Këngëtarja e njohur britanike Adele vijon të habisë me mënyrën e të menduarit duke thënë se fundmi se ‘një pyetësor i personalitetit në një revistë’ e bëri të divorcohej nga bashkëshorti Simon Konecki në 2019.
Këngëtarja 33 vjecare e hitit të njohur ‘Hello’ ishte për tetë vjet me drejtorin e grupit të bamirësisë Konecki para se të ndahej në prill 2019, ndërsa bën zbulimet e jetës private teksa prezanton albumin e ri muzikor.
Duke folur në rrjetin amerikan CBS me prezantuesen Oprah Winfrey, Adele, e cila ka djalin Angelo me Simon, tregon se asokohe nuk ‘jetonte’ por vetëm “e shtynte” jetesën me të.
Më pas ajo kreu testin e personalitetit në një revistë për çka thotë se e ndihmoi të merrte vendimin.
Adele tregon më tej se kënga e saj e re ‘Easy On Me’ nga albumi i ri ‘30’ fokusohet në ndarjen e saj “të vështirë” me Simon.
Ajo tregon se duke kryer testin e karakterit në revistë, hasi pyetjen: “Cila është ajo gjë që nuk do të donit kurrë ta mësonin të tjerët?”
Përgjigja e pyetjes, Adele thotë se ishte si një thirrje zgjimi, që më në fund “po e kuptonte”: “Është fakti se nuk jam e lumtur, se nuk jam duke jetuar, por vetëm ‘duke shtyrë’ përpara”.
Adele thotë se më tej u tregoi miqve të saj: “Ata të gjithë u habitën. Nga aty nisa të pyes veten “Çfarë jam duke bërë? Për çfarë po e bëj?’”
Javën e kaluar Adele pranonte se ishte shumë e goditur nga ndarja me Simon aq sa “trembej se nuk e njihte mirë veten”.
Këngëtarja ka dalë në kopertinën e revistës Rolling Stone, dhe thotë se martesa e ktheu në një tjetër person, prandaj kishte marrë vendimin e vështirë.
Adele kohët e fundit ka bërë publike romancën e saj të re me Rich Paul, dhe thotë se jeta e saj si person “single” në Los Angeles zgjati shumë pak pasi miqtë gjithmonë i rregullonin takime njohjeje me djem.
“Mendoja se e njihja veten por nuk e njihja, isha duke mbushur 30 vjec por nuk e njihja veten. Ndarja ishte e vështirë, ashtu si dhe ndjeja se nuk ia dola të bëja të funksiononte. E dija që nuk kisha bërë një punë të mirë”.
Me pikëllim të thellë njoftojmë se ka ndërruar jetë profesori dhe kolegu ynë i nderuar, Naim Krasniqi. Ai ishte pjesë e stafit akademik të UBT, ku dha kontribut të çmuar në procesin mësimor, duke u dalluar për profesionalizëm, përkushtim dhe korrektësi në punë.
Gjatë angazhimit të tij akademik, ai ishte i përkushtuar ndaj studentëve dhe kolegëve, duke ndarë me ta dijen, përvojën dhe vlerat profesionale. Ndarja e tij nga jeta është humbje të madhe për familjen, miqtë, kolegët dhe gjithë komunitetin akademik.
Kontributi i tij në arsim dhe angazhimi i tij profesional do të mbeten pjesë e rëndësishme e kujtesës institucionale. Rektori, menaxhmenti dhe stafi akademik e administrativ i UBT-së shprehin ngushëllimet më të sinqerta për familjen Krasniqi dhe për të gjithë ata që patën nderin ta njohin dhe të bashkëpunojnë me të.
Kujtimi për të do të mbetet i paharruar, ndërsa vepra dhe përkushtimi i tij do të vazhdojnë të jetojnë përmes gjeneratave që ai kontribuoi në formimin e tyre.
Katër persona janë arrestuar nën dyshimin për përfshirje në një skemë mashtrimi dhe falsifikimi dokumentesh që dyshohet se ka rezultuar me përfitim të kundërligjshëm mbi 1.5 milion euro, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Sipas Policisë, më 19 shkurt 2026, hetuesit nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), pas një pune të gjatë operative dhe hetimore, kanë siguruar prova që implikojnë të dyshuarit me inicialet M.M., Sh.B., D.R. dhe B.Zh. në veprat penale të mashtrimit, falsifikimit të dokumenteve dhe legalizimit të përmbajtjes së rreme.
“Përmes veprimeve të kundërligjshme, përfshirë falsifikimin e dokumenteve si pasaportë e Serbisë dhe dokumente të tjera dhe duke i përdorur ato si të vërteta, si dhe duke prezantuar një person të rrejshëm si person real, të dyshuarit kanë arritur të tjetërsojnë-shesin përmes noterit pronën e ankuesit M.T., në sipërfaqe prej 36.28 ari”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Sipas të dhënave zyrtare, prona dyshohet se është shitur tek blerësi H.M. me pretendimin se dokumentacioni ishte i rregullt dhe ligjor. Në këmbim të kësaj shitjeje, të dyshuarit dyshohet se kanë përfituar shumën prej 1,578,180.00 euro.
Me urdhër verbal të prokurorit të rastit janë realizuar kontrolle në pesë lokacione të ndryshme, ku janë gjetur dhe sekuestruar 9,000 euro para të gatshme, të cilat do të shërbejnë si provë materiale në procedurat e mëtejme.
Të dyshuarit po hetohen për veprat penale “mashtrimi” , “falsifikimi i dokumenteve” dhe “legalizimi i përmbajtjes së rreme”.
Pas intervistimit në prani të avokatëve mbrojtës dhe konsultimit me prokurorin nga Prokuroria Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm, të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, raportoi Policia.
Kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz, ka uruar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për rizgjedhjen e tij në krye të Qeverisë së Kosovës. Në letrën drejtuar Kurtit, Merz shprehu gatishmërinë për të vazhduar thellimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
“Jam i bindur se me përvojën tuaj do të merrni vendimet e duhura dhe të nevojshme për integrimin e mëtejmë euroatlantik të Kosovës”, shkruan kancelari gjerman, duke theksuar se Kosova ka një partner të fortë dhe të besueshëm në Gjermani gjatë këtyre proceseve.
Merz gjithashtu përmendi sfidat përpara Qeverisë së Kosovës, duke përfshirë avancimin e dialogut të normalizimit me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
“Gëzohem që do të vazhdojmë së bashku të thellojmë marrëdhëniet e ngushta dhe miqësore ndërmjet vendeve tona”, përfundon kancelari në mesazhin e tij drejtuar Kurtit.
Lituania ka hapur zyrtarisht Konsullatën e saj në Kosovë, një ngjarje kjo që po konsiderohet si një hap historik drejt thellimit të raporteve diplomatike dhe bashkëpunimit mes dy shteteve. Në ceremoninë zyrtare të organizuar me këtë rast, ambasadori jorezident i Lituanisë për Kosovën, Eduardas Borisovas, deklaroi se hapja e kësaj konsullate përfaqëson një angazhim konkret për forcimin e bashkëpunimit në sferën institucionale, ekonomike dhe atë kulturore. Borisovas nënvizoi se vendi i tij mbetet një mbështetës i palëkundur i integrimit evropian të Kosovës dhe konsolidimit të shtetësisë së saj në arenën ndërkombëtare, raporton RTK.
Në këtë ngjarje mori pjesë edhe nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Ardian Gola, i cili e vlerësoi këtë akt si një dëshmi të besimit të ndërsjellë dhe partneritetit strategjik. Sipas tij, prioritet mbetet shkëmbimi i përvojave në reformat demokratike dhe fuqizimi i raporteve parlamentare. Rëndësinë e kësaj pranie diplomatike e theksoi edhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili u fokusua te bashkëpunimi në fushën e sigurisë dhe sundimit të ligjit, duke u shprehur se konsullata do të jetë një urë e rëndësishme për koordinimin e çështjeve me interes të përbashkët.
Nga ana tjetër, Konsulli i Nderit, Bashkim Zeqiri, u zotua se do të punojë intensivisht për promovimin e interesave të dyanshme, duke krijuar mundësi të reja në fushën e ekonomisë, arsimit dhe investimeve. Hapja e kësaj konsullate shihet si një sinjal i fuqishëm i përkushtimit të Lituanisë dhe Kosovës për një partneritet afatgjatë, të bazuar në solidaritetin dhe vizionin e përbashkët për një të ardhme brenda familjes evropiane.