Lajmet

A na bën më pak të moralshëm konkurrenca?

Nga Ozan Isler.

Published

on

Nga Ozan Isler

“The Conversation”

Shumica e ndërveprimeve tona ekonomike, madje edhe sociale janë konkurruese. Ne i përdorim tregjet për të gjetur punë, por edhe të dhëna. Çfarë do të thotë kjo për moralin tonë? A na e jep kapitalizmi Ëndrrën Amerikane apo Psikopatin Amerikan? A na mban të ndershëm përvoja e konkurrencës apo na shtyn drejt mashtrimit?

Me këto pyetje të thella janë marrë disa prej ekonomistëve të mëdhenj klasikë, të cilët e shihnin kapitalizmin si të mbushur me ndikime morale të mira dhe të këqija. Adam Smith u përqendrua kryesisht tek e mira, ndërsa Karl Marksi ishte më pak optimist.

Për ta testuar në mënyrë bindëse këtë pyetje në laborator, koordinatorët e projektit tonë ftuan dhjetëra shkencëtarë të sjelljes për të kontribuar me planet e tyre eksperimentale, duke vëzhguar në total më shumë se 18.000 njerëz. Rezultatet tona, të publikuara në “Proceedings of the National Academy of Sciences”, tregojnë se ndërveprimet konkurruese priren ta bëjnë sjelljen e njerëzve më pak të moralshme, dhe ofrojnë disa të dhëna intriguese mbi arsyen pse ndodh kështu.

Ne nuk jemi të parët që kemi një qasje shkencore ndaj lidhjes midis konkurrencës dhe moralit. Megjithatë, testet individuale kanë dhënë rezultate të përziera, ndoshta për shkak të dallimeve tek përkufizimet dhe masat e moralit.

Disa nga rezultatet e hershme ishin provokuese, si për shembull zbulimi se njerëzit në konkurrencë midis tyre, kishin më pak gjasa të parandalonin ngordhjen e një miu. Megjithatë, këto rezultate ishin të vështira për t’u përsëritur ose interpretuar.

Një nga mënyrat për të llogaritur dallimet në hartimin e studimeve individuale, është të kryhet një “meta-analizë”, ku të vlerësohen dhe kombinohen rezultatet e shumë studimeve të ndryshme. Megjithatë, meta-analiza ka shpesh problemet e veta, pasi raportimi selektiv dhe paragjykimi i publikimit mund të ndikojnë se cilat studime janë të disponueshme për t’u përfshirë në analizë.

Për të pasur realisht disa rezultate të besueshme, ne shkuam një hap më tej dhe kryem një “meta-analizë prospektive”. Pjesa “prospektive” do të thotë që të gjitha studimet që do të përfshihen në analizë janë regjistruar përpara se të kryheshin. Kjo gjë parandalon zgjedhjen e rezultateve ose paragjykimet lidhur me llojin e rezultateve të publikuara.

Projekti ynë përfshinte 45 eksperimente të ndryshme të kryera nga ekipe në mbarë botën. Çdo ekip projektoi në mënyrë të pavarur një eksperiment për të testuar efektet e konkurrencës në moral. Më pas rezultatet e këtyre studimeve, të cilat përfshinin vëzhgime të më shumë se 18.123 pjesëmarrësve individualë, u grumbulluan dhe u analizuan.

Meta-analiza zbuloi se konkurrenca ka një efekt të përgjithshëm negativ në moral, por efekti është shumë i vogël. Efekti matet me një numër të quajtur Numri i Kohenit. Një vlerë prej 0.2 konsiderohet një efekt i vogël, dhe vlera që gjetëm ishte vetëm 0.1.

Siç edhe pritej, ne vumë re gjithashtu edhe një ndryshim thelbësor tek efektet e matura nga eksperimente të ndryshme. Disa ishin pozitive, disa negative, dhe madhësitë e efekteve ndryshonin. Pra, pavarësisht nga avantazhet e meta-analizës tonë të re të ardhshme, nuk ka ende prova të forta për një lidhje direkte të efektit të përgjithshëm të konkurrencës tek morali.

Ndoshta pyetja është shumë e përgjithshme. Djalli mund të fshihet tek detajet. Ekipi im (1 nga 45 grupet e përfshirë në meta-analizë), përdori një lojë me hamendje numrash midis dy njerëzve si një shembull të konkurrencës. Kjo u pasua nga një lojë individuale ndershmërie, e cila ishte njësia jonë matëse për efektet mbi moralin.

Ky eksperiment individual, pati një efekt të përgjithshëm negativ të vogël mbi konkurrencën (d = -0.1) njëlloj si meta-analiza, por ai nuk arriti të ketë ndonjë domethënien statistikore më vete. Nga ana tjetër, analiza eksploruese e rezultateve tona zbuloi një përparim të mundshëm.

Ne zbuluam se ishin vetëm humbësit e lojës me supozim numrash, ata që u bënë më të pandershëm, me një efekt më të madh (d = –0.34).

Nga ana tjetër, fituesit e fazës së konkurrimit, nuk shfaqën asnjë ndryshim në sjelljen e tyre në raport me ndershmërinë. Këto rezultate sugjerojnë një arsye pse konkurrenca nuk ndikon shumë tek morali. Ndoshta ai që korrupton është disavantazhi në një garë, dhe jo konkurrenca në vetvete. / The Conversation – Bota.al

Lajmet

Ish-drejtori i kompanisë së autostradave në Itali dënohet me 12 vjet burg për shembjen e urës Morandi

Published

on

Ish-drejtuesi i kompanisë Autostrade per l’Italia, Giovanni Castellucci, është dënuar me 12 vjet burgim për shembjen e urës Morandi në Xhenova, ku humbën jetën 43 persona në gusht të vitit 2018.

Vendimi u mor nga gjykata në Xhenova, ndërsa prokurorët kishin kërkuar një dënim më të ashpër për Castelluccin, i cili ishte në mesin e 57 të pandehurve në këtë proces gjyqësor.

Ura u shemb gjatë një stuhie shiu, duke bërë që automjete dhe kamionë të binin nga lartësia. Tragjedia ndodhi në kulmin e sezonit turistik dhe konsiderohet një nga fatkeqësitë më të rënda infrastrukturore në Itali.

Një tjetër ish-zyrtar i lartë i kompanisë, Michele Donferri Mitelli, u dënua me 11 vjet burgim.

Familjarët e viktimave e mirëpritën vendimin. Emmanuel Diaz, i cili humbi vëllanë në tragjedi, tha se ishte “shumë i kënaqur” me vendimin e gjykatës, ndërsa Egle Possetti, që humbi motrën dhe familjen e saj, e cilësoi dënimin ndaj Castelluccit si “të pranueshëm”.

Castellucci aktualisht po vuan edhe një dënim tjetër prej gjashtë vitesh burgim për një aksident të rëndë rrugor të ndodhur në vitin 2013./A.K/

Continue Reading

Vendi

Ministrja Gërvalla dorëzon kallëzim penal ndaj ministres serbe Snezhana Paunoviq

Published

on

By

Ministrja e Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla-Schwarz, ka deponuar sot kallëzim penal pranë Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit ndaj ministres serbe të Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviq, pas deklaratave të saj të fundit ku arsyetoi spastrimin etnik të shqiptarëve gjatë viteve të nëntëdhjeta. Përmes këtij hapi ligjor, Gërvalla-Schwarz ka kërkuar reagimin e menjëhershëm të organeve kompetente për të filluar ndjekjen penale ndaj zyrtares serbe.

Në njoftimin e saj zyrtar, ministrja e Drejtësisë u bëri thirrje prokurorëve të shtetit që të mos qëndrojnë indiferentë ndaj deklaratave që arsyetojnë krimet e luftës në Kosovë.

“Në cilësinë e Ministres së Drejtësisë kërkova nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit që, në kuadër të kompetencave ligjore, të ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore dhe të procedojë tutje me aktakuzë dhe kërkesë për shqiptimin e dënimit nga Gjykata kompetente”, sipas njoftimit të ministrisë.

Gërvalla-Schwarz ka sjellë në vëmendje bilancin e rëndë të luftës në Kosovë, duke theksuar se Serbia ende refuzon të kërkojë falje apo të marrë përgjegjësi për gjenocidin e ushtruar ndaj popullatës civile.

“Serbia ende nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera ndaj popullit tonë gjatë luftës në Kosovë. Mbi 10,000 civilë shqiptarë humbën jetën, 1,565 persona ende figurojnë të zhdukur, afër një milion qytetarë u dëbuan me dhunë, rreth 20,000 gra, burra e fëmijë u përdhunuan dhe mbi 100,000 shtëpi u shkatërruan dhe u dëmtuan rëndë. Këto ishin pasoja të një fushate sistematike të gjenocidit e spastrimit etnik të kryer nga regjimi serb në Kosovë, të shoqëruar me vrasje, dëbime, dhunë seksuale dhe trajtim çnjerëzor”, thuhet në komunikaten e ministrisë.

Ky hap institucional i Ministrisë së Drejtësisë vjen si kundërpërgjigje e drejtpërdrejtë ndaj deklaratës skandaloze të Paunoviqit, e cila ka ngjallur dënime të ashpra edhe nga mekanizmat ndërkombëtarë, duke u parë si një tentativë e hapur për të nxitur tensione të reja dhe për të legjitimuar krimet e regjimit të kaluar në Beograd.

 

Continue Reading

Rajoni

Shqipëria nis përgatitjet ligjore për adoptimin e euros si monedhë zyrtare

Published

on

By

Shqipëria ka hedhur hapin e parë zyrtar drejt adoptimit të monedhës euro, duke nisur përgatitjet konkrete ligjore për këtë proces.

Sipas projektligjit të ri “Për Bankën e Shqipërisë”, i cili tashmë është publikuar për konsultim publik, parashihet integrimi i vendit në Eurozonë dhe rregullimi i funksionimit të bankës qendrore pas këtij hapi madhor.

Për herë të parë, ky draft përfshin një kapitull të veçantë që përcakton rregullat e reja të operimit nga dita e prezantimit të euros si monedhë zyrtare e Republikës së Shqipërisë.

“Euro do të bëhet njësia monetare e vendit, ndërsa Banka e Shqipërisë do të jetë përgjegjëse për hedhjen në qarkullim dhe tërheqjen e kartëmonedhave dhe monedhave euro, në përputhje me rregullat e Bashkimit Evropian dhe të Bankës Qendrore Evropiane.”

Krahas menaxhimit të qarkullimit të kartëmonedhave, projektligji i ri i jep autoritet Bankës së Shqipërisë që të përcaktojë edhe dizajnin e veçantë të monedhave metalike euro që do të emetohen nga shteti shqiptar, gjithnjë duke respektuar standardet dhe rregulloret strikte evropiane. /A2Cnn/

Continue Reading

lajme

Dr. Vesel Rrustemaj mbron doktoratën me hulumtim shkencor mbi shëndetin oral të fëmijëve në Kosovë

Published

on

By

Profesori i UBT-së, Dr. Vesel Rrustemaj ka mbrojtur me sukses disertacionin e doktoratës në Universitetin e Zagrebit, duke përmbyllur nivelin më të lartë të formimit akademik me një hulumtim shkencor të realizuar në Kosovë.

Disertacioni, me titull “Prevalenca e kariesit dentar dhe e shprehive të këqija orale dhe efektet e tyre në okluzionin e fëmijëve 3–6 vjeç në Kosovë”, trajton një temë me rëndësi të veçantë në fushën e ortodoncisë dhe stomatologjisë pediatrike. Hulumtimi analizon prevalencën e kariesit dentar dhe të shprehive të këqija orale te fëmijët e moshës 3–6 vjeç, si dhe ndikimin e tyre në zhvillimin e okluzionit, duke ofruar të dhëna shkencore dhe rezultate konkrete për gjendjen e shëndetit oral në Kosovë.

Ky studim përfaqëson një kontribut të rëndësishëm në kërkimin shkencor, pasi rezultatet e tij mund të shërbejnë si bazë për zhvillimin e strategjive parandaluese, politikave shëndetësore dhe praktikave klinike që synojnë përmirësimin e shëndetit oral të fëmijëve.

Continue Reading

Të kërkuara