Lajmet

​Ambasadorja izraelite: Heqja e vizave për Kosovën është hap i rëndësishëm për marrëdhëniet e dy vendeve

Sipas saj, udhëtimi pa barriera do të mundësojë marrëdhëniet diplomatike, ekonomike e kulturore.

Published

on

Ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tamara Ziv thotë se heqja e vizave për qytetarët nga Kosova është hap i rëndësishëm për të dy vendet. Sipas saj, udhëtimi pa barriera do të mundësojë marrëdhëniet diplomatike, ekonomike e kulturore. Ambasadorja nga Izraeli thekson se kjo tashmë është procedurë e dy ministrive të jashtme, por që pret që shumë shpejt vendimi të hyjë në fuqi. Sa i përket gjendjes pas shpërthimit të luftës në Gaza, diplomatja thekson se Izraeli është në situatë të vështirë, e që sipas saj fajtor është Hamasi.

Izraeli hoqi vizat për Kosovën, për çka qytetarëve u mundësohet lëvizja e lirë gjatë udhëtimit në këtë shtet, e për këtë ajo thotë se është hap i rëndësishëm për marrëdhëniet e të dyja vendeve.

“Mendoj se marrëdhënia midis një vendi bazohet në faktin që njerëzit e secilit vend të takohen me tjetrin lehtësisht dhe sa më shumë që të jetë e mundur. Pra, heqja e nevojës për vizë dhe mundësimi i qytetarëve të Kosovës që të vijnë dhe të vizitojnë lehtësisht Izraelin është një hap shumë i rëndësishëm në marrëdhëniet që do të mundësojë më shumë shkëmbim ndërmjet njerëzve, turizmit, marrëdhënieve ekonomike, marrëdhënieve kulturore. Çdo lloj shkëmbimi mes popujve të Izraelit dhe Kosovës tani do të bëhet shumë i lehtë”, deklaroi ajo.

Kurse sa i përket asaj se kur do të fillojë së zbatuari ky vendim, diplomatja hebreje pret se një gjë e tillë të ndodh muajve në vijim.

“Tani po hyjmë në proces, ka një marrëveshje që duhet të nënshkruhet midis vendeve. Pra, kjo është një çështje ligjore mes dy ministrive të punëve të jashtme. Ata duhet të finalizojnë tekstin e marrëveshjes dhe të vendosin datën në të cilën ajo do të hyjë në fuqi. Besoj se do të ndodhë në muajt e ardhshëm”, shton Ziv.

Në tre-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën, ambasadorja Ziv foli për raportet me Kosovën dhe vizitat gjatë kësaj kohe. Ajo tha se gjatë 3 viteve prej se kur janë vendosur marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve, ka pasuar shumë vizita në të dy shtetet, përfshirë fushat e ekonomisë, kulturës e artit.

“Në thelb, unë mendoj se ne kemi një marrëdhënie të shkëlqyer. Ne kemi vendosur marrëdhënie diplomatike gati tre vjet më parë. Në shkurt, ne do të festojmë përvjetorin e tretë të marrëdhënieve dhe jam shumë e lumtur që për këtë përvjetor të tretë arritëm në marrëveshjen për të hequr dorë nga nevoja për viza… Kemi pasur shumë vizita dypalëshe të nivelit të lartë në Izrael, në Kosovë, të ministrave të fushave të ndryshme. Kemi pasur disa delegacione ekonomike nga Kosova që kanë vizituar Izraelin. Kemi pasur jo pak shkëmbim kulturor të artistëve nga të dyja palët që kanë ardhur, kanë përformuar, kemi pasur trajnime në fusha të ndryshme. Kështu që unë mendoj se për tre vjet ne kemi bërë vërtet shumë, kemi arritur shumë dhe ne mezi presim të arrijmë shumë më tepër”, thekson ambasadorja e Izraelit në Kosovë.

Duke folur për gjendjen pas fillimit të luftës në Gaza, ambasadorja izraelite thotë se Kosova po mbështet vendin e saj edhe në situatën e vështirë që po kalon nga viti i kaluar. Ziv tha ushtria e Izraelit ka vendosur t’i kundërpërgjigjet sulmit terrorist të Hamasit të 7 tetorit, ku kishin mbetur të vrarë 1 mijë e 200 persona e mbi 5000 të tjerë të plagosur.

“Situata aktuale është e vështirë. Siç e dini të gjithë, më 7 tetor, organizata terroriste Hamas filloi një sulm të tmerrshëm terrorist kundër Izraelit. Një sulm në të cilin në një ditë u vranë më shumë se 1200 njerëz, 5000 njerëz u plagosën, 240 njerëz u rrëmbyen dhe u morën peng në Rripin e Gazës, po flasim për foshnjat duke filluar nga nëntë muajsh deri te të moshuarit dhe të mbijetuarit e Holokaustit që janë 85 vjeç, 86 vjeç. Më 27 janar ne përkujtuam Ditën Ndërkombëtare të Holokaustit dhe fakti që të mbijetuarit e Holokaustit duhej të kalonin këtë tmerr, dhe u rrëmbyen dhe u morën peng në Rripin e Gazës, vuajtën dhe po vuajnë, është i tmerrshëm. Pra, si rezultat i kësaj në fakt shkakton luftën që Hamasi i shpalli Izraelit. Ushtria izraelite është kundërpërgjigjur. Ka qenë vendimi i Qeverisë së Izraelit që të punojë për të çmontuar aftësitë ushtarake të Hamasit dhe për të liruar pengjet tona, me shpresë për të krijuar një situatë në të cilën të gjithë qytetarët izraelitë të zhvendosur, që janë më shumë se 200.000 izraelitë, të cilët janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre si rezultat i kësaj situate, si në Rripin e Gazës ashtu edhe në Veri, i cili kufizohet me Libanin në Hizbullah, të mund të kthehen në shtëpi dhe të jenë të sigurt”, deklaron ajo.

Teksa shpreson se do të mund të rikthehet qetësia për të jetuar, ajo fajëson Hamasin për luftë. Ziv tha se deri para 7 tetorit, ka pasur afër 18 mijë punëtorë palestinezë që hynin çdo ditë në Izrael e që kontribuonin në ekonominë e Rripit të Gazës.

“Mendoj se është 100% e qartë se është 100% përgjegjësi e Hamasit. Më duhet të them se para 7 tetorit, Izraeli gabimisht mendoi se ne mund të jetojmë në një lloj situate armëpushimi me Hamasin. Ne kishim 18.000 punëtorë palestinezë që hynin në Izrael çdo ditë, që është një kontribut i jashtëzakonshëm për ekonominë e Rripit të Gazës. Ne ishim të angazhuar në përpjekjet për të avancuar projekte për të përmirësuar ekonominë brenda Rripit të Gazës për mirëqenien e njerëzve atje. Ne po merrnim pacientë për të marrë trajtim mjekësor në Izrael dhe vërtet gabuam plotësisht për qëllimet e tyre dhe shpresojmë të krijojmë një lloj situate të të jetuarit krah për krah në qetësi”, thekson ajo.

Diplomatja hebreje në intervistën KosovaPress thotë se Hamasi është zotuar ta përsërisë 7 tetorin, për çka shton se bashkëjetesa në paqe është zgjidhja më e mirë.

“Idealisht, ne do të ishim të lumtur të jetonim në një situatë në të cilën Rripi i Gazës është i çmilitarizuar dhe nuk përbën kërcënim për Izraelin, sepse Hamasi është zotuar të përsërisë 7 tetorin vazhdimisht, kështu që t’u mundësohet atyre çdo lloj aftësie për ta bërë këtë është e pamundur nga këndvështrimi ynë. Por duke supozuar se Hamasi është i çmilitarizuar dhe ka një lloj menaxhimi civil i Rripit të Gazës nga palestinezët që kërkojnë bashkëjetesë, së bashku me komunitetin ndërkombëtar mendoj se do të ishte një zgjidhje e mirë, sepse ne do të donim të bashkëjetojmë krah për krah në paqe pa u kërcënuar asnjëra nga tjetra”, përfundon Ziv.

Lufta në mes të Izraelit dhe Hamasit ka nisur më 7 tetor të vitit 2023 pas sulmeve të grupit Hamasit ku mbetën të vrarë rreth 1 mijë e 300 njerëz ndërsa u morën peng 250 të tjerë. Ndërsa sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë, lufta në Rripin e Gazës ka vrarë mbi 26 mijë palestinezë.

Aktualitet

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, pjesë e Forumit Ekonomik Botëror në Davos 2026

Published

on

By

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, është ftuar dhe regjistruar për të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror 2026, i cili do të mbahet në Davos, Zvicër.

Pjesëmarrja e Rektorit në Open Forum Davos – The Future Starts Now 2050 përfaqëson një njohje të rëndësishme ndërkombëtare për UBT-në dhe rolin e saj në arsimin e lartë, inovacion dhe zhvillim të qëndrueshëm.

Kjo pjesëmarrje paraqet gjithashtu një mundësi të veçantë për të kontribuar drejtpërdrejt në diskutime dhe takime globale që formësojnë të ardhmen, si dhe për të prezantuar modelin UBT 5S dhe konceptin UBT Smart Self-Sustainable City, si modele të së ardhmes.

Ky model përputhet plotësisht me temat kyçe që do të trajtohen në Open Forum Davos, duke reflektuar një qasje bashkëkohore ndaj zhvillimit të qëndrueshëm dhe përgatitjes së kapitalit njerëzor për sfidat e së ardhmes.

Modeli, i konceptuar nga Prof. Dr. Edmond Hajrizi dhe i zbatuar edhe në praktikë, po gjenë gjithnjë e më shumë interes për prezantime, studime dhe publikime, si dhe po vlerësohet si një model praktik tashmë i implementuar në ekosistemin e UBT-së. Programi i këtij viti në Davos fokusohet në pesë sfida kryesore globale, ku dialogu dhe bashkëpunimi publiko-privat janë thelbësore për progres.

Në qendër të diskutimeve janë rritja ekonomike, qëndrueshmëria dhe inovacioni si imperativa ndërsektoriale, të cilat do të udhëheqin qasjen e liderëve ndaj kompleksitetit global dhe krijimit të mundësive të së ardhmes.

Forumi Ekonomik Botëror në Davos mbledh liderë botërorë nga qeveritë, biznesi, shoqëria civile dhe akademia, me qëllim zhvillimin e dialogut të avancuar dhe bashkëpunimit global për adresimin e sfidave më të rëndësishme të kohës sonë.

Continue Reading

Aktualitet

Nga përvoja në udhërrëfyes akademik: Profesori dhe studiuesi i medias Musa Sabedini promovon në UBT librin për gazetarinë hulumtuese

Published

on

By

Në ambientet e UBT-së, u zhvillua një ngjarje akademike dhe kulturore me rëndësi të veçantë për komunitetin universitar dhe median kosovare: promovimi i librit më të ri të profesorit, gazetarit dhe publicistit Musa Sabedini, i cili po vlerësohet si një kontribut me peshë për zhvillimin teorik dhe praktik të gazetarisë hulumtuese në Kosovë dhe më gjerë.

Me praninë e rektorit të UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, profesorëve, studentëve, studiuesve të medias, si dhe miqve e familjarëve të autorit, u promovua vepra voluminoze “Gazetaria Hulumtuese: Misioni, rreziqet, etika dhe sfidat profesionale”, një libër i dedikuar studentëve të gazetarisë, studiuesve të medias, gazetarëve hulumtues, redaktorëve dhe profesionistëve të përkushtuar që, edhe në rrethana të vështira, mbeten besnikë ndaj së vërtetës dhe interesit publik.

Ngjarja u karakterizua nga një dialog i hapur akademik ndërmjet autorit dhe pjesëmarrësve, ku përveç prezantimit të strukturës dhe përmbajtjes së librit, u diskutuan sfidat bashkëkohore të gazetarisë hulumtuese, dilemat etike dhe roli i saj në funksionimin e demokracisë.

Libri u prit me vlerësime të larta nga të pranishmit, duke konfirmuar rëndësinë e tij si një burim referencial për studimin dhe praktikën e gazetarisë hulumtuese në Kosovë dhe rajon.

Në fjalën e tij përshëndetëse, rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, e përgëzoi profesorin Sabedini për botimin e librit, duke e cilësuar atë si një ndër veprat më të rëndësishme dhe më cilësore në fushën e gazetarisë hulumtuese në hapësirën akademike shqiptare.

Ndërsa dekani i Fakultetit Media dhe Komunikim në UBT, Ferid Selimi, vlerësoi angazhimin profesional dhe kontributin e vazhdueshëm të profesor Sabedinit në ndërtimin e mendimit kritik dhe profesional të studentëve të gazetarisë.

Recensenti i librit, Safet Zejnullahu, theksoi se vepra “Gazetaria Hulumtuese: Misioni, rreziqet, etika dhe sfidat profesionale” vjen në një kohë kur themelet tradicionale të gazetarisë po tronditen ndjeshëm nga ndikimi i teknologjisë digjitale.

Ai nënvizoi se, ndryshe nga gazetaria tradicionale, ku profesionalizmi ishte më i konsoliduar pavarësisht kufizimeve teknike, gazetaria e sotme online ofron mundësi të shumta, por shpesh e ka zbehur thellësinë dhe rigorozitetin e gazetarisë hulumtuese për shkak të presionit të shpejtësisë dhe fragmentimit të informacionit.

Sipas Zejnullahut, autori me të drejtë e ka strukturuar librin në tri pjesë kryesore:

  • pjesa e parë trajton misionin, rreziqet dhe sfidat e gazetarisë hulumtuese, të ilustruara me raste konkrete vendore dhe ndërkombëtare;
  • pjesa e dytë analizon ndikimin e gazetarisë së internetit dhe transformimin e profesionit;
  • ndërsa pjesa e tretë fokusohet në teknikat moderne të raportimit hulumtues, të përshtatura për epokën digjitale.

Për librin dhe profesionalizmin e autorit Musa Sabedini, kanë dhënë kontribut në këtë promovim edhe ish zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi dhe dy kolegët e respektuar Faton Ismajli dhe Betim Musliu

Një vlerë e veçantë e librit, sipas recensentit, janë 101 pyetjet dhe udhëzimet për gazetarinë hulumtuese, të ndërtuara mbi përvojë profesionale, literaturë relevante dhe raste konkrete, që përfshijnë dimensionin profesional, etik, ligjor dhe logjistik të gazetarisë hulumtuese.

Duke folur për librin, profesori Musa Sabedini theksoi se kjo vepër përfaqëson kurorëzimin e një përvoje mbi 35-vjeçare në gazetarinë profesionale, me theks të veçantë në gazetarinë hulumtuese. Ai nënvizoi se libri nuk është vetëm manual profesional, por një reflektim i thellë akademik mbi përvojat reale, sfidat, rreziqet dhe dilemat etike të profesionit.

Autori theksoi se përmbajtja e librit mbështetet në një arkiv të pasur profesional, në përvojën e tij akademike si ligjërues në UBT, në pjesëmarrjen në konferenca ndërkombëtare dhe në punime shkencore të botuara në revista prestigjioze.

Sipas tij, 101 pyetjet dhe udhëzimet përbëjnë thelbin praktik të librit, duke shërbyer si një udhërrëfyes etik dhe profesional për studentët, gazetarët e rinj, por edhe për profesionistët me përvojë.

Profesor Sabedini theksoi se gazetaria hulumtuese mbetet një nga shtyllat më të rëndësishme të demokracisë moderne, një mekanizëm thelbësor për zbardhjen e aferave, ndriçimin e padrejtësive dhe mbrojtjen e interesit publik.

Në një kohë kur presionet politike dhe ekonomike mbi mediat janë në rritje, ai vlerësoi se gazetaria hulumtuese duhet të mbrohet dhe të zhvillohet si e mirë publike, duke kërkuar mbështetje institucionale, angazhim qytetar dhe integritet profesional.

Libri përfundon me një mesazh të qartë për brezat e rinj të gazetarëve: profesionalizmi, guximi, integriteti dhe përkushtimi ndaj së vërtetës janë kushtet themelore për mbijetesën dhe dinjitetin e gazetarisë hulumtuese.

Continue Reading

Lajmet

​Ambasadorët takohen me Kurtin, interesohen për ligjin për të huaj dhe atë për automjete

Published

on

By

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministrin në detyrë, Besnik Bislimi, ka zhvilluar sot një takim me ambasadorët, të ngarkuarit me punë, shefat e misioneve diplomatike dhe përfaqësuesit diplomatikë të akredituar në Kosovë.

Në kuadër të komunikimit të rregullt me trupin diplomatik dhe zhvillimeve të fundit në vend, Kurti dhe Bislimi i informuan të pranishmit për fazat e zbatimit të Ligjit për të Huaj dhe Ligjit për Automjete, ligje këto të harmonizuara me legjislacionin e Bashkimit Evropian.

Sipas një komunikate të Qeverisë, ata theksuan gjithashtu veprimet afirmative që institucionet e Kosovës do të ndërmarrin për zbatimin e plotë të këtyre ligjeve.

Në komunikatë theksohet se faza e parë e zbatimit ka nisur sot dhe parasheh një periudhë informimi për dispozitat ligjore.

“Vizitorët që hyjnë në vendkalimet kufitare do të pajisen me materiale informuese me udhëzime të qarta mbi të drejtat, detyrimet dhe procedurat përkatëse. Paralelisht, do të organizohen sesione informuese me qytetarë, fushata informimi përmes mediave dhe do të funksionalizohen linja telefonike informuese. Kjo fazë informuese do të zgjasë deri më 15 mars 2026, kur pritet të nisë zbatimi i plotë i Ligjit për të Huaj dhe Ligjit për Automjete, me synim lehtësimin e qëndrimit të shtetasve jorezidentë në Kosovë.

Gjatë takimit, kryeministri Kurti i njoftoi ambasadorët edhe për domosdoshmërinë e fillimit të integrimit gradual të sistemeve të shëndetësisë dhe arsimit, si pjesë e një qasjeje gjithëpërfshirëse dhe afatgjate.

Ai theksoi se ky proces do të zhvillohet në koordinim me Bashkimin Evropian, duke marrë parasysh edhe brengat dhe këshillat e komunitetit joshumicë serb në Kosovë.

Në fund, Kurti ritheksoi përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për sundimin e ligjit, zbatimin e barabartë të legjislacionit dhe forcimin e rendit juridik, duke vlerësuar se periudha në vijim është thelbësore për funksionalizimin e plotë të këtyre proceseve.

Continue Reading

Lajmet

​Aktakuzë për krime lufte ndaj N.C

Published

on

By

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj N.C., për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.

Sipas komunikatës së prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar mirë se e pandehura N.C., gjatë periudhës 1998-1999, në cilësinë e personit zyrtar-gardiane në Burgun e Prishtinës, paralelja për gra në Lipjan, në bashkëkryerje me zyrtarë të tjerë të burgut, ka shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare gjatë konfliktit të armatosur, përkatësisht kohës së luftës.

Sipas aktakuzës, N.C., gjatë gjithë kësaj periudhe, në mënyrë sistematike, i ka keqtrajtuar të burgosurat shqiptare, duke i kanosur për jetë dhe torturuar në mënyrë çnjerëzore me mjete të ndryshme , si shkop gome, shqelma dhe grushte, deri në alivanosje, duke u shkaktuar lëndime trupore. Si pasojë e këtyre rrahjeve, viktimat kanë pësuar dhunë psikike, gjendje ankthi dhe frike, dhe u është cenuar rëndë dinjiteti njerëzor”, thuhet në njoftim.

Rasti i ka kaluar për shqyrtim Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Continue Reading

Të kërkuara