Lajmet

AIP: Përdorimi i kamerave për gjoba në trafik është i ligjshëm

Published

on

Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) ka deklaruar se Policia e Kosovës ka bazë ligjore për të përdorur kamerat e sigurisë publike në shqiptimin e gjobave për kundërvajtje në trafik, ku sipas tyre, kjo praktikë nuk bie ndesh me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, pasi është e paraparë në Ligjin për Rregullat e Trafikut Rrugor

AIP sqaroi se neni 75 i Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale zbaton rregulla të përgjithshme për përdorimin e kamerave për qëllime të sigurisë publike, por lejon përjashtime në rastet kur ekziston një ligj specifik që autorizon përdorimin e tyre për funksione të tjera.

“Ligji specifik në këtë rast është Ligji Nr. 08/L-186 për Rregullat e Trafikut Rrugor, i cili në nenin 254 parasheh përdorimin e pajisjeve elektronike për identifikimin e kundërvajtjeve dhe shqiptimin e gjobave elektronike. Kjo dispozitë përcakton se, në rastet kur kundërvajtja konstatohet me pajisje elektronike, gjoba i dërgohet në adresë pronarit të mjetit, ndërsa parashikon edhe detyrimin e pronarit për të dhënë të dhënat e personit që e ka drejtuar automjetin në momentin e shkeljes. Në këtë kuptim, kamerat e trafikut përbëjnë pajisje elektronike, sepse përmes incizimeve të tyre identifikohet automjeti, koha dhe vendi i shkeljes, gjë që mundëson shqiptimin e gjobës në mënyrë të automatizuar dhe të dokumentuar”, thuhet në përgjigjen e AIP për Metro.

Tutje bëhet e ditur se neni 242 i Ligjit për Trafikun Rrugor parashikon se shpejtësia e lëvizjes së automjeteve mund të konstatohet përmes video-incizimeve, të cilat vlejnë si provë ligjore.

“Neni 242 i Ligjit Nr. 08/L-186 për Rregullat e Trafikut Rrugor parashikon se shpejtësia e lëvizjes së mjetit mund të konstatohet edhe me video incizime, me pajisje mobile ose statike, ndërsa vetë incizimi me të dhëna për shpejtësinë e konstatuar shërben si provë ligjore. Kjo dispozitë e forcon më tej kuptimin se video incizimet, pra kamerat, janë mjete të ligjshme që përdoren për evidentimin e kundërvajtjeve në trafik. Gjithashtu neni 254, paragrafi 1 i Ligjit Nr. 08/L-186 për Rregullat e Trafikut Rrugor përcakton se në rastet kur identifikimi i kundërvajtjes është bërë me pajisje elektronike, pala njoftohet përmes kontakteve të dhëna ndërsa gjoba i dërgohet në adresë pronarit të mjetit”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

Ndërkaq, sipas AIP , Policia e Kosovës ka bazë ligjore për të përdorur kamerat e vendosura me qëllim të shqiptimit të gjobave kundërvajtëse dhe nuk bie në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale”, ka theksuar Agjencia për Informim dhe Privatësi.

“Duke u mbështetur në këto dispozita, vlerësojmë se përdorimi i kamerave nga Policia e Kosovës për shqiptimin e gjobave elektronike është i bazuar në Ligjin Nr. 08/L-186 për Rregullat e Trafikut Rrugor dhe përbën përjashtim të lejuar me ligj nga rregullat e nenit 75 të Ligjit Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Përpunimi i të dhënave personale në këtë rast zhvillohet për ushtrimin e një detyrimi ligjor që buron nga Ligji për Rregullat e Trafikut Rrugor, si dhe për ushtrimin e autoritetit zyrtar të përcaktuar në nenin 5 paragrafi 1.5 të LMDhP-së”, thuhet në përgjigje.

Ndëra gjatë javës së kaluar Rrjeti i Organizatave Joqeveritare AVONET kishte ngritur dyshime për kundërligjshmëri dhe cenim të privatësisë në përdorimin e kamerave të sigurisë publike për gjoba në trafik, duke theksuar se ato janë të destinuara për siguri publike dhe hetim penal, jo për ndëshkime administrative./S.K/AIP/PK/

Continue Reading

Live

UBT ndan Mirënjohje Institucionale për Prof. Dr. Lothar Hofmann në nder të Pavarësisë së Kosovës

Published

on

By

Në kuadër të festimeve për 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, UBT ka ndarë Mirënjohje Institucionale për Prof. Dr. Lothar Hoffmann, një personalitet të respektuar në fushën e drejtësisë dhe mik të çmuar i komunitetit akademik të institucionit.

Prof. Hofmann, me formim në Universiteti i Vjenës, ka ndërtuar një urë të qëndrueshme mes dijes shkencore dhe praktikës juridike ndërkombëtare. Përvoja e tij kërkimore dhe angazhimet në të drejtën evropiane dhe ndërkombëtare e kanë pozicionuar atë ndër ekspertët më të vlerësuar në fushën e drejtësisë.

Gjatë angazhimit të tij me UBT-në, Prof. Hofmann ka ndarë përvojën dhe ekspertizën ndërkombëtare me studentët dhe stafin akademik, duke pasuruar procesin mësimor dhe duke ofruar perspektivë të avancuar mbi zhvillimet më të fundit juridike. Trajtimi i temave si zgjidhja e mosmarrëveshjeve në epokën digjitale dhe mbrojtja e të dhënave personale ka fuqizuar debatin akademik, duke ndërlidhur teorinë me praktikën dhe duke rritur kapacitetet profesionale të studentëve.

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, ka vlerësuar lart kontributin e Prof. Hofmann, duke theksuar se ai është një ndër profesorët e parë që ka kontribuar në UBT që nga fillimet e institucionit. Roli i tij ka qenë i veçantë në procesin e ligjëratave dhe zhvillimin e akademisë, duke ndikuar drejtpërdrejt në ngritjen e cilësisë akademike, pasurimin e përmbajtjes mësimore dhe formimin profesional të shumë gjeneratave të studentëve.

Kjo Mirënjohje Institucionale u dedikohet personaliteteve të shquara për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në sfera të ndryshme të jetës shoqërore dhe akademike, duke forcuar standardet e larta të arsimit dhe kërkimit shkencor në UBT, në këtë vit të veçantë kur kremtohet Pavarësia e Kosovës.

Continue Reading

Aktualitet

Me një organizim të veçantë u shënua 18-vjetori i Pavarësisë së Kosovës nga UBT International Smart Schools

Published

on

By

UBT International Smart Schools organizuan ceremoni solemne me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, duke bashkuar nxënës, mësimdhënës, prindër dhe drejtues institucionalë në një atmosferë festive dhe plot emocion.

Në fjalën e tij, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi theksoi rëndësinë e arsimit në forcimin e shtetit dhe në formimin e brezave të rinj me vizion evropian dhe global. Ai vlerësoi angazhimin e UBT International Smart Schools në kultivimin e dijes, inovacionit dhe vlerave kombëtare.

Ndërkaq, Zëvendës-drejtoresha e shkollës, Shqipe Agushi, në fjalën e saj nënvizoi rolin e mësimdhënësve dhe prindërve në edukimin dhe përgatitjen e nxënësve për të qenë qytetarë të përgjegjshëm të vendit.

Programi artistik përfshiu një varg performancash të realizuara nga nxënësit e klasave të para dhe të dyta, të cilët interpretuan poezi për pavarësinë, këngë kushtuar mëmëdheut dhe vallen “Garda e Kosovës”. Një moment i veçantë ishte interpretimi i poezisë “Kosova” nga nxënësja Sara Ymeri.

Atmosfera u pasurua me pika muzikore nga kori i shkollës, së bashku me nxënëset Dilara Jashanica dhe Nina Kuçani, të cilat interpretuan këngën “Ti moj Kosovë”, si dhe nga nxënëset Era Iberdemaj dhe Orges Tmawa me këngën “Jakup Ferri”.

Në vazhdim, performanca tematike “Horizonti i Kosovës”, realizuar nga Alea Halili, Troi Ejupi dhe Era Raçi, solli një mesazh frymëzues për të ardhmen e vendit, ndërsa vallja tradicionale “Vallja e Kosovës” dhe “Vallja e Drenicës” rikthyen në skenë elementet e trashëgimisë sonë kulturore.

Një tjetër pikë muzikore u interpretua nga nxënëset Vlera Krasniqi dhe Anda Rexhepi me këngën “Atje është Prishtina”, ndërsa homazhi historik kushtuar heroinës kombëtare Isa Kastrati, nga Arba Kastrati (Isa Kastrati & Muharrem Fejza), u prit me duartrokitje të gjata nga publiku.

 

 

 

Continue Reading

Rajoni

Protestë për 17 Shkurt: “Liria ka emër” mobilizohet në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë

Published

on

By

Në Ditën e Pavarësisë së Kosova, më 17 shkurt, platforma “Liria ka emër” ka paralajmëruar mbajtjen e një proteste në mbështetje të ish-krerëve të Ushtria Çlirimtare e Kosovës, të cilët po përballen me gjykim në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Sipas organizatorëve, data e zgjedhur nuk është e rastësishme, pasi ata e lidhin drejtpërdrejt shpalljen e pavarësisë me luftën çlirimtare dhe me rolin e UÇK-së në procesin e shtetformimit.

Thirrja për protestë ka marrë përkrahje edhe nga figura publike në Kosovë, përfshirë artistë, përfaqësues të organizatave të dala nga lufta dhe personalitete të njohura të jetës publike, të cilët kanë shprehur mbështetje përmes deklaratave dhe rrjeteve sociale. Organizatorët kanë bërë thirrje që tubimi të jetë paqësor dhe dinjitoz, si formë demokratike e shprehjes së qëndrimit në një ditë që simbolizon lirinë dhe shtetësinë e Kosovës.

Në Hagë po gjykohen ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentari Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të akuzuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Të gjithë ata i kanë mohuar akuzat.

Krijimi i Dhomave të Specializuara lidhet me raportin e vitit 2011 të hartuar nga senatori zviceran Dick Marty në kuadër të Këshilli i Evropës, pas të cilit, në vitin 2015, Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet kushtetuese që i hapën rrugë themelimit të kësaj gjykate.

Legjislatura e sapozgjedhur e Kuvendit të Kosovës dite më pare ka miratuar rezolutën për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë, përmes së cilës kërkohet që ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të zhvillohet një proces gjyqësor i drejtë.

 

Continue Reading

Lajmet

Bajram Begaj nis vizitë zyrtare dyditore në Kosovë  

Published

on

By

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës më 16 dhe 17 shkurt 2026, për nderë të 18 vjetorit të pavarësisë.

Gjatë kësaj vizite, Policia e Kosovës njofton se do të kujdeset për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, si dhe për rregullimin e trafikut gjatë lëvizjes së eskortës dhe qëndrimit të delegacionit në Kosovë.

Sipas njoftimit zyrtar, për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës sipas itinerarit të lëvizjes, duke filluar nga ardhja më 16 shkurt në orët e pasdites në pikën kufitare Vërmicë, e deri në përfundim të vizitës më 17 shkurt në orët e mbrëmjes, do të ketë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit në disa segmente rrugore. Ndërprerjet do të jenë në intervale të shkurtra kohore dhe, sipas nevojës, trafiku do të riorientohet në rrugë alternative.

Policia ka kërkuar mirëkuptim nga qytetarët dhe pjesëmarrësit në trafik për masat e ndërmarra gjatë kësaj vizite zyrtare.

Në prag të 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, vizita e presidentit Begaj vjen pas qëndrimit në Prishtinë të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili u takua me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

Continue Reading

Të kërkuara