Lajmet

Aksident me fatalitet në magjistralen Mitrovicë-Prishtinë: Vdes një grua dhe lëndohen disa të tjerë në fshatin Studime

Published

on

Një aksident i rëndë trafiku me pasojë fatale ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të sotëm, rreth orës 05:00, në rrugën nacionale Mitrovicë-Prishtinë, përkatësisht në fshatin Studime. Si pasojë e përplasjes, një grua ka humbur jetën në vendngjarje, ndërsa disa persona të tjerë kanë pësuar lëndime trupore.

Ngjarjen e ka konfirmuar zyrtarisht zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, i cili bëri të ditur se në këtë incident tragjik janë përfshirë dy automjete. Menjëherë pas marrjes së informatës, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore, ekipet e ndihmës së shpejtë mjekësore si dhe zjarrfikësit, të cilët i kanë dalë në ndihmë të lënduarve.

Policia e Kosovës ka nisur menjëherë hetime të hollësishme në vendngjarje për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e sakta që çuan deri te ky aksident fatal.

Ndërkohë, duke parë rritjen e shqetësuese të aksidenteve me pasojë humbjen e jetëve të njerëzve gjatë ditëve të fundit, zëdhënësi Hoxha ka bërë një drejtuar të gjithë pjesëmarrësve në trafik. Ai u ka kërkuar drejtuesve të automjeteve që të tregojnë kujdes maksimal, t’i përshtaten kushteve të rrugës, të respektojnë kufizimet e shpejtësisë dhe të shmangin përdorimin e telefonit gjatë ngasjes, meqë shpërqendrimi minimal mund të ketë pasoja fatale. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Kurti: Kosova s’duhet të mbetet peng i Serbisë në rrugën drejt BE-së

Published

on

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova nuk duhet të mbetet peng i Serbisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Këtë deklaratë Kurti e bëri gjatë një takimi në New York me përfaqësuesen e lartë të BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas, dhe përfaqësues të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Kurti ka kërkuar që Kosovës t’i jepet pa vonesa të mëtejme statusi i shtetit kandidat për anëtarësim në BE. Ai ka thënë se një vendim i tillë do të ishte përgjigje ndaj përkushtimit të Kosovës ndaj vlerave demokratike dhe orientimit të saj euroatlantik.

Kryeministri ka kritikuar edhe vonesën në shqyrtimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE, të dorëzuar në dhjetor të vitit 2022, duke thënë se kjo mund të inkurajojë, sipas tij, aktorët destabilizues në rajon.

Në takim morën pjesë edhe përfaqësues të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës.

Kurti ka akuzuar Serbinë për mbrojtjen e personave të dyshuar apo dënuar për krime lufte, si dhe për mohimin e krimeve dhe mungesën e bashkëpunimit për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Ai ka përmendur gjithashtu situatën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke e akuzuar Serbinë për shkelje të të drejtave të tyre./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Vendoset gurthemeli i obeliskut për heroin Afrim Bunjaku në Banjskë

Published

on

Në trevjetorin e rënies në krye të detyrës, në fshatin Banjskë të Zveçanit është vendosur gurthemeli i obeliskut për heroin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Para ceremonisë, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, kanë bërë homazhe te varri i Bunjakut.

Rreshteri Afrim Bunjaku u vra më 24 shtator 2023 gjatë sulmit të një grupi të armatosur në Banjskë të Zveçanit.

Në kuadër të aktiviteteve për trevjetorin e rënies së tij, institucionet e Kosovës kanë nderuar kujtimin e Bunjakut, i cili humbi jetën në krye të detyrës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 24 shtator 1993-1998

Published

on

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

 

 

24 shtator 1993

 

Debat për Kosovën në Bundestagun Gjerman

 

Bashkëpunëtori ynë i rregullt nga Gjermania, Islam Spahiu, na njofton se mjetet gjermane të informimit njoftojnë për një debat që u zhvillua rreth Kosovës në Bundestagun Gjerman, që filloi dje pasdite. Në debatin për situatën në ish-Jugosllavi në mënyrë të veçantë u shqyrtua situata në Kraoci, Bosnjë dhe në Kosovë. Referues i parë në këtë debat ishte ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Klaus Kinkel, kurse në këtë seancë mori pjesë edhe ministri i Mbrojtjes Volker Ryhe.

Ministri Kinkel theksoi se që nga fillimi i luftës në ish-Jugosllavi, Gjermania është përpjekur për të ndikuar në parandalimin e dhunës dhe ka kontribuuar në dhënien e një sasie të madhe të ndihmave financiare të karakterit humanitar për popullsinë e rrezikuar nga lufta.

Duke folur për Kosovën dhe gjendjen e rëndë të shqiptarëve, Klaus Kinkel tha se “Serbia nuk mund t’ua mohojë shqiptarëve në Kosovë atë që ajo e kërkon për serbët në Bosnjë dhe në Kroaci”. Zgjidhja e çështjes së Kosovës, sipas Kinkelit, po bëhet gjithnjë e më urgjente. Për të qenë paqësore kjo zgjidhje, duhet të bëhet rivendosja e autonomisë sa më të gjerë për Kosovën, tha Kinkel.

Njëherësh, ministri i Punëve të Jashtme i Gjermanisë u angazhua për kodifikimin e të drejtave të pakicave kombëtare në Sanxhak dhe në Vojvodinë.

Klaus Kinkel tha se është në interes të të ardhmes së tërë rajonit të Ballkanit mënjanimi i potencialit ushtarak shumëdimensional të Serbisë, si faktor kërcënues në rajon.

Duke marrë pjesë në debatin në Bundestagun Gjerman për Kosovën, Peter Gloc theksoi se derisa ne po flasim për luftën në Bosnjë dhe në Kroaci, situata në Kosovë ka arritur në atë shkallë të ashpërsimit, saqë në çdo moment mund të pritet shpërthimi i një lufte të re, luftë kjo që do të kishte primesa të zgjerimit të saj në tërë Ballkanit. Po ashtu kjo luftë eventuale do ta sillte shkatërrimin e krahut jugor të NATO-s për shkak të mundësisë së pjesëmarrjes së Turqisë dhe të Greqisë. Peter Gloc u angazhua që Qeveria e Gjermanisë të intensifikojë përpjekjet ndërkombëtare për vendosjen e trupave të OKB-së në Kosovë dhe kjo t’i ofrohet Serbisë si kompromis për t’ia hequr embargon në barëra.

Deputeti Peter Gloc po ashtu u angazhua që Qeveria Gjermane ta ftojë për vizitë zyrtare në Bon presidentin e Kosovës Rugova dhe me te të zhvillohen bisedime për hapa të mëtejmë rreth zgjidhjes së çështjes së Kosovës. Duke bërë fjalë për Rugovën, Peter Gloc shprehu konsiderata të larta për personalitetin e tij dhe për politikën që po udhëheq presidenti Rugova.

Dr.Ibrahim Rugova, theksoi përfaqësuesi i SPD-së në Bundestagun Gjerman, Peter Gloc, është politikani dhe demokrati më autentik i shqiptarëve të Kosovës. Ai ishte i mendimit se me qëllim të evitimit të luftës në Kosovë, asaj duhet t’i kthehet gjendja e mëparshme kushtetuese.

Kryetari i Komisionit të Jashtëm të Bundestagun Gjerman, Hans Shterken, duke u përgjigjur në kërkesën e Glocit për vendosjen e helmetkaltërve në Kosovë, dhe për ftesën drejtuar Rugovës që të vizitojë zyrtarisht Bonin, theksoi se gjatë takimit me Butros Galin kemi kërkuar vendosjen e forcave të OKB-së në Kosovë dhe këtë do ta kërkojmë prapë. Mirëpo, sipas Shterkenit, Gali e ka kundërshtuar këtë kërkesë gjermane, duke u arsyetuar me faktin se kinse Serbia nuk pranon një gjë të tillë, sepse Kosovën e trajton si çështje të saj të brendshme. Për këtë çështje jemi duke biseduar edhe me francezët, pohoi Franc Shterken, i cili me këtë rast i njoftoi parlamentarët gjermanë se presidenti Rugova është pritur të vij në Gjermani javën e ardhshme. Shterken i njoftoi parlamentarët se për situatën në Kosovë dhe për zgjidhjen e çështjes së Kosovës në Bundestagun Gjerman do të organizohen edhe seanca të veçanta, kurse diskutimi i mbrëmshëm ishte vetëm fillimi i asaj që së shpejti do të konkretizohet me propozime konkrete.

Deputeti i CDU-së, parti kjo në pushtet, Kristian Shmit, vlerësoi se nuk ka paqe në Kosovë pa intervenimin ndërkombëtar kundër Serbisë dhe, sipas tij, heqja e autonomisë së Kosovës, e cila u bë me dhunë, shënon kapitullin më të errët në Evropën e sotme.

Një raport të gjerë rreth punimeve të Bundestagut Gjerman dhe diskutimeve përkitazi me Kosovën mbrëmë e transmetoi edhe “Dojçe Vele” në gjuhën shqipe.

 

 

24 shtator 1994

 

Jugosllavia e vetëshpallur akuzon shqiptarët për destabilizim të rajonit

 

Qeveria e Jugosllavisë së vetëshpallur, njofton Tanjugu, shpalli dje një komunikatë, në të cilën akuzon Shqipërinë dhe popullin shqiptar, duke i cilësuar këta si faktor të destabilizimit të rajonit.

Jugosllavia e vetëshpallur ia tërheq vërejtjen opinionit dhe institucioneve ndërkombëtare përmes kësaj komunikate për inkuadrimin e Shqipërisë në fushatën kundër Beogradit. “Kjo sidomos u shpreh në letrën e Sali Berishës shefave të shteteve ose të qeverive të vendeve, anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe UE-së, lidhur me ashpërsimin e marrëdhënieve greko – shqiptare. Presidenti shqiptar, në fjalimin e vet në Gjirokastër, më 18 shtator, përsëriti sulmet e pabaza, të konstuktuara kundër Serbisë dhe popullit serb. Në këtë mënyrë presidenti Berisha, edhe personalisht u kyq në fushatën e anëtarëve të qeverisë së vet, të cilët, po fabrikojnë akuza për gjoja strategjinë e koordinuar të Greqisë dhe Jugosllavisë për rritjen e tensioneve dhe për destabilizimin e jugut të Ballkanit”, thuhet në fillim të kumtesës.

Më tutje, Beogradi e akuzon Shqipërinë për përzierje në punët e brendshme të Jugosllavisë së vetëshpallur dhe se gjoja Shqipëria duke u konfrontuar me të gjithë fqinjët po i forcon tensionet në rajon dhe po e rrezikon paqen e stabilitetin në Ballkan.

“Shqipëria në mënyrë konstante po e nxit secesionizmin e pakicës shqiptare në Kosovë, me qëllim të shkëputjes së saj nga Republika e Serbisë. Lidhur me këtë flet përkrahja zyrtare dhe e hapur për ‘republikën e Kosovës’ së paqenë, përfaqësuesve të saj të vetëquajtur, hapjen e përfaqësisë së përhershme të udhëheqjes separatiste në Tiranë dhe shkaktimi i incidenteve kufitare. Strategjia e nacionalizmit shqiptaromadh dhe inkurajimi i separatizmit në Kosovë, i cili, sidomos gjeti shprehje në fjalimin e presidentit Berisha në Gjirokastër, është në kundërshtim direkt me parimet e kartës së OKB-së dhe të KSBE-së dhe si, e tillë paraqet kërcënim jashtëzakonisht serioz për paqen dhe sigurinë në Ballkan”, thuhet më tutje në kumtesë.

 

 

24 shtator 1995

 

Drejtorët e shkollave të mesme të Prishtinës vlerësuan fillimin e vitit shkollor

 

Dje në Prishtinë u mbajt një mbledhje e drejtorëve të shkollave të mesme të komunës së Prishtinës. Në një kumtesë të nënshkruar nga Zijadin Gashi, kryetar i Këshillit të Arsimit të komunës së Prishtinës, thuhet se në mbledhje u vlerësua se përkundër kushteve të vështira në të cilat punohet, viti shkollor 1995/96 filloi me kohë, përveç në SHMM “Dr. Ali Sokoli”, në të cilën mësimi në tërësi filloi më 18 shtator.

Në mbledhje u theksua se mosrespektimi i vendimit të Ministrit të Arsimit të Republikës së Kosovë për emërimin e drejtorëve në gjimanzin “Xhevdet Dota” dhe SHMM “Dr. Ali Sokoli” në Prishtinë atakon në mënyrë të drejtpërdrejtë institucionalizimin e shkollës shqipe në Republikën e Kosovës, thuhet në kumtesë.

Në mbledhje u kërkua që të respektohet e tërë rregullativa ligjore dhe nënligjore me të cilën rregullohet veprimtaria edukative arsimore në Republikën e Kosovës.

Drejtorët e shkollave të mesme theksuan se gjendja materiale në arsim është shumë e vështirë. Ata kërkuan nga institucionet shtetërore që të angazhohen për sigurimin e rregullt të të ardhurave personale për arsimtarët dhe të mjeteve materiale për funksionimin e shkollës.

Drejtorët e shkollave të mesme mendojnë se është mirë që mjetet e informimit shqip të informojnë më shumë për të arriturat në arsim dhe institucionalizimin e tij, e jo të jenë “në funksion të destabilizimit të organizimit institucional të arsimit”, thuhet në fund të kumtesës nga mbledhja e drejtorëve të shkollave të mesme të Prishtinës.

 

 

24 shtator 1997

 

 

“Shqiptarët e Kosovës treguan mospërfillje ndaj zgjedhjeve serbe”

 

Është ky titulli i artikullit të së përditshmes më të madhe frankofone “24 Heureus” përmes të cilit opinioni zviceran informohet se shqiptarët në Kosovë nuk morën pjesë në zgjedhjet serbe.

Më tutje gazeta shkruan se “në malet e pluhurosura të Kosovës, këtij regjioni të popullzuar me 90 për qind shqiptarë, zgjedhjet e së dielës kaluan tërësisht të pavërejtura. Gjithandej, kolonat e dasmorëve pengonin komunikacionin, ndërsa në qytete banorët shëtisnin dhe bënin punën e tyre. Në fshatra (ara), bujqit i kullosnin lopët. Gati askush nuk shkoi për të votuar”.

Siç vë në pah artikulli, kështu ka ndodhur në të gjitha votimet e shpallura dhe të organizuara nga Serbia, që nga heqja e statutit të autonomisë së Kosovës, si shenjë e kundërvënies ndaj regjimit të Slobodan Milosheviqit dhe me qëllim të realizimit të aspiratave për pavarësi.

Gazeta pastaj sjell edhe një deklaratë të shkurtër të Fehmi Aganit i cili deklaron se “Parlamenti serb nuk është Parlament yni, dhe se këto zgjedhje nuk paraqesin asgjë për ne”.

Informacione të ngjashme kanë botuar edhe gazetat e tjera të vendit, një pjesë e të cilave i referohen AFP-së, ku theksohet pastaj se vetëm një vit pas aneksimit tragjik të Kosovës nga Serbia, 1,8 milionë shqiptarë kanë zgjedhur presidentin dhe Parlamentin e vet dhe që nga kjo kohë ata janë të organizuar për të mbijetuar dhe realizuar pavarësinë e tyre me mjetet paqësore.

 

 

24 shtator 1998

 

Vushtrri: Digjet Pantina – njoftohet edhe për një të vrarë në Beçuk

 

U identifikuan dy të vrarit në Oshlan

 

Ofensiva e forcave serbe, e nisur të martën kundër fshatrave shqiptare rrënzë Qyqavicës po vazhdon edhe sot, ndërkohë që gjatë gjithë natës së kaluar në Vushtrri ka pasur të shtëna nga armë automatike të cilat shkatuan panik te popullata.

KI i Degës së LDK-së në Vushtrri njoftoi se rreth orës 11 forcat serbe po digjnin fshatin Pantinë, ndërkohë që të rrezikuara janë edhe fshatrat e afërta Okrashticë, Shtitaricë, Dolak, Bukosh etj.

I njëjti burim bën të ditur se nga granatimet serbe në fshatin Beçuk është vrarë Faton Syla (15), i cili edhe u varros në vendin ku u vra. Gjithashtu, është bërë identifikimi edhe i dy shqiptarëve të vrarë në Oshlan, emrat e të cilvë dje nuk diheshin. Fjala është për Hajrullah Gjakën (63) dhe Bislim Kamber Brahimin (32). Dyshohet se në afërsi të lumit Sitnica gjendet edhe një person i vrarë, por për shkak të prezencës së forcave serbe nuk ka mundësi të depërtohet dhe të mësohet më shumë për këtë rast.

Njoftohet se nga granatimet e forcave serbe, mbrëmë në Stanoc të Poshtëm u dogj shtëpia e Sylë Bajgorës, ndërkohë që paramilitarët serbë të Prilluzhës kanë plaçkitur shtëpitë e vëllezërve të Amrush Asllanit, të cilin të njëjtat forca e vranë para disa ditësh në oborrin e shtëpisë së tij.

Po dje, policia serbe arrestoi të rinjtë Hajriz M. Islami (24), Enver M. Islami (33) nga fshati Taraxhë dhe Safet Shalën nga Leqina e Skënderajt. Ata u dërguan në stacionin e policisë në Vushtrri ku u keqtrtajtuan fizikisht nën akuzën se kanë lidhje me UÇK-në. Enveri e Safeti u liruan më vonë nga policia, ndërsa Hajrizi vazhdon të mbahet në arrest.

Dje policia keqtrajtoi rëndë fizikisht Xhevdet Zhusgin (22) nga Mihaliqi.

 

Continue Reading

Lajmet

SHBA: Autorët e sulmit në Banjskë duhet të mbahen përgjegjës

Published

on

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka ritheksuar thirrjen që autorët e sulmit në Banjskë të mbahen përgjegjës, në trevjetorin e sulmit.

Ambasada ka nderuar rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili u vra në krye të detyrës gjatë sulmit në shtator të vitit 2023.

“Bashkohemi me Kosovën për të nderuar zyrtarin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili u vra në krye të detyrës gjatë sulmit në Banjskë në shtator 2023. Ritheksojmë thirrjen tonë që autorët të mbahen përgjegjës”, thuhet në reagimin e Ambasadës së SHBA-së./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara