Lajmet

Ambasada gjermane: Nga 1 janari, kosovarët lëvizin pa viza – mund të ju refuzohet hyrja nëse nuk plotësohen këto kushte

Ky është lajmi që tani më është publikuar edhe nga faqja e ambasadës gjermane në Kosovë.

Published

on

Poseduesit e pasaportave të Kosovës duke filluar nga 1 janari 2024 do të mund të udhëtojnë drejt Zonës Shengen pa viza për qëndrime afatshkurtër.

Ky është lajmi që tani më është publikuar edhe nga faqja e ambasadës gjermane në Kosovë.

Ndër të tjera janë dhënë edhe detaje të qëndrimit dhe shtetet që mund të vizitoni pa viza nga 1 janari kur fillon zyrtarisht liberalizimi i vizave për Kosovën.

Njoftimi i plotë:

Poseduesit e pasaportave të Kosovës duke filluar nga 1 janari 2024 do të mund të udhëtojnë drejt Zonës Shengen pa viza për qëndrime afatshkurtëra.

Udhëtimi pa viza ju mundëson të udhëtoni pa vizë për qëndrime të shkurtra, për shembull, si turist, për të vizituar miqtë ose familjen, për të marrë pjesë në ngjarje kulturore ose sportive, takime afariste, trajtim mjekësor, për programe arsimore afatshkurtra si seminare, konferenca, punëtori, shkolla verore dhe çdo aktivitet të ngjashëm.

Ju mund të qëndroni deri në 90 ditë në çdo periudhë 180-ditore brenda zonës Shengen. Nëse udhëtoni disa herë, duhet të llogaritni me kujdes numrin e ditëve të qëndrimit tuaj, pasi periudha e përgjithshme e qëndrimit nuk duhet të tejkalojë totalin prej 90 ditësh brenda periudhës 180 ditore. Periudha e qëndrimit llogaritet nga data e parë e hyrjes në çdo zonë Shengen.

Me një pasaportë biometrike të vlefshme të Kosovës mund të udhëtoni pa viza në vendet e mëposhtme të BE-së: Austri, Belgjikë, Bullgari, Kroaci, Qipro, Republikën Çeke, Danimarkë, Estoni, Finlandë, Francë, Gjermani, Greqi, Hungari, Itali, Letoni, Lituani , Luksemburg, Maltë, Holandë, Poloni, Portugali, Rumani, Sllovaki, Slloveni dhe Suedi. Gjithashtu mund të udhëtoni në vendet e Shengenit: Zvicër, Norvegji, Lihtenstein dhe Islandë. Ju nuk mund të udhëtoni në Spanjë.

Duhet të keni gjithmonë informacion për qëllimin e vizitës suaj, vendin e akomodimit/ku do të qëndroni gjatë vizitës, biletat kthyese, dëshmitë e mjeteve të mjaftueshme financiare për të mbuluar qëndrimin (para dhe/ose kartë krediti). Rekomandohet fuqimisht të keni një sigurim udhëtimi. Nëse synoni të qëndroni me të afërmit ose miqtë tuaj të familjes, duhet të keni adresën e saktë dhe numrat e telefonit të tyre. Zyrtarët kufitarë mund të kërkojnë dokumente mbështetëse që arsyetojnë qëllimin dhe kushtet e qëndrimit të synuar. Udhëtimi pa viza nuk ju mundëson të punoni në Zonën Shengen. Nëse synoni të punoni në një nga vendet e BE-së, duhet të aplikoni për vizë pune të kategorisë D në shërbimin përkatës të konsulatës së këtij vendi të BE-së.

Udhëtimi pa viza nuk synohet për studime që kalojnë 90 ditë në Zonën Shengen brenda një periudhe prej 180 ditësh. Për studime më afatgjata, duhet të aplikoni për vizë studentore dhe rregullat për këtë ndryshojnë nga vendi në vend.

Kur arsyetohet siç duhet, udhëtimi pa viza ju mundëson të kërkoni trajtim mjekësor për sa kohë që ky qëndrim është brenda kufijve të 90 ditëve maksimale. Në këtë rast, ju duhet të keni një dëshmi (dokument zyrtar) të pranimit të institucionit mjekësor dhe dëshmi për trajtimin tuaj shëndetësor të planifikuar ose ekzaminimet mjekësore.

Heqja e vizave nuk jep një të drejtë të pakushtëzuar hyrjeje dhe qëndrimi. Shtetet anëtare kanë të drejtë të refuzojnë hyrjen dhe qëndrimin në territoret e tyre, nëse nuk plotësohen një ose më shumë nga kushtet e hyrjes, si p.sh.

Posedimi i një pasaporte biometrike të vlefshme (e vlefshme për të paktën tre muaj pas datës së synuar të nisjes nga zona Shengen),

Arsyetimi i qëllimit dhe kushteve të qëndrimit të synuar, duke pasur mjete të mjaftueshme financiare, si për kohëzgjatjen e qëndrimit të synuar ashtu edhe për kthimin;
Të mos jetë një person për të cilin është lëshuar një sinjalizim në Sistemin e Informacionit Shengen (SIS) për qëllime të refuzimit të hyrjes;

Të mos konsiderohet si kërcënim për politikën publike, sigurinë e brendshme, shëndetin publik ose marrëdhëniet ndërkombëtare të ndonjë prej shteteve anëtare.

Udhëtimi pa viza nuk ju jep të drejtën për të kërkuar azil në shtetet e BE-së, ose të Shengenit.

Keqpërdorimi mund të çojë në refuzimin e hyrjes në të ardhmen në raste të tilla si: qëndrimi përtej 90 ditësh në periudhë prej 180 ditësh, punësimi pa leje, nëse përbëni kërcënim për sigurinë publike ose përfshiheni në aktivitete kriminale. Keqpërdorimi dhe qëndrimi përtej periudhës së mund të çojnë në gjobë financiare dhe të rezultojnë në dëbim dhe ndalim të hyrjes në Zonën Shengen deri në 5 vjet.

Rajoni

Arrestohet në Zvicrë, ekstradohet në Kosovë i dyshuari për mashtrim

Published

on

By

Një person i kërkuar nga autoritetet e rendit në Kosovë është ekstraduar gjatë ditës së sotme nga Zvicra drejt Kosovës, pas një operacioni të suksesshëm të Policisë së Kosovës në bashkëpunim me autoritetet zvicerane.

Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate zyrtare nga Policia e Kosovës, ku specifikohet se i ekstraduari është shtetasi me inicialet B.Z., i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar përmes letërrreshtimit të lëshuar nga Interpoli.

I dyshuari ishte arrestuar kohë më parë nga autoritetet zvicerane, pasi institucionet e drejtësisë në Kosovë kishin lëshuar urdhërarrest ndaj tij nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Mashtrim”.

Sipas Policisë, B.Z. i ishte shmangur drejtësisë për një kohë të gjatë, por koordinimi i Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor me njësitet relevante dhe institucionet zvicerane bëri të mundur lokalizimin dhe sjelljen e tij para organeve të rendit në vendlindje.

Ekstradimi i realizuar këtë të mërkurë, më 1 prill 2026, u mbështet plotësisht në ligjet në fuqi dhe në marrëdhëniet e ngushta diplomatike e policore mes Republikës së Kosovës dhe Zvicrës.

Policia e Kosovës ka deklaruar se ky aksion është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të luftuar krimin dhe për të parandaluar aktivitetet ilegale, duke theksuar se shkëmbimi i informacioneve me organizatat ndërkombëtare do të intensifikohet për të gjurmuar dhe kapur çdo person apo grup kriminal që tenton t’i shpëtojë përgjegjësisë penale, pavarësisht nëse veprojnë brenda apo jashtë kufijve të vendit.

Continue Reading

Lajmet

ZRRE: Do të korrigjohet çdo gabim në faturat e rrymës

Published

on

By

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), përmes një njoftimi për media, bën të ditur se është angazhuar maksimalisht në monitorimin e situatës lidhur me shqetësimet e konsumatorëve për devijimin e mundshëm të orëve tarifore.

ZRRE po grumbullon në vazhdimësi informata për të garantuar një matje të drejtë dhe të saktë, duke siguruar që faturimi të reflektojë vetëm konsumin real të energjisë elektrike.

Në këtë kuadër, ZRRE ka bërë të qartë se çdo rast i raportuar do të trajtohet me prioritet.

“ZRRE siguron konsumatorët se të gjitha rastet e raportuara për mos-përputhje të kohës tarifore do të analizohen dhe shqyrtohen me kujdes. Në rast se konstatohet se ekzistojnë gabime në funksionimin e njehsorit elektrik, do të ndërmerren masat e nevojshme, në përputhje me legjislacionin dhe rregullat në fuqi”, thuhet në njoftim.

Ky angazhim vjen si një garanci shtesë se asnjë gabim teknik nuk do të rëndojë mbi xhepat e qytetarëve, veçanërisht pasi kompanitë si KEDS dhe KESCO janë ndërmarrje të rregulluara dhe nuk mund të përfitojnë nga këto parregullsi.

Për të mbyllur çdo hapësirë dyshimi, rregullatori rikonfirmon se mbetet e përkushtuar për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve dhe garantimin e një sistemi të drejtë dhe transparent dhe të besueshëm në sektorin e energjisë.

 

Continue Reading

Vendi

27 vjet nga masakra në Lybeniq, Kurti: Serbia refuzon të ballafaqohet me të kaluarën

Published

on

By

Në 27-vjetorin e njërës prej krimeve më makabre të forcave serbe në Kosovë, Kryeministri Albin Kurti ka bërë homazhe te varrezat e të vrarëve në fshatin Lybeniq të Pejës.

Ky përvjetor kujton mëngjesin e përgjakshëm të 1 prillit të vitit 1999, kur njësitë famëkeqe serbe “Çakejt” dhe “Mbrojtja Territoriale” rrethuan fshatin dhe shkatërruan jetët e dhjetëra familjeve.

Sipas dëshmive, forcat serbe kishin nxjerrë banorët me dhunë nga shtëpitë e tyre, duke i mbledhur në qendër të fshatit, pranë xhamisë. Pasi ndanë gratë, fëmijët dhe të moshuarit për t’i dëbuar me forcë drejt Shqipërisë, ata ekzekutuan me breshëri armësh automatike 59 burra të pafajshëm nga familjet e shumta të këtij fshati.

Kryeministri Kurti theksoi se, edhe pse kjo masakër u dokumentua që në vitin 1999 nga organizatat ndërkombëtare si Human Rights Watch, drejtësia po mungon.

Ai akuzoi drejtpërdrejt shtetin serb për zvarritje dhe mjegullim të proceseve gjyqësore, duke e quajtur Serbinë një “shtet gjenocidal” që refuzon të ballafaqohet me të kaluarën.

Në fund të mesazhit të tij, Kurti nënvizoi se Serbia vazhdon të mbetet një tokë e varrezave masive dhe një strehë e sigurt për kriminelët e luftës, duke kërkuar llogaridhënie për krimet që lanë plagë të hapura në Lybeniq dhe mbarë Kosovën.

 

Continue Reading

Lajmet

MINT nis verifikimin e njehsorëve të rrymës pas dyshimeve për matje të gabuara

Published

on

By

Komisioni i posaçëm i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka nisur punën në terren për verifikimin e njehsorëve elektrikë, pas ankesave të shumta të konsumatorëve për çrregullime të kohës dhe matje të pasaktë të energjisë.

Drejtoresha e Agjencisë së Metrologjisë, Sebahate Bushrani, ka bërë të ditur se njehsorët e dyshimtë do të tërhiqen për verifikim dhe do të zëvendësohen me të tjerë deri në lëshimin e raportit zyrtar. Sipas saj, aktualisht janë rreth 70 ankesa, ndërsa raporti përfundimtar do t’u dërgohet Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe palëve të përfshira, raporton Koha.net.

Ky aksion vjen pas denoncimit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila përmes një hulumtimi në Prishtinë dhe Ferizaj ka pretenduar se rreth 800 njehsorë llogarisin energjinë me tarifë të shtrenjtë për shkak të mosperputhjes së orës.

Ndonëse KEDS-i i ka mohuar këto pretendime, raportimet e mëhershme kanë treguar se qytetarët në Fushë-Kosovë janë përballur me probleme të ngjashme, ku orët në njehsorë figuronin jashtë kohës reale. Verifikimi mbetet një proces i ndjeshëm, veçanërisht pas kritikave të vitit 2023 se ky proces kryhej në laboratorët e KEDS-it, veprim ky që konsiderohej shkelje e Ligjit për Metrologji.

Saktësia e njehsorëve është jetike për xhepin e qytetarëve, pasi dallimi mes tarifave është i lartë. Gjatë dimrit, tarifa e lartë (9.05 centë deri në 15.43 centë për kW) aplikohet nga ora 07:00 deri në 22:00, ndërsa tarifa e ulët (3.88 centë deri në 7.28 centë për kW) vlen gjatë natës. Çdo mospërputhje e orës bën që konsumatorët të faturohen me çmime maksimale edhe kur ata tentojnë të kursejnë duke përdorur pajisjet shtëpiake gjatë orëve të vona. /Koha.net/

 

Continue Reading

Të kërkuara