Lajmet

A mund të krijojmë një sistem që do të parashikojë luftërat e ardhshme?

“Ne jemi duke jetuar në një shoqëri në krizë… Dhe ekzistojnë lloje të ndryshme të ardhme jo të dëshirueshme”, tha për AFP Sirka Hainonen.

Published

on

Studiuesit nga e gjithë bota po përpiqen të ndërtojnë një sistem, i cili do t’i japë mundësi njerëzimit të parashikojë konfliktet e dhunshme përpara se ato të shpërthejnë, dhe në këtë mënyrë t’i parandalojë ato. Ata do të shqyrtojnë përparimet dramatike në Inteligjencën Artificiale vitet e fundit, dhe se si mund të ndikohen vendimet e marra nga udhëheqësit e botës, në një kohë kur lufta në Ukrainë e ka ndryshuar situatën për dhjetëra miliona njerëz.

“Ne jemi duke jetuar në një shoqëri në krizë… Dhe ekzistojnë lloje të ndryshme të ardhme jo të dëshirueshme”, tha për AFP Sirka Hainonen, profesore e studimeve të së ardhmes në Universitetin Turku në Finlandë. 

Heinonen ishte në mesin e rreth 30 studiuesve nga e gjithë bota që u mblodhën në Gjenevë në fillim të këtij muaji për një raund të parë diskutimesh të fokusuara te “Parashikimi i së ardhmes së Paqes dhe Luftës”.

“Kur i shqyrtojmë krizat e mundshme të së ardhshmes, duhet të gjejmë zgjidhje për t’i parandaluar ato që të ndodhin. Dhe për të ardhmen e preferuar, ne duhet të vendosim se cilat janë hapat dhe masat për t’i bërë ato të ndodhin”, thekson ajo.

Projekti mbështetet nga Fondacioni Parashikues i Shkencës dhe Diplomacisë me seli në Gjenevë (GESDA), Qendra e Gjenevës për Politikat e Sigurisë (GCSP) dhe Shkolla e Çështjeve Ndërkombëtare dhe Publike të Universitetit të Kolumbias (SIPA).

Seminari i parë i mbajtur me dyer të mbyllura, u përqendrua në thelb në identifikimin e mënyrave se si mund të ndodhte ky lloj parashikimi. Takimet e tjera që do të mbahen në Nju Jork dhe Gjenevë gjatë këtij viti, mund të shpjegojnë më shumë zhvillime specifike me potencialin për të ndryshuar në mënyrë dramatike rrjedhën e historisë njerëzore.

Ndërsa tema mund të duket se po trajtohet në kohën e duhur, teksa po zhvillohet lufta më e madhe në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, pjesëmarrësit në seminar theksuan se pushtimi i Ukrainës nga presidenti rus Vladimir Putin nuk ishte domosdoshmërisht fokusi i tyre kryesor.

Në vend të kësaj është ambicia për të ndërtuar një sistem për parashikimin e ngjarjeve vite dhe madje dekada përpara, dhe më pas të këshillohen vendimmarrësit se si të lëviznin drejt rezultateve më të mira afatgjata. Në një kohë ndryshimesh të shpejta dhe rrënjësore, të cilat janë shpesh komplekse dhe të ndërlidhura, parashikimi i zhvillimeve me muaj e lëre më pastaj me vite përpara është një sfidë shumë e madhe.

Ekspertët e vënë theksin edhe tek përqendrimi i pushtetit tek kompanitë që menaxhojnë të dhënat tona, dhe vendimet që mund të merren për t’i rregulluar ato. Nga ana tjetër përmendin një mori mundësish por edhe rreziqesh të lidhura me zhvillimin e shpejtë të Inteligjencës Artificiale, duke përfshirë shfaqjen e robotëve vrasës. Aleksandër Fasel, ambasadori i Zvicrës për diplomacinë shkencore, e vuri theksin mbi shpejtësinë me të cilën ka evoluar AI në vetëm pak muaj që nga dalja në skenë e ChatGPT, duke nxitur apele për një moratorium derisa të analizohen mirë pasojat e tij.

“Thirrje të tilla janë një provë e gjallë se ne kemi nevojë për një instrument të parashikimit të ngjarjeve. ChatGPT është një çikërrimë në krahasim me atë që po vjen”- thekson ai. Për të kuptuar vështirësinë e parashikimit të zhvillimeve pas 25 viteve, Fasel na fton të kthehemi 25 vite më parë. “Në prillin e 1998-ës Putini nuk ishte ende në pushtet. Ne nuk ia dinim as emrin. Nuk kishte asnjë smartfon. Dhe kjo na jep një shembull të vogël të sfidës së madhe që kemi përpara”, thekson ai./Science Alert – Bota.al

Lajmet

Një person vdes nga rënia nga lartësia në Prishtinë

Published

on

By

Një person ka humbur jetën mbrëmë në rrugën “Arshi Pipa” në Prishtinë, pasi ka rënë nga lartësia e një objekti. Ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes ka konstatuar vdekjen e viktimës si pasojë e lëndimeve të marra.

Lajmin e ka konfirmuar për UBT News zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana:

“Mbrëmë, rreth orës 23:00, Policia ka pranuar informatën se në rrugën ‘Arshi Pipa’ në Prishtinë një person ka rënë nga një lartësi (objekt). Si pasojë e lëndimeve të marra, viktima nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve. Vdekja e viktimës është konstatuar nga ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes,” deklaroi Pllana për UBT News.

Ai po ashtu bëri të ditur se organet e rendit kanë nisur hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes:

“Policia, në koordinim me prokurorin e Shtetit, ka nisur hetimet dhe po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme për sqarimin e rrethanave të rastit,” shtoi ai.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Gjashtë raste te dhunës në familje brenda 24 orëve

Published

on

By

Gjashtë raste të dhunës në familje janë raportuar brenda një dite në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës, me raste të regjistruara në Prishtinë, Fushë Kosovë, Lipjan dhe Rahovec.

Sipas të dhënave zyrtare të policisë, ndaj shumicës së viktimave është ushtruar dhunë psikike, fizike dhe kanosje.

Në Prishtinë janë raportuar tre raste të ndryshme. Në dy prej tyre, të dyshuarit kanë ushtruar dhunë fizike dhe sulm ndaj viktimave femra, ndërsa në rastin tjetër është ushtruar dhunë psikike dhe kanosje. Në të tre raste, pas intervistimit me urdhër të prokurorit, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.

Një person në Fushë Kosovë është arrestuar dhe dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikike ndaj një femre.

Në Lipjan është iniciuar një rast për “Dhunë në familje & Sulm” ndaj një viktime femër. Lënda do të trajtohet në procedurë të rregullt në konsultim me prokurorin.

Ndërsa në Rahovec pas një mosmarrëveshjeje, një person ka sulmuar verbalisht dhe ka kanosur një mashkull. I dyshuari ndodhet aktualisht në kërkim policor, ndërsa rasti vazhdon të jetë nën hetime. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Kuriozitetet e ditës

Published

on

Lexoni pesë kuriozitete. Mund të mos i keni ditur:

 

  1. Në Singapor është e ndaluar të përtypësh çamçakëz në vende publike, për të mbajtur qytetin më të pastër.
  2. Netflix dikur u ofroi themeluesve të Blockbuster ta blinin kompaninë për vetëm 50 milionë dollarë, por ata refuzuan.
  3. Në Australi ekziston një gardh mbi 5 mijë kilometra i gjatë, i ndërtuar për të mbajtur larg qentë e egër.
  4. Trupi i njeriut krijon aq shumë nxehtësi në 30 minuta sa mund të vlojë rreth 2 litra ujë.
  5. Në Japoni ekziston një tren që ndalon vetëm për një nxënëse, vetëm që ajo të mund të shkojë në shkollë.

Continue Reading

Lajmet

PDK dërgon sërish në Kushtetuese zgjedhjen e Qeverisë: Albin Kurti dhe partia e tij shkelën afatet me qëllim

Published

on

By

Partia Demokratike e Kosovës i është drejtuar sërish sot Gjykatës Kushtetuese për të kontestuar ligjshmërinë e vendimit për zgjedhjen e Qeverisë së re të udhëhequr nga Albin Kurti.

Kërkesa zyrtare është dorëzuar nga deputetët e këtij subjekti politik, Përparim Gruda dhe Arian Tahiri, të cilët kërkuan nga Gjykata Kushtetuese që të vlerësojë në tërësi ligjshmërinë e procedurave të ndjekura gjatë votimit në Kuvend.

Sipas përfaqësuesve të PDK-së, mënyra e konstituimit të Kuvendit dhe hapat e ndërmarrë menjëherë pas tij përmbajnë shkelje seriosaze kushtetuese. Nga partia më e madhe opozitare janë shprehur se Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë shkelur afatet kushtetuese me qëllim gjatë këtij procesi.

Kjo lëvizje e PDK-së vjen vetëm një ditë pasi ky subjekt politik dërgoi një tjetër kërkesë në Gjykatën Kushtetuese, e cila lidhej me procedurën e konstituimit të legjislaturës së 11-të ku u zgjodh kryetarja dhe katër nënkryetarët e Kuvendit procedurë kjo që i hap rrugë edhe votimit të kabinetit të ri qeveritar. /Ekonomia online/

Continue Reading

Të kërkuara