Gjykata ka përfunduar shqyrtimin gjyqësor ndaj Xhelal Sveçlës lidhur me rastin e gazit lotsjellës në Kuvend, ndërsa shpallja e aktgjykimit është caktuar për 2 shtator.
Në fjalën përfundimtare Prokuroria ka kërkuar që Sveçla të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, duke renditur disa prova dhe dëshmi që, sipas saj, vërtetojnë kryerjen e veprës penale, raporton”Betimi për Drejtësi”.
Prokurori Avni Namani ka thënë se në CD-në e administruar si provë materiale, ku është incizuar seanca e Kuvendit, shihet momenti kur Sveçla aktivizon bombolën e gazit lotsjellës dhe e hedh brenda sallës së seancave plenare.
Sipas Namanit, pas përhapjes së gazit, personat e pranishëm largohen nga salla. Prokuroria ka përmendur edhe fotoalbumin e përpiluar nga zyrtarët policorë, ku, sipas saj, dokumentohet gjetja e bombolave të gazit lotsjellës, të aktivizuara dhe të paaktivizuara, në sallën plenare.
Po ashtu, sipas Prokurorisë, në raportin e vendit të ngjarjes janë dokumentuar 18 dëshmi materiale, shumica prej tyre bombola të gazit lotsjellës.
Në anën tjetër, mbrojtja ka kërkuar aktgjykim lirues, duke pretenduar se nuk është vërtetuar se Sveçla ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.
Avokati Luar Prenaj ka deklaruar se ekspertiza nuk përputhet me veprimet e të mbrojturit të tij, ndërsa sipas tij, edhe pamjet e video-incizimeve nuk dëshmojnë simptomat e përmendura në aktakuzë te deputetët e pranishëm.
Në fjalën e tij përfundimtare, Sveçla ka thënë se veprimi për të cilin po gjykohet ka qenë aktivitet politik, me qëllim kundërshtimin dhe parandalimin e ratifikimit të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.
“Si mundet që për humbjen e territorit të mos japë llogari askush, por për pengimin e tij të kërkohet përgjegjësi penale?”, ka deklaruar Sveçla, duke shtuar se territori që, sipas tij, ishte kërkuar të mbrohej nuk është më pjesë e territorit të Kosovës.
Sipas Zyrës për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave (ZMNV), gjatë periudhës 21–28 gusht 2026, Mbrojtësit e Viktimave në nivel të Republikës së Kosovës kanë trajtuar gjithsej 74 raste të reja.
Nga këto raste, 69 kanë qenë raste të dhunës në familje, dy raste të dhunimit, një grabitje, një rast i shkeljes së urdhrit të mbrojtjes dhe një rast i lëndimit të lehtë trupor.
Gjatë kësaj periudhe janë parashtruar edhe 4 kërkesa për urdhër mbrojtjeje, 19 kërkesa për urdhër mbrojtjeje emergjente, si dhe një kërkesë për urdhër mbrojtjeje emergjente të përkohshëm.
ZMNV ka bërë të ditur se janë trajtuar gjithashtu 67 seanca gjyqësore dhe 15 seanca në Prokurori, ndërsa viktimave u janë ofruar 76 këshilla juridike.
Në kuadër të procedurave janë regjistruar edhe 4 aktgjykime dënuese, një aktgjykim refuzues dhe një aktgjykim lirues.
Gjatë kësaj periudhe janë bërë edhe referime të rasteve në Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas, Qendrat për Punë Sociale, polici dhe strehimore, ndërsa janë trajtuar edhe kërkesa dhe vendime lidhur me kompensimin e viktimave.
Të dhënat tregojnë se dhuna në familje përbën shumicën dërrmuese të rasteve të trajtuara nga Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave gjatë kësaj jave./A.K/
Në Ditën Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjeve me Forcë, institucionet e Kosovës dhe shoqatat e familjeve të personave të zhdukur kanë vizituar lokacionin e parë të varrit masiv në Kalludër të Zubin-Potokut, ku janë gjetur mbetje mortore që dyshohet se u përkasin të paktën 13 individëve.
Vizita është zhvilluar në shenjë përkujtimi për viktimat e zhdukjeve me forcë dhe për të rikujtuar familjet që ende presin zbardhjen e fatit të më të dashurve të tyre.
Lokacioni në Kalludër është një nga tri zonat në komunën e Zubin-Potokut ku gjatë gërmimeve janë zbuluar mbetje mortore./A.K/
Është gjetur mëngjesin e sotëm trupi i pajetë i 7-vjeçares, e cila dyshohet se u mbyt në lumin Drini i Zi, pasi mbeti e bllokuar së bashku me disa fëmijë dhe një të afërm të tyre.
Ngjarja është shënuar në zonën Bulqizë-Klos, ndërsa kërkimet për të miturën nisën mbrëmjen e djeshme, pas njoftimit për bllokimin e grupit si pasojë e rritjes së nivelit të ujit në lumë.
Shërbimet e Policisë dhe Emergjencës arritën të shpëtonin katër persona, ndërsa 7-vjeçarja nuk ishte gjetur dhe vijoi kërkimi për të.
Pas disa orësh kërkime, rreth orës 09:45 të ditës së sotme, shërbimet e angazhuara në operacion kanë bërë të mundur gjetjen e trupit të pajetë të të miturës.
Grupi hetimor vijon veprimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe sqarimin e rrethanave në të cilat humbi jetën 7-vjeçarja./A.K/
Pas katër vitesh në Kosovë, ambasadori i Francës, Olivier Guerot, ka përfunduar misionin e tij diplomatik në vend.
Gjatë mandatit të tij, Guerot është angazhuar në forcimin e lidhjeve dhe miqësisë ndërmjet Francës dhe Kosovës.
Në mesazhin e publikuar me rastin e përfundimit të mandatit, ambasadorit francez i është shprehur mirënjohje për përkushtimin dhe kontributin e tij gjatë katër viteve të shërbimit në Kosovë.
Po ashtu, atij i janë uruar suksese në angazhimet e ardhshme diplomatike dhe profesionale.