Lajmet

A do t’i mbijetojë Venecia ndryshimeve klimatike?

Mbijetesa e Venecias është në rrezik, kjo sipas disa udhëheqësve.

Published

on

Për t’i mbijetuar ndryshimeve klimatike, Venecias do t’i duhet të rimendojë mbrojtjen nga përmbytjet, e cila është e vjetëruar.

3 tetori e vitit 2020 ishte një ditë e rëndësishme për venecianët. Atje ishte parashikuar një valë e lartë, e cila normalisht do t’i kishte parë zonat e ulëta të qytetit nën disa centimetra ujë, por megjithatë kjo nuk ndodhi dhe rrugët mbetën të hapura.

Ujërat ishin frenuar nga MOSE (Modulo Sperimentale Elettromeccanico), një sistem portash i projektuar për raste të përmbytjeve. Shumë njerëz kishin përgatitur çizmet e tyre të gomës, duke e pasur të vështirë të besonin se sistemi do të funksiononte vërtet. Megjithatë gjatë gjithë ditës, rrugët mbetën në gjendjen e tyre normale.

Por nga disa, po vihet në pikëpyetje se a do të mund ky sistem t’a mbrojë qytetin edhe për shumë kohë…

Udhëheqësit kulturorë u mblodhën së fundi për t’ia shkruar një letër kryeministrit italian, Mario Draghi. Ata paralajmëruan se qyteti është larg nga të qenit i sigurt dhe nuk do të kalojë shumë kohë para se të nevojiten urgjentisht mbrojtje të reja kundër përmbytjeve. E fajtori kryesor, sipas tyre, është ndryshimi i klimës.

Rritja e nivelit të detit, e parashikuar për një të ardhme jo shumë të largët, do të vëjë në pikëpyetje funksionalitetin e barrierave. Anna Somers Cocks, kryeredaktore e Gazetës Art dhe një nga autoret e letrës drejtuar kryeministrit, shpjegon se MOSE është e papërgatitur për nivele më të larta të detit.

Kjo është për shkak se është projektuar në vitet 1980-ta dhe nuk i përshtatet ndryshimit të sotëm të klimës, transmeton UBT News.

Në letrën drejtuar kryeministrit, autorët referojnë parashikimet rajonale të publikuara nga Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike (IPCC) në vitin 2021. Ata parashikojnë një rritje të nivelit mesatar të detit deri në vitin 2100 prej 28-55 centimetra në skenarin e tyre më optimist të ngrohjes globale – dhe 63-101 centimetra në skenarin më pesimist.

Siç shpjegon Somers Cocks, mbylljet shumë të shpeshta që pengojnë shkëmbimin e baticës së ujërave midis lagunës dhe detit “do ta kthenin lagunën në një moçal të vdekur e të qelbur”.

Ajo shton se është një fakt pak i njohur që Venecia nuk ka ende një sistem të plotë të kanalizimit.

Një ekip hulumtues nga Universiteti i Padovës ka analizuar efektin e barrierave MOSE në mjedisin natyror të Venecias. Gjetjet e tyre, të publikuara së fundmi në një raport në Nature Geoscience, tregojnë se ngritja e barrierave tashmë po shkakton probleme.

Në raport, thuhet se shpërthimet e stuhisë, në veçanti, janë jetike për mobilizimin e rërës dhe baltës dhe dërgimin e saj në sipërfaqen e kënetës, por MOSE tani ka të ngjarë të aktivizohet në këto kushte moti – duke e parandaluar këtë shpërndarje./UBTNews/

Lajmet

Përplasje në KPK, raporton Blerim Isufaj

Published

on

By

Raportimi i kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, para Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) për punën e vitit 2025, është shoqëruar me tensione e debate me kryesuesin e këtij institucioni, Arian Gashi.

Përplasja nisi gjatë kohës kur anëtarët e Këshillit po i parashtronin pyetje Isufajt. Kryesuesi Arian Gashi ndërhyri duke i kërkuar kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale që vetëm t’u përgjigjet pyetjeve dhe të mos tentojë t’u bëjë pyetje apo të kërkojë llogari nga anëtarët e KPK-së.

Nga ana e tij, Isufaj — i cili ka mbajtur më parë postin e kryesuesit të KPK-së — u shpreh se po jepte argumentet e tij dhe se nuk po i bënte pyetje askujt. Megjithatë, Gashi u tregua i prerë duke deklaruar se rolet tashmë kanë ndryshuar dhe se është kryeprokurori ai që duhet të raportojë e të dëgjojë para Këshillit, e jo e kundërta. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Haxhiu pranon letrat kredenciale të ambasadores së re zvicerane në Kosovë

Published

on

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pranuar sot letrat kredenciale të ambasadores së re të Konfederatës Zvicerane në Kosovë, Anne-Lise Cattin Hennin.

Haxhiu i ka uruar ambasadores mirëseardhje në Kosovë dhe sukses në misionin e saj diplomatik, duke shprehur bindjen se gjatë mandatit të saj do të forcohen më tej marrëdhëniet mes Kosovës dhe Zvicrës.

Ajo ka theksuar se Kosova e vlerëson miqësinë dhe mbështetjen e Zvicrës, veçanërisht gjatë periudhave më të vështira, si dhe bashkëpunimin në fushat politike, ekonomike, zhvillimore dhe të sigurisë.

Haxhiu ka veçuar edhe rolin e mërgatës së Kosovës në Zvicër, duke thënë se ajo ka dhënë kontribut të rëndësishëm në jetën ekonomike, shoqërore dhe kulturore të të dyja vendeve.

U.D. Presidentja e ka siguruar ambasadoren Cattin Hennin për bashkëpunimin e plotë të institucioneve të Kosovës në avancimin e mëtejshëm të partneritetit mes dy shteteve./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Asociacioni i Komunave kritikon Ministrinë e Arsimit: Viti shkollor nisi, ju ende jo

Published

on

Asociacioni i Komunave të Kosovës ka shprehur shqetësim për problemet me të cilat, sipas tij, ka nisur viti i ri shkollor në Kosovë.

Drejtori ekzekutiv i këtij asociacioni, Sazan Ibrahimi, ka thënë se bazuar në informatat e pranuara nga drejtorët komunalë të arsimit, një numër i madh i nxënësve e kanë nisur mësimin pa tekstet shkollore, ndërsa shkollave u mungon edhe dokumentacioni i nevojshëm shkollor dhe kurrikular.

Sipas Asociacionit, shqetësuese janë edhe raportimet e prindërve se në disa raste mjetet financiare për blerjen e teksteve shkollore ende nuk janë transferuar.

AKK-ja ka kritikuar Ministrinë e Arsimit, duke vlerësuar se këto çështje është dashur të përfundohen para fillimit të vitit shkollor dhe jo pasi mësimi ka nisur.

“Mësimi ka filluar, Ministria ende jo!”, thuhet në reagimin e Asociacionit.

AKK-ja i ka kërkuar Ministrisë së Arsimit që urgjentisht t’i përmbushë obligimet e saj dhe të mos ua bartë komunave, shkollave, mësimdhënësve dhe prindërve pasojat e vonesave në nivelin qendror.
“Nxënësit duhet t’i kenë librat dhe shkollat dokumentacionin që në ditën e parë. Arsimi nuk improvizohet!”, ka thënë ai./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Kurti paralajmëron takime të reja me LDK-në

Published

on

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka paralajmëruar takime të reja me Lidhjen Demokratike të Kosovës sa i përket çështjes së presidentit. Ka deklaruar se përkundