Dizajnerja e njohur Maria Grazia Chiuri është rikthyer te brendi romak “Fendi”, këtë herë si drejtoreshë kreative e shtëpisë së njohur të modës.
Ajo do të prezantojë koleksionin e saj të parë për vjeshtë/dimër 2026 gjatë Javës së Modës në Milano, në shkurt të vitit të ardhshëm.
Emërimi vjen gjashtë muaj pas largimit nga “Dior”, shënon rikthim “në shtëpi”, pasi Chiuri kishte punuar në “Fendi” për 10 vjet, nga 1989 deri 1999, si dizajnere e aksesorëve. Gjatë kësaj periudhe, krijoi një nga simbolet më të njohura të markës, çantën ikonike “Baguette”.
“Maria Grazia Chiuri është një nga talentet më të mëdha kreative në botën e modës sot, jam i lumtur që ka zgjedhur të kthehet te ‘Fendi’ për të vazhduar të shprehë kreativitetin e saj brenda grupit LVMH. Jam i bindur se ajo do të kontribuojë në rilindjen artistike dhe suksesin e ardhshëm të shtëpisë, duke ruajtur trashëgiminë e saj unike,” tha Bernard Arnault, kryetar dhe CEO i LVMH Group.
Pas largimit të Kim Jones në tetor 2024, “Fendi” kishte mbetur pa drejtor të përhershëm për linjën e grave. Deri tani, Silvia Venturini Fendi, mbesa e themeluesve Adele dhe Edoardo Fendi, kishte marrë përsipër edhe drejtimin e linjës së grave, përveç asaj të burrave.
Më 29 shtator, ajo u promovua në një rol të ri si presidente nderi.
“Jam i lumtur që mirëpres Maria Grazia-n në ekip. Sot, roli i një drejtori kreativ nuk është thjesht të dizajnojë rroba të bukura, por të krijojë kulturë ereflektojë botën ku jetojmë. Talenti dhe vizioni i saj do të jenë thelbësorë për forcimin e trashëgimisë së ‘Fendit’ dhe zhvillimin e gjeneratës së re të talenteve,” tha Ramon Ros, kryetar dhe CEO i “Fendit”.

Chiuri e përshkroi rikthimin e saj si një moment personal dhe profesional shumë të rëndësishëm.
“Unë kthehem në Fendi me nder dhe gëzim, pata privilegjin të filloja karrierën time nën udhëheqjen e pesë motrave Fendi. Kjo shtëpi ka qenë vatër talentesh e pikënisje për shumë krijues në industri. Jam mirënjohëse ndaj z. Arnault që më ka besuar detyrën për të shkruar një kapitull të ri në historinë e këtij brendi të jashtëzakonshëm që u themelua nga gratë,” tha ajo.
Përveç aspektit profesional, rikthimi është i përshtatshëm edhe personalisht, pasi “Fendi” ka selinë në Romë, aty ku Chiuri është zhvendosur pas largimit nga “Dior”, që ka seli në Paris. Kohët e fundit, ajo ka punuar në projekte që i apasionojnë, përfshirë restaurimin e Teatro Della Cometa, një hapësirë historike për shfaqje në kryeqytetin italian.
Karriera ka qenë e lidhur me modën italiane. Pas “Fendi”, Chiuri dhe bashkëpunëtori Pierpaolo Piccioli u bashkuan me brendin tjetër të njohur, “Valentino”, ku u bënë drejtorë kreativë të përbashkët në vitin 2008.
Më 2016, u bashkua me “Dior”, duke u bërë gruaja e parë që drejtoi linjën e veshjeve të grave në historinë e shtëpisë franceze. Gjatë periudhës atje, Chiuri i dha modës një dimension të ri, duke e lidhur me mesazhe feministe, qartësisht të dukshme në koleksionin e saj të parë me bluzat “We should all be feminists”.
Ajo bashkëpunoi me si Judy Chicago, Faith Ringgold e Mickalene Thomas, duke zgjeruar horizontin kulturor të markës. Sipas të dhënave të HSBC, shitjet e “Dior” u rritën nga 2.2 miliardë euro më 2017 në 9.5 miliardë euro më 2023, gjatë drejtimit të saj. /A.Z/UBT News/