Lajmet

A duhet t’i ringjallim speciet e zhdukura?

Nga Charlotte Meyer.

Published

on

Nga Charlotte Meyer

Në vitin 2700 Para Krishtit, arkitekti i parë i njohur i historisë, Imhotep, ndërtoi piramidën e Xhozer, e konsideruar si më e vjetra në botë. Gati në të njëjtën kohë, në Siberi po zhdukeshin mamuthët e fundit në planet. Mijëra vite më vonë, kjo specie vazhdon të shkaktojë kuriozitet dhe magjepsje tek njerëzit.

Tani, projektet e reja synojnë ta nxjerrin kafshën parahistorike nga librat e historisë dhe ta rikthejnë në jetë. Kompania australiane e mishit të kultivuar, Vow, i tregoi publikut një qofte gjigante të prodhuar nga qelizat e kopjuara nga një vigan i tillë i leshtë në një laborator. Sipas tyre, ky top proteinik nga e kaluara mund t’i hapë rrugën për ushqimin tonë të së ardhmes. Në nivelin shkencor, ne kemi tashmë aftësi për të rikrijuar specie që janë zhdukur më pak se 1 milion vjet më parë. Colossal Biosciences, një kompani start-up e themeluar në vitin 2021 nga gjenetisti i Universitetit të Harvardit, Xhorxh Çërç, synon të krijojë elefantë gjigantë leshatorë.

Gjenetikët shpresojnë të integrojnë përfundimisht “mamofantin” e tyre në natyrë, sidomos në Parkun Pleistocen, në rajonin ekstrem verilindor të Siberisë. Në këtë park, Sergei Zimov dhe djali i tij Nikita, janë përpjekur prej 25 vjetësh të rikrijojnë tundrën siç ishte disa qindra mijëra vjet më parë gjatë Epokës Akullnajore, me fusha të gjera me bar të populluara nga barngrënës të mëdhenj.

Renat, bizonët dhe drerët, bredhin tani lirshëm në parkun me një sipërfaqe prej 14.400 hektarë. “Me përparimet teknike të viteve të fundit, mundësia e suksesit në projekte të tilla po bëhet gjithnjë e më e besueshme”- thotë Lionel Kavin, paleontolog dhe kurator në Muzeun e Historisë Natyrore në Gjenevë, dhe bashkë–autor i librit “Ringjallja e specieve?” me biologunevolucionar Nadir Alvarez.

Por sado magjepsëse që mund të jetë, kjo ide nuk i lumturon të gjithë. “Teknikisht, nuk mjafton vetëm që të kesh sukses”– thotë Rezhis Debryjn, paleontolog në Muzeun Kombëtar të Historisë Natyrore në Paris, për të cilin këto krijesa do të mbeten gjithmonë “pseudo-mamuthë”.

Për të, këto përpjekje nuk marrin parasysh periudhën e pas-zhdukjes. “4 mijë vjet më parë, lagështia e klimës shënoi fundin e mjedisit të kësaj specie. Mamuthi u shfaros sepse u zhduk mjedisi në të cilin kishte lulëzuar për gati 1 milion vite. Si mund të mbijetonte në kushte tëtjera?” pyet ai.

Një specie mbart me vete kujtesën e historisë së saj. Që mamuthi të mbijetojë sot, ai duhet të evoluojë në një mjedis stepe. Megjithatë, siç e thekson studiuesi, gjerësitë e larta të Arktikut përbëhen nga tundra moçalore, të cilat janë shumë të lagështa për këtë kafshë.

“Aty ka një bimësi të ulët që nuk mund të ushqejë popullata barngrënësish të mëdhenj, ndaj do të na duhet t’i ushqejmë vazhdimisht dhe t’i zhvendosnim për të shmangur vdekjen e sigurt. Ideja e rikrijimit të stepës duke risjellë në jetë barngrënësit e mëdhenj, mund të tingëllojë e mrekullueshme në letër, por në realitet përbën një përmbysje të shkakut dhe pasojës” thekson eksperti.

Qëndrueshmëria afatgjatë e specieve të ringjallura, nuk është aspak e sigurt. Përveç kësaj vështirësie mjedisore, shkencëtarët përmendim diversitetin gjenetik të nevojshëm për mbijetesën e kafshës. Sipas Debrujn, ky i fundit nuk është i mundur të krijohet artificialisht. Dhe ashtu si njerëzit, edhe këto kafshë mbështeten në transmetimin e brezave për të mësuarin e tyre. Si jetimë dhe pa një strukturë të vërtetë shoqërore, do të pakësoheshin shanset e tyre për të mbijetuar. “Në këtë pikë, ne të pyesim veten se si do të reagonte një vigan i lindur nga një elefant aziatik. Në këtë aspekt mund të kemi surpriza. Dhe pa kafshët që jetonin përkrah mamuthëve dhe që luajtën një rol të rëndësishëm në fiziologjinë e tyre, sjellja e tyre mbetet e paparashikueshme” shprehet Kavin.

Në përgjithësi, rikthimi i specieve të zhdukura mund të jetë një dhuratë e helmatisur. FlorensBurga, filozofe e specializuar në çështjet e kafshëve dhe drejtoreshë kërkimore në Institutin Kombëtar Francez për Kërkime Bujqësore, Ushqim dhe Mjedis, thotë:”Një specie mbart me vete kujtesën e historisë së saj. Imagjinoni sikur të ringjallim një njeri të species Neandertal. Ai do të ishte krejtësisht i çoroditur, sepse nuk ka kujtesën e gjithë këtij moderniteti, zhvillimi shkencor dhe teknik që formëson imagjinatën tonë, referencat tona, kush jemi ne. Një mamut i ringjallur do të ishte edhe më i çorientuar sesa një luan i futur në kafaz”.

Gjithsesi, themeluesit e Colossal kanë një argument bindës në favor të tyre. Ndërsa ndryshimet klimatike po shqetësojnë gjithnjë e më shumë mendjet e njerëzve, ata pretendojnë se kanë jo vetëm zgjidhjen për t’i dhënë fund zhdukjes së specieve, por edhe që kafsha gjigante ka aftësinë të ngadalësojë shkrirjen e permafrostit, duke kufizuar kështu emetimet e gazeve serrë.

“Toka e përhershme e ngrirë, po shkrihet gjithnjë e më shpejt. Sepse paradoksalisht bora që mbulon këtë zonë vepron si një izolim termik. Kjo e pengon tokën të qëndrojë e freskët. Ideja e Colossal, është që t’i dërgojë këta gjitarë të mëdhenj atje që të ngjeshin borën, në mënyrë që të ngadalësohet shkrirja e permafrostit dhe të reduktohen emetimet e gazit metanit” thotë Kavin.

Që të funksionojë projekti, duhet të rifuten në zonë disa qindra mijëra mamuthë. Ndaj Debrujn e sheh atë si asgjë më shumë sesa si një truk publicitar për të tërhequr financime.

Njerëzit janë përgjegjës për një zhdukje të gjashtë masive. Në 130.000 vjet, më shumë se 2.5 milionë specie janë zhdukur nga bota, me 500.000 vetëm 1500 vitet e fundit.

Duke premtuar se do të rikthejë në jetë kafshët, zhdukjen e të cilave ne mund ta kemi shkaktuar ne, kompania prek një nerv të ndjeshëm. Kjo mund të jetë vërtet zgjidhja për zhdukjen e specieve, por është e vështirë të mos shohësh edhe anë negative.

“Duke u përpjekur të na bëjnë të besojmë se do të zgjidhim problemet e biodiversitetit në këtë mënyrë, ata rrezikojnë të inkurajojmë mosveprimin e përditshëm në aspekte të tjera”–thotë Debrujn. Në vitin 2017, një studim i botuar në revistën shkencore “Nature Ecology & Evolution” vlerësoi se kostoja e ri–futjes së zogut me zile në ishullin Chatham, një zog i zhdukur në Zelandën e Re, është 360.000 dollarë vetëm për vitin e parë.

I njëjti dokument thotë se konvertimi i specieve të zhdukura, do të kërkonte 3-8 herë më shumë para sesa për speciet e kërcënuara. Nga ana tjetër, Colossal krenohet se ka mbledhurderi tani mbi 75 milionë dollarë, falë donatorëve të mëdhenj si Paris Hilton dhe Tomas Tull, ish-kreu i kompanisë së prodhimit të vitit 2018 “Jurassic World:Fallen Kingdom”. Këto shifra ngrenë pikëpyetje mbi prioritetet financiare që i janë dhënë botës së gjallë.

Marrë me shkurtime nga “Worldcrunch” – Bota.al

Continue Reading

Vendi

Gjashtë deputetë të LDK-së dalin kundër kandidatit për President, Kurti kërkon takime të reja me Abdixhikun

Published

on

By

Gjashtë deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë vendosur të dalin hapur kundër kandidaturës së profesor Bekim Sejdiut për President të Kosovës, duke krijuar një krizë të re politike dhe duke vënë në pikëpyetje marrëveshjen e arritur mes dy subjekteve. Pas këtij bllokimi, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se marrëveshja mbetet parimisht e vlefshme, por ngjarjet e fundit kërkojnë takime të menjëhershme me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku, si dhe me Kryesinë e Vetëvendosjes.

Vendimi i deputetëve Hykmete Bajrami, Avdullah Hoti, Arben Gashi, Kujtim Shala, Janina Ymeri dhe Armend Zemaj për të mos e votuar Sejdiun i heq marrëveshjes numrat e nevojshëm, duke lënë kandidatin me vetëm 74 vota garanci në Kuvend. Kurti konfirmoi se Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes i ka dhënë mbështetje të plotë këtij emri, ndërsa sjelljen e gjashtë deputetëve të LDK-së e cilësoi si të papërgjegjshme, absurde dhe tepër të dëmshme, pasi sipas tij po rrezikon ta çojë vendin në zgjedhjet e katërta brenda më pak se dy vjetëve.

Marrëveshja politike e njoftuar të hënën mes LDK-së dhe VV-së ishte arritur me mjaft mund, por refuzimi i brendshëm brenda LDK-së po e dërgon procesin drejt dështimit. Kurti theksoi se për Lëvizjen Vetëvendosje Sejdiu mbetet kandidati i vetëm zyrtar dhe se do të insistojë deri në fund në vlefshmërinë e marrëveshjes.

Lidhur me thirrjen e seancës konstituuese, Kurti sqaroi se i takon deputetit më të vjetër, Avni Deharit, ta thërrasë atë vetëm atëherë kur të ketë garanci se nuk do të ketë tensione apo incidente. I pyetur për një bashkëpunim të mundshëm me AAK-në e cila numëron shtatë deputetë, Kurti u shpreh i hapur për takime, por refuzoi kushtëzimet paraprake të këtij subjekti — përfshirë kërkesën për pranimin e gazit amerikan — duke kërkuar dialog pa barriera.

/E.A/

Continue Reading

Lajmet

LDK-ja mbështet zyrtarisht Bekim Sejdiun për President, u bën thirrje deputetëve për votim

Published

on

By

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka vendosur zyrtarisht të mbështesë kandidaturën e profesorit Bekim Sejdiu për President të Republikës së Kosovës. Vendimi është marrë gjatë mbledhjes së Kryesisë, në përputhje me procedurat statutare dhe autorizimet e dhëna nga Kuvendi i partisë.

Përmes një deklarate për media, LDK-ja bëri të ditur se marrëveshja e miratuar politike synon përmbylljen e procesit të zgjedhjes së kreut të shtetit dhe parandalimin e një krize të re institucionale në vend.

Subjekti opozitar vlerësoi se përvoja e gjatë e Sejdiut në fushën e së drejtës kushtetuese dhe në diplomaci e bën atë një kandidat të dinjitetshëm që garanton ushtrim të pavarur e të paanshëm të detyrës. Kryesia e LDK-së i ka bërë thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës që ta mbështesin këtë propozim gjatë votimit. /E.A/

Continue Reading

Vendi

Edhe pak vende të lira në disa programe studimi Bachelor në UBT

Published

on

By

Për të gjithë maturantët që kanë marrë pjesë në afatin e dytë të Testit të Maturës dhe synojnë një arsim cilësor me standarde ndërkombëtare, zgjedhja e tyre e drejtë është UBT. Ata kanë mundësi të zgjedhin mes disa programeve studimore ku kanë mbetur edhe pak vende të lira për vitin e ri akademik.

Si institucioni arsimor lider në rajon për inovacion dhe teknologji, UBT ofron infrastrukturën më moderne dhe laboratorët më të avancuar për përgatitjen e profesionistëve të së ardhmes. Përmes kurrikulave moderne të ndërtuara në bashkëpunim me universitetet më të njohura botërore, studentët përfitojnë dije praktike që u garantojnë punësim të shpejtë në tregun e punës.

Ky është shansi i fundit për të siguruar një vend në komunitetin më të madh të dijes dhe për të marrë një diplomë të njohur ndërkombëtarisht. Regjistrimet po vazhdojnë në të gjitha kampuset e UBT-së, prandaj nxitoni të bëheni pjesë e suksesit dhe të ndërtoni karrierën tuaj të ëndrrave!

Continue Reading

Lajmet

Skandali në BKS zgjerohet në 69 të pandehur: Ngrihen 35 prona dhe llogari bankare për dëmin mbi 1.2 milionë euro

Published

on

By

Prokuroria Themelore në Prizren dhe Policia e Kosovës kanë njoftuar zgjerimin e hetimeve lidhur me keqpërdorimet financiare në Byronë Kosovare të Sigurimeve (BKS). Me veprimet e fundit të ndërmarra më 1 shtator 2026, numri i të pandehurve ka arritur në 69 persona, ndërsa dëmi i përgjithshëm i shkaktuar ndaj BKS-së tashmë llogaritet mbi 1.2 milionë euro.

Hetimet janë zgjeruar ndaj 21 zyrtarëve të rinj të BKS-së, të cilët dyshohen për veprën penale “Keqpërdorimi i besimit në ndihmë”. Këta punonjës dyshohet se kanë mundësuar ose marrë pjesë në transferimin e mjeteve financiare pa mbulesë, në vlera nga 2,000 deri në 53,000 euro për person. Ky aktivitet i kundërligjshëm i ka shkaktuar BKS-së një dëm shtesë prej rreth 200,000 eurosh, duke iu shtuar shumës fillestare prej 1,043,000 eurosh të identifikuar në janar.

Të pandehurit janë intervistuar në Stacionin Policor në Prishtinë nga Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, në prani të drejtuesve të Prokurorisë Themelore të Prizrenit.

Paralelisht me procesin penal, me mbështetjen e Njësitit të Hetimeve të Integruara Financiare dhe Njësisë së Inteligjencës Financiare, janë ndërmarrë masa për ngrirjen e pasurisë së fituar nga kjo veprimtari:

35 prona të sekuestruara: Janë ngrirë parcela kadastrale, banesa dhe garazhe që lidhen me tre të pandehurit kryesorë.

21 llogari bankare të bllokuara: Është urdhëruar ngrirja e menjëhershme e llogarive bankare të personave të dyshuar.

Prokuroria dhe Policia e Kosovës konfirmuan se hetimet po vazhdojnë me intensitet për zbardhjen e plotë të kësaj skeme të keqpërdorimit dhe vënien e të gjithë përgjegjësve para drejtësisë. /E.A/

 

Continue Reading

Të kërkuara