Mbretëresha e Mbretërisë së Bashkuar Camilla ka ndarë sekretet e një martese të qëndrueshme me Mbretin Charles, teksa çifti mbretëror festoi 20-vjetorin e martesës ditë më parë, gjatë një vizite shtetërore në Itali.
“20 vjet… kush do ta besonte?!” ka thënë ajo për mediat britanike, ka raportuar FemaleFirst.
E pyetur për sekretin e një martese të suksesshme, ajo u përgjigj me thjeshtësi dhe humor duke thënë se mendon që ka të bëjë me miqësinë.
“Të qeshësh për të njëjtat gjëra. Të vazhdosh përpara me jetën. Shpesh jemi si dy anije që kalojnë pranë njëra-tjetrës gjatë natës. Kalojmë me shpejtësi përkrah njëri-tjetrit”, ka thënë ajo.
Më herët gjatë ditës, Camilla kishte veshur një version të modifikuar të veshjes që kishte mbajtur në ceremoninë e martesës së tyre në vitin 2005, e rifreskuar me detaje të reja qëndisjeje.
77-vjeçarja ka treguar se ajo dhe mbreti kishin rezervuar “pak kohë për të biseduar pas pesë angazhimeve publike dhe para darkës shtetërore”. E pyetur nëse Charles do ta konsideronte një ditë pushimi si dhuratë për përvjetor, ajo tha me humor “Ëndërroj!”
E pyetur nëse arrijnë të relaksohen bashkë gjatë turneve zyrtare, Camilla ka thënë se flasin gjatë darkës.
“Po, kemi pak kohë për të biseduar gjatë darkës. Do të ishte bukur të kishim një ditë pushimi për të vizituar ndonjë vend, por nuk do të ndodhë!”, ka thënë ajo.
Çifti nuk kishte shkëmbyer dhurata për përvjetorin, por Camilla planifikonte t’i dhuronte Charlesit diçka tradicionale, një komplet porcelani, si dhuratë klasike për 20-vjetorin e martesës.
“Do ta bëjmë kur të kthehemi. Nëse e bën tani, gjithçka bëhet me ngut dhe nuk ke kohë të thuash asgjë me kuptim. Mendoj se në fund të ditës, do të nxjerrim diçka nga xhepi. Kam diçka gati.”
Camilla e ndiente veten veçanërisht të lumtur që përvjetori u festua në Itali, një vend me të cilin ajo ka lidhje personale që nga fëmijëria, pasi familja e saj kishte një shtëpi pushimi në Firence.
“E kam dashur gjithmonë Italinë. Këtu ndihesh më mirë. Janë kaq miqësorë, të dashur. Ushqimi, moti… është diçka në ajër. Gjithçka ka më shumë shije. Pse domatet e makaronat kanë më shumë shije? I merr me vete në Angli, por nuk kanë të njëjtin shije”, ka thënë ajo.
Gjatë darkës shtetërore me 150 të ftuar, mbreti Charles, në një fjalim plot humor dhe mirënjohje, ai ka thënë se kjo vizitë është e veçantë për çiftin pasi festojnë 20 vjetorin e martesës.
“Kjo vizitë është dhe më e veçantë për ne, pasi festojmë 20-vjetorin e martesës. Duhet të them se është w mirë nga ana juaj, zoti president, që na keni organizuar këtë darkë me qirinj për dy vetë”, tha Charles.
Pak orë para darkës, çifti ka bërë një vizitë të papritur te Papa Françesku, i cili u uroi përvjetorin gjatë një takimi 20-minutësh.
Pallati Buckingham më pas ndau një fotografi në rrjetet sociale, me mbishkrimin: “Mbretit dhe Mbretëresha u prekën shumë nga fjalët e Papës për përvjetorin e tyre dhe u ndien të nderuar që ndanë urimet personalisht me të”.
