Lajmet

Afro 400 fëmijë e të rinj të infektuar në dy ditë

Numri i rasteve të reja me koronavirus në Kosovë ka parë rritje në janar.

Published

on

Në dy ditët e fundit në Kosovë, 27 për qind e të infektuarve me koronavirus kanë qenë fëmijë dhe të rinj të moshës 0-19 vjeç.

Nga shifra totale e të infektuarve më 17 dhe 18 janar – që ka qenë 1,448 – 65 kanë qenë fëmijë të moshës 0-9 vjeç, ndërsa 317 fëmijë dhe të rinj të moshës 10-19 vjeç.

Brikena Hoxha është nënë e dy fëmijëve që u infektuan rreth dy javë më parë.

Njëri 6 muajsh dhe tjetri 8 vjeç shfaqën fillimisht simptoma të lehta të sëmundjes: temperaturë dhe jorehati.

Brikena thotë se trajtimin për ta e kërkuan në Klinikën e Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë, pasi ordinancat private nuk i pranuan, me arsyetimin se “nuk kishin terminë të lirë”.

“Aty kanë qenë dy mjekë, të cilët e kanë kontrolluar djalin e madh dhe më kanë thënë se po dëgjojnë një zhurmë në mushkëri. Vetëm kaq, jo më shumë”.

“Pastaj, e kemi dërguar në një laborator privat dhe i kemi bërë rëntgen [incizim], ku ka rezultuar se djali i madh ka fituar broncho-pneumoni në mushkëri”, rrëfen Brikena.

Foshnja e saj e ka kaluar infektimin me simptoma të lehta, ndërsa 8-vjeçari është trajtuar me antibiotikë në shtëpi.

Brikena thotë se nuk ka ide se ku mund të jenë infektuar – ajo, babai i fëmijëve dhe dadoja që kujdeset për ta, kanë qenë negativë.

Fëmijët tani e kanë rimarrë veten, por Brikena kujton stresin e përjetuar:

“Frika që ka nxitur COVID-19 [sëmundja që e shkakton koronavirusi] ka bërë që tepër vështirë ta përballojmë situatën”.

“Nëse do të jetonim në një periudhë të zakonshme, për simptomat që i kanë shfaqur fëmijët fillimisht, ndoshta nuk do t’i dërgonim fare te mjeku. Por, fakti që e kemi ditur se është COVID-19…”, rrëfen Brikena.

Numri i rasteve të reja me koronavirus në Kosovë ka parë rritje në janar. Në krahasim me pjesën më të madhe të dhjetorit, kur numrat e të infektuarve kanë qenë njëshifrorë, këtë muaj ka pasur ditë me mbi 700 raste të reja të të infektuarve.

Sipas autoriteteve shëndetësore, varianti Omicron i koronavirusit duket se ka marrë hov.

Ky variant është identifikuar për herë të parë në Afrikë të Jugut, në muajin nëntor, dhe që atëherë është përhapur në qindra vende të botës, duke u bërë dominues në disa.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka shpallur atë variant shqetësues, duke konstatuar se përhapet më shpejt.

Që nga shpërthimi i pandemisë, në mars të vitit 2020, fëmijët kanë pasur shumë më pak gjasa se të rriturit që të sëmuren rëndë nga koronavirusi.

Por, në SHBA dhe Mbretëri të Bashkuar, autoritetet shëndetësore thonë se varianti Omicron ka shkaktuar shifra rekorde të fëmijëve të hospitalizuar.

Sipas mjekëve, këtë gjendje e ka shkaktuar përhapja e shpejtë dhe jo ashpërsimi i infeksionit.

Katër fëmijë të shtrirë në spital

Në Kosovë, autoritetet shëndetësore thonë se, brenda një dite, deri në 15 fëmijë të prekur me koronavrius kërkojnë mjekim në Klinikën e Pediatrisë në Prishtinë.

Drejtoresha e kësaj klinike, Violeta Grajçevci, thotë për Radion Evropa e Lirë se gjendja klinike e tyre është kryesisht e lehtë dhe se ata lirohen për trajtim në shtëpi.

Aktualisht, katër fëmijë me gjendje më të rëndë të sëmundjes janë të shtrirë në spital.

Ata u takojnë moshave nga 1 deri në 12 vjeç.

Simptomat që manifestojnë fëmijët e prekur me koronavirus, sipas mjekëve, janë të lehta: temperaturë, kollë dhe rrjedhje hundësh. Trajtimi i tyre kryesisht bëhet me ilaçe për zbritje të temperaturës, shurupe për kollitje, lëngje, pemë, perime dhe vitamina.

“Në rastet kur fëmija ka simptoma më të rënda të sëmundjes, bëhen analiza laboratorike dhe shikohet situata e tyre. Pastaj, varësisht nga gjendja klinike dhe analizat laboratorike, përshkruhet terapia”, thotë Grajçevci.

Ajo thekson se numri i fëmijëve me koronavirus është rritur ditëve të fundit, pasi që, javë më parë, thotë se nuk ka pasur asnjë rast nga fëmijët që ka kërkuar mjekim.

Kjo situatë ka bërë që disa shkolla fillore në Kosovë apo klasa të shkollave të kalojnë këtë javë në mësim online.

Një prej tyre është shkolla fillore “Ismail Qemali” në Prishtinë.

Drejtoresha Mimoza Krasniqi thotë për Radion Evropa e Lirë se shkolla ka kaluar online pas infektimit me koronavirus të nëntë arsimtarëve dhe mbi 50 nxënësve.

Beiqi: COVID-19 në drejtim të një gripi sezonal

Pediatri Ramush Beiqi, i cili punon në Klinikën e Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, thotë se pasqyra klinike e fëmijëve me COVID-19 është e lehtë dhe, në bazë të simptomave, “po shkon në drejtimin e një infeksioni viral, apo gripi sezonal”.

“Pasqyra klinike e fëmijëve të prekur me COVID-19 është plotësisht e ngjashme me gripin sezonal që kishim në muajt nëntor dhe dhjetor. Numri i fëmijëve të prekur me COVID-19 mund të jetë edhe më i madh sesa i atyre që janë detektuar”, thotë ai.

Beiqi u sugjeron prindërve që ta marrin me qetësi infektimin e fëmijëve dhe t’i izolojnë për 10 ditë.

Në Kosovë, vaksinimi kundër koronavirusit ka nisur në mars të vitit të kaluar dhe, deri më tash, janë vaksinuar plotësisht mbi 44 për qind e qytetarëve.

Të drejtë vaksinimi kanë të gjithë personat mbi 12 vjeç.

Radio Evropa e Lirë ka kërkuar të dhëna nga Ministria e Shëndetësisë për numrin e fëmijëve të vaksinuar, por deri në publikimin e këtij teksti nuk ka marrë përgjigje.

Lajmet

Jashari pret krerët e Forcave Speciale të Shqipërisë dhe Kroacisë

Published

on

By

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka prit në takim zyrtar Komandantin e Regjimentit të Operacioneve Speciale të Shqipërisë dhe Komandantin e Komandës së Forcave të Operacioneve Speciale të Kroacisë.

Gjatë takimit u diskutua për thellimin e bashkëpunimit dypalësh e shumëpalësh, koordinimin ushtarak dhe shkëmbimin e përvojave profesionale, me fokus të veçantë në fushën e operacioneve speciale, trajnimeve taktike dhe ngritjes së kapaciteteve operacionale.

Palët nënshtruan rëndësinë e ushtrimeve të përbashkëta për rritjen e ndërveprueshmërisë mes forcave aleate, ku si pikë kyçe e bisedimeve shërbeu ushtrimi ushtarak “Valor Shield 2026”.

Gjeneral Jashari shprehu vlerësimin e tij për partneritetin e vazhdueshëm me Shqipërinë dhe Kroacinë, duke nëvizuar se përkrahja e forcave partnere është me rëndësi vitalë për zhvillimin profesional dhe avancimin e FSK-së. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

OVL-UÇK paralajmëron protesta nëse nuk procedohet ndryshimi i Ligjit për Specialen

Published

on

By

Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), Gazmend Syla, i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të procedojë sa më parë në Kuvend Projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Në një konferencë për media të mbajtur këtë të martë, Syla mirëpriti miratimin e Deklaratës mbështetëse nga Kuvendi, mirëpo theksoi se ish-drejtuesit e UÇK-së në Hagë kanë nevojë për veprime konkrete ligjore e jo vetëm zotime politike.

“Deklarata është zotim, ligji është veprim. Ata që sot i kanë duart e lidhura në Hagë kanë nevojë për veprime konkrete. Nëse vendi shkon në zgjedhje pa i dhënë Kuvendit mundësinë për të votuar këtë ligj, përgjegjësia politike për mosprocedimin e tij duhet të jetë e qartë”, deklaroi Syla.

Ai paralajmëroi se kategoritë e dala nga lufta nuk do të rrinë duarkryq dhe se janë të gatshëm të dalin në rrugë e të ndërmarrin hapa të tjerë protestues nëse kërkesat e tyre injorohen.

Më tej, Syla bëri të ditur se tashmë janë kryer të gjitha përgatitjet për marshin protestues kundër vendimit të Gjykatës Speciale, i cili do të mbahet më 1 nëntor, duke filluar nga ora 16:00.

Continue Reading

Lajmet

Rubio: Një “aktor i huaj” i përfshirë në komplotin e dyshuar për bombë pranë bazës ushtarake në Britani

Published

on

By

Sekretari i Shtetit i Shteteve të Bashkuara, Marco Rubio, ka deklaruar se një “aktor i huaj” ishte i përfshirë në një komplot të dyshuar për sulm me bombë pranë një baze ajrore në Britaninë e Madhe, e cila përdoret nga ushtria amerikane.

Policia arrestoi të dielën pesë persona — të gjithë shtetas britanikë nga Londra, të mosshës 20 deri në 25 vjeç — pasi u njoftua nga një fermer lokal për lëvizjen e tri furgonëve të bardhë në drejtim të bazës RAF Fairford. Kjo bazë britanike strehon bombarduesit amerikanë që kryejnë misione kundër Iranit.

Njësia kundër terrorizmit njoftoi se po heton nëse të dyshuarit po vepronin në emër të një shteti të huaj në këtë plan për të sulmuar bazën ajrore, ndërsa më vonë bëri të ditur se ata do të lirohen me dorëzani.

Duke komentuar rastin në emisionin “Hannity” në Fox News, Rubio u shpreh: “Ajo që ndodhi, ajo që për pak sa nuk ndodhi dhe ajo që mund të kishte ndodhur në Britani gjatë fundjavës është një situatë shumë serioze. Është një çështje që qartësisht përfshin dorën e një aktori të huaj, megjithëse nuk do të hyj ende në detaje të mëtejshme.”

Nga ana tjetër, Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) kishte deklaruar në korrik se baza Fairford përbënte një “cakt të legjitim”. Megjithatë, Ambasada e Iranit në Londër i hodhi poshtë këto pretendime përmes një deklarate, duke i cilësuar si “spekulime të pabazuara dhe keqdashëse” që synojnë të nxisin propagandë kundër Iranit.

Lidhur me ngjarjen reagoi edhe presidenti amerikan Trump, i cili tha se autoritetet britanike dhe ato amerikane i kishin pasur të dyshuarit nën hetim prej kohësh, duke pretenduar se ata “po kërkonin të shkaktonin dëme të mëdha”. Pas lajmit për lirimin e tyre me dorëzani, Trump shtoi se rasti “mund të ketë lidhje” me Iranin, por pa dhënë detaje të tjera.

 

Continue Reading

Lajmet

692 milionë euro nga mërgata në gjashtë muajt e parë të vitit

Published

on

By

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka bërë të ditur se dërgesat e mërgatës në Kosovë kanë arritur në 692 milionë euro gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti, duke shënuar një rritje prej 5.7 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Përmes një postimi, Gërvalla ka vlerësuar lart kontributin e bashkatdhetarëve, duke e cilësuar atë si një dëshmi të lidhjes së fuqishme dhe të pandashme me atdheun.

“Kjo shifër tregon shumë më tepër se një kontribut ekonomik. Tregon pikërisht lidhjen e pandashme që nuk e kanë këputur as mijëra kilometra largësi. Tregon se sa fort mërgata jonë vazhdon ta mbajë Kosovën afër vetes”, ka deklaruar ajo.

Më tej, ministrja theksoi se këto mjete financiare luajnë një rol jetik në mirëqenien e familjeve kosovare, konsumin vendor, kursimet dhe investimet, si dhe në ruajtjen e stabilitetit ekonomik e financiar të vendit. Ajo rikujtoi se gjatë dekadës së fundit, remitancat kanë përbërë mesatarisht 12% deri në 14% të Produktit Brendshëm Bruto (BPV) të Kosovës. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara