Lajmet

​Zjarri te tregu në Prishtinë, zjarrfikësi jep detaje

Published

on

Malë Gashi ushtrues i detyrës së komandantit të brigadës së Zjarrfikësve në Komunën e Prishtinës ka dhënë detaje të reja për zjarrin e shkaktuar në disa lokale në Prishtinë.

Gashi tha se te Tregu i Gjelbër janë përfshirë gjashtë lokale që mbajnë produkte të ndryshme si pemë e perime, kafiteri dhe një nga to me pajisje elektronike.

Sipas tij ekipet kanë reaguar shpejtë duke prerë zjarrin dhe duke mos i lënë mundësi për shpërndarje.

Gashi shtoi se nuk ka persona të lënduar por dëmet materiale konsiderohen të mëdha.

“Ora 05:45 minuta është pranuar informata për zjarr tek Tregu i Gjelbër ekipet menjëherë kanë dal në vendin e ngjarjes është parë që janë përfshirë gjashtë lokale që mbajnë produkte të ndryshme si pemë e perime por ka pas edhe kafiteri, qebaptore dhe ka qenë një lokal me pajisje elektronike. Ekipet kanë reaguar shumë shpejt në mënyrë shumë profesionale është bërë prerja e dyanshme e zjarrit për të mos lënë mundësi për shpërndarje”, tha Gashi duke bërë me dije se është hërët për tu ditur shkaktarët e zjarrit.

Edhe njëri nga pronarët që iu është djegur lokali Rexhep Avziu pronar i kafiterisë, ka thënë se dëmi i shkaktuar nga zjarri është afërsisht deri në 15 mijë euro.

“Dëmi është 15 mijë euro afërsisht”, tha ai.

Për zjarrinnë rrugën “Ilaz Ahushi”, në Prishtinë edhe policia e Kosovës.

Zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës Flora Ahmeri ka thënë se zjarrfikësit dhe policia janë duke u marrë me rastin derisa nuk raportohet për persona të lënduar.

lajme

Mbyllet procesi i votimit në Kosovë

Published

on

By

Në orën 19:00 janë mbyllur të gjitha qendrat e votimit në Kosovë, duke përfunduar zyrtarisht procesin e votimit për qytetarët që nuk kanë arritur të hyjnë brenda afatit të përcaktuar. Ndërkohë, personat që kanë qenë brenda qendrave të votimit deri në këtë orë kanë të drejtë ta përfundojnë votimin.

Sipas të dhënave preliminare, deri në orën 17:00 të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar mbi 560 mijë qytetarë, që paraqet 29.32 për qind të trupit votues prej 1,959,962 votuesish me të drejtë vote.

Krahasuar me zgjedhjet e 28 dhjetorit, pjesëmarrja në votime deri në këtë fazë ka qenë rreth 200 mijë votues më e ulët.

Këto janë zgjedhje të jashtëzakonshme, të cilat po mbahen pas dështimit të zgjedhjes së Presidentit të vendit. Tashmë pritet numërimi i votave dhe publikimi i rezultateve preliminare nga institucionet përgjegjëse.

Foto: Kosovapress

Continue Reading

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 7 qershor 1993-1998?

Published

on

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

 

Foto: Ukshin Hoti

 

7 qershor 1993

Në fshatrat e Skënderajt shtohet represioni policor

Pardje, rreth orës 6.30, një ekspeditë policore serbe e përbërë prej afro 80 vetash, së bashku me dhjetë vetura dhe dy autoblinda, me pretekst të kërkimit të armëve rrethuan lagjen e Smakiqëve në fshatin Abri e Poshtme të Skënderajit.

Policia serbe menjëherë filloi me bastisje, ku më së keqi pësuan familjet e Nezir, Musë dhe Sadik Smakiqit. Policët në fillim hynë në familjen e Musait, të cilin e rrahën rëndë së bashku djalin e tij, Kadriun dhe bashkëshorten e tij. Më pas vazhduan bastisjet në familjen e Sadikut, të cilin po ashtu e rrahën rëndë atë dhe bashkëshorten e tij, ndërsa policët Sadikun e morën me vete në polici. Policët serbë para se të largoheshin nga fshati, bastisën edhe shtëpinë e Nezir Smakiqit, me ç’rast atë e rrahën brutalisht si dhe djalin e tij shtatëmbëdhjetë vjeçar, Fatmirin.

Merret vesh se gjatë kësaj bastisjeje, policia serbe rrahu rëndë nëntë veta si dhe demoloi dhe thyejti gjithçka që kishte përpara. Të njëjtën ditë rreth orës 12, të njëjtit policë, bastisën shtëpitë e Ahmet e Mujë Sadikut si dhe shtëpinë e Sylejman Ramës në fshatin Vojnik të Skënderajit. Policët gjatë bastisjes demoluan dhe thyen të gjitha orenditë e këtyre familjeve.

Pas bastisjes policët i rrahën rëndë, Ahmetin, Sylejmanin, Mujën si dhe të bijtë e tyre.

Po këtë ditë edhe në lagjen e Ozdrimit në këtë fshat, policët serbë bastisën edhe shtëpinë e Xhemail Ymerit. Gjatë bastisjes, policët gjetën një pushkë gjuetie, ndërsa menjëherë pas kësaj e rrahën rëndë Xhemailin dhe nusen e djalit të tij, emrin e së cilës nuk arritëm t’ia mësojmë.

 

7 qershor 1994

U ngrit aktakuza kundër mr. Ukshin Hotit

Serbët e instaluar në Prokurorinë e Qarkut në Prizren ia vazhduan paraburgimin edhe për dy muaj mr. Ukshin Hotit (1947), profesor i Universitetit të Prishtinës dhe kryetar i Partisë së UNIKOMB-it.

Në aktakuzën e shpallur në Prizren thuhet se Ukshin Hoti, si “anëtar dhe si kandidat për kryetar të Partisë së Unitetit Kombëtar (UNIKMB-i), në gjysmën e parë të vitit 1994 ka bërë përgatitje për ndërmarrjen e veprimeve, të përdormimit të forcës dhe të mjeteve të tjera kundërkushtetuese për të rrezikuar rendin kushtetues të RFJ-së, për të shkëputur pjesën e territorit të RFJ-së dhe të Serbisë -territorin e Kosovës të banuar me pjesëtarë të pakicës kombëtare shqiptare dhe me qëllim të formimit të shtetit të veçantë”.

Në aktakuzë thuhet më tutje se Ukshin Hoti, si kandidat për kryetar, në mbledhjen zgjeruar ilegale të Kryesisë së UNIKOMB-it që është mbajtur në Prishtinë ka pranuar të marrë pjesë dhe të përpunojë programin dhe statutin e kësaj organizate ilegale. Pas pranimit të propozimit për kryetar të UNIKOMB-it përpunon ‘Deklaratën Politike’, në të cilën proklamon krijimin e shtetit kombëtar të të gjithë shqiptarëve – ‘Republikën e Kosovës’. Si mjet për realizimin e këtij qëllimi, figuron edhe opcioni i armatosur, përkatësisht marrja me dhunë e pushtetit në Kosovë dhe të shkëpuptjes së territorit nga Republika e Serbisë…”

Mr. Ukshin Hoti akuzohet edhe për shkak se “si anëtar i organizatës ilegale ‘Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës’ nga ana e centralës prej vitit 1990 e këndej, ishte i ngarkuar me botimin e revistës ‘Deja’, nga e cila ka marrë këshilla me detyra dhe instruksione konkrete për veprimtarti armiqësore”.

Ukshin Hoti akuzohet për vepër penale “rrezikim i tërësisë territoriale të RFJ-së”, nga neni 116, par 1 e LPJ e që dënohet sipas nenit 138 të LPJ”.

Sipas këtij aktvendimi, Ukshin Hotit i vazhdohet paraburgimi edhe për dy muaj dhe do të zgjat deri më 2 korrik 1994.

