Lajmet

AI: Rritet numri i ekzekutimeve në botë

Irani ka kryer më së shumti ekzekutime më 2022, përkatësisht 576.

Published

on

Ekzekutimet në mbarë botën më 2022 kanë arritur në nivelin më të lartë në pesë vjetët e fundit, me Iranin që ka kryer më së shumti ekzekutime. Këto të dhëna kanë zbehur shpresat që ishin rritur pas heqjes së dënimit kapital nga gjashtë shtete, përfshirë Kazakistanin, tha organizata për të drejtat e njeriut, Amnesty International (AI).

Në raportin vjetor për dënimet me vdekje, të publikuar më 16 maj, grupi i të drejtave të njeriut tha se “në mënyrë shqetësuese” vitin e kaluar 90 për qind e 883 ekzekutimeve të konfirmuara në botë, me përjashtim të Kinës, janë kryer nga tri shtete nga 20 sa dihet se aplikojnë dënimet kapitale.

Të tri këto shtete janë në Lindjen e Mesme dhe Irani ka kryer më së shumti ekzekutime më 2022, përkatësisht 576. Ekzekutimet e kryera më 2022 në Iran përkojnë me protestat masive mbarëkombëtare në këtë shtet, të organizuara për shkak të përkeqësimit të kushteve të jetesës dhe për shkak të shtypjes të të drejtave të njeriut nga Qeveria. Numri i ekzekutimeve në Iran në vitin 2021 ishte 314.

Pas Iranit, për nga numri më i lartë i ekzekutimeve është Arabia Saudite. Numri i ekzekutimeve në këtë shtet është trefishuar, nga 65 sa ishin kryer më 2021, në 196 më 2022. Kjo është shifra më e lartë e ekzekutimeve e regjistruar në Arabinë Saudite nga Amnesty International në 30 vjet.

Ndërkaq, në vend të tretë qëndron Egjipti, shtet ku janë ekzekutuar 24 persona.

Amnesty International tha se duke parasysh të dhënat e paqarta nga disa shtete që aplikojnë dënimet me vdekje, shifrat e përdorimit të ndëshkimit kapital janë minimale dhe “numrat e vërtetë të ekzekutimeve ka të ngjarë që janë më të larta”.

Sikurse edhe në vitet e kaluara, Amnesty International nuk ka përfshirë shifrat e ekzekutimeve të kryera në Kinë, edhe pse Pekini aplikon ndëshkimin kapital më shumë se çdo shtet tjetër. Kjo organizatë tha se shkalla e përdorimit të dënimit me vdekje në Kinë është e paqartë pasi të dhënat për këtë çështje konsiderohen sekret shtetëror. Megjithatë, në raportin vjetor u tha se ekzekutimet në Kinë besohet se janë me mijëra.

“Shtetet në Lindjen e Mesme dhe në rajonin e Afrikës së Veriut kanë shkelur ligjin ndërkombëtar, teksa ato kanë rritur numrin e ekzekutimeve më 2022, duke shfaqur një shpërfillje për jetën e njerëzve”, tha Agnès Callamard, sekretare e Përgjithshme e Amnesty International.

“Numri i personave që u privuan nga jeta u rrit në mënyrë dramatike në mbarë rajonin; Arabia Saudite ka ekzekutuar 81 persona brenda një dite. Së fundi, në një përpjekje të dëshpëruar për të shtypur pakënaqësitë popullore, Irani ka ekzekutuar njerëz vetëm sepse kanë ushtruar të drejtën e tyre për protestë”, shtoi ajo.

Irani është përballur me trazira, që paraqesin kërcënimin më të madh të udhëheqjes fetare të Republikës Islamike që nga revolucioni i vitit 1979, që e solli këtë udhëheqje në pushtet.

Grupet e të drejtave të njeriut kanë akuzuar Teheranin se përdor ekzekutimet për të “ndjellë frikë” në mesin e publikut, me qëllim që të ndalojë protestat që fituan momentum pas 16 shtatorit, kur vdiq Mahsa Amini, e cila ishte në paraburgim nën akuzat se kishte shkelur rregullat e veshjes së hixhabit apo shamisë së kokës.

Në raportin e Amnesty u theksua se aplikimi i dënimeve kapitale vitin e kaluar u rikthye në të paktën pesë shtete, përfshirë Afganistanin. Ndërkaq, më 2022 krahasuar me vitin paraprak, u dyfishua numri i ekzekutimeve për akuza të lidhura me drogën.

Ekzekutimet për akuza të lidhura me drogën paraqesin shkelje të ligjit ndërkombëtar për të drejtat e njeriut në të cilin thuhet se dënimet kapitale duhet të aplikohen vetëm për “krimet më serioze” – krimet që përfshijnë vrasje të qëllimshme.

“Afër 40 për qind e të gjitha ekzekutimeve të regjistruara ishin të lidhura me akuza për drogë. Më e rëndësishmja, shpesh ata që janë të pafavorizuar preken në mënyrë disproporcionale nga ky dënim i ashpër”, tha Callamard.

“Është koha që qeveritë dhe Kombet e Bashkuara të rrisin presionin ndaj përgjegjësve të këtyre shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut dhe të sigurojnë që të respektohen masat mbrojtëse ndërkombëtare”, shtoi ajo.

Pavarësisht rritjes së ekzekutimeve, Amenty tha se ka vërejtur “një fije shprese” pasi gjashtë shtete kanë hequr dorë nga dënimi kapital qoftë krejtësisht, apo pjesërisht.

Kazakistani, Papa Nju Guinea, Sierra Leone dhe Republika Qendrore Afrikane vitin e kaluar kanë hequr dënimin me vdekje për të gjitha krimet, ndërkaq Guinea Ekuatoriale dhe Zambia kanë hequr dënimin me vdekje vetëm për krimet e zakonshme.

Deri në dhjetor të vitit 2022, 112 shtete kanë hequr dënimin me vdekje për të gjitha krimet dhe nëntë shtete nuk e përdorin më dënimin kapital për krimet e zakonshme, tha Amnesty.

Afganistani, Bangladeshi, Bjellorusia, Kina, Egjipti, Irani, Iraku, Japonia, Kuvajti, Mianmari, Koreja e Veriut, Shteti i Palestinës, Arabia Saudite, Singapori, Somalia, Sudani Jugor, Shtetet e Bashkuara, Vietnami dhe Jemeni më 2022 kanë kryer dënime me vdekje, u tha në raportin vjetor të Amnesty International./REL

Live

Presidentja Osmani në Samitin Botëror të Qeverisjes: Sundimi i ligjit dhe dinjiteti njerëzor në zemër të inovacionit

Published

on

By

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka mbajtur fjalimin e saj të tretë në kuadër të Samitit Botëror të Qeverisjes, ku trajtoi rrugëtimin e Kosovës nga rindërtimi pas luftës drejt ndërtimit të një shteti demokratik, të bazuar në sundimin e ligjit, forcimin e të drejtave dhe vendosjen e dinjitetit njerëzor në qendër të inovacionit dhe qeverisjes moderne.

Në fjalën e saj, Presidentja Osmani falënderoi Emiratet e Bashkuara Arabe për organizimin e këtij forumi ndërkombëtar, duke theksuar rëndësinë e krijimit të një hapësire ku përvoja, idetë dhe përgjegjësia globale bashkohen për të adresuar sfidat e së ardhmes.

Ajo e cilësoi Kosovën si një shtet të ndërtuar mbi guximin, duke përshkruar tranzicionin e saj “nga mbijetesa në sovranitet”, nga një vend i shkatërruar nga lufta në një shtet që sot krijon rregulla në shërbim të qytetarëve të vet. Sipas Presidentes, me mbështetjen e aleatëve dhe partnerëve ndërkombëtarë, Kosova ka ndërtuar një arkitekturë ligjore dhe institucionale që e vendos demokracinë në qendër dhe drejtësinë si shtyllë kryesore.

“Sot, Kosova nuk është më vetëm përfitues i solidaritetit ndërkombëtar. Ne jemi një kontribues në të, një vend që ka mësuar shpejt, ka ndërtuar mençurisht dhe tani flet me besim. Nga ndërtimi i institucioneve nga zeroja deri te përmirësimi i tyre me qëllim të vërtetë, Kosova është bërë një shembull i gjallë se shoqëritë rezistente, të bazuara në rregulla dhe të orientuara nga qëllimi, nuk janë vetëm trashëguar, ato gjithashtu projektohen në mënyrën më pozitive”, theksoi Osmani.

Presidentja vuri theks të veçantë në rëndësinë e sundimit të ligjit dhe ndërtimit të besimit të qytetarëve në institucione, duke nënvizuar se drejtësia nuk duhet të mbetet e largët dhe e pakuptueshme për qytetarët. Ajo theksoi se digjitalizimi i drejtësisë nuk është vetëm një përmirësim teknik, por një imperativ i të drejtave të njeriut, që synon ta afrojë drejtësinë më pranë qytetarëve.

Në këtë kontekst, Osmani paralajmëroi se teknologjia dhe inovacioni duhet të jenë gjithmonë të ankoruara në të drejtat, barazinë dhe mbikëqyrjen demokratike, duke theksuar se inteligjenca artificiale dhe teknologjitë e reja nuk duhet të thellojnë pabarazitë apo të dobësojnë të drejtat themelore.

“Transformimi digjital duhet ta afrojë drejtësinë më pranë njerëzve, duke mundësuar që qytetarët tanë të kenë qasje të lehtë në informacion, të ndjekin çështjet e tyre dhe të ndërveprojnë me institucionet pa barriera të panevojshme. Kur udhëhiqet nga vlerat, teknologjia bëhet një urë midis institucioneve dhe njerëzve që ato shërbejnë. Në të njëjtën kohë, ne qasemi tek digjitalizimi me përgjegjësi”, tha Osmani.

https://www.facebook.com/reel/844451768553854

Continue Reading

Aktualitet

Deputeti Shaip Kamberi pranon në Uashington ligjin për vlerësimin e diskriminimit në Luginën e Preshevës

Published

on

By

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka bërë të ditur se në Uashington ka pranuar personalisht nga Kongresisti amerikan Keith Self projektligjin H.R. 6411 – Presheva Valley Discrimination Assessment Act, një akt i rëndësishëm që për herë të parë adreson në mënyrë zyrtare diskriminimin sistematik ndaj shqiptarëve në Serbi në Kongresin e Shteteve të Bashkuara.

Sipas Kamberit, ky ligj nuk ka karakter simbolik, por përbën një instrument shtetëror amerikan, i cili synon të vlerësojë, dokumentojë dhe ekspozojë forma të ndryshme të diskriminimit që përjetojnë shqiptarët e Luginës së Preshevës. Në fokus të këtij vlerësimi janë praktika si pasivizimi administrativ, përjashtimi nga institucionet publike, shtypja e përdorimit të gjuhës shqipe, diskriminimi në arsim dhe margjinalizimi ekonomik.

“Për herë të parë, kjo padrejtësi nuk mbetet në periferi të diplomacisë, por futet në zemrën e politikës amerikane, jo si protokoll, por si detyrim moral”, ka theksuar Kamberi në reagimin e tij.

Ai ka shprehur mirënjohje të veçantë ndaj Kongresistit Keith Self, duke theksuar se mbështetja e tij për këtë nismë përfaqëson një qëndrim parimor në një kontekst ndërkombëtar ku, sipas Kamberit, shpeshherë heshtja diktohet nga interesat.

Continue Reading

Vendi

Aktgjykimi i Kushtetueses: Nënkryetari serb i Kuvendit propozohet nga shumica e deputetëve serbë

Published

on

By

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka publikuar aktgjykimin e plotë lidhur me zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, duke theksuar se nënkryetari propozohet nga shumica e deputetëve të këtij komuniteti.

Aktgjykimi i plotë publikohet disa ditë pasi Kushtetuesja publikoi një njoftim lidhur me këtë vendim sa i përket zgjedhjes së Nenad Rashiqit në postin e nënkryetarit gjatë legjislaturës së kaluar, duke gjetur se ai ishte zgjedhur në kundërshtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit.

“Kandidati/ja për nënkryetar/e të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit serb propozohet nga shumica e deputetëve të komunitetit serb; përderisa kandidati për nënkryetar të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komuniteteve të tjera që nuk janë shumicë propozohet, nga shumica e deputetëve të komuniteteve të tjera që nuk janë shumicë, në përputhje me kërkesat formale dhe në mirëbesim”, thuhet në aktgjykim.

Rashiq, udhëheqës i partisë Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, u zgjodh nënkryetar nga radhët e komunitetit serb në tetor të vitit 2025, përmes shortit të iniciuar nga kryetari i Kuvendit, Dimal Basha.

Shorti u organizua pasi Lista Serbe – që kishte nëntë deputetë dhe po aq do të ketë edhe në legjislaturën e re – nuk morën votat e nevojshme, dhe u organizua shorti.

Zgjedhja e tij u kontestua nga Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit.

Që atëherë, Kuvendi është shpërndarë dhe vendi ka mbajtur zgjedhje dhe Kushtetuesja ka thënë se aktgjykimi i saj nuk ka efekt prapaveprues”.

Pra, kjo do të thotë se ky vendim nuk vlen edhe për rastet para hyrjes në fuqi, por për ato që do të merren në të ardhmen.

Gjykata tha se e drejta për të propozuar nënkryetarin nga radhët e komunitetit serb i takon shumicës së deputetëve të këtij minoritet.

Në aktgjykim u tha se aktivizimi i mekanizmit zhbllokues të shortit, “duhet të vijnë në shprehje rrethana përjashtimore, me ç’rast shumica e deputetëve nga radhët e komuniteteve që nuk janë shumicë nuk do të propozonte kandidatët”.

Institucioni më i lartë juridik në shtet tha se në rastin konkret nëntë kandidatë nga komuniteti serb u votuan nga tri herë, pas propozimit nga ana e përfaqësuesit të tyre.

“Rrjedhimisht, Gjykata vlerëson se shumica e deputetëve nga radhët e komunitetit serb ka shfrytëzuar të drejtën e propozimit për nënkryetar të Kuvendit, respektivisht, anëtar të Kryesisë së Kuvendit, si dhe pas kërkesës nga kryetari i zgjedhur i Kuvendit që të propozohet deputeti i mbetur i pa votuar nga radhët e komunitetit serb, përfaqësuesi i shumicës së deputetëve në radhët e komunitetit Serb kërkoi ripropozimin e kandidatëve nga kjo shumicë bazuar në të drejtën e përcaktuar në paragrafin 4 të nenit 67 të Kushtetutës në lidhje me nënparagrafin 1 të paragrafit 6 të nenit 12 të Rregullores së Kuvendit”, u tha në aktgjykim.

Në vendim thuhet se përderisa i takon Kuvendit që të vlerësojë rrethanat që e bëjnë të domosdoshëm aktivizimin e mekanizmave debllokues, “Gjykata thekson fuqishëm që këto mekanizma nuk mund të përdoren si procedurë e rregullt e zgjedhjes së kryetarit/nënkryetarëve, por vetëm në rrethana të caktuara, kur një gjë e tillë është e domosdoshme për të debllokuar procesin e konstituimit të Kuvendit dhe vetëm në masën që një gjë e tillë i shërben qëllimit kushtetues për çka këto mekanizma janë përcaktuar”.

“Në parim, ashtu siç është theksuar më herët, propozimet nga grupet parlamentare apo deputetët që gëzojnë të drejtën e propozimit, në frymën e mirëbesimit dhe bashkëpunimit, duhet të synojnë arritjen e konsensusit, të sigurojnë votat e nevojshme dhe të rezultojnë në zgjedhjen e kandidatëve ashtu siç janë propozuar dhe siç parashihet me Kushtetutë. Për më tepër, duke u mbështetur në përcaktimet kushtetuese të lartcekura, ky parim ka rëndësi të veçantë për garantimin e së drejtës së përfaqësimit të komuniteteve që nuk janë shumicë, të cilat nuk disponojnë numrin e nevojshëm për të siguruar vetë zgjedhjen e përfaqësuesve të tyre në kryesinë e Kuvendi”, thuhet në aktgjykim.

Kushtetuesja thotë se shorti nuk mund të përdoret si mekanizëm në rrethanat kur shumica e deputetëve të Kuvendit do të përcaktonte përfaqësuesin e një komuniteti joshumicë, pa propozimin e këtij komuniteti, pasi argumenton se kjo, “në thelb, do të përbënte anashkalim të garancive kushtetuese dhe atyre të përcaktuara në Rregulloren e Kuvendit”.

Pas njoftimit për aktgjykimin, të publikuar nga Kushtetuesja më 28 dhjetor, kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, e kishte kritikuar atë, duke vlerësuar se përmbante “gabime thelbësore në interpretim dhe zbatim të normave përkatëse”.

Ai vlerësoi se pretendimet e Gjykatës Kushtetuese “janë të pabaza” sa i përket zgjedhjes së nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb.

Basha deklaroi se Rashiq nuk u propozua nga shumica e deputetëve serbë, pasi siç argumentoi ai, nga shumica e këtyre deputetëve nuk ka pasur propozim.

“Me fjalë të tjera, vetë Gjykata Kushtetuese po e pranon se shumica e deputetëve nga komuniteti serb nuk e kanë propozuar zotin Rashiq, pra kemi pasur të bëjmë me refuzim, apo ndryshe thënë mospropozim nga ana e tyre”, shkroi Basha në rrjetet sociale.

Më 16 tetor 2025, Lista Serbe iu drejtua Kushtetueses me ankesë lidhur me zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, duke pretenduar se janë shkelur Kushtetuta, Rregullorja e punës së Kuvendit, si dhe një aktgjykim i mëparshëm i Gjykatës Kushtetuese, shkruan REL.

Gjykata më e lartë në vend veçse kishte trajtuar një ankesë të Listës Serbe lidhur me çështjen e nënkryetarëve, pasi kryeparlamentari Dimal Basha, e kishte shpallur të konstituuar Kuvendin pa zgjedhjen e nënkryetarit të pestë nga radhët e komunitetit serb.

Më pas, Gjykata konstatoi se Kuvendi nuk ishte i konstituuar, duke kërkuar që deputetët të zgjidhnin nënkryetarin nga radhët e komunitetit serb, me qëllim që të hapej rruga për formimin e Qeverisë.

Në atë vendim, Kushtetuesja tha se propozimi për nënkryetarin nga radhët e komuniteteve joshumicë, në këtë rast të pakicës serbe, duhet të bëhet nga shumica apo numri më i madh i deputetëve nga radhët e deputetëve të komunitetit serb./KosovaPress/

Continue Reading

Lajmet

Presidentja Osmani takon presidentin e Etiopisë, shtet ky që ende nuk e ka njohur Kosovën

Published

on

By

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani – Sadriu, ka takuar presidentin e Etiopisë, Taye Atske Selassie, gjatë qëndrimit të saj në Samitin Botëror të Qeverisjes në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Osmani shprehet se potenciali i bashkëpunimit mes dy shteteve është i madh.

“Potenciali i bashkëpunimit midis dy vendeve tona është i madh e në dobi të popujve tanë paqedashës, prandaj shpresojmë që ky bashkëpunim do të rritet e thellohet në të ardhmen e afërt”, thuhet në njoftimin e Presidencës së Kosovës.

Kujtojmë se Etiopia ende nuk e ka njohur shtetin e Kosovës.

Ndërsa, gjatë vitit 2025, Kosova është njohur nga Kenia, Sudani, Siria dhe njohja e fundit nga shteti i Bahamas.

https://www.facebook.com/share/p/1MunKA4uVS/

Continue Reading

Të kërkuara