Drita e Gjilanit dhe Omonia Nikozi zhvilluan mbrëmë betejë të ashpër në “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Të dyja skuadrat luftuan për fitoren e parë në Ligën Konferenca, ku Drita në ndeshjen e parë kishte nxjerrë një barazim, ndërsa ekipi nga Qipro ndeshjen e parë e kishte humbur.
Skuadra e Zekiria Ramadanit nisi mirë duelin duke shënuar qysh në minutën e 12-të me golin e Art Manajt, pas asistimit të Besnik Krasniqit, raporton KosovaPress.
Në minutën e fundit të pjesës së parë mysafirët erdhën deri te barazimi përmes mbrojtësit Giannis Masouras.
Drita në pjesën e dytë kërkoi golin për fitore, por futbollistët gjilanas nuk arritën të konkretizojnë rastet, teksa edhe mysafirët u treguan të rrezikshëm.
Pas kësaj ndeshje, Drita e Gjilanit ka dy pikë nga dy ndeshje të zhvilluara në Ligën Konferenca.
Ndeshjen e tretë gjilanasit do ta zhvillojnë kundër skuadrës irlandeze Shelbourne, në “Tallaght” Dublin, më 6 nëntor, nga ora 21:00.
Liga Konferenca ka gjithsej 36 ekipe ku secila luan gjashtë ndeshje kundër kundërshtarëve të ndryshëm, me tri ndeshje në shtëpi dhe tri jashtë. Tetë ekipet e para në ligë avancojnë direkt në raundin e 16 në fazën eliminuese.
Ekipet e renditura nga vendi i 9-të deri në të 24-tin hyjnë në një raund eliminator, ku skuadra me renditjen më të lartë përballet me atë me renditjen më të ulët në një barazim me dy ndeshje, ndërsa ekipet që përfundojnë nga vendi i 25-të deri në të 36-tin eliminohen nga gara.
Pas fazës së ligës dhe eliminatoreve, turneu kalon në fazën eliminuese, e cila përfshin barazime me dy ndeshje, përveç finales, e cila është një ndeshje e vetme./S.K/KP/