Lajmet

A është kosi i kulluar më i shëndetshëm se kosi i zakonshëm?

Published

on

Kosi i trashë apo kosi i kulluar është bërë një nga ushqimet më të dashura të dietës mesdhetare. Që nga viti 2017, prodhimi i kosit të kulluar në New York e ka tejkaluar atë në Greqi (pasi njihet si kos grek).

Ky kos i trashë e kremoz përftohet duke i hequr hirrën (lëngun) kosit, gjë që e bën më të koncentruar dhe më të pasur me lëndë ushqyese.

The New York Times ka folur me ekspertët e ushqyerjes që tregojnë disa arsye pse kosi i kulluar është kaq i shëndetshëm.

I pasur me proteina

Pasi i hiqet hirra, kosi i trashë ka përqendrim të madh proteinash. Një kuti prej 150 gramësh kos të kulluar pa yndyrë përmban 15.4 gramë proteina, më shumë se dyfish krahasuar me kosin e zakonshëm. Kjo është më shumë se një e katërta e nevojës ditore për një të rritur që peshon 72 kilogramë.

“Proteinat e kosit të kulluar janë të plota, që do të thotë se përmbajnë nëntë aminoacidet esenciale që trupi nuk mund t’i prodhojë vetë”, tha Ethan Balk, profesor në Universitetin e New Yorkut.

Sipas Angie Hasemann Bayliss, drejtoreshë në UVA Health, ani pse shumica e njerëzve marrin mjaftueshëm proteina, është më mirë që ato të vijnë nga ushqime të pasura me lëndë ushqyese si kosi i kulluar, sesa nga suplementet.

I mirë për zorrët

Kosi i trashë, si çdo lloj kosi, përmban probiotikë, bakteret “e mira” që ndihmojnë ekuilibrin e mikrobiomës së zorrëve.

“Probiotikët ndihmojnë në ruajtjen e shëndetit të sistemit tretës e kanë rol në parandalimin e disa llojeve të kancerit”, ka theksuar dietologia Elaine Siu nga City of Hope Cancer Center.

Edhe gastroenterologu Andrew T. Chan nga Harvard Medical School ka gjetur se ata që konsumonin kos të paktën dy herë në javë kishin 20 për qind më pak gjasa të zhvillonin një lloj kanceri të zorrës së trashë, krahasuar me ata që hanin më rrallë.

Edhe pse studimi nuk provon drejtpërdrejt se kosi ul rrezikun, Chan thotë se “gjetjet përforcojnë idenë se ushqimet e fermentuara si kosi mund të ndihmojnë në mbrojtjen nga kanceri”.

Burim i vitaminës B12

Një porcion 150 gramë kos të trashë pa yndyrë ofron pak më shumë se 1 mikrogram vitaminë B12, gati gjysmën e sasisë që një i rritur ka nevojë. “Vitamina B12 është thelbësore për krijimin e qelizave të kuqe të gjakut, për energjinë dhe funksionimin e sistemit nervor”, tha shpjeguar Bayliss.

Si ta konsumoni më mirë kosin e kulluar?

Ekspertët këshillojnë që të zgjidhni kos të trashë sa më natyral dhe me pak përbërës. Versionet e aromatizuara shpesh përmbajnë shumë sheqer të shtuar apo aditivë. Për më tepër, është mirë ta kombinoni me fibra, pasi probiotikët ushqehen me to.

“Mund të shtoni fruta si manaferra, mango apo pjeshkë, ose fara dhe arra”, ka sugjeruar Elaine Siu.

Kosi në fjalë mund të përdoret edhe në ushqime të kripura, si salcat e sallatat.

Për shembull:

-si bazë për salcë me tranguj dhe nenexhik apo majdanoz (ngjashëm me tarator),

-për marinimin e salmonit apo mishit të pulës,

-si përbërës në sallata me perime të freskëta.

Vendi

Arrestohet një grua në Podujevë për keqtrajtim apo braktisje të fëmijëve

Published

on

By

Në raportin e policisë, në 24 orët e fundit është raportuar një rast i keqtrajtimit apo braktisjes së fëmijëve në Podujevë, që ka çuar në arrestimin e një personi.

Ngjarja ka ndodhur pasditen e së enjtes, ku njësitet policore kanë vënë në pranga të dyshuarën grua nën dyshimin për kryerjen e kësaj vepre penale.

Sipas raportit, “e dyshuara është dërguar për tretman mjekësor dhe e njëjta me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”.

Policia nuk ka dhënë detaje shtesë mbi gjendjen e fëmijës, mirëpo ka konfirmuar se rasti po trajtohet nga organet kompetente për procedura të mëtejshme hetimore.

Continue Reading

Lajmet

Ekstradohet nga Franca i kërkuari për vrasje në tentativë në rajonin e Pejës

Published

on

By

Policia e Kosovës ka njoftuar se është realizuar ekstradimi i një shtetasi kosovar nga Franca për në Kosovë, i cili ishte i kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar.

Operacioni u krye dje nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim të plotë me institucionet e drejtësisë dhe njësitet tjera relevante.

I dyshuari, i cili akuzohet për veprën penale “Vrasje në tentativë”, ishte arrestuar më parë nga autoritetet franceze pasi ishte shpallur në kërkim përmes INTERPOL-it për t’iu shmangur përballjes me drejtësinë kosovare.

Sipas njoftimit zyrtar, procesi u krye me sukses falë marrëdhënieve të mira ndërshtetërore, duke u theksuar se: “Ekstradimi u realizua bazuar në ligjet në fuqi dhe bashkëpunimit të ngushtë mes institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre franceze”.

Pas mbërritjes në Kosovë, i dyshuari u është dorëzuar njësive përkatëse të policisë në rajonin e Pejës për procedim të mëtejshëm ligjor.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se do të mbetet aktive në luftën kundër krimit pa marrë parasysh kufijtë, duke deklaruar se: “Policia e Kosovës do të vazhdojë me shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare me qëllim të parandalimit, hetimit dhe zbulimit të aktiviteteve kriminale”.

Continue Reading

Vendi

Studentët e Arkitekturës në UBT realizojnë vizitë studimore në terren në lagjen Kalabria

Published

on

By

Në kuadër të lëndës Studio e Planifikimit Urban, studentët e vitit të dytë nga Fakulteti i Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në UBT kanë zhvilluar një vizitë studimore në lagjen Kalabria në Prishtinë, së bashku me profesoreshën Elvida Sahatqiu Pallaska.

Vizita në terren kishte për qëllim mbledhjen e të dhënave dhe vëzhgimin e drejtpërdrejtë të hapësirës urbane, si hap fillestar drejt analizës së gjendjes ekzistuese. Kjo analizë do të shërbejë si bazë për zhvillimin e detyrave semestrale të studentëve në këtë lëndë.

Përmes kësaj përvoje praktike, studentët patën mundësinë të thellojnë njohuritë e tyre duke lidhur aspektet teorike me realitetin urban, si dhe të zhvillojnë një qasje kritike ndaj organizimit dhe funksionimit të hapësirës në qytet.

Vizita u realizua në bashkëpunim me profesoreshën Elvida Sahatqiu Pallaska dhe asistentët Gazmend Uka dhe Agnesa Thaqi, të cilët udhëhoqën studentët gjatë procesit të vëzhgimit dhe analizës në terren.

Continue Reading

Lajmet

Konjufca pret ambasadorin Malaj: Koordinim i shtuar në politikën e jashtme dhe ftesë për Samitin e Diasporës

Published

on

By

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në një takim ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, ku fokus i diskutimit ishte fuqizimi i raporteve mes dy vendeve dhe interesi strategjik kombëtar.

Gjatë kësaj bashkëbisede, u vu theksi te nevoja për një bashkëpunim më të ngushtë ndërinstitucional dhe për harmonizimin e qëndrimeve në diplomacinë ndërkombëtare.

Palët u pajtuan se rritja e koordinimit në politikën e jashtme është në funksion të mbrojtjes dhe avancimit të interesave të përbashkëta në arenën globale.

Në kuadër të këtij takimi, ambasadori Malaj i përcolli ministrit Konjufca ftesën zyrtare për të marrë pjesë në Samitin e Diasporës, i cili organizohet çdo vit nga Republika e Shqipërisë.

Ky samit tashmë është kthyer në një platformë kyçe për forcimin e lidhjeve me mërgatën dhe bashkimin e forcave për qëllimet kombëtare.

Nga ana e tij, Konjufca ritheksoi se për Republikën e Kosovës mbetet prioritet i vazhdueshëm thellimi i marrëdhënieve me Shqipërinë, duke e cilësuar bashkëpunimin dypalësh si rrugën kryesore drejt avancimit të interesave strategjike të të dyja shteteve.

Continue Reading

Të kërkuara