Lajmet

Ambasadori italian takon Presidenten Osmani

Published

on

Ambasadori i Italisë në Prishtinë, Antonello De Rui, ka mbajtur një takim zyrtar sot në presidencën e Kosovës me presidenten Vjosa Osmani. Pas takimit, De Rui ka komentuar se ata diskutuan për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe ka bërë të ditur se Italia vazhdon të mbështesë një Kosovë të sigurt dhe multietnike.

“Në takimin tim me Presidenten Vjosa Osmani, kemi biseduar për ngjarjet aktuale në Kosovë. Italia vazhdon të jetë e vendosur në mbështetjen e një Kosovëje të sigurt dhe multietnike,” deklaroi De Rui në njoftimin e tij për media.

Ky takim reflektoi angazhimin e vazhdueshëm të Italisë në përkrahje të stabilitetit dhe diversitetit etnik në Kosovë, në një periudhë kur rajoni përjeton sfida dhe zhvillime të rëndësishme politike dhe të sigurisë./UBTnews/

Continue Reading

lajme

Apeli vërteton burgimin e përjetshëm për Murselin e Plavën dhe 30 vjet burgim për Kokallën në rastin e Liridona Ademaj

Published

on

By

Gjykata e Apelit ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin Naim Murseli dhe Granit Plava u dënuan me burgim të përjetshëm, ndërsa Kushtrim Kokalla me 30 vjet burgim për vrasjen e Liridona Ademajt më 29 nëntor 2023.

Me vendimin e 21 prillit 2026, shkalla e parë i kishte shpallur fajtorë Murselin, Plavën dhe Kokallën, pasi vlerësoi se ishte vërtetuar që Naim Murseli, për shkak të raporteve të çrregulluara familjare e martesore, mllefit dhe dëshirës për hakmarrje, kishte planifikuar vrasjen e bashkëshortes së tij. Sipas aktgjykimit, ai kishte synuar edhe përfitim financiar nga një polisë sigurimi jetësor në emër të Liridona Ademajt, në vlerë prej tre milionë koronash suedeze, të paguar në qershor të vitit 2022.

Sipas aktakuzës, Murseli, Plava dhe Kokalla ishin marrë vesh paraprakisht që vrasja të kryhej nga Granit Plava kundrejt pagesës prej 30 mijë eurosh, ndërsa arma me 20 fishekë ishte blerë nga i akuzuari Tom Dodaj për 280 euro. Për shitjen e armës, Dodaj fillimisht u dënua nga Themelorja me pesë vjet burgim dhe pesë mijë euro gjobë, dënim të cilin Apeli më 10 dhjetor 2025 ia uli në tre vjet burgim dhe tre mijë euro gjobë.

Gjatë shqyrtimit gjyqësor, ekspertët e Institutit të Psikiatrisë Forenzike të Kosovës kishin konstatuar se Murseli dhe Plava nuk kishin çrregullime apo sëmundje mendore në kohën e kryerjes së veprës penale. Turpi i Gjykatës së Apelit në këtë rast përbëhej nga Mentor Hajra, Xhevdet Abazi dhe Arben Hoti. /E.A/

Continue Reading

Aktualitet

Kërcënime me bomba në qindra shkolla në Gjermani dhe Danimarkë

Published

on

By

Qindra shkolla në Gjermani dhe Danimarkë kanë pranuar kërcënime për bomba përmes postës elektronike të hënën, duke shënuar vazhdimin e një vale alarmesh të rreme që po godasin së fundmi institucionet arsimore nëpër Evropë.

Autoritetet gjermane bënë të ditur se rreth 450 shkolla në mbarë vendin janë prekur nga këto mesazhe, por theksuan se nuk ka asnjë rrezik real. Policia në Freiburg deklaroi se nuk ekziston asnjë provë për kërcënim konkret, ndërsa edhe policia e Berlinit dhe ajo në landin e Turingisë u kanë kërkuar shkollave të vazhdojnë procesin mësimor normalisht, duke vlerësuar se qëllimi i autorëve është vetëm përhapja e panikut.

Një situatë e ngjashme është raportuar edhe në Danimarkë, ku policia konfirmoi se po heton kërcënimet e dërguara ndaj disa shkollave në të gjithë vendin, por shtoi se aktualisht nuk ka arsye për shqetësim.

Këto raste vijnë pas një serie alarmesh të rreme me bomba dhe sulmesh kibernetike që kanë prekur së fundmi shkolla, supermarkete, sisteme të trafikut ajror dhe media në disa vende evropiane. Vetëm javën e kaluar u evakuuan mbi 10 shkolla në Spanjë, ndërsa në fillim të këtij muaji mijëra shkolla në Itali u përballën me kërcënime të njëjta përmes emailit. /E.A/

Continue Reading

lajme

Dogana zbulon deklarim të pasaktë të mallrave në Vërmicë

Published

on

By

Zyrtarët e Doganës së Kosovës kanë ndaluar në terminalin doganor të Vërmicës një sasi mallrash me vlerë rreth 3,400 euro, pasi gjatë kontrollit janë konstatuar parregullsi në deklarimin tarifor.

Dyshimet fillestare për klasifikim të pasaktë tarifor u ngritën gjatë verifikimit të dokumentacionit të dorëzuar nga operatori ekonomik, çka bëri që ngarkesa të ndalohej për kontroll të detajuar fizik. Pas ekzaminimit, doganierët vërtetuan se mallrat i përkisnin një kodi tjetër tarifor, i cili ligjërisht kërkon pajisjen me licencë të veçantë importi.

Sipas Kodit Doganor dhe të Akcizave, ky veprim cilësohet si kundërvajtje doganore për deklarim të pasaktë të mallrave, ndaj të cilit do të pasojnë masat e parapara ligjore.

Me këtë rast, Dogana e Kosovës u ka bërë thirrje të gjithë operatorëve ekonomikë që nëse kanë paqartësi rreth klasifikimit tarifor të mallrave që planifikojnë t’i importojnë, të kërkojnë paraprakisht sqarime zyrtare nga institucioni, në mënyrë që të shmangen shkeljet dhe vonesat gjatë procedurave doganore. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Aktakuzë ndaj tre personave në Prizren për laborator droge dhe armëmbajtje pa leje

Published

on

By

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave, me inicialet I.M., M.M. dhe K.S., të cilët dyshohen për kultivim të kanabisit në një laborator të improvizuar, armëmbajtje pa leje dhe dhënie të ndihmës pas kryerjes së veprës penale.

Sipas aktakuzës, të pandehurit I.M. dhe M.M. dyshohet se në bashkëkryerje kanë kultivuar bimën “Cannabis Sativa” në një shtëpi të marrë me qira në Prizren, me qëllim të prodhimit të narkotikëve, deri më 2 prill 2026. Hetimet tregojnë se I.M. ka financuar këtë veprimtari duke blerë pajisjet e nevojshme, ndërsa M.M. është marrë me instalimin e tyre dhe kultivimin e bimëve.

Gjatë bastisjes së kryer më 2 prill, policia ka zbuluar një laborator të pajisur për ndriçim, ngrohje e ventilim, si dhe ka sekuestruar 706 vazo për kultivimin e bimëve narkotike prej të cilave 450 brenda shtëpisë dhe 256 në një automjet të parkuar në oborr. Po atë ditë, në një deponi në Prizren janë gjetur mbetje të djegura të kanabisit, të cilat dyshohet se M.M. ka tentuar t’i asgjësojë.

Përveç veprës penale të kultivimit të narkotikëve, I.M. dhe M.M. ngarkohen edhe për armëmbajtje pa leje, pasi gjatë kontrolleve në shtëpinë e I.M.-së janë gjetur 27 fishekë, kurse tek M.M.-ja një pistoletë e konvertuar me karikator të zbrazët dhe dy fishekë.

Ndërkaq, i pandehuri i tretë, K.S., akuzohet se më 31 mars dhe 1 prill 2026 e ka ndihmuar M.M.-në në fshehjen e gjurmëve, duke i bartur me automjetin e tij thasët e mbushur me bimë narkotike drejt deponisë për t’i asgjësuar. Prokurori i rastit i ka propozuar gjykatës që pas shqyrtimit gjyqësor, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit. /E.A/

 

Continue Reading

Të kërkuara