Ka përmbyllur punimet me sukses ngjarja më e madhe akademike e verës, “Global UBT Fest 2026”.
Përgjatë edicionit të 15-të, pothuajse në të gjitha programet studimore të UBT-së janë mbajtur akademi verore me tema specifike e bashkëkohore, duke mbledhur studentë të interesuar nga fusha të ndryshme, akademikë, si dhe ekspertë të shquar nga industria vendore e ajo ndërkombëtare.
Ndër aktivitetet qendrore që shënuan nisjen e këtij edicioni ishte Konferenca Ndërkombëtare e Lidershipit me temën “Qeverisja e Inovacionit: Lidershipi në Epokën e Inteligjencës Artificiale”.
Gjithashtu, akademitë e shumta verore të organizuara sipas departamenteve ofruan një ndërthurje të fuqishme mes teorisë dhe praktikës profesionale, ku pjesëmarrësit thelluan njohuritë në temat më aktuale të kohës.
Në fushën e Shkencave Kompjuterike u trajtuan teknologjitë e së ardhmes si përdorimi i algoritmeve të Machine Learning kundër sulmeve kibernetike, robotika, siguria kibernetike përmes garës HackBound, teknologjitë e dronëve dhe mikrorrjetet inteligjente.
Paralelisht, Fakulteti i Inxhinierisë së Energjisë i kushtoi vëmendje “Sfidave të Tranzicionit të Energjisë së Qëndrueshme”, duke mbuluar operimin e rrjetit të shpërndarjes, efiçiencën e energjisë, ndërtesat inteligjente (Smart Buildings & BMS), si dhe rolin e hidrocentraleve.
Në shkencat mjekësore, si Biokimi Mjekësore, Bioteknologji dhe Stomatologji, u adresuan biofizika e diagnostika bashkëkohore, strategjitë rigjeneruese në kirurgji, materialet moderne protetike, përdorimi i realitetit virtual në stomatologji dhe teknologjitë e avancuara si CBCT e MRI.
Nga ana tjetër, Fakulteti Juridik ndërthuri teorinë ligjore me teknologjinë, duke diskutuar mbi ndikimin e Inteligjencës Artificiale në etikë, privatësi, demokraci dhe lidership, i shoqëruar me vizita praktike mediale.
Zhvillime të rëndësishme pati edhe në fushën e Ndërmarrësisë, Inovacionit dhe Produkteve Profesionale (FMBE), ku u zhvilluan punëtori mbi marketingun e orientuar ndaj klientit, ndërmarrësinë sociale, platformat për startup-e, metodat Agile, si dhe u ndanë përvoja suksesi nga kompani si Elkos Group dhe Frutex.
Po ashtu, Fakulteti i Shkencave të Ushqimit, Agrikulturës dhe Mjedisit u përqendrua te shkenca e inovacioni në shërbim të cilësisë së ushqimit, sigurisë ushqimore dhe prodhimit të qëndrueshëm agro-bujqësor, ndërsa Fakulteti Media dhe Komunikim, në bashkëpunim ndëruniversitar, mbajti sesione të veçanta për mësuesit e diasporës mbi krijimin e podkasteve edukative, storytelling-un digjital dhe digjitalizimin e tregimeve popullore.
Një kontribut të madh këtij festi i dhanë edhe Fakulteti i Arkitekturës dhe ai i Inxhinierisë Ndërtimore. Në kuadër të Akademisë Verore me temë “NEO HABITAT: Rethinking Urban Space, Architecture & Heritage”, Fakulteti i Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor trajtoi ndërlidhjen e njohurive teorike me praktikat bashkëkohore, ku u ligjërua mbi trashëgiminë urbane, mekanizmat perceptualë të hapësirave dhe dizajnin parametrik përmes optimizimit në Grasshopper.
Ndërkaq, Fakulteti i Inxhinierisë Ndërtimore dhe Infrastrukturës organizoi akademrinë verore nën moton “Green Buildings and Green Infrastructure”, duke ndërlidhur teorinë e ndërtimit të qëndrueshëm me praktikën në terren përmes vizitave studimore profesionale, si ajo në fabrikën e çimentos “Sharrcem” në Han të Elezit, ku studentët u njohën nga afër me teknologjinë, laboratorët dhe provat kimiko-fizike të prodhimit.
Përmes kësaj platforme gjithëpërfshirëse, “Global UBT Fest 2026” dëshmoi edhe një herë angazhimin e UBT-së për të lidhur studentët me fushat më aktuale të shkencës, teknologjisë e sipërmarrjes, duke forcuar urat e bashkëpunimit mes arsimit të lartë dhe tregut global të punës.