Kulturë

A kanë të gjithë një monolog të brendshëm?

Hulumtimi i Lavenbruk në vitin 2019,i analizoi monologët e brendshëm në 3 dimensione.

Published

on

Nga Donavyn Coffey

“Zëri i vogël në kokën tuaj” mund të jetë kritiku juaj më i keq por dhe mbështetësi më i madh. Dihet që ai të ndihmon me udhëzime, të  jep këshilla, përsërit biseda të vështira, dhe madje të kujton të shkruash disa gjëra në listën e gjërave që duhen blerë.

Por a kanë të gjithë një monolog të brendshëm? Për një kohë të gjatë, supozohej se një zë i brendshëm ishte thjesht pjesë e të qenit njeri. Por rezulton se nuk është kështu. Jo të gjithë e praktikojnë këtë gjë.

“Me monolog të brendshëm, ne nënkuptojmë pasjen e një diskutimi privat që i drejtohet vetvetes, dhe që kryhet pa ndonjë artikulim verbal të jashtëm”-thotë Helana Levenbruk,  studiuese e vjetër e psikologjisë dhe neurokonjicionit dhe drejtuese e ekipit të gjuhës në CNRS, Institutin Kombëtar Kërkimor Francez.

Me diskutimin e brendshëm, ju gati e “dëgjoni” zërin tuaj të brendshëm, thotë ajo për “Live Science”. Ju jeni të vetëdijshëm mbi tonin dhe intonacionin e atij zëri. Për shembull, zëri mund të “tingëllojë” i zemëruar ose i shqetësuar.

Studimet kanë treguar se fëmijët e moshës 5 deri në 7 vjeç mund të përdorin një zë të brendshëm, dhe disa studime sugjerojnë se fëmijët mund të përdorin një formë të fonetikës së brendshme që nga mosha 18-21 muajsh.

Hulumtimi i Lavenbruk në vitin 2019,i analizoi monologët e brendshëm në 3 dimensione.

I pari është dialogu. Njerëzit mund të kenë një fjalim kaq të ndërlikuar të brendshëm, saqë midis ekspertëve ka debate nëse është e saktë që të gjithë fjalimet e brendshme të njerëzve t’i quajmë monologje.

Një monolog ndodh kur mendon me vete diçka  të tipit “Kam nevojë të shkoj në dyqan të blej bukë”. Por herë të tjera, kur arsyetoni, ju mund të argëtoheni duke angazhuar në këtë proces disa këndvështrime, gjë që e bën atë si një bisedë, dialog.

Dimensioni i dytë është kondensimi, një masë e asaj se sa shumë apo pak fjalë është komunikimi juaj i brendshëm. Ndonjëherë mendoni me fjalë ose fragmente. Por herë të tjera, sidomos kur jeni duke u përgatitur për një bisedë ose prezantim, ka të ngjarë të jeni duke menduar në fjali dhe paragrafë të plotë.

Dimensioni i tretë është qëllimshmëria. A jeni duke u përfshirë enkas në bisedën me vetveten? Për arsye që ende nuk i dimë, nganjëherë fjalimi i brendshëm thjesht mund të vijë tek ju ose të zhvendoset në tema krejtësisht të rastësishme dhe në dukje të shkëputura.

Por një element ngatërrues për një kohë të gjatë në studimin e kësaj dukurie, ka qenë fakti që në studime të ndryshme njerëzit i shprehnin mendimet e tyre me fjalë, thotë Lavenbruk, edhe nëse nuk po mendonin saktësisht me fjalë.

Supozimi i vjetër, sipas të cilit të gjithë njerëzit mbështeten tek një zë të brendshëm, u sfidua për herë të parë në fund të viteve 1990nga kërkimet e drejtuara nga Rusëll Hërlbërt,  psikolog në Universitetin e Nevada, Las Vegas. Ai studioi monologun e brendshëm të pjesëmarrësve, duke u kërkuar atyre të mbanin një biper (sinjalizues).

Sa herë që binte zilja e pajisjes, ata duhet të shkruanin atë që po mendonin apo përjetonin në mendjen e tyre pak para atij momenti. Në fund të ditës, ata u takuan me një studiues për të shqyrtuar përgjigjet e tyre. Ndoshta pjesëmarrësi kishte shkruar “Unë duhet të blej pak bukë”. Më pas studiuesi do ta pyeste nëse kjo ishte ajo që ai kishte menduar vërtet. “Apo keni menduar vetëm‘bukë’? Apo mos keni qenë të uritur, mos keni pasur një ndjesi në stomakun tuaj?”- u shpreh Lavenbruk.

Pas çdo takimi me studiuesen, pjesëmarrësit në studim ishin më të aftë në artikulimin e mendimeve të tyre të vërteta, tha ajo. Në fund studimi zbuloi se disa njerëz kishin një të folur të brendshëm sa herë që binte biperi, gati “si një radio në kokën e tyre”.

Por të tjerët kishin më pak të folur të brendshëm se zakonisht, dhe disa nuk kishin fare. Ata përjetonin imazhe, ndjesi dhe emocione, por jo një zë apo fjalë. Mungesa e një monologu të brendshëm, ka qenë e lidhur me një gjendje të quajtur “afantazia”, ose “verbëri e syrit të mendjes”.

Njerëzit që përjetojnë “afantazia” nuk përjetojnë vizualizime në mendjen e tyre. Ata nuk munden ta fotografojnë dhomën e tyre të gjumit apo fytyrën e nënës së tyre. Afantazia dhe mungesa e një zëri të brendshëm nuk janë domosdoshmërisht të këqija.

Por një kuptim më i mirë i të folurit të brendshëm dhe i një vargu të gjerë procesesh mendimi që përjetojnë njerëzit,mund të jenë veçanërisht të rëndësishme “për metodat e të mësuarit dhe arsimin në përgjithësi” thotë Lavenbruk.

Deri më tani, llojet e fjalimit të brendshëm, dhe përvojat që mund të kenë fëmijët dhe burimet që ata mund të kenë nevojë për të mësuar, ka të ngjarë të jenë nënvlerësuar jashtëzakonisht, thotë studiuesja. / “Livescience” – Bota.al

Kulturë

Pierce Brosnan: Callum Turner i ka të gjitha cilësitë për t’u bërë James Bondi i ardhshëm

Published

on

By

Aktori i njohur Pierce Brosnan beson se koleg i tij Callum Turner posedon të gjitha cilësitë e duhura për t’u veshur me kostumin e agjentit legjendar 007. Ish-interpretimi i famshëm i James Bondit ka vlerësuar se 36-vjeçari ka praninë, fizikun dhe karizmën e nevojshme për të marrë përsipër këtë rol ikonik.

Brosnan, i cili portretizoi agjentin britanik në katër filma ndërmjet viteve 1995 dhe 2002, tregoi për revistën Vanity Fair se e admiron Turnerin, me të cilin kishte bashkëpunuar më parë në filmin “The Only Living Boy In New York” të vitit 2017.

“Callum Turner është dikush me të cilin kam punuar dhe është një aktor shumë i fortë,” u shpreh Brosnan, duke shtuar se mezi pret të mësojë emrin e pasardhësit të Daniel Craig dhe të festojë zgjedhjen e tij.

Ndonëse Turner është përfolur gjatë si një nga favoritët kryesorë për këtë post, vetë ai ka mohuar të ketë ndonjë informacion zyrtar rreth kastingut. “Di po aq sa dini edhe ju. Miqtë e mi më pyesin vazhdimisht, ndërsa unë nuk di asgjë,” kishte deklaruar ai më parë.

Brosnan po ashtu shfaqi entuziazmin e tij për projektin e ardhshëm të franshizës, i cili do të drejtohet nga regjisori vizionar Denis Villeneuve. “Besoj se do të mbetemi të mahnitur. Mënyra se si ai ndërton historinë dhe përdor kamerën është e jashtëzakonshme, prandaj filmi do të jetë vërtet madhështor,” përfundoi ai. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Shkrimtarë dhe gazetarë shqiptaro-amerikanë vizitojnë Shtëpinë e Bardhë në Washington

Published

on

Një grup shkrimtarësh, gazetarësh dhe përfaqësuesish të komunitetit shqiptaro-amerikan kanë vizituar Shtëpinë e Bardhë në Washington, në kuadër të një turi kulturor dhe historik për t’u njohur nga afër me një prej institucioneve më të rëndësishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Vizita u organizua nga Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, e drejtuar nga presidenti Adi Memeti.

Për këtë përvojë ka shkruar shkrimtarja dhe gazetarja Keze Kozeta Zylo, në një artikull të publikuar më 1 nëntor në gazetën Illyria, ku ka ndarë përshtypjet nga vizita dhe rëndësinë historike të ambienteve të rezidencës presidenciale.

Gjatë turit, pjesëmarrësit vizituan disa prej ambienteve më të njohura të Shtëpisë së Bardhë, përfshirë Dhomën e Gjelbër, Dhomën e Kuqe dhe Dhomën e Kaltër. Ata panë gjithashtu Sallën e Ngrënies Shtetërore, e cila përdoret për darka zyrtare dhe pritjen e personaliteteve të huaja.

Në mesin e pjesëmarrësve ishin Mhill Vela, ish-president i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, profesori Bexhet Asani, sekretar i shoqatës, si dhe gazetarët Ibadete dhe Shkumbin Tetaj.

Pjesë e grupit ishin edhe gazetarët e Zërit të Amerikës, Laura Kondi dhe Shaqir Salihu, gazetarja Eva Dori, shkrimtaret Merita Bajraktari dhe Luz Thaqi, si dhe Vilma Tafaj.

Në aktivitet mori pjesë edhe Qemal Zylo, themelues dhe drejtor i televizionit Alba Life dhe i shkollave shqipe në New York, së bashku me përfaqësues të tjerë të komunitetit shqiptaro-amerikan.

Organizatorët e kanë konceptuar këtë aktivitet si vizitë kulturore dhe historike. Nuk është raportuar për ndonjë takim me presidentin amerikan Donald Trump apo me përfaqësues të administratës së tij.

Vizita përbën një mundësi për pjesëmarrësit që të njihen më nga afër me historinë presidenciale amerikane, ndërsa aktivitetet e tilla dëshmojnë angazhimin e organizatave shqiptaro-amerikane në ruajtjen dhe promovimin e gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar në diasporë.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Kosova dhe Italia nisin punën për marrëveshje për bashkëprodhimin e filmave

Published

on

Kosova dhe Italia kanë ndërmarrë një hap të ri drejt thellimit të bashkëpunimit në fushën e kinematografisë, me synimin për të krijuar mundësi të reja për realizimin e projekteve të përbashkëta filmike.

Gjatë qëndrimit në Romë, me rastin e pjesëmarrjes në Festivalin EuroBalkan Film, drejtoresha e Qendrës Kinematografike të Kosovës, Blerta Zeqiri, së bashku me ambasadoren e Kosovës në Itali, Nita Shala, janë takuar me drejtorin e përgjithshëm për Kinemanë dhe Audiovizualin në Ministrinë e Kulturës së Italisë, Giorgio Carlo Brugnoni.

Sipas njoftimit të Qendrës Kinematografike të Kosovës, takimi u zhvillua në një atmosferë konstruktive, ku u diskutua për thellimin e marrëdhënieve kulturore dhe kinematografike ndërmjet dy vendeve.

Gjatë takimit u dakordua që të nisin përgatitjet për hartimin e një marrëveshjeje bilaterale për bashkëprodhimin e filmave mes Kosovës dhe Italisë.

Kjo marrëveshje synon të krijojë mundësi të reja për bashkëpunim ndërmjet industrive filmike, zhvillimin e projekteve të përbashkëta dhe shkëmbimin profesional e artistik.

Qendra Kinematografike e Kosovës e ka vlerësuar takimin si një hap të rëndësishëm drejt krijimit të partneriteteve të reja ndërkombëtare dhe zgjerimit të prezencës së filmit kosovar në arenën evropiane.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Dalina Haxhiu fiton çmimin e parë në “Akordet për Fëmijë”

Published

on

Dalina Haxhiu është fituesja e çmimit të parë në edicionin e parë të “Akordeve për Fëmijë”. Ajo u shpërblye me Okarinën e Artë për Fëmijë, për këngën “Ëndrra ime s’fle”, duke u renditur në krye të garës muzikore.

Çmimin e parë, Dalinës ia ndau kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu.

Okarinën e Argjendtë për Fëmijë, çmimin e dytë, e fitoi Rita Krasniqi me këngën “Soprano”, ndërsa Okarina e Bronztë për Fëmijë iu nda Marin Kerit për këngën “Ëndrrat s’kanë kufij”.

Çmimi për tekstin më të mirë shkoi për Aksa Sulejmanin, për këngën “Lëshoni pëllumbat”, me tekst të autorit Valon Gashi.

Në këtë edicion garuan 15 artistë të rinj, të cilët interpretuan drejtpërdrejt, të shoqëruar nga orkestra, duke sjellë në skenë këngë me mesazhe për ëndrrat, dashurinë, paqen dhe vetëbesimin.

“Akordet për Fëmijë” u organizuan për herë të parë në kuadër të Festivalit të Këngës në RTK “Akordet e Kosovës”, duke krijuar një hapësirë të veçantë për talentet e reja dhe për prezantimin e krijimtarisë së tyre muzikore./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara