Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar të premten e 24 prillit si datën për shpalljen e aktgjykimit ndaj tre të akuzuarve për sulmin terrorist në Banjskë: Dushan Maksimoviq, Blagoje Spasojeviq dhe Vladimir Toliq. Gjatë seancës së sotme, ku u dha fjala përfundimtare, të akuzuarit mohuan akuzat për terrorizëm, ndërsa Prokuroria ka kërkuar burgim të përjetshëm për ta.
I akuzuari Vladimir Toliq deklaroi para trupit gjykues se nuk ishte i armatosur në momentin e arrestimit dhe kërkoi që të mos dënohet për veprime që nuk i ka kryer.
“S’kërkoj gjë tjetër përveç asaj që e thotë ligji: që të gjykohem në bazë të provave. Flini të qetë sepse këto duar nuk janë me gjak, as nuk kanë plagosur e as vrarë askënd”, u shpreh Toliq.
Avokati i tij, Milosh Deleviq, insistoi se Toliq mund të akuzohet vetëm për “kryengritje të armatosur” dhe jo për terrorizëm, duke thënë se klienti i tij ishte “vrima e fundit e kavallit” në këtë ngjarje.
Blagoje Spasojeviq shprehu keqardhje për pjesëmarrjen në ngjarjet e Banjskës, por mohoi kategorikisht se është terrorist. Ai pretendoi se ka shkrepur vetëm dy plumba në drejtim të një reflektori të manastirit dhe jo ndaj policisë.
“Jam fajtor që atë ditë isha në fshatin Banjskë dhe ky ishte gabimi më i madh në jetën time, por veten nuk mund ta quaj terrorist meqë askënd s’e kam vrarë e as lënduar”, deklaroi Spasojeviq.
Mbrojtja e tij kritikiu aktakuzën, duke pretenduar se emri i Spasojeviqit përmendet vetëm tri herë në 121 faqe dhe se nuk është specifikuar roli i tij individual, por është përfshirë në veprime kolektive.
Përderisa Maksimoviq ka kërkuar të jetë prezent në shpalljen e aktgjykimit me shpresën për lirim, dy të akuzuarit e tjerë kanë deklaruar se nuk duan të marrin pjesë.
Ky proces gjyqësor po zhvillohet ndaj tre personave që u kapën në vendngjarje, ndërsa 39 të tjerë nga ky grup (gjithsej 42 të akuzuar) ndodhen në arrati. Javën e kaluar, autoritetet arrestuan edhe një person tjetër, Stefan Raduloviq, si të dyshuar për pjesëmarrje në sulmin e shtatorit 2023, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.