Lajmet

Afganistan: Pajisje amerikane prej miliarda dollarësh, tani në duart e talibanëve

Armë, municion, helikopterë dhe më shumë.

Published

on

Të krijuara dhe stërvitura me një kosto prej 83 miliardë dollarësh gjatë dy-dekadave, forcat afgane të sigurisë u rrëzuan aq shpejt dhe plotësisht – në disa raste pa qëlluar asnjë të shtënë – saqë duket se ata që përfituan përfundimisht nga investimi amerikan ishin talibanët. Ata morën jo vetëm pushtetin politik, por edhe kapacitetet luftarake të ofruara nga SHBA – armë, municion, helikopterë dhe më shumë.

Talibanët kapën një sërë pajisjesh ushtarake moderne kur mposhtën forcat afgane, të cilat nuk arritën të mbrojnë kryeqytetet krahinore. Aty ndodheshin edhe materialet më të vyera, përfshirë avionët luftarakë që talibanët i shtjenë në dorë kur u futën në kryeqytete e baza ushtarake me një shpejtësi të paparashikuar, duke marrë të dielën edhe Kabulin.

Një zyrtar amerikan i mbrojtjes konfirmoi të hënën se pajisja e papritur e talibanëve me mjete luftarake të furnizuara nga SHBA është me përmasa të mëdha. Zyrtari nuk ishte i autorizuar për ta diskutuar çështjen publikisht dhe foli në kushte anonimiteti. Përmbysja e situatës së sigurisë është një pasojë e turpshme e gjykimit të gabuar nga ushtria amerikane si dhe agjencitë e zbulimit të rezistencës së forcave të qeverisë afgane, të cilat në disa raste zgjodhën të dorëzojnë automjetet dhe armët në vend që të luftojnë.

Dështimi i Shteteve të Bashkuara për të krijuar një ushtri dhe forcë efektive policore afgane dhe arsyet e kapitullimit të tyre, do të studiohen për vite me radhë nga analistët ushtarakë. Dimensionet themelore, megjithatë, janë të qarta dhe i përngjajnë asaj që ndodhi në Irak. Rezultoi se ekzistonte një hendek i madh: forcat ishin të pajisura me armë superiore, por u mungonte përbërësi vendimtar: motivimi për të luftuar.

“Paraja nuk mund të blejë vullnetin. Nuk mund të blesh me para rolin e udhëheqjes,” tha të hënën John Kirby, zëdhënësi kryesor i Sekretarit të Mbrojtjes, Lloyd Austin.

Doug Lute, gjeneral lejtnant në pension i ushtrisë, i cili ndihmoi drejtimin e strategjisë së luftës në Afganistan gjatë administratave të Presidentëve George W. Bush dhe Barack Obama, tha se afganët morën shumë në burime fizike, por u mungonin gjërat më të rëndësishme, të paprekshme.

“Parimi i luftës është: faktorët moralë janë primarë krahasuar me faktorët materialë,” tha ai. “Morali, disiplina, roli udhëheqës, fryma unitare e njësive specifike janë më vendimtare sesa numri i forcave dhe pajisjeve. Si të huaj në Afganistan, ne mund të ofrojmë materiale, por vetëm afganët mund të sigurojnë faktorët e paprekshëm moralë”.

Në dallim nga ushtria afgane, kryengritësit talibanë, në numër më të vogël, me armë më pak të sofistikuara dhe pa mbështetje ajrore, rezultuan një forcë superiore. Agjencitë amerikane të zbulimit në masë të madhe i nënvlerësuan përmasat e këtij superioriteti dhe madje edhe pasi Presidenti Joe Biden njoftoi në prill se ai po tërhiqte të gjitha trupat amerikane, zbulimi amerikan nuk parashikoi që talibanët do të arrinin një sukses të tillë.

“Nëse nuk do të kishim përdorur shpresën si strategji veprimi, … do të kishim kuptuar se tërheqja e shpejtë e forcave amerikane u dërgoi një sinjal forcave kombëtare afgane se ata po braktiseshin,” tha Chris Miller, i cili ka qenë i angazhuar në luftime në Afganistan në 2001 dhe ka qenë edhe sekretar i Mbrojtjes në detyrë në fund të mandatit të Presidentit Donald Trump.

Stephen Biddle, profesor i çështjeve ndërkombëtare dhe publike në Universitetin Columbia dhe ish-këshilltar i komandantëve amerikanë në Afganistan, tha se njoftimi i Presidentit Biden vuri në lëvizje kolapsin përfundimtar.

“Tërheqja e Shteteve të Bashkuara dërgoi një sinjal mbarëkombëtar se çdo gjë mbaroi, një sinjal që në mbarë Afganistanin u kuptua në të njëjtën mënyrë,” tha zoti Biddle. Para prillit, trupat e qeverisë afgane po e humbisnin luftën ngadalë, por në mënyrë të qëndrueshme, tha ai. Kur mësuan se partnerët e tyre amerikanë po ktheheshin në atdhe, një impuls për të hequr dorë pa luftuar “u përhap si zjarr i pakontrolluar”.

Por dështimet kanë një histori më të gjatë e më të thellë. Shtetet e Bashkuara u përpoqën me ngut të krijonin një strukturë të mirëfilltë të mbrojtjes afgane, ndërkohë që luftonin kundër talibanëve, përpiqeshin të zgjeronin themelet politike të qeverisë në Kabul dhe të vendosnin demokracinë në një vend të brejtur nga korrupsioni dhe tarafet.

Vit pas viti, udhëheqësit ushtarakë amerikanë i minimizonin problemet dhe këmbëngulnin se po ecej drejt suksesit. Të tjerët e shihnin kërcënimin që do të sillte e ardhmja. Në vitin 2015 një profesor në Institutin e Studimeve Strategjike të Kolegjit të Luftës, një institucion i studimeve të larta i ushtrisë amerikane, shkruante se ushtria nuk kishte nxjerrë mësime nga luftërat e kaluara; ai botoi një libër me titull:”Pse Forcat Afgane të Sigurisë Kombëtare nuk do të Rezistojnë”.

“Për sa i përket të ardhmes së Afganistanit, të flasim hapur, Shtetet e Bashkuara kanë qenë dy herë të tjera në këtë rrugë në nivelin strategjik: në Vietnam dhe Irak dhe nuk ka asnjë arsye të pranueshme që të mendosh se përfundimi do të jenë ndryshe në Afganistan,” shkruan Chris Mason. Ai shkruante në atë kohë: “Përkeqësimi i ngadaltë është i pashmangshëm dhe dështimi i qeverisë afgane është çështje kohe”.

Disa elementë të ushtrisë afgane luftuan fort, përfshirë komandot, përpjekjet heroike të të cilëve ende nuk janë dokumentuar plotësisht. Por në tërësi, forcat e sigurisë të krijuara nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre në NATO ishin “një kështjellë prej rëre”, kolapsi i së cilës u nxit po aq nga dështimet e udhëheqësve civilë amerikanë, sa edhe nga partnerët e tyre ushtarakë, sipas Anthony Cordesman, analist me eksperiencë mbi luftën në Afganistan dhe ekspert në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

Ky eksperiment për krijimin e një ushtrie afgane ishte plotësisht i varur nga mbështetja financiare amerikane, saqë Pentagoni paguante edhe pagat e trupave afgane. Shumë shpesh ato fonde dhe sasi të pallogaritshme karburanti vidheshin nga oficerë të korruptuar dhe zyrtarë të qeverisë që manipulonin dokumentacionet shtetërore, duke krijuar “ushtarë fantazmë” për të justifikuar zhdukjen e fondeve.

Nga afërsisht 145 miliardë dollarë që qeveria amerikane shpenzoi në përpjekjen për të rindërtuar Afganistanin, rreth 83 miliardë dollarë shkuan për zhvillimin dhe mbështetjen e ushtrisë së Afganistanit dhe forcave të tij policore, sipas Zyrës së Inspektorit të Përgjithshëm Special për Rindërtimin e Afganistanit, një post mbikëqyrës i krijuar me mandat të Kongresit që ka ndjekur ecurinë e luftës që nga viti 2008. Shuma prej 145 miliardë dollarë është veçmas nga 837 miliardë dollarë të tjera që Shtetet e Bashkuara shpenzuan për të zhvilluar luftimet, që në fillim të luftës në tetor 2001.

83 miliardë dollarë të investuar në forcat afgane gjatë 20 viteve janë gati dyfishi i buxhetit të vitit të kaluar për të gjithë Korpusin amerikan të Marinsave. 83 miliardë dollarë tejkalon edhe shumën që shpenzoi vjet qeveria amerikane për talonat ushqimorë për rreth 40 milionë amerikanë në nevojë.

Në librin e tij, “The Afghanistan Papers” – “Dokumentet e Afganistanit”, gazetari Craig Whitlock shkruan se specialistët amerikanë që stërvisnin forcat afgane u përpoqën t’u impononin rekrutëve afganë sjellje perëndimore dhe nuk shpenzonin shumë kohë për të pyetur veten nëse paratë e taksapaguesve amerikanë po investoheshin për të krijuar një ushtri vërtetë efektive.

“Megjithëse strategjia e luftës e SHBA varej nga suksesi i ushtrisë afgane, Pentagoni i kushtoi çuditërisht pak vëmendje pyetjes nëse afganët ishin të gatshëm të vdisnin për qeverinë e tyre,” shkruan ai./VOA

Continue Reading

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 31 tetor 1993-1998

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

31 tetor 1993

Mikel Koliqi – kardinal i parë shqiptaë

Dje në Kishën katedrale të Shkodrës u mbajt një meshë e veçantë me rastin e shugurimit të kardinalit të parë shqiptar, shkëlqesisë së tij, monsinjor Mikel Koliqit, si dhe me rastin e kthimit të arqipeshkvit të Shkodrës, monsinjor Frano Ilia nga SHBA. Në këtë meshë morën pjesë Ivan Dias, ipeshkv i Pultit, monjisor Robert Ashta, si dhe ndihmësi i ipeshkvit të Shkodrës, monsinjor Zef Simoni, etj.

Në momentin kulmor të kësaj ceremonie foli Nunsi Apostolik, monsinjor Ivan Dias, i cili i njoftoi besimtarët me lajmin e shpalljes nga kryetari i Selisë së Shenjtë, Papa Gjon Pali II të kardinalit të parë shqiptar, monsinjor Mikel Koliqit.

Mikel Koliqi është kardinali i parë në historinë shumëshekullore të katolicizmit shqiptar.

Lindi në Shkodër më 29 shtator 1902. Studimet e para i mori në Shkodër, ato të mesmet dhe të lartat për inxhinier në Itali. Në moshën 25-vjeçare bëhet prift. Kreu studimet e larta në teologji. Shugurohet meshtar në vitin 1931. Menjëherë emrohet zëvendës i famullitarit i Shkodrës. Pastaj bëhet famullitar i Shkodrës.

Mikel Koliqi ka qenë drejtor i parë i revistës “Kumbana e së dielës”, e cila ndalohet më 1945 me arrestimin e tij. Ai i kaloi 38 vjet në burg e internim. Më 1986 lirohet me amnisti të përgjithshme.

Kuvendi i Shqipërisë në vitin 1992 Mikel Koliqit i jep titullin “Pishtar i demokracisë”.

 

31 tetor 1995

Gjatë vitit 1990 u vranë në kufi 32 shtetas të Shqipërisë

Gjatë vitit 1990 në kufijt e Shqipërisë u vranë 32 shtetas të Shqipërisë nga forcat kufitare shqiptare, njoftuan dje duke cituar një padi në Tiranë disa radiostacione të huaja.

Në njoftim thuhej se numri i të vrarëve në atë vit është më i madh se numri i të vrarëve për periudhën 1959 – 89. Për 30 vjet ishin vrarë 23 persona.

Njoftohet se organet zyrtare shqiptare kanë përgatitur listën e ta vrarëve dhe të dhënat për vendin e kohën e vrasjes së tyre, kështu që familjet e viktimave të mund të paraqesin padi.

 

31 tetor 1997

Gjendje e rëndë në fshatrat e komunës së Gjakovës

Bandat e armatosura plaçkitëse nga Shqipëria po vazhdojnë edhe më tutje kalimin në fshatrat kufitare të komunës së Gjakovës dhe po vrasin e plaçkisin banorët e kësaj ane.

Sipas njoftimeve nga Dega e LDK-së në Gjakovë, ditëve të fundit, gjendja është shumë e rëndë sidomos në fshatrat Molliq, Koshare, Brovinë, Nivokaz e Botushë.

Kalimet e bandave të ditëve të fundit kanë patur për pasojë edhe një të vrarë në Koshare, Afrim H. Zenunin, që u vra nga banda treanëtarëshe më 28 tetor. Ai kishte shkuar për të marrë sanë për bagëtinë në mesditë, ndërsa kjo bandë e detyroi t’i shpinte në shtëpinë e Xhanajve. Nën kërcënimin e armëve, Afrimi i drejtoi në këtë shtëpi, që është e varfër dhe që mbahet nga ndihmat e fshatit e në të cilin pjesëtarët e bandës plaçkitën çfarë gjetën dhe keqtrajtuan Mehmet Xhanin (52). Pas kësaj ata e detyruan Afrimin t’i dërgonte në shtëpinë e tij. Kur iu afruan shtëpisë, Afrimi thirri babain e tij për t’i bërë me dije se “në shtëpinë e tyre po vinin hajnat”. Në këtë moment, Afrimi u kacafyt me njërin nga pjesëtarët e bandës, i cili shkrepi automatikun dhe plagosi rëndë Afrimin. Meqë Kosharja është fshat malor, dërgimi i tij në Gjakovë u vonua dukshëm dhe kështu Afrimi vdiq nga pasojat e plagosjes.

Sipas njoftimeve, në fshatin Molliq se gjendja është e rëndë sidomos pas 17 tetorit. Këtë ditë, rreth orës 22, tre persona të maskuar e të armatosur me pushkë automatike, revole, thika e bomba, morën peng Kadri Hasanin (16) dhe e urdhëruan që t’i dërgojë në shtëpinë e Hysen Sadriut. Në këtë shtëpi plaçkitësit morën para, stoli ari dhe gjithë tjetër që kishte vlerë. Më pas plaçkitësit shkuan edhe në shtëpinë e djaloshit të marrë peng ku plaçkitën mall me vlerë prej rreth 1000 DM. Më pas djaloshi 16 vjeçar dhe të tjerët u detyruan me forcë që mallin e plaçkitur ta dërgojnë deri matanë kufirit. Atje, rreth orës 3 pas mesnate, plaçkitësit ua morën edhe këpucët dhe i detyruan të kthehen prapa.

Më 22 tetor, plaçkitësit trokitën në disa dyer të fshatit Molliq, ndërsa rreth orës 20:00 tentuan të hyjnë në një shtëpi të fshatit. Por, pasi u mblodhën rreth 50 banorë, plaçkitësit u larguan. Në një shtëpi më të largët ata vodhën dy batanije dhe demoluan orenditë. Po këtë ditë ata vodhën tri lopë në fshatin Nivokaz.

Më 23 tetor, në mesditë, tre plaçkitës të armatosur ia morën me dhunë lopën një fshatari, por meqë për pak kohë u tubuan shumë fshatarë, pas rreth 300 metrash, plaçkitësit e lëshuan lopën.

Më 24 tetor, iu plaçkitën tri lopë Osman Hysenit nga Shishmani.

Më 25 tetor, pas orës 1 pas mesnate, plaçkitës të armatosur vodhën tri lopë në Batushë, dy prej të cilave i lanë të lidhura në malin në afërsi, pasi vërejtën se plaçkitja ishte hetuar.

Më 27 tetor, rreth orës 18:30, plaçkitësit hynë në shtëpinë e Kasëm Ramës për t’ia marrë atij lopën. Ata, në shpejtësi morën peng djalin e tij 13 vjeçar. Pas kësaj u mblodhën disa fshatarë, plaçkitësit lanë djalin, dhe u larguan ngadalë nga vendi i ngjarjes.

Dje, kur u varros i ndjeri Afrim Zenuni, i vrarë nga plaçkitësit, u përhapën fjalë se tre persona të armatosur ishin vërejtur në vendin e quajtur “Shkozë” në afërsi të fshatit Batushë. Ndërsa, pas orës 24:00 në Batushë ata plaçkitën 6 lopë dhe një kali, pronë e Hasan Mehmetit.

Që nga data 15 qershor në fshatrat e përmendura më lart, janë plaçkitur mbi 40 krerë lopë. Ndërsa më parë vetëm në këto fshatra janë plaçkitur mbi 100 krerë lopë, dele e kuaj. Në fshatrat e bashkësisë lokale të Ponoshecit, ku më parë janë plaçkitur mbi 100 krerë bagëti, vetëm këtë vit janë plaçkitur mbi 150 krerë.

Njoftimet nga këto fshatra bëjnë të ditur për një gjendje tepër të tensionuar dhe për shqetësim të përgjithshëm të banorëve të pambrojtur, të cilët përditë e më shumë po bëhen pre e plaçkitësve të armatosur, të cilët për realizimin e qëllimeve të tyre janë në gjendje madje edhe të vrasin njerëzit, faji i vetëm i të cilëve është se provojnë të mbrojnë atë që është pronë e tyre.

 

31 tetor 1998

Në Llaushë u gjetën tri gra të vrara

Sot në Llaushë të Skënderajt u gjetën trupat e tri grave shqiptare, të vrara gjatë sulmit serb në këtë fshat para tre muajsh.

Nënkëshilli i KMDLNJ-së në Skënderaj njoftoi se u gjetën trupat e Fatime Gecit (73) e Mevlude Gecit (45) nga Llausha, dhe trupi i Hamide Terakut (51) nga Vitaku, nënë e 8 fëmijëve. Dy të parat ishin invalide dhe nuk kishin arritur të ikin nga fshati.

Trupat e tyre u gjetën të gropuar së bashku me mbeturina të shtazëve të vrara dhe të mbuluar me pak dhe.

 

Në Lubeniq të Pejës u gjet kufoma e djegur e Mehmet Ukshinajt

Më 27 tetor të këtij viti, rreth 70 metra larg shtëpisë së tij u gjet kufoma e djegur e Mehmet Ukë Ukshinajt (70) nga Lybeniqi i Pejës.

Qerim Ukshinaj, vëlla i Mehmetit i tha KI të Degës së LDK-së në Pejë se forcat serbe kanë ekzekutuar dhe djegur vëllain e tij Mehmetin katër muaj më parë, por që nuk është identifikuar ajo për shkak se në këtë fshat nuk ka jetuar asnjë banorë shqiptarë.

 

Continue Reading

lajme

Protestat vazhdojnë në Prishtinë: Kërkohet që vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare

Published

on

By

Protesta kundër vrasjes së Arlinda Zekajt ka vazhduar edhe sot në Prishtinë, ku qytetarët janë mbledhur për të tretën ditë radhazi në sheshin e kryeqytetit për të kërkuar drejtësi dhe përgjegjësi institucionale.

Gjatë ditës së sotme, protestuesit janë ndalur edhe para objektit të Qeverisë së Kosovës, duke shprehur pakënaqësi të thellë ndaj mënyrës se si po menaxhohen e trajtohen rastet e dhunës ndaj grave nga organet kompetente.

Këto aksione po organizohen nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, nën moton kryesore “Vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare”.

Continue Reading

Lajmet

Akil Gjakova mbyll garën pa medalje në Abu Dhabi

Published

on

By

Xhudisti kosovar Akil Gjakova e ka mbyllur pa medalje paraqitjen e tij në Grand Slam-in e Abu Dhabit, pasi u mposht në përballjen e drejtpërdrejtë për vendin e tretë.

Në kategorinë deri në 73 kilogramë, Gjakova u ndal në luftën për medaljen e bronztë nga xhudisti rus Karen Galstian. Pejani e nisi garën i lirë në xhiron e parë, ndërsa në të dytën mposhti me Ippon izraelitin Ohad Moritz. Suksesin më të madh e shënoi në raundin e tretë ku eliminoi nënkampionin e botës, Makhmadbek Makhmadbekov, po ashtu me Ippon në kohën shtesë.

Pasi u mposht në çerekfinale nga azerbajxhanasi Hidayat Heydarov, Gjakova kërkoi suksesin përmes repesazhit, por nuk arriti të ngjitej në podiumin e fituesve. /E.A/

Continue Reading

lajme

Nën hetim për projektin e kryeqytetit: Përparim Rama paraqitet në Prokurorinë Speciale

Published

on

By

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, është paraqitur sot në Prokurorinë Speciale ku po intervistohet në cilësinë e të dyshuarit lidhur me projektin “Arkitekti i Kryeqytetit”.

Rama arriti në prokurori i shoqëruar nga avokati Artan Çerkini, teksa para hyrjes deklaroi shkurtimisht se detyra e tij është ndërtimi i kryeqytetit, ndërsa e organit të ndjekjes është të sigurohet që gjithçka bëhet në përputhje me ligjin. Hetimet për këtë projekt ndërlidhen me procedurat e prokurimit publik, vlerën prej 12 milionë eurosh, si dhe me dyshimet për manipulim të stafit e konflikt interesi.

Intervistimi i kryetarit të Prishtinës vjen pas tensioneve publike dhe paralajmërimeve nga zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje për arrestimin e tij të mundshëm, reagime këto që pasuan ndryshimet e fundit në udhëheqjen e Prokurorisë Speciale, ku pas shkarkimit të Blerim Isufajt, detyra i është besuar prokurorit Dren Paca.

Ndaj deklaratave të përfaqësuesve të pushtetit, Rama u ka bërë thirrje publike organeve të drejtësisë që të merren me ato që i ka cilësuar si kërcënime direkte ndaj tij. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara