tjerë, Bashkim Smakaj dhe Kilajn, u arrestuan më 5 dhjetor dhe u dërguan më 6 dhjetor 2024 në paraburgim në Hagë. Ai, së bashku me Smakajn u liruan me kusht më 10 shkurt 2026.
Ndërkaq, Hajredin Kuçi, që gjatë periudhës së aktakuzës ishte pjesë e ekipit të mbrojtjes të ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli, i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ishte ftuar nga Dhomat e Specializuara në Hagë të paraqitej dhe gjatë kësaj kohe ai është mbrojtur në liri.
Thaçi në paraburgim
Nga pesë të akuzuarit në rastin kundër pengimit të drejtësisë, vetëm ndaj Hashim Thaçit ka masë paraburgimi dhe ai gjendet në qendrën e paraburgimit në Hagë, ku po pret edhe vendimin e trupit gjykues për rastin kundër tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Gjatë paraqitjeve para Gjykatës për rastin e dytë, atë të pengimit të drejtësisë, Thaçi nuk ishte deklaruar për akuzat që rëndojnë ndaj tij.
Deklarimin e pafajësisë ai e bëri me shkrim më 6 janar 2025. I pafajshëm me shkrim u deklarua edhe Smakaj ditë më vonë, përkatësisht më 14 janar 2025.
Për çfarë akuzohen pesë të pandehurit?
Më 29 nëntor 2024, Gjykata Speciale njoftoi se është konfirmuar aktakuza kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ish-shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, ish-kryetarit të Malishevës, Isni Kilaj, dhe veteranit të UÇK-së, Fadil Fazliu.
Në aktakuzën janë përshkruar takimet që Thaçi ka zhvilluar me katër të akuzuarit e tjerë në qendrën e paraburgimit në Hagë dhe aty pretendohet se ai u ka dhënë udhëzime se si të dëshmojnë dëshmitarët në rastin kundër tij.
Prokuroria pretendon se gjatë dhënies së udhëzimeve, Thaçi ka dhënë edhe referenca dhe pjesë të deklaratave konfidenciale të dëshmitarëve në rastin e parë kundër tij.
Aktakuza pretendon se veprat penale kundër administrimit të drejtësisë janë kryer nga 12 prilli 2023 deri më 2 nëntor po atij viti, gjatë vizitave jo të privilegjuara në objektin e paraburgimit në Hagë mes Thaçit dhe personave të tjerë të akuzuar.
Thaçi ngarkohet me tri akuza për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi, katër akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës, dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
Fazliu, Smakaj dhe Kilaj akuzohen për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi, dhe për mosbindje ndaj gjykatës. Ndërkaq, Kuçi përballet me dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
“Përmes veprimeve të tyre, Hashim Thaçi, Fadil Fazliu, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj dhe të tjerë tentuan që të komprometonin aftësinë e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar për të hetuar dhe ndjekur penalisht krimet në mënyrë efektive, përfshirë aftësinë e DHSK-së/ZPS-së për të marrë dhe mbrojtur prova relevante të dëshmitarëve”, thuhet në aktakuzë.
ZPS-ja po ashtu pretendon se gjatë bastisjeve që ka kryer në Kosovë, disa të akuzuarve u ka gjetur dëshmi, sikurse janë lista me emra dëshmitarësh apo edhe udhëzimet se si ata duhej të dëshmonin. /REL/