Kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri deklaroi se terreni ku po zhvillohet operacioni i kërkim-shpëtimit është i vështirë. Në liqenin e Ujmanit po vazhdon operacioni i njësiteve të specializuara të Forcës së Sigurisë së Kosovës për gjetjen e një personi, i cili raportohet se kërceu nga ura, që dyshohet të jetë mbytur të dielën, më 27 korrik.
Para mediave, Zeqiri u shpreh se thellësia ku po zhvillohen kërkimet mund të jetë në thellësi më shumë se 60 metra.
“Ne e kemi policinë e komunës dhe ka qenë në vendin e ngjarjes, pastaj edhe ekipet emergjente. Ne e kemi një ekip të zjarrfikësve, mirëpo nuk kemi zhytës, zhytësit kanë ardhur në kohën e duhur me thirrjen edhe të stafit lokal të komunës. Kështu që unë edhe dje por edhe tani, meqë siç po e shihni edhe sot dashti Zoti që t’i bashkëngjitet ekipeve të kërkimit, ekipet në maksimalisht të pajisura si Forcat e Sigurisë së Kosovës edhe dje kam bërë thirrje. Mirëpo, ja që kjo është mirë që po ndodhë për shkak se zhytësit e dinë më së miri. Terreni është bukur i vështirë në 30 deri në 40 e më shumë metra thellësi, 60 është këtu por mund të jetë edhe më tepër. Ka mbeturina të ndryshme që në thellësi është vështirë që operimi duhet teknikisht të jetë i pajisur”, deklaroi ai.
Ai tha se intervenimi është i duhur dhe se njësitet e kërkim-shpëtimit janë të kompletuara.
“Ekipa është e kompletuar, teknikisht janë të pajisur me pajisje të duhura dhe unë uroj që sa më shpejt të gjindet, sepse teknikisht deri më tani ekipa është e kompletuar. Siç po e shihni intensivisht, pa ndërprerë janë duke u ndërruar ekipet e zhytësve në ujë dhe besoj e uroj që sa më shpejt të gjendet trupi, ani pse terreni është shumë i vështirë…Paraprakisht isha me familjarët, jo vetëm sot por dje, pardje jam takuar”, shtoi ai.
Kërkimi deri më tash është zhvilluar vetëm nga Policia e Kosovës dhe Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim. FSK-ja iu bashkua ekipeve në ditën e tretë të kërkimeve. Kjo u bë vetëm pas një bashkërendimi me misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR.