Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës në UBT ka nënshkruar një memorandum bashkëpunimi (MoU) me kompaninë ndërkombëtare MIDAS IT, një ndër kompanitë lidere në zhvillimin e softuerëve të avancuar për analizën dhe projektimin inxhinierik, me fokus në avancimin e mësimdhënies, kërkimit shkencor dhe zhvillimit të kompetencave profesionale të studentëve.
Marrëveshja është nënshkruar nga dekani i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës në UBT, Prof. Visar Krelani, dhe përfaqësuesi i MIDAS IT, Michal Lesny, në cilësinë e Academic Business Manager.
Ky bashkëpunim dhe vizita e përfaqësuesve të MIDAS IT në UBT u realizuan me iniciativën dhe koordinimin e Prof. Bledian Nela.
Në kuadër të vizitës, për studentët e nivelit Bachelor është organizuar një prezantim i platformave softuerike të MIDAS IT, ku janë trajtuar mundësitë e aplikimit të teknologjive të avancuara kompjuterike në analizën, modelimin dhe projektimin e strukturave inxhinierike.
MIDAS IT është një kompani me origjinë nga Koreja e Jugut, e njohur ndërkombëtarisht për zhvillimin e zgjidhjeve softuerike në fushën e inxhinierisë strukturore, gjeoteknikës dhe infrastrukturës duke përfshirë një domenë të gjerë standardesh ndërkombëtare, përfshirë këtu dhe Eurocode-t. Produktet e saj përdoren nga profesionistë, institucione akademike dhe qendra kërkimore në mbarë botën për projektimin dhe analizën e veprave komplekse inxhinierike.
Në mesin e platformave të prezantuara, vëmendje e veçantë u është kushtuar softuerëve:
- MIDAS GEN NX – platformë për analizën dhe projektimin e ndërtesave dhe strukturave të përgjithshme inxhinierike, duke mundësuar analiza të avancuara statike, dinamike dhe jolineare.
- MIDAS CIVIL NX – softuer i specializuar për analizën dhe projektimin e urave dhe strukturave infrastrukturore, duke përfshirë analizën e ngarkesave lëvizëse, analizën sipas fazave të ndërtimit, vlerësimin sizmik dhe simulimet jolineare.
- MIDAS GTS NX – platformë për analiza gjeoteknike dydimensionale dhe tridimensionale, e aplikueshme në projektimin dhe analizën e tuneleve, themeleve, shpateve, gërmimeve dhe ndërveprimit ndërmjet truallit dhe strukturës

Një nga përfitimet kryesore të kësaj marrëveshjeje është sigurimi nga MIDAS IT i një numri të konsiderueshëm licencash të versioneve të plota të këtyre softuerëve, të cilat do të vihen në dispozicion të studentëve dhe stafit akademik të UBT-së për realizimin e detyrave dhe projekteve akademike, zhvillimin e punimeve të diplomës dhe realizimin e hulumtimeve shkencore.
Ky bashkëpunim krijon mundësi të reja për integrimin e metodave të avancuara numerike dhe teknologjive bashkëkohore në procesin mësimor, duke u mundësuar studentëve të fitojnë njohuri dhe aftësi praktike në përdorimin e instrumenteve profesionale të aplikuara në industrinë ndërkombëtare të ndërtimit.

Përmes kësaj marrëveshjeje, UBT vazhdon të dëshmojë përkushtimin në ndërkombëtarizimin e arsimit, forcimin e bashkëpunimit ndërmjet akademisë dhe industrisë, avancimin e infrastrukturës teknologjike dhe përgatitjen e gjeneratave të reja të inxhinierëve në përputhje me kërkesat dhe standardet bashkëkohore të profesionit.
