Shëndet

A je shumë e re për një mamografi? Ja çfarë duhet të dish

Published

on

Rastet e kancerit tek të rinjtë janë në rritje. Grupmosha e vetme që ka shënuar rritje të rasteve me kancer nga viti 1995 deri në 2020 është ajo e të rinjve. Kjo ka bërë që shumë njerëz të pyesin: “Kur është momenti i duhur për të bërë një mamografi?”

Kur duhet të bëni një mamografi?

Sipas Dr. Arif Kamal, zyrtar i lartë në Shoqatën Amerikane të Kancerit, gratë duhet të fillojnë të konsiderojnë mamografinë që në moshën 40-vjeçe ta diskutojnë me mjekun e tyre.

Ai rekomandon që mamografia të bëhet çdo vit pas kësaj moshe.

“Ulja e moshës për mamografinë në 40 vjeç është një hap i rëndësishëm, sepse çdo vit diagnostikohen rreth 60,000 raste me kancer gjiri tek gratë nën 50 vjeç,” shpjegon Dr. Stacy Smith-Foley, drejtoreshë e Qendrës së Gjirit në CARTI.

Përveç kësaj, ndryshimi i moshës së rekomanduar synon të adresojë edhe pabarazitë në shëndet. P.sh, gratë me ngjyrë kanë më shumë gjasa të diagnostikohen me kancer gjiri para 40 vjeç e kanë normë vdekshmërie 40% më të lartë se tjerat.

Po rritja e rasteve me kancer tek të rinjtë?

Ndërsa shqetësimi për rritjen e rasteve të kancerit tek të rinjtë është i kuptueshëm, Dr. Kamal thotë se nuk ka ende prova të mjaftueshme për të ndryshuar rekomandimet dhe për të nisur mamografinë para moshës 40 vjeç, përveç rasteve me faktorë rreziku.

Cilët janë faktorët e rrezikut?

Nëse keni faktorë të caktuar rreziku, mund të jetë e nevojshme të filloni kontrollet më herët. Disa prej tyre përfshijnë:

• Historia familjare: Nëse keni një familjar (nënë, motër, baba, vëlla) me kancer gjiri, rekomandohet të nisni mamografinë 10 vjet para moshës kur u diagnostikua ai person.

• Ekspozimi ndaj rrezatimit: Nëse keni pasur ekspozim të hershëm ndaj rrezatimit, në rastet e skanimeve të shumta për probleme me zemrën apo mushkëritë, duhet ta diskutoni me mjekun.

• Mosha e menstruacioneve të para: Gratë që kanë pasur menstruacionet e para në moshë të hershme (10-11 vjeç) janë më të rrezikuara se ato që i kanë pasur në moshën 13-14 vjeç, për shkak të ekspozimit më të gjatë ndaj estrogjenit.

• Shtatzënia dhe gjidhënia: Gratë që nuk kanë pasur fëmijë ose nuk kanë ushqyer me gji kanë rrezik më të lartë, sepse shtatzënia dhe gjidhënia reduktojnë ekspozimin ndaj hormoneve.

• Sindromat e kancerit: Nëse në familje ka raste me kancer të stomakut, gjirit, vezoreve apo edhe të zorrës së trashë, mund të jeni më të rrezikuara. Mund të jetë e nevojshme të bëni teste gjenetike dhe të filloni kontrollet më herët.

Pra, a duhet të shqetësoheni?

Nëse nuk keni faktorë të lartë rreziku, ndiqni rekomandimet për të filluar mamografinë në moshën 40 vjeç. Nëse keni ndonjë nga faktorët e mësipërm, është e rëndësishme të flisni me mjekun për të përcaktuar planin më të mirë. Në çdo rast, kontrolli i rregullt dhe njohja e trupit tuaj është hap i mirë drejt parandalimit dhe zbulimit të hershëm.

Shëndet

Ish-anesteziologu francez dënohet me burgim të përjetshëm për helmimin e 30 pacientëve

Published

on

By

Një ish-anesteziolog francez është dënuar me burgim të përjetshëm pasi u shpall fajtor për helmimin e qëllimshëm të 30 pacientëve, 12 prej të cilëve humbën jetën.

Frédéric Péchier, 53 vjeç, u dënua të premten pas përfundimit të një gjyqi katërmujor në qytetin lindor të Besançon, në një nga rastet më të rënda të keqpërdorimit mjekësor të regjistruara ndonjëherë në Francë.

Sipas hetimeve dhe aktakuzës, Péchier kishte futur substanca kimike si klorur kaliumi ose adrenalinë në qeset e infuzionit të pacientëve, duke shkaktuar arreste kardiake ose hemorragji të papritura gjatë ndërhyrjeve kirurgjikale.

Viktima më e re ishte një fëmijë katërvjeçar, i cili i mbijetoi dy arresteve kardiake gjatë një operacioni rutinë të bajameve në vitin 2016. Viktima më e moshuar ishte 89 vjeç.

Ju jeni Doktor Vdekja. Një helmues, një vrasës. Ju turpëroni gjithë profesionin mjekësor”, deklaruan prokurorët gjatë seancave përmbyllëse, duke shtuar se ai “e kishte kthyer klinikën në një varrezë”.

Sipas prokurorisë, Péchier shpesh nuk ishte anestezisti kryesor në operacione. Ai dyshohet se mbërrinte herët në klinikë për të manipuluar qeset e infuzionit, ndërsa më pas, kur pacientët pësonin komplikacione, ndërhynte vetë për t’u paraqitur si “shpëtimtari”.

Në 12 raste, ndërhyrja erdhi shumë vonë ose nuk ndodhi fare, duke përfunduar me vdekjen e pacientëve.

Hetimi nisi në vitin 2017, kur në qesen e infuzionit të një pacienteje u gjet një tepricë e rrezikshme kloruri kaliumi. Autoritetet zbuluan një model alarmues “ngjarjesh serioze të padëshiruara” në klinikën private Saint-Vincent në Besançon.

Ndërsa mesatarja kombëtare për vdekje nga arresti kardiak nën anestezi ishte 1 në 100 mijë, në këtë klinikë shifra ishte më shumë se gjashtë herë më e lartë. Anomalia u zhduk kur Péchier u largua përkohësisht dhe u rikthye sapo ai u kthye në klinikë. Pas pezullimit të tij nga profesioni në vitin 2017, rastet u ndalën përfundimisht.

Gjatë gjyqit, Péchier mohoi vazhdimisht akuzat, duke deklaruar se kishte respektuar “betimin e Hipokratit”. Megjithatë, dëshmia e tij ndryshoi disa herë dhe ai pranoi se mund të ketë pasur “një helmues tjetër” në klinikë.

Psikologu i gjykatës e përshkroi atë si një person me personalitet të dyfishtë, i aftë të shfaqej i respektueshëm në publik, por edhe të shkaktonte dëme të mëdha.

Tani, Péchier pritet të kalojë të paktën 22 vite pas hekurave. Ai ka 10 ditë kohë për të apeluar vendimin.

Është fundi i një makthi”, tha Sandra Simard, një nga pacientet që i mbijetoi helmimit. Një tjetër i mbijetuar, Jean-Claude Gandon, u shpreh: “Tani mund të kemi një Krishtlindje më të qetë”./BBC

Continue Reading

Shëndet

Kur dieta dhe pesha nuk mjaftojnë, arsyeja e fshehur e kolesterolit të lartë

Published

on

Studimet tregojnë se nivelet e kolesterolit në gjak ndikohen më shumë nga gjenet sesa nga ushqimi, pesha apo aktiviteti fizik.

Mëlçia prodhon shumicën e kolesterolit dhe kjo prodhimtari kontrollohet nga gjenet, ndaj disa persona ka kolesterol LDL të lartë edhe pse jetojnë shëndetshëm.

Edhe pse faktorët e stilit të jetesës si ushqimi i pashëndetshëm, mungesa e aktivitetit fizik, mbipesha dhe stresi janë shkaktarë të shpeshtë, forma e trashëguar – hiperkolesterolemia familjare (FH) – përbën rreth 5% të rasteve dhe është më e rrezikshme.

Ajo shfaqet herët dhe shpesh nuk përmirësohet vetëm me dietë.

FH shkaktohet nga mutacione gjenetike që pengojnë largimin e kolesterolit LDL nga gjaku, duke rritur ndjeshëm rrezikun për infarkt ose goditje në tru në moshë të re, shpesh pa simptoma.

Ekspertët theksojnë se pamja e jashtme nuk garanton shëndet të mirë.

Kontrolli i profilit lipidik të paktën një herë në vit, pasi kolesteroli i lartë nuk dhemb, por dëmton në heshtje zemrën dhe enët e gjakut. /A.Z/UBT News/

Continue Reading

Shëndet

Si ta kuptoni nëse trupi juaj ka mungesë të vitaminës D?

Published

on

Vitamina D është thelbësore për shëndetin e kockave, pasi ndihmon trupin të përthithë kalciumin dhe kontribuon në forcimin e tyre.

Ajo luan rol të rëndësishëm në rritjen dhe zhvillimin e qelizave, ul inflamacionin dhe mbështet funksionimin e sistemit imunitar.

Kur trupi ka mungesë të vitaminës D, mund të shfaqen disa shenja paralajmëruese.

Djersitje e tepruar

Djersitja e pazakontë, sidomos gjatë dimrit, lidhet me mungesën e vitaminës D, pasi trupi ka vështirësi në rregullimin e temperaturës.

Lodhje e vazhdueshme

Ndjenja e lodhjes, edhe pas gjumit të mjaftueshëm, si dhe marramendja, janë shenja të shpeshta të mungesës së kësaj vitamine.

Ndryshime në humor

Mungesa e saj lidhet me ndjenja trishtimi e depresioni, pasi ndikon në prodhimin e hormoneve të mirëqenies si serotonina dhe dopamina.

Dhimbje në kocka dhe muskuj

Dhimbjet në kyçe, kocka dhe muskuj janë shenjë e niveleve të ulëta të vitaminës D, veçanërisht te personat me probleme reumatike.

Si ta furnizoni trupin me vitaminë D?

Ekspozimi i moderuar në diell ndihmon prodhimin e vitaminës D, duke përdorur gjithmonë mbrojtje nga rrezet UV.

Përveç kësaj, vitamina D merret edhe nga ushqimi, si: peshqit e yndyrshëm (salmon, sardele, ton), vezët, qumështi dhe produktet e bulmetit, kërpudhat, drithërat dhe lëngu i portokallit. /A.Z/UBT News/

Continue Reading

Shëndet

Çfarë të hani para gjumit për një natë më të qetë?

Published

on

Nëse vetëm mendimi për gjumin të shqetëson, ajo që ha mund të ketë ndikim të madh. Gjumi cilësor ndihmon shëndetin e trurit, forcon sistemin imunitar dhe ul rrezikun për sëmundje kronike.

Edhe pse rekomandohen 7–8 orë gjumë çdo natë, shumë njerëz e kanë të vështirë ta arrijnë këtë.

Përveç zakoneve të mira të gjumit, edhe ushqimi luan rol kyç.

Ja 9 ushqime dhe pije që mund të ndihmojnë për gjumë më të mirë:

Bajamet – të pasura me magnez, vitamina B dhe melatoninë.

Gjeli i detit – përmban triptofan që nxit përgjumjen.

Çaji i kamomilit – ka efekt qetësues dhe ndihmon kundër pagjumësisë.

Kivi – përmban serotonin dhe antioksidantë.

Lëngu i qershisë së thartë – burim natyral i melatoninës.

Peshqit e yndyrshëm – të pasur me vitaminë D dhe omega-3.

Arrat – ndihmojnë rregullimin e ciklit të gjumit.

Çaji i lules së pasionit – ul stresin dhe nxit relaksimin.

Orizi i bardhë – karbohidratet mund të ndihmojnë rënien në gjumë kur konsumohet me masë. /A.Z/UBT News/

Continue Reading

Të kërkuara