Kulturë

Alfred Hiçkok, pesë fakte për mjeshtrin e filmave horror

Një pjesë e famës së Hiçkok erdhi për shkak të paraqitjeve plot humor që bëri në 39 nga filmat e tij.

Published

on

Ekscentrik, ironik, një gjeni me anët e tij të errëta, Alfred Hiçkok lindi në Ist End të Londrës më 13 gusht 1899. I famshëm për sukseset e tij, por mbi të gjitha për çuarjen në Hollivud të humorit të zi anglez, Hiçkok diti t’i shfrytëzojë si duhet frikën, si një nga emocionet kryesore të njeriut, dhe misterin që e intrigon vazhdimisht specien tonë.

“Unë jam një tip i ndrojtur dhe jo shumë i shoqërueshëm. Dhe për t’u çlodhur bëj filma”, thoshte ai. 

Hiçkok realizoi rreth 50 filma, gati që të gjitha pjesë e historisë së kinemasë me aktorë si Keri Grant, Xhejms Stjuart, Grejs Kelli dhe Kim Novak. I dashur nga publiku dhe i përbuzur nga kritika, Alfred Hiçkok nuk fitoi asnjëherë Çmimin Oscar, deri në vitin 1968 kur iu dha Çmimi Irving G.Thalberg për meritat e tij artistike.

U shfaq si figurant në disa nga filmat e tij

Një pjesë e famës së Hiçkok erdhi për shkak të paraqitjeve plot humor që bëri në 39 nga filmat e tij. Zakonisht ai shfaqej në sfond si një kalimtar në rrugë. Episodet e tij u bënë aq të njohura, saqë producentët zgjodhën t’i vendosnin në fillim të filmit për të shmangur shpërqendrimin e audiencës.

Një nga filmat më të paharrueshëm është “Lifeboat” (1944), ku ngjarjet zhvillohet tërësisht në një barkë të vogël buzë deti. Edhe këtu, Hiçkok trupmadh mund të shihet në fotot “para”dhe “pas” të një reklame në gazetë për një produkt për rënien në peshë të quajtur “ReducoObesity Slayer”.

Bashkëshortja ishte bashkëpunëtorja e tij më e besuar

Punoi me shumë nga aktorët më të talentuar të Hollivudit, por këshilltarja më e besuar e Hiçkok ishte gruaja e tij Alma Revil. Të dy u martuan në vitin 1926, kur punonin bashku në Londër. Më vonë, Revil punoi si skenariste, montazhere dhe asistent regjisor në disa filma të Hiçkok.

Ndërsa karriera e Alfred përparonte, Revil mbeti në prapaskenë, pavarësisht se kishte një rol vendimtar deri në vitet 1960. Thuhet se ishte ajo që zgjodhi kolonën zanore tashmë të famshme të Bernard Herrman, për skenën e dushit në filmin e famshëm “Psycho”.

Bashkëpunoi me artistë dhe shkrimtarë të njohur

Hiçkok bashkëpunoi me aktorë legjendarë të Hollivudit si Keri Grant, Ingrid Bergman dhe Xhimi Stjuart, por ka bashkëpunuar edhe me talente jashtë botës së kinemasë. Regjisori punësoi njerëz si Doroti Parker, Rejmond Çendler, Tornton Uajlder dhe Xhon Shteinbek, për t’i dhënë ritmin e duhur skenarëve të tij.

Madje ai u përpoq të bindte Ernest Heminguej dhe Vladimir Nabokov që të shkruanin për të. Për realizimin e filmin “I’ll Save You” të vitit 1945, Hiçkok angazhoi artistin surrealist Salvador Dali në ndërtimin e sekuencave komplekse të ëndrrave.

Luftoi kundër censurës së Hollivudit

Hiçkok e kaloi një pjesë të madhe të karrierës së tij në përpjekje për të kapërcyer kufizimet e Kodit Hejs, pra udhëzimet që rregullonin përmbajtjen e filmave të Hollivudit. Gjatë realizimit të “Psycho”, ai dërgoi qëllimisht në zyrat e censurës disa skena me dhunë dhe nudo, për t’ishpërqendruar ata nga disa detaje të vogla që regjisori nuk dëshironte t’ua bënte të ditura. Po ashtu, ai i bindi zyrtarët se një skenë e xhiruar në banjo – i ndaluar prej kohësh nga kufizimet e Kodit Hejs – ishte vendimtar për komplotin e filmit.

Ai ishte shakator i madh

Hiçkok i pëlqente t’i punonte vazhdimisht rrengje aktorëve dhe bashkëpunëtorëve të tij. Gjatë xhirimeve të filmit “Klubi i 39” (1935), ai la të prangosur për orë të tëra 2 aktorët kryesorë, Robert Donat dhe Medlin Karroll, duke u shtirur sikur i kishte humbur çelësat e prangave.

Një herë tjetër ai vuri bast me një anëtar të stafit të tij. Nëse ai do të punonte gjithë natën me telekamerën, do t’i paguante pagën e një jave. Burri pranoi dhe Hiçkok i ofroi një gotë uiski para se të largohej. Por burri nuk e dinte që pijet ishin të mbushura me laksativë./bota.al

Continue Reading

Lajmet

Kosova ndan licencat e para për udhërrëfyesit turistikë

Published

on

Kosova ka ndarë licencat e para për udhërrëfyesit turistikë, duke shënuar fillimin e një sistemi të rregulluar të licencimit me standarde të qarta për këtë profesion.

Sipas Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, ky proces synon të sigurojë që udhërrëfyesit turistikë të ushtrojnë profesionin me përgatitje profesionale, përgjegjësi dhe njohuri të sakta, duke kontribuar në prezantimin dinjitoz të historisë, kulturës dhe trashëgimisë së Kosovës para vizitorëve.

Në njoftim thuhet se udhërrëfyesit turistikë kanë një rol të rëndësishëm në lidhjen e vizitorëve me identitetin kulturor të vendit, prandaj licencimi i tyre përbën një hap të rëndësishëm në zhvillimin e sektorit të turizmit.

Ministria theksoi se krijimi i Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit ka mundësuar një qasje më të strukturuar ndaj zhvillimit të turizmit, duke e trajtuar atë si një sektor me potencial të madh për Kosovën.

Me këtë rast, u uruan të gjithë udhërrëfyesit e licencuar për sukses në ushtrimin e profesionit dhe u vlerësua kontributi i tyre në promovimin e vlerave kulturore dhe turistike të Kosovës para vizitorëve vendas dhe të huaj./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Koncerti “Americana” festoi miqësinë Kosovë–SHBA, Ambasada amerikane falënderon Filharmoninë

Published

on

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ka shprehur mirënjohjen për Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës dhe të gjithë ata që kontribuuan në realizimin e koncertit “Americana”, i mbajtur të mërkurën mbrëma në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ambasada e SHBA-së e cilësoi koncertin si një mbrëmje të veçantë kushtuar muzikës, kulturës dhe miqësisë, në kuadër të shënimit të 250-vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Çfarë performance që shijuam! Falënderime të përzemërta për Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës për interpretimin e jashtëzakonshëm dhe për të gjithë ata që e bënë ‘Americana’ një mbrëmje kaq të paharrueshme, duke festuar 250-vjetorin e Amerikës dhe partneritetin tonë të qëndrueshëm. Një mbrëmje vërtet e paharrueshme me muzikë, kulturë dhe miqësi!”, thuhet në reagimin e Ambasadës.

Koncerti “Americana”, nën dirigjimin e maestros Toshio Yanagisawa, solli para publikut vepra të njohura të kompozitorëve amerikanë, përfshirë George Gershwin dhe Leonard Bernstein, duke mbledhur qindra qytetarë në qendër të Prishtinës për një mbrëmje festive që shënoi lidhjet e ngushta ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Orkestra “Amadeus” hap me sukses festivalin ndërkombëtar “Musica Orbis” në Pragë

Published

on

Orkestra e Fëmijëve dhe të Rinjve “Amadeus” ka shënuar një paraqitje të suksesshme në koncertin hapës të festivalit garues ndërkombëtar “Musica Orbis”, i cili po mbahet në Pragë të Çekisë.

Ceremonia solemne e hapjes u zhvillua në sallën Mayakovski të Teatrit Vinohrady, ku orkestra hapi festivalin me interpretimin e veprës shqiptare “Malësorja”, e cila u mirëprit me ovacione dhe duartrokitje nga publiku.

Në këtë ngjarje mori pjesë edhe Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Çeki, Albesjana Iberhysaj, e cila në fjalën e saj vlerësoi rëndësinë e pjesëmarrjes së orkestrës në një festival ndërkombëtar dhe rolin e saj në promovimin e Kosovës në arenën kulturore botërore.

Organizatorët dhe anëtarët e orkestrës shprehën mirënjohje për Ambasadën e Kosovës në Çeki për mbështetjen dhe angazhimin gjatë qëndrimit të tyre në Pragë, si dhe falënderuan publikun për përkrahjen e vazhdueshme.

Orkestra “Amadeus” do ta përfaqësojë Kosovën edhe në garën ndërkombëtare të orkestrave në kuadër të festivalit “Musica Orbis 2026”./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Kurti viziton Galerinë Kombëtare: Arti është udhërrëfyes i shoqërisë

Published

on

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar Galerinë Kombëtare të Kosovës, duke theksuar rëndësinë e artit pamor dhe institucioneve kulturore në ruajtjen e trashëgimisë shpirtërore dhe zhvillimin e jetës publike.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kurti ndau përshtypjet e tij nga ekspozitat e fundit, duke vlerësuar Galerinë Kombëtare si një hapësirë të rëndësishme për promovimin e artistëve vendorë dhe ndërkombëtarë, si dhe për ndërtimin e identitetit kulturor të vendit.

“Arti nuk është vetëm reflektim i shoqërisë, por edhe udhërrëfyes i saj. Mbështetja për institucionet tona kulturore dhe krijuesit tanë mbetet prioritet, pasi përmes tyre prezantojmë vlerat tona më të mira para botës”, ka shkruar Kurti.

Gjatë vizitës, ai u njoftua edhe me projektet dhe sfidat e Galerisë Kombëtare, duke rikonfirmuar angazhimin e Qeverisë për rritjen e investimeve në infrastrukturën kulturore dhe për mbështetjen e artit bashkëkohor në Kosovë./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara