Klubi i hendbollit Rahoveci ka njoftuar se të dyja ndeshjet ndaj ekipit nga Luksemburgu, Dudelange, në kuadër të garave evropiane, do të zhvillohen në Luksemburg.
Shkak për këtë është bërë fakti se palestra Mizahir Isma në Rahovec, për shkak të zgjedhjeve, kalon nga nesër në menaxhim të KQZ-së dhe rrjedhimisht nuk mund të shfrytëzohet për ndeshje sportive.
Drejtori Sportiv i këtij klubi, Afrim Deliu, thotë se vendimi për t’i përjashtuar klubet nga palestrat është krejtësisht i pakuptueshëm.
“Sigurisht që është problematike, tereni është një lojtar shtesë në fushë, ajo nuk diskutohet por përveç kësaj janë edhe shumë probleme të tjera sepse palestra kalon në menaxhimin e KQZ-s nga nesër dhe përveç tereni që duhet të zhvillohet ndeshja jashtë, ne e kemi problem edhe stërvitjet t’i vazhdojmë. DO të thitë është shumë problem kjo pjesa dhe sinqerisht nuk e kuptoj se si mund të merret një vendim që palestra të lirohen nga klubet ose të mos kenë mundësi t’i zhvillojnë stërvitjet. Pra përveç lojës, problem tjetër shumë i madh është edhe stërvitjet ku do t’i zhvillojmë”, tha Deliu.
Ai ka shtuar se me këtë problematikë përballen sa herë që në Kosovë ka zgjedhje.
“Edhe në zgjedhjet e kaluara ka qenë i njëjti problem dhe e kemi ditur që nuk ka mundësi të arrihet asgjë nga kjo marrëveshje dhe menjëherë kemi kontaktuar me ekipin kundërshtar dhe kemi kërkuar që t’i zhvillojmë dy ndeshjet sepse e dimë që kjo nuk mund të realizohet, nuk është problem vetëm Rahoveci por e gjithë Kosova…Nuk është se kemi tentuar të shkojmë edhe ne KQZ direkt por e kemi ditur se është e pamundur sepse jo vetëm për Rahovecin por edhe për të gjitha klubet tjera ka qenë e pamundur”, shtoi Deliu.
Përveç hendbollit, me telashe të njëjta po përballet edhe sporti i volejbollit dhe ai i basketbollit./S.K/KP/