Goditje me grushte në kokë e trup, një mjet i fortë, një litar i vendosur rreth qafës dhe gjurmë gjaku në shtratin ku u gjet e pajetë foshnja. Këto janë disa nga detajet e përshkruara në dosjen e Prokurorisë Themelore në Gjilan lidhur me vrasjen e dyfishtë në fshatin Demiraj.
Sipas dosjes, Braim Demiri dyshohet se më 1 nëntor 2026, pas orës 00:27 dhe deri në orët e mëngjesit, pas një konflikti fizik me djalin e tij, Adonis Demirin, e ka privuar atë nga jeta.
“Me një litar të cilin ia vendos në qafë viktimës dhe sipas shenjave të njëjtin e ngulfat”, thuhet në përshkrimin e dyshimeve në dosjen e Prokurorisë.
Në të njëjtën ngjarje dyshohet se është vrarë edhe foshnja. Në përshkrimin e veprës penale, Prokuroria pretendon se foshnja D. është gjetur e pajetë në shtratin e babait të saj, Adonis Demirit, me shenja dhune dhe njolla gjaku.
“…ndërsa më parë edhe fëmija D., është gjetur e pajetë me shenja dhune në shtratin e babait të saj, tani të ndjerit Adonis, ku janë vërejtur edhe njolla gjaku, krejt këto të shkaktuara me dyshimin nga babai i saj, tani i ndjeri Adonis, ashtu që nga veprimet e të njëjtëve janë privuar nga jeta dy anëtarë të familjes së tyre”, thuhet në dosje.
Lidhur me gjendjen në të cilën janë gjetur viktimat, Prokuroria përshkruan:
“Viktima Adonis Demiri është gjetur me lëndime të dukshme në fytyrë, i mbuluar me gjak dhe me një litar të shtrënguar rreth qafës, ndërsa foshnja D. është gjetur e pajetë me shenja dhune”.
Mënyra e saktë e privimit nga jeta të të dy viktimave ende nuk është përcaktuar, pasi deklaratat e të pandehurve nuk përputhen me incizimet e kamerave të sigurisë të marra nga pajisja DVR e sekuestruar në shtëpinë e vëllait të të dyshuarit.
“Po ashtu, duhet potencuar se mënyra e saktë e privimit nga jeta të djalit Adonis, por edhe e mbesës së tij D., për momentin është ende e paqartë, pasi ekzistojnë kundërthënie të qarta në mes të deklaratave të të pandehurve dhe incizimeve të kamerave të sigurisë”, thekson Prokuroria.
Përveç Braim Demirit, e pandehur është edhe bashkëshortja e tij, H. Demiri, e dyshuar për ndihmë në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë. Prokuroria ka kërkuar masën e paraburgimit për shkak të rrezikut të bashkërendimit të deklaratave mes të pandehurve.
“…dy të pandehurit kanë dhënë versione të ngjarjes që bien ndesh me incizimet e kamerave të sigurisë, ekziston rrezik real që i pandehuri, nëse do të ndodhet në liri, do të bashkërendojë deklaratat me bashkëpandehurën, me çka do të pengonte zhvillimin e rregullt të procedurës penale”, thuhet në kërkesë.
Hetimet ndodhen në fazën fillestare. Janë në pritje rezultatet e autopsisë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, ekspertizat e gjurmëve biologjike, të litarit dhe të pajisjeve elektronike, si dhe intervistimi i dëshmitarëve të tjerë. Përveç dyshimit për vrasje të rëndë, Braim Demiri dyshohet edhe për armëmbajtje pa leje.
/Ekonomia online/