Sport

Ancelotti nis revolucionin te Brazili, 16 lojtarë mbesin jashtë

Published

on

Carlo Ancelotti ka nisur zyrtarisht një epokë të re te Brazili, duke bërë ndryshime të mëdha në skuadër pas eliminimit zhgënjyes nga Kupa e Botës 2026. Trajneri italian ka publikuar listën e parë prej 26 lojtarësh për ciklin e ri, me synim ndërtimin e një ekipi konkurrues për Botërorin 2030.

Në listën e re nuk janë përfshirë 16 futbollistë që ishin pjesë e ciklit të kaluar, ndërsa tetë lojtarë kanë marrë për herë të parë ftesën nga kombëtarja braziliane. Debutuesit janë Pedro Moresco, Otávio, Arthur Dias, Jair Cunha, Matheuzinho, Mauro Júnior, Breno Bidon dhe Gabriel Bontempo.

Në skuadër janë rikthyer edhe disa futbollistë që munguan në Botërorin e fundit, mes tyre Estêvão, André Santos dhe João Pedro.

Ndryshimet më të mëdha janë bërë te veteranët. Neymar, Danilo, Casemiro, Fabinho, Alex Sandro, Alisson dhe Ederson janë disa prej emrave të njohur që nuk janë përfshirë në listën e re të Ancelottit.

Brazili u eliminua nga Kupa e Botës 2026 në fazën e 1/8 së finales, pasi u mposht 2:1 nga Norvegjia, me të dy golat për nordikët që i shënoi Erling Haaland.

Pas këtij dështimi, Federata Braziliane e Futbollit vendosi të nisë një kapitull të ri nën drejtimin e Ancelottit. Italiani ka marrë për detyrë të ndërtojë një skuadër të re për Kupën e Botës 2030, e cila do të zhvillohet në Spanjë, Portugali dhe Marok.

Në qendër të projektit të ri pritet të jenë Vinícius Júnior dhe Raphinha, ndërsa Ancelotti llogarit shumë edhe në Endrickun, të cilin e sheh si një prej liderëve të së ardhmes së “Seleçaos”.

“Është e vërtetë që kemi provuar shumë sulmues këtë vit. Situata është e qartë, kemi shumë lojtarë të rinj jashtëzakonisht të talentuar dhe duhet t’i mbështesim në zhvillimin e tyre. Njëri prej tyre është i njohur: Endrick. Kemi sulmues të tjerë që luajnë shkëlqyeshëm dhe të tjerë që lihen jashtë formacionit. Kemi alternativa të mira, por Endrick do të jetë një lojtar i rëndësishëm për Brazilin në të ardhmen”, ka deklaruar Ancelotti.

Skuadra e re e Brazilit do të ketë mundësinë të testohet në ndeshjet e ardhshme ndaj Australisë dhe Indisë, në kuadër të përgatitjeve për ciklin e ri. Brazili do të përballet me Australinë më 25 dhe 29 shtator, ndërsa më 3 tetor do të luajë ndaj Indisë në Kolkata.

Këto ndeshje do të jenë testet e para për Ancelottin pas eliminimit nga Kupa e Botës dhe një mundësi për trajnerin italian që të vlerësojë lojtarët e rinj dhe të nisë ndërtimin e Brazilit për objektivat e ardhshëm.

D.L

Continue Reading

Sport

Real Madridi reagon pas aksidentit tragjik hekurudhor në Spanjë

Published

on

By

Klubi spanjoll Real Madrid ka reaguar përmes një deklarate zyrtare pas aksidentit tragjik hekurudhor në provincën e Toledos, në Spanjë, ku raportohet për viktima dhe persona të lënduar.

Përmes komunikatës, klubi madrilen ka shprehur tronditjen e thellë për ngjarjen, duke përcjellë ngushëllime për familjarët e viktimave dhe mesazhe solidariteti për të gjithë personat e prekur.

“Real Madrid CF dëshiron të shprehë tronditjen e tij më të thellë për aksidentin tragjik hekurudhor që ndodhi në provincën e Toledos”, thuhet në deklaratën e klubit.

Gjiganti spanjoll ka shprehur gjithashtu mbështetjen për personat e lënduar, duke u solidarizuar me familjet që po përballen me pasojat e kësaj tragjedie.

Në reagimin e tij, Real Madridi ka vlerësuar angazhimin e ekipeve të emergjencës dhe të personelit të përfshirë në operacionet e shpëtimit.

Klubi mbretëror ka ritheksuar se qëndron pranë familjeve të viktimave dhe të gjithë të prekurve në këto momente të vështira.

D.L

Continue Reading

Sport

Meriton Korenica ishte në radarin e Al-Nassr, mund të bëhej bashkëlojtar i Cristiano Ronaldos

Published

on

By

Futbollisti i Kosovës, Meriton Korenica, ishte pranë mundësisë për të luajtur në të njëjtën skuadër me Cristiano Ronaldon, pasi gjatë afatit kalimtar të verës kishte tërhequr interesimin e klubit saudit Al-Nassr.

Këtë e ka zbuluar menaxheri i tij, Armend Nexhipi, i cili në një intervistë për Digi Sport ka bërë të ditur se për mesfushorin kosovar kishte interesim nga disa klube evropiane, por edhe nga Azia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Pati interesim nga klube të Bundesligës 2, Çorumi dhe Konyaspori nga Turqia, Al-Nassr, FC Tokyo, Craiova dhe së fundmi FCSB”, ka deklaruar Nexhipi.

Në mesin e skuadrave të interesuara ishin edhe Monza, që në atë periudhë garonte në Serie A, si dhe DC United nga kampionati amerikan.

Megjithatë, transferimi i Korenicës ishte penguar fillimisht nga kërkesat financiare të CFR Clujit, klub që kishte vendosur një çmim prej dy milionë eurosh për kartonin e futbollistit kosovar.

Sipas menaxherit, kjo shumë kishte ndikuar në ecurinë e negociatave, ndërsa vështirësitë financiare të klubit rumun krijuan mundësinë që në fund të arrihej marrëveshja me FCSB-në.

“Këtë verë mora shumë oferta, si nga Monza, ashtu edhe nga DC United. Herën e parë, Cluji kërkoi dy milionë euro. Kjo ishte ndoshta arsyeja pse transferimi nuk u realizua më herët”, ka theksuar Nexhipi.

Korenica përfundimisht iu bashkua FCSB-së, ku deri më tani ka regjistruar një gol në gjashtë paraqitje.

Menaxheri i tij ka shprehur besimin se mesfushori kosovar mund të luajë rol të rëndësishëm në përpjekjet e skuadrës rumune për të rikthyer titullin kampion dhe për të siguruar pjesëmarrjen në fazën e ligës së Ligës së Kampionëve sezonin e ardhshëm.

D.L

Continue Reading

Sport

Barcelona gjobitet për kontaktet me Julian Alvarezin, refuzon të paguajë dënimin

Published

on

By

Barcelona është gjobitur me 602 euro nga Federata Spanjolle e Futbollit për shkak të kontakteve të pretenduara me sulmuesin argjentinas Julian Alvarez, i cili është nën kontratë me Atletico Madridin.

Sipas vendimit të Federatës, klubi katalanas ka shkelur rregulloren duke kontaktuar futbollistin pa respektuar procedurat e përcaktuara për lojtarët që kanë kontratë aktive me klube të tjera.

Megjithatë, Barcelona nuk e ka pranuar këtë vendim dhe ka refuzuar të paguajë gjobën, duke pretenduar se nuk ka kryer asnjë shkelje.

Sipas gazetës spanjolle Marca, drejtuesit e Barcelonës e konsiderojnë shumën e gjobës “qesharake” dhe kanë vendosur ta apelojnë vendimin e Federatës Spanjolle të Futbollit.

Kjo çështje ka nisur pas ankesës së paraqitur nga Atletico Madridi në muajin korrik, lidhur me interesimin e Barcelonës për sulmuesin argjentinas.

Mbetet të shihet nëse apelimi i klubit katalanas do të sjellë ndryshimin ose anulimin e vendimit.

D.L

Continue Reading

Sport

Xhaka dhe Embolo rikthehen te Zvicra, mesfushori shqiptar mbetet kapiten

Published

on

By

Granit Xhaka dhe Breel Embolo pritet të rikthehen në radhët e Kombëtares së Zvicrës gjatë muajit nëntor, pasi Federata Zvicerane e Futbollit (SFV) ka vendosur t’i japë fund pezullimit të tyre lidhur me çështjen e certifikatave të falsifikuara të COVID-19.

Federata njoftoi të martën se, pas shqyrtimit të plotë të të dy rasteve, nuk ekzistojnë më pengesa për rikthimin e futbollistëve në ekipin kombëtar.

Xhaka dhe Embolo kishin munguar në katër ndeshjet e Ligës së Kombeve gjatë muajve shtator dhe tetor, si pasojë e pezullimit.

“SFV i ka shqyrtuar tërësisht të dy rastet dhe ka arritur në përfundimin se rikthimi i lojtarëve është i arsyeshëm, pas përfundimit të procedurave ligjore dhe duke marrë parasysh pasojat sportive, përkatësisht mungesën në katër ndeshje ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e federatës.

Drejtori i Kombëtares së Zvicrës, Pierluigi Tami, ka sqaruar se vendimi është marrë duke vlerësuar rrethanat individuale të secilit futbollist, përfundimin e procedurave ligjore dhe pasojat sportive të pezullimit.

Një tjetër vendim i rëndësishëm lidhet me Granit Xhakën, i cili do të vazhdojë ta mbajë shiritin e kapitenit të Zvicrës.

Sipas federatës, përzgjedhësi, stafi teknik dhe këshilli i lojtarëve kanë vendosur njëzëri që mesfushori shqiptar të vazhdojë të udhëheqë ekipin kombëtar.

Me këtë vendim, Zvicra pritet të ketë sërish në dispozicion dy futbollistët e saj të rëndësishëm për ndeshjet ndërkombëtare të muajit nëntor.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara