Botë

Aleatët e Harris fajësojnë Presidentin Biden për humbjen e saj

Published

on

Emri i Joe Biden nuk ishte në fletëvotime në zgjedhjet e 5 nëntorit, por historia ka të ngjarë ta kujtojë humbjen e madhe të Kamala Harrisit edhe si humbjen e tij.

Pas fitores bindëse të Presidentit të zgjedhur Donald Trump, disa nga mbështetësit e nënpresidentes po shprehin pakënaqësinë e tyre duke thënë se fakti që zoti Biden priti deri në verë për t’u tërhequr nga gara– pavarësisht shqetësimeve të hershme të votuesve për moshën e tij dhe shqetësimeve për inflacionin pas pandemisë, si edhe për gjendjen në kufirin SHBA-Meksikë – vulosi humbjen e Shtëpisë së Bardhë nga partia e tij.

“Përgjegjësia më e madhe për këtë humbje është e Presidentit Biden,” thotë Andrew Yang, i cili kandidoi kundër zotit Biden në vitin 2020 për emërimin e partisë demokrate dhe e mbështeti kandidaturën e pasuksesshme të zonjës Harris.

“Nëse ai do të kishte dhënë dorëheqjen në janar dhe jo në korrik, ne mund të ishim në një situatë shumë të ndryshme.”

Zoti Biden largohet nga posti pasi i nxorri Shtetet e Bashkuara nga pandemia më e keqe prej një shekulli, nxiti mbështetjen ndërkombëtare për Ukrainën pas agresionit të Rusisë dhe miratoi një paketë prej 1 trilionë dollarësh për infrastrukturën në vend që do të ketë ndikim për vite me radhë.

Por pasi kandidoi katër vjet më parë kundër zotit Trump për të “rikthyer shpirtin e vendit”, zoti Biden do t’ia përcjellë postin paraardhësit të tij pas vetëm një mandati. Zoti Trump është zotuar ta reformojë rrënjësisht qeverinë federale dhe të tërhiqet nga shumë nga prioritetet e zotit Biden.

“Ndoshta pas 20 ose 30 vjetësh, historia do ta kujtojë Bidenin për disa nga këto arritje,” thotë Thom Reilly, bashkëdrejtor i Qendrës për një Demokraci të Pavarur dhe të Qëndrueshme në Universitetin Shtetëror të Arizonës.

“Por në një të ardhme afatshkurtër, do të jetë e vështirë që ai t’i shmanget trashëgimisë së të qenit presidenti që mundi Donald Trumpin vetëm për t’i hapur rrugën një administrate tjetër të Donald Trumpit katër vjet më pas.”

Të enjten zoti Biden nuk e përmendi drejtpërdrejt pakënaqësinë e elektoratit ndaj presidencës së tij, por tha se amerikanët do të ndjejnë efektet e nismave legjislative të administratës së tij për vitet në vijim.

“Mos harroni gjithçka që arritëm”, tha zoti Biden në një fjalim të shkurtër në Kopshtin e Trëndafilave të Shtëpisë së Bardhë ku morën pjesë anëtarë të kabinetit dhe ndihmës të lartë, por jo zonja Harris. “Ishte një presidencë historike – jo sepse jam unë president, por falë asaj që kemi bërë. Asaj që keni bërë ju.”

Ai lëshoi një deklaratë menjëherë pasi zonja Harris mbajti fjalimin e saj ku pranoi humbjen të mërkurën, duke e vlerësuar atë për një “fushatë historike” në “rrethana të jashtëzakonshme”.

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre nuk iu përgjigj drejtpërdrejt pyetjeve në lidhje me kritikat se zoti Biden priti shumë gjatë për t’u tërhequr.

“Ai besoi se mori vendimin e duhur,” tha zonja Jean-Pierre në konferencën e përditshme për shtyp.

Vetëm rreth 4 ndër 10 votues në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 e miratuan punën e zotit Biden si president, sipas AP VoteCast, një sondazh me më shumë se 120,000 votues në mbarë vendin. Afërsisht 6 ndër 10 nuk e miratuan atë dhe Donald Trump bëri për vete një shumicë të ndjeshme të atyre votuesve që ishin të pakënaqur me zotin Biden.

Disa demokratë me peshë, përfshirë tre këshilltarë të fushatës së zonjës Harris, shprehën zhgënjimin e thellë që zoti Biden nuk pranoi që më herët në ciklin zgjedhor se nuk e përballonte dot sfidën e rikandidimit. Këshilltarët folën në kushte anonimiteti sepse nuk ishin të autorizuar të komentonin publikisht.

81 vjeçari Biden i dha fund fushatës së tij për rizgjedhje në korrik, disa javë pas një paraqitjeje tepër të dobët në një debat përballë zotit Trump, që ngriti pikëpyetje lidhur me mprehtësinë mendore të tij për të qenë një kandidat i besueshëm.

Por sondazhet kishin treguar prej kohësh se shumë amerikanë ishin të shqetësuar për moshën e tij. Rreth 77% e amerikanëve thanë në gusht të vitit 2023 se zoti Biden ishte shumë i moshuar për të qenë efektiv edhe për katër vjet të tjera, sipas një sondazhi nga agjencia e lajmeve Associated Press dhe Qendra për Çështjet Publike NORC (AP-NORC).

Presidenti u tërhoq më 21 korrik pasi u nxit në mënyrë jo edhe aq delikate nga figurat e njohura të Partisë Demokrate, përfshirë ish-presidentin Barack Obama dhe ish-kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi që të hiqte dorë nga gara për rizgjedhje.

Zoti Biden mbështeti zonjën Harris për kandidaturën. Ligjvënësi nga shteti i Masaçusetsit Seth Moulton, një nga disa ligjvënësit demokratë që i kërkuan publikisht zotit Biden të largohej këtë verë, tha të enjten në CNN se Partia Demokrate “do të kishte qenë në një pozicion shumë më të mirë” nëse zoti Biden do ta kishte lënë garën më herët.

Zoti Yang argumentoi se edhe udhëheqësit e Partisë Demokrate duhet të mbahen përgjegjës që pritën aq gjatë për të larguar zotin Biden. Me pak përjashtime, si ligjvënësi nga Minesota, Dean Phillips, demokratët nuk dolën të flisnin hapur për moshën e zotit Biden.

“Pse nuk u bë një gjë e tillë nga ndonjë udhëheqës demokrat?” tha zoti Yang. “Arsyeja është një mungese guximi dhe pavarësie dhe një karrierizëm i tepruar”.

Fushata vuajti gjithashtu pasojat e zemërimit të votuesve arabo-amerikanë dhe të rinjve për qasjen ndaj luftës së Izraelit në Gaza dhe Liban.

Senatori Bernie Sanders, një aleat i Presidentit Biden dhe Nënpresidentes Harris, tha në një deklaratë se demokratët nuk po u kushtonin rëndësi shqetësimeve të amerikanëve të klasës së mesme.

“A do të nxjerrin ndonjë mësim real nga kjo fushatë katastrofike ata që mbështesin interesat e të pasurve dhe konsulentët e paguar mirë që kontrollojnë Partinë Demokrate?” tha ligjvënësi i pavarur nga Vermonti.

Zonja Harris arriti të ngjallte entuziazëm shumë më të madh sesa zoti Biden në bazën e partisë. Por ajo nuk arriti të shprehte qartë se si do të ndryshonte administrata e saj nga ajo e zotit Biden.

Në një emision televiziv në shtator, Nënpresidentja Harris nuk mund të përmendte ndonjë shembull se si do të merrte një vendim të ndryshëm nga zoti Biden.

“Nuk më vjen ndonjë gjë ndër mend,” tha zonja Harris, duke i dhënë fushatës së zotit Trump material për reklama që u transmetuan deri ditën e zgjedhjeve.

Këshilltarët e zonjës Harris thanë se fushata e shkurtër e bëri edhe më të vështirë për nënpresidenten që të distanconte veten nga presidenti. Nëse zoti Biden do të ishte tërhequr në fillim të vitit, thanë ata, kjo do t’u kishte dhënë demokratëve kohë të mjaftueshme për të mbajtur zgjedhje brenda partisë. Një garë brenda partisë do ta kishte detyruar zonjën Harris ose një kandidat tjetër të mundshëm që t’i theksonin më shumë dallimet me zotin Biden.

Këshilltarët demokratë e pranojnë se pakënaqësia e thellë në lidhje me kostot në rritje si pasojë e pandemisë dhe shqetësimet e gjera në lidhje me sistemin e imigracionit të SHBA-së, ishin të rëndësishme për votuesit në shtetet kyçe.

Megjithatë, ata thanë se zoti Biden i kishte vënë demokratët në një pozitë të vështirë.

David Plouffe, një këshilltar i lartë i zonjës Harris, tha se ekipi i fushatës “u përpoqën me mish me shpirt për vendin e tyre”.

“Ne u ngritëm nga një pikë shumë e ulët, por mesa duket jo mjaftueshëm,” tha ai. “Një humbje e dhimbshme”.

Ky postim u fshi më vonë.

Disa përkrahës të zonjës Harris thonë se do të kishin dashur që ajo të kishte pasur më shumë kohë për të bërë për vete votuesit amerikanë.

Përveç Shtëpisë së Bardhë, republikanët do të kontrollojnë edhe Senatin. Kontrolli për Dhomën e Përfaqësuesve nuk është përcaktuar.

Matt Bennett, nënkryetar ekzekutiv i grupit “Rruga e Tretë”, një aleat i demokratëve, tha se është momenti më i vështirë i partisë që ai ka parë.

“Harris u vu në një pozitë shumë të vështirë, pjesërisht për shkak të zotit Biden dhe pjesërisht për arsye të tjera”, thotë zoti Bennett, i cili ishte këshilltar i Nënpresidentit Al Gore gjatë administratës së (Presidentit) Klinton.

“A do të ishin në një pozitë më të mirë demokratët nëse Biden do të ishte tërhequr më herët? Nuk e di nëse mund ta themi me siguri, por kjo është një pyetje e vlefshme.”

Lajmet

Përmbytjet në Stamboll: 14-vjeçari humb jetën nga rryma elektrike, mbi 2.500 raportime për motin e keq

Published

on

Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje të mëdha në Stamboll të Turqisë, ku një 14-vjeçar ka humbur jetën pasi dyshohet se ra në kontakt me energjinë elektrike gjatë vërshimeve.

Sipas mediave turke, i mituri me inicialet M. I. shkeli në një pellg uji në parkun Çukurbostan, në lagjen Balat të distriktit Fatih. Ai u dërgua pa ndjenja në spital, por ndërroi jetë pavarësisht përpjekjeve të mjekëve.

Moti i keq ka shkaktuar dëme të mëdha në qytetin me rreth 16 milionë banorë. Janë raportuar më shumë se 1.200 raste përmbytjesh, 15 rrëshqitje dheu dhe dhjetëra raste të personave të bllokuar nga uji i rrëmbyeshëm.

Shërbimet emergjente kanë pranuar gjithsej 2.518 raportime të lidhura me kushtet e këqija atmosferike.

Sipas të dhënave, reshjet kanë prekur 808 objekte banimi, 280 ambiente biznesi dhe 76 automjete. Shtëpi, dyqane, rrugë dhe nënkalime janë përmbytur, ndërsa shumë automjete kanë mbetur të bllokuara në ujë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Policia turke bastis selinë e televizionit pro-opozitar Halk TV dhe ndërpret transmetimet

Published

on

By

Policia turke ka bastisur selinë e televizionit pro-opozitar Halk TV, duke ndërprerë transmetimet e drejtpërdrejta të kanalit.

Sipas raportimeve të BBC-së, punonjësit nuk janë lejuar të futen në objektin e televizionit në Stamboll gjatë mëngjesit të së mërkurës, ndërsa në krye të kanalit është caktuar një menaxher i ri.

Detajet e operacionit dhe arrestimet
Mediat turke bëjnë me dije se në operacion janë përfshirë efektivë të departamentit të krimeve financiare, të cilët kanë kontrolluar imtësisht ndërtesën. Gjatë këtij aksioni, autoritetet policore kanë lëshuar urdhër-arreste për 17 persona.

Halk TV njihet për linjën e saj editoriale të afërt me Partinë Republikane Popullore (CHP), e cila është forca kryesore opozitare dhe një kritike e ashpër e qeverisë së presidentit Recep Tayyip Erdogan.

Ky zhvillim vjen në një periudhë tensionesh të larta politike. Në muajin maj, një gjykatë në Turqi vendosi t’i hiqte udhëheqjes aktuale të CHP-së të drejtën për të drejtuar partinë, duke shfuqizuar rezultatet e kongresit partiak dhe duke rikthyer në krye ish-kryetarin. Në atë kohë, opozita e quajti vendimin si një tentativë për të forcuar më tej kontrollin e pushtetit të Erdoganit mbi institucionet dhe opozitën.

Continue Reading

Lajmet

Sulm masiv mbi Kievin: Zelensky akuzon Rusinë për shkelje të armëpushimit

Published

on

By

Një objekt kyç i energjisë që furnizon Kievin me ngrohje dhe energji elektrike, si dhe një ndërtesë banimi, janë goditur gjatë një sulmi me raketa balistike ruse. Lajmin e ka bërë të ditur presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili theksoi se goditja ndodhi pa asnjë paralajmërim të hershëm nga partnerët ndërkombëtarë.

Kryetari i Bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, njoftoi se nga goditja e bllokut të banimit të martën vonë kanë humbur jetën dy persona dhe janë plagosur 21 të tjerë. Ai konfirmoi se janë goditur disa objekte energjetike në kryeqytet, ndërsa në orët e para të së mërkurës bëri të ditur se sulmet masive kanë ndërprerë rrymën në disa pjesë të Kievit. Autoritetet vendore u kanë bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë në strehimore pas shpalljes së alarmit të kuq.

Sulmet e reja vijnë vetëm dy ditë pasi presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se mes Rusisë dhe Ukrainës ishte rënë dakord për një armëpushim energjetik. Lidhur me këtë, Zelensky reagoi ashpër duke u shprehur: “Ukraina mbështeti një armëpushim energjetik. Rusia po synon edhe një central tjetër elektrik dhe jetët e njerëzve tanë. Kjo është plotësisht e padrejtë: kur ata po shkatërrojnë infrastrukturën tonë energjetike, dhe Ukraina nuk po merr as paralajmërime të hershme për lansimin e raketave balistike”.

Presidenti ukrainas shtoi se është me rëndësi që bota të mos heshtë dhe që Shtetet e Bashkuara të shohin qartë se çfarë po ndodh dhe kush është përgjegjës për vazhdimin e luftës. Kjo është nata e dytë rresht që Kievi përballet me sulme të tilla, ndërsa Zelensky po përgatitet të takohet në London me kryeministrin britanik Andy Burnham për të diskutuar përshpejtimin e furnizimit me sisteme të mbrojtjes ajrore.

Pas sulmeve të së hënës mbrëma, lindi spekulimi se SHBA-ja kishte ndërprerë qasjen e Ukrainës në inteligjencën kyçe për përgjimin e kërcënimeve. Megjithatë, Trump e mohoi këtë duke deklaruar: “Ne po i ndihmojmë ata dhe po ndajmë inteligjencë. Ne duam që lufta të përfundojë.” I pyetur për sulmet ruse mbi energjetikën, Trump përmendi se edhe Ukraina kishte goditur disa objekte një ditë më parë, ndërsa shmangu të konfirmonte nëse Rusia e kishte shkelur armëpushimin, duke shtuar se të dyja palët duan që lufta të përfundojë, por “nuk dinë se si të arrijnë atje”. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Sulmohen me dronë dy anije në Detin e Zi pranë Bullgarisë, Radev kërkon ndihmën e NATO-s dhe BE-së

Published

on

By

Dy anije tregtare janë goditur nga dronë të martën në Detin e Zi, rreth 29 kilometra larg bregdetit të Bullgarisë, duke shkaktuar fundosjen e njërës prej tyre dhe nisjen e operacioneve të shpëtimit. Kryeministri i Bullgarisë, Rumen Radev, njoftoi se nga anija “Chelsea 3”, e cila lundronte nën flamurin e Maltës, janë evakuuar të gjithë 15 anëtarët e ekuipazhit, ku pesë prej tyre morën trajtim mjekësor për lëndime të lehta. Ndërkaq, nga anija e dytë e fundosur është shpëtuar një person.

Gjatë një mbledhjeje urgjente të Këshillit të Sigurisë, Radev i cilësoi sulmet si të papranueshme dhe bëri të ditur se Bullgaria po kërkon mbështetje nga NATO-ja dhe Bashkimi Evropian. Ndonëse autoritetet bullgare nuk kanë ende prova të drejtpërdrejta se kush qëndron prapa sulmit, Radev deklaroi se zhvillimet shkojnë në favor të Federatës Ruse.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, dhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e dënuan ashpër ngjarjen duke fajësuar Rusinë për cenimin e sigurisë detare dhe lundrimit të lirë në Detin e Zi. Ky incident vjen pas disa sulmeve të ngjashme të javës së kaluar ndaj anijeve tregtare në ujërat pranë Bullgarisë dhe Rumanisë.

 

Continue Reading

Të kërkuara