Ukshin Hoti gjendet në paraburgim prej datës 17 maj të këtij viti.

 

7 qershor 1995

Dhuna e përditshme në Kosovë

Prishtinë: – Më 5 qershor, rreth orës 19:00, dy policë, të cilët dukej fare qartë se ishin të dehur, hynë në oborrin e shtëpisë së Mehdi Asllanit, në lagjen e Emshirit në Prishtinë dhe kërcënuan gruan dhe dy fëmijët e tij të vegjël, duke kërkuar prej tyre që të tregojnë se ku ndodhet Mehdiu dhe djali i tij Bekimi. Bëhet me dije se Mehdiu dhe Bekimi ndodhen jashtë vendit dhe nuk dihet preteksti për çka ata i kërkoi policia.

Podujevë: – Më 5 qershor, rreth orës 18:00, policia serbe ndali në rrugë Imer Bahtirin nga fshati Dvorishtë i Podujevës, i cili u legjitimua dhe u pyet për ndihmat që ai i kishte marrë nga SHHB “Nënë Tereza” në Pollatë. Më pas policia shkoi në depon e SHHB “Nënë Tereza” dhe e pyeti Jusuf Latifin rreth mënyrës së shpërndarjes së ndihmave.

Më 5 qershor, policia ishte në shtëpinë e Faik Jasharit, kryetar i Nëndegës së LDK-së në fshatin Batllavë, të cilit iu la thirrja që të paraqitet të nesërmen në orën 13:00 në polici.

Thirrja për t’u paraqitur në polici iu la edhe Rafet Jasharit nga i njëjti fshat.

Skënderaj: – Për të tretën herë, me pretekst të kërkimit të armëve, në polici u mor Haki N. Rushiti (34) nënkryetar i Nëndegës së LDK-së në Prekaz të Epërm. Ai në polici u pyet edhe për vëllaun e tij Ramadanin, i cili momentalisht ndodhet në Gjermani, me pretekstin se gjoja ai paska pasur armë dhe ato duhet t’i dorëzojë Hakiu. Me këtë pretekst në polici është marrë edhe babi i tyre Neziri (60).

Haki Rushiti është urdhëruar që të paraqitet sërish në stacionin e policisë në Skënderaj.

 

 

7 qershor 1997

 

KMDLNj: Gjatë majit në Kosovë u vranë 8 persona

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut me seli në Prishtinë, publikoi dje raportin mbi shkeljen e të drejtave e të lirive të njeriut në Kosovë gjatë muajit maj 1997.

Në raport thuhet: Pos dhunës, të cilën policia serbe është duke e ushtruar në kontinuitet kundër popullit të pambrojtur shqiptar të Kosovës, në skenë doli edhe ushtria serbe. Viktimë e këtij terrori të organizuar shtetëror ishte i riu Luan Ilmi Haradinaj (1973), nga fshati Gllogjan i komunës së Deçanit, student i vitit të dytë në Fakultetin e Edukatës Fizike në Universitetin e Tiranës. Më 12 maj, familja Haredinaj njoftoi N/KMDLNJ‑në në Deçan se nga kufitarët e Ushtrisë Jugosllave, në afërsi të fshatit Has në kufi me Shqipërinë, u vra i biri i tyre Luan Haredinaj.

Më 14 maj, në orët e hershme të mëngjesit, në arën e tij u gjet i vrarë Kapllan Isuf Berisha (45), nga fshati Gurbardh i komunës së Malishevës.

Më 5 maj 1997, rreth orës 5. 30 të mëngjesit, persona ende të paidentifikuar serbë, të maskuar dhe të armatosur vranë me armë

zjarri në shtëpinë e tij në lagjen e Sakicollëve në trekëndëshin e fshatrave Parallovë‑Zebincë‑Koretishtë, në komunën e Gjilanit, Nazif Ramush Hajredinin (1948), nga Hajvalia, babai i tetë fëmijëve. Në momentin e vrasjes në shtëpi ndodheshin edhe bashkëshortja e të ndjerit Fahrija (1953) dhe fëmija i tyre Ramushi (1992), të cilët shpëtuan pa lëndime.

Më 26 maj, rreth orës 9. 00 të mëngjesit, në afërsi të shtëpisë së tij në rrethana të pasqaruara bëri vetëvrasje Hanefi Berisha, nga Goranci i Hani i Elezit, baba i 6 fëmijëve. Hanifeut i erdhi thirrja nga organet e Sigurimit Shtetëror serb për t’u paraqitur në polici. Në letërthirrje nuk shpjegohej preteksti. Ndërkohë i ndjeri bëri vetëvrasje kurse policia ia mori letërthirrjen familjes Berisha.

Në mbrëmjen e 5 majit, rreth orës 23. 00, në fshatin Llozicë të komunës së Malishevës, pranë magjistrales Pejë‑Prishtinë, persona të panjohur vranë Hetem Dobrunën (32), nga Llozica, punëtor në administratën e instaluar serbe në Gllogoc.

Më 7 maj, rreth orës 6. 30 të mëngjesit, pas keqtrajtimeve fizike që iu bënë më 5 dhe 6 maj në stacionin e policisë në Mitrovicë, Naser Halim Ferizi (1972), nga Stantërgu, i papunë, e vari veten në shtëpinë e vet.

Më 23 maj 1997, në lagjen “Tavnik” të Mitrovicës policia së bashku me dëshmitarin e rastit që e mori në rrugë Sadik Xanin, theu derën e shtëpisë së Hajzer Hajdarit (55), i lindur në Bare, punëtor i pensionuar i Sigurimit Shtetëror, dhe e gjeti të vdekur Hajzerin dhe bashkëshorten e tij, Ajnije Dervishi‑Hajdari (52) nga fshati Kosterc i Skënderajt, punëtore e tregtisë në Skënderaj. Dyshohet se vdekja e tyre në rrethana të panjohura ka ndodhur qysh para 12 ditëve.

KMDLNJ me shqetësim të dukshëm vazhdon të përcjellë gjendjen e të drejtave të njeriut në Kosovë. Si edhe më parë edhe gjatë muajit maj 1997 është vërejtur dukuria e nxitjes së personave të paidentifikuar apo personave civilë serbë për kryerjen e krimeve ndaj shqiptarëve. Kjo dukuri mund të shkaktojë konflikte serioze midis popullatës shqiptare dhe asaj serbe me pasoja të rënda që në të vërtetë është edhe qëllimi i regjimit serb.

Më 30 maj, në Gjykatën e instaluar serbe të Qarkut në Prishtinë përfundoi procesi gjyqësor kundër 20 shqiptarëve të akuzuar se si anëtarë të Lëvizjes Kombëtare për çlirimin e Kosovës, kanë bërë vepër penale të “bashkimit për veprimtari armiqësore” dhe të “cenimit të tërësisë territoriale” të RFJ‑së së vetëshpallur kurse 6‑të prej tyre iu ngarkohet edhe vepra penale e “terrorizmit”. Kryetari i trupit gjykues Dragolub Zdravkoviq u shqiptoi të akuzuarve dënimet me gjithsej 107 vjet burg. Kështu, Avni Klinaku u dënua me 10 vjet burg, Liburn Aliu, Dylber Beka, Fatmir Humolli (në mungesë) e Agim Kuleta (në mungesë) me nga 9 vjet, Nebih Tahiri e Shaban Beka me nga 7 vjet, Mujë Prokupi e Gani Baliu me nga 6 vjet e gjysmë, Naser Tahiri me 3 vjet e gjysmë, Shukrie Rexha me 3 vjet, Dulah Sallahu e Beton Retkoceri me nga 2 vjet e gjysmë dhe Majlinda Sinani, Ragip Berisha, Burhan Hasani dhe Arsim Ratkoceri me nga dy vjet burg. Nëntë të fundit të dënuar nën 5 vjet burg do të mbrohen në liri deri në aktgjykim të plotëfuqishëm kurse të tjerët të lidhur me pranga dhe i kthyen në burg.

Sipas informatave të KMDLNJ‑së gjatë muajit maj 1997 në të gjitha format e dhunës nga policia, ushtria dhe organet e tjera të pushtetit serb në mënyra të ndryshme u keqtrajtuan 398 individë.

Po gjatë kësaj periudhe: u vranë 8 persona, u plagosën dy individë, penalisht e përkundërvajtje u dënuan 25 persona, u shënuan 50 raste të torturës fizike, psikikisht u keqtrajtuan 228 persona, u kërkuan dhe u thirrën në polici 65 persona, arbitrarisht u arrestuan 55 vetë, në mënyrë arbitrare u ndaluan persona, u morën në “biseda informative” 26 persona, nga banesat e tyre u përzunë 4 familje shqiptare, pasaporta iu mor 1 individi, u bastisën 12 familje shqiptare, për armë u keqtrajtuan 72 persona, lëndime trupore morën 6 veta, u keqtrajtuan 7 gra, 2 fëmijë dhe 18 pleq, u keqtrajtuan 15 veprimtarë politik, sindikal dhe 3 veprimtarë të KMDLNJ‑së, u keqtrajtuan 9 veprimtarë të arsimit dhe në 4 raste ndërhyri policia në institucionet arsimore.

Po gjatë kësaj periudhe u shënuan 8 raste të ndalimit të veprimtarive ekonomike, 2 raste të dhunimit tëi mbishkrimit shqip në shkolla, 2 raste të uzurpimit të pronës, 26 raste të plaçkitjes së tregtarëve shqiptarë, 1 rast i konfiskimit të dokumentacionit, 1 rast i ndalimit të kthimit në atdhe, ndërsa 5 individë u keqtrajtuan gjatë riatdhesimit.

Këto janë disa të dhëna që ilustrojnë gjendjen e të drejtave të njeriut gjatë muajit maj 1997.

Raportin po e ilustrojmë me disa nga rastet e shumta që ndodhën gjatë kësaj periudhe.

Më 7 maj, sipas kërkesës së Prokurorisë së instaluar serbe të Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, gjykatësja hetuese e Gjykatës së instaluar serbe të Qarkut të Prishtinës Danica Marinkoviq, i filloi hetimet kundër Agim Makollit (35) nga Prishtina, Hasan Zenelit (33) e Jonuz Zeneli (55) nga Ballabani, Muharrem Krasniqit (32) nga Grashtica dhe Latif Brajshorit Nga Sharbani i Podujevës, të gjithë me vendbanim në Prishtinë dhe të akuzuar se kanë qenë anëtarë të “Ushtrisë çlirimtare të Kosovës”.

Më 18 maj, drejtoritë e dhunshme të shkollave fillore “Zenel Hajdini” dhe “Asim Vokshi” dhe policia vendosën në këto shkolla mbishkrimin cirilik në vend të mbishkrimeve të mëparshme me emrat e poetit serb Aleksa Shantiq dhe diplomatit Milan Rakiq.

Më 12 maj, organet e instaluara serbe uzurpuan objektin e Entit Pedagogjik dhe të Bashkësisë së Arsimit.

Më 13 maj, Ruzhdi Jashari, kryetar i KMDLNJ‑së në Shtimje, u mor në bisedë informative në Qendrën e Sigurimit në Ferizaj lidhur me aktivitetin e tij politik dhe punën e Nënkëshillit.

Më 7 maj, organet ushtarake serbe u shpërndanë thirrjet për rekrutim rreth 120 të rinjve shqiptarë të gjeneratave 1977, 1978 e 1979.

Sipas së të përditshmes serbe “Dnevni Telegraf” të 16 majit, në bazë të Ligjit mbi qarkullimin dhe shitblerjen e patundëshmërive në rrethana të posaçme, i cili u ndalon shqiptarëve blerjen e pronave serbe këto ditë në Prishtinë Halit Ahmetaj u dënua me 60 ditë burg për shkak se kishte blerë banesën e një serbi. Sipas kësaj gazete të Beogradit pritet të dalin në gjyqe e të dënohen edhe 24 qytetarë shqiptarë të cilët paskan “shkelur” ligjin e përmendur, thuhet në fund të raportit që e përcjell Shërbimi për Informim i KMDLNj-së.

 

7 qershor 1998

Forcat serbe granatuan edhe sot Llaushën

Në Llaushë të Skënderajt edhe sot vazhdon të jetë gjendje tepër e rëndë.

Aktivisti i LDK-së në këtë fshat Fadil Geci i tha QIK-ut se që nga orët e mëngjesit forcat serbe kanë shtënë disa herë në drejtim të fshatit. Janë granatuar kryesisht lagjet Zejnullahu dhe Babaj, ndërsa snajperistët serbë kanë shtënë disa herë edhe në lagjen e Gecajve.

Nga granatimet janë dëmtuar disa shtëpi.

Në fshat edhe më tutje ka mungesë të theksuar të ilaçeve dhe të ushqimeve, ndërsa lëvizjet e banorëve janë shumë të kufizuara.

 

Tre trupa të pajetë në morgun e spitalit të Gjakovës

Në morgun e spitalit të Gjakovës ndodhen trupat e pajetë të tre shqiptarëve, të vrarë në frontet e luftës nga forcat serbe.

KI i Degës së LDK-së në Gjakovë njofton se dje në këtë morg janë sjellë trupat e pajetë të dy të rinjve nga Prejlepi i Deçanit, identiteti i të cilëve nuk dihet. Ndërsa sot në këtë morg është sjellë trupi i një plaku rreth 60- vjeç, identiteti i të cilit gjithashtu nuk dihet.

 

Gjakovë: Një të vrarë të paidentifikuar e varrosi policia

Dje pasdite, me urdhër të policisë së Gjakovës, është varrosur trupi i pajetë i një të riu 25- vjeçar, të cilin vetë policia e kishte sjellë në morg. Identiteti i tij nuk dihet.

Ai është varrosur në varrezat e qytetit.

 

Edhe sot në komunën e Deçanit u shti nga aeroplanët

Burime nga Deçani bëjnë të ditur se sot rreth orës 9. 25 një aeroplan luftarak serb fluturoi mbi fshatrat e Deçanit dhe në të kthyer ai shtiu ndaj një grupi shqiptarësh në afërsi të fshatit Irzniq.

Njoftohet se nuk pati viktima e as dëme.

Dëshmitarë nga kjo komunë thanë se sot gjendja në Deçan e rrethinë është diç më e qetë, ndërkohë që forcat serbe po i pastrojnë rrugët në pritje të delegacionit të diplomatëve të huaj, dërgimin e të cilit në këtë komunë e kanë paralajmëruar mediat serbe.

Njoftohet gjithashtu se mbrëmë ka pasur lëvizje të forcave serbe nga Deçani në drejtim të Pejës.

 

KMDLNJ: Në Deçan të vrarit kanë mbetur të pavarrosur

KMDLNJ, duke iu referuar nënkëshillit në Deçan njofton se gjendja në këtë komunë, si pasojë e operacioneve luftarake, është shumë e rëndë. Edhe më tutje mbi 40 të vrarë kanë mbetur në vendet ku janë vrarë, pra pa u varrosur, ndërsa gjendja e të plagosurve, shumica ndër ta gra e fëmijë, është shumë e rëndë, ngase ka mungesë të madhe të medikamenteve mjekësore.

Në bazë të informacioneve të NKMDLNJ në Deçan numri i viktimave është më i madh se 50 të vrarë e dhjetëra të plagosur, ndërkohë që janë identifikuar 50 të vrarë.

Nga Deçani njoftohet se ushtria dhe policia serbe mbrëmë kanë bërë pastrimin e rrugëve, pasi që është paralajmëruar shkuarja e diplomatëve në këtë zonë.

Edhe sot në Deçan ka vazhduar pastrimi i rrugëve dhe vendosja e xhamave.

Forcat serbe kanë ndezur një zjarr të madh dhe dyshohet se ata mund të djegin edhe të vrarit e të masakruarit, për të fshehur gjurmët e krimit, thuhet në njoftim.

 

Në morgun e spitalit të Prishtinës ndodhet trupi i pajetë i një të riu nga komuna e Deçanit

KMDLNJ njofton se sot në morgun e spitalit të Prishtinës ndodhet trupi i pajetë i një të riu shqiptar të moshës 22-25 vjeç.

Dyshohet se ai e ka mbiemrin Dabiqaj dhe është nga Prejlepi i Deçanit.

Continue Reading

lajme

Kosova në kutitë e votimit… sërish

Published

on

By

Që nga ora 07:00 e mëngjesit, janë hapur vendvotimet në të gjitha komunat e Kosovës, duke shënuar fillimin e procesit zgjedhor.

Të drejtë vote kanë 2.092.174 qytetarë, të cilët do të mund të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike gjatë ditës së sotme. Sipas njoftimeve zyrtare, të gjitha përgatitjet e nevojshme janë përfunduar me kohë për të siguruar një proces të rregullt dhe të qetë votimi.

Përveç qendrave të rregullta të votimit, në secilën komunë është organizuar edhe nga një qendër për votim me kusht, për t’u mundësuar votimin qytetarëve që plotësojnë kriteret për këtë formë votimi.

Procesi zgjedhor po zhvillohet në 949 qendra votimi me gjithsej 2550 vendvotime në mbarë vendin. Institucionet përgjegjëse u kanë bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në votim dhe të kontribuojnë në një proces demokratik dhe të rregullt.

Foto: Kosovapress

Continue Reading

lajme

Rektori Hajrizi zhvillon takime strategjike në Global UBT London dhe nënshkruan marrëveshje me partnerë nga India

Published

on

By

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, në kuadër të vizitës së tij në Mbretërinë e Bashkuar, zhvilloi një vizitë pune edhe në Londër, në ambientet e Global UBT London, një qendër e rëndësishme e ekosistemit ndërkombëtar të UBT-së, e krijuar për të fuqizuar bashkëpunimin global në arsim, teknologji dhe inovacion.

Gjatë qëndrimit në Londër, Prof. Dr. Edmond Hajrizi zhvilloi takime me përfaqësues të kompanive dhe institucioneve nga vende të ndryshme të botës, me fokus zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e arsimit ndërkombëtar, krijimin e partneriteteve të reja strategjike, si dhe promovimin dhe shtrirjen globale të shërbimeve dhe produkteve inovative të Global UBT.

Në kuadër të këtyre takimeve, u nënshkrua edhe një marrëveshje e rëndësishme bashkëpunimi me partnerë nga India, e cila synon zhvillimin e projekteve të përbashkëta në fushën e digjitalizimit dhe aplikimit të inteligjencës artificiale për rritjen e produktivitetit shkencor, akademik dhe inovativ.

Marrëveshja parasheh gjithashtu bashkëpunim për promovimin dhe shpërndarjen e platformave digjitale të UBT-së në vendet e Azisë, duke krijuar mundësi të reja për shkëmbimin e njohurive, zhvillimin teknologjik dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në sektorin e arsimit dhe kërkimit shkencor.

Sipas Prof. Dr. Edmond Hajrizit, zgjerimi i pranisë së UBT-së në qendrat kryesore ndërkombëtare dhe krijimi i partneriteteve me institucione dhe kompani lidere globale përbëjnë elemente kyçe të strategjisë së internacionalizimit të UBT-së dhe të zhvillimit të ekosistemit të saj inovativ.

Kjo vizitë në Global UBT London përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të rolit të UBT-së në skenën globale të arsimit, teknologjisë, inovacionit dhe transformimit digjital.

Continue Reading

Të kërkuara