Pyetja që i konfuzon të gjithë: A duhet t’i dërgoni një mesazh urimi ish-partnerit në ditëlindjen e tyre? Fatkeqësisht, nuk ka një përgjigje të vetme, pasi kjo varet plotësisht nga situata dhe marrëdhënia juaj aktuale me ish-in.
Eskpertët thonë se ka disa faktorë që duhet të merrni parasysh para se t’i uroni ditëlindjen ish-it. Sipas saj, gjëja më e mirë që mund të bëni është të vendosni më pak theks tek ish-i dhe më shumë te vetja dhe ndjenjat apo pritshmëritë tuaja, duke i bërë vetes këto pyetje:
1 – Çfarë shpresoni të ndodhë?
Nëse qëllimi juaj i vetëm është të zbukuroni ditën e ish-partnerit, atëherë duhet ta bëni, por shanset janë që ju të shpresoni për më shumë sesa thjesht “Faleminderit!” në përgjigje. Nëse urimi i ditëlindjes është mënyra juaj për të rifilluar komunikimin me të, atëherë mos e bëni. Kuptoni cilat janë synimet tuaja të vërteta.
2 – Keni ende nevojë për një “mbyllje” të saktë dhe përfundimtare të lidhjes?
Ndërsa urimi i ish-it tuaj për një ditëlindje duket si një mënyrë e thjeshtë për të filluar lidhjen përsëri, ajo gjithashtu mund t’ju ndihmojë të shihni shumë qartë pse marrëdhënia nuk ishte ideale. Ndonjëherë, një ndërveprim i shkurtër mund të mjaftojë për t’ju rikujtuar tiparet më zhgënjyese tek ish-partneri.
3 – Ka kaluar kohë e mjaftueshme që prej ndarjes dhe a jeni bërë miq?
Ju mund të krijoni një miqësi me një ish, por kjo kërkon kohë. Askush nuk kalon nga dashuri në miqësi brenda natës. Nëse ka kaluar një periudhë kohore dhe ju ndjeni se vërtet mund të bëheni ose jeni bërë miq apo të paktën ruani një marrëdhënie korrekte, mund ta uroni njëri-tjetrin.
4 – Mos po e romantizoni marrëdhënien?
Ndonjëherë, njerëzit i idealizojnë ish-at sepse nuk kanë gjetur dikë tjetër. Shmangni tundimin për të romantizuar ish-in apo për të rikujtuar vetëm pjesët pozitive të marrëdhënies. Rikujtoni të gjithë marrëdhënien në tërësi, në shumë këndvështrime.
5 – Mos po kërkoni të nxisni egon?
Ndjenjat e krijuara nga një ndarje – si dyshimi në vetvete, zemërimi, vetëvlerësimi i ulët etj – mund të ndikojnë në besimin tuaj tek vetja. Duke ditur se ju mund ta kontaktoni ish-partnerin dhe ndoshta të rinisni komunikimin mund t’ju sigurojë rritjen e egos që ju duhet. Nëse jeni në këtë situatë, një urim ditëlindjeje nuk duket një mendim i mirë.
6 – A janë fshirë tërësisht ndjenjat romantike për ish-in?
Përgjigjen e kësaj e dini vetëm ju. Ndarjet nuk janë kurrë të lehta, por është e rëndësishme të mbani mend arsyet pse lidhja juaj përfundoi. Një urim ditëlindjeje mund të duket mjaft i pafajshëm, por nëse do të ngadalësojë kohën për të “marrë veten” nga dashuria ose do t’ju ndalojë të ecni përpara, ndoshta është më mirë të mos e dërgoni fare.
Përgaitur nga Clarissa Silva, shkencëtare e sjelljes dhe trajnere marrëdhëniesh, Samantha Burns, trajnere takimesh dhe autore e librit “Breaking Up & Bouncing Back”.
Filmi shqiptar “Burri i Shtëpisë”, me regji nga Andamion Murataj, është shpërblyer me çmim special në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Bari (BIF&ST).
Juria vlerësoi në mënyrë të veçantë interpretimin e Drita Kaba Karagës, duke e cilësuar atë si të thellë dhe mbresëlënës. Filmi u vlerësua në seksionin “Meridiana”, duke u renditur ndër projektet më të spikatura të këtij edicioni.
Gjatë marrjes së çmimit, regjisori Andamion Murataj u shpreh i emocionuar për rikthimin në Bari pas shumë vitesh, duke theksuar se filmi nuk është vetëm shqiptar, por një bashkëprodhim shqiptaro-italian. Ai falënderoi bashkëpunëtorët dhe institucionet që mbështetën realizimin e projektit që në fazat e para.
Juria ndërkombëtare, e përbërë nga emra të njohur të kinematografisë, vlerësoi interpretimin e Karagës si një portretizim të fuqishëm dhe kompleks të një personazhi që sfidon normat, duke trajtuar tema si identiteti dhe amësia.
“Burri i shtëpisë” sjell në qendër historinë e një burrneshe në një shoqëri moderne shqiptare në ndryshim të vazhdueshëm. Performanca e Drita Kaba Karagës u konsiderua si një nga pikat më të forta të festivalit, duke u vlerësuar për mënyrën e natyrshme dhe të fuqishme të interpretimit të një personazhi kompleks.
Kori i Filharmonisë së Kosovës ka zhvilluar provat e përbashkëta me Konzertchor Münster për koncertin që mbahet sot.
Dy koret do të interpretojnë veprat “Requiem für Mignon” nga Robert Schumann dhe “Ballin Lartë!” nga Valton Beqiri.
Ky koncert shënon një moment të rëndësishëm për Filharmoninë e Kosovës, pasi për herë të parë Orkestra dhe Kori i saj do të performojnë në sallën prestigjioze të Filarmonisë së Berlinit në Berlin.
Ministrja e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, mori pjesë në ceremoninë përmbyllëse të programit GENESIS, i cili synon fuqizimin profesional të të rinjve në fushën e animacionit dhe zhvillimin e këtij sektori në Kosovë.
Programi u realizua nga Anibar në bashkëpunim me Institut français du Kosovo dhe me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës, duke përfshirë trajnime, masterclass-e, mentorim dhe prezantime projektesh me mundësi edhe për promovim ndërkombëtar.
Gjatë ceremonisë përmbyllëse u prezantuan projektet e pjesëmarrësve dhe u shpërndanë certifikatat, ndërsa ministrja Bogujevci theksoi rëndësinë e këtij programi për zhvillimin e industrisë kreative dhe përkrahjen e të rinjve.
Ndërkohë, Anibar vazhdon të mbështetet nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit me një program trevjeçar, duke dëshmuar rolin e saj të rëndësishëm në skenën kulturore dhe kreative në vend.
Në Ditën Botërore të Teatrit, Teatri Kombëtar i Kosovës prezantoi premierën e shfaqjes “Bidermani dhe Zjarrvënësit”, duke i dhënë publikut një mbrëmje të veçantë artistike.
Nën regjinë e Agon Myftarit, vepra e Max Frisch-it u interpretua me mjeshtëri nga aktorët, duke trajtuar dilema të thella morale dhe ekzistenciale, dhe duke reflektuar mbi përgjegjësinë individuale dhe shoqërore përmes simbolikës së zjarrvënësve.
Shfaqjen e ndoqën ministri i Arsimit, Hajrulla Çeku, zëvendësministrja e Kulturës, Nora Arapi Krasniqi, zëvendësministrja e Kulturës, Tijana Veljković, si dhe kryesuesja e Këshillit të Teatrit Kombëtar, Visare Aliu.
Kjo premierë është edhe një dëshmi e energjisë krijuese dhe përkushtimit të aktorëve dhe të gjithë profesionistëve të teatrit, që vazhdojnë të sjellin vepra që nxisin reflektim dhe dialog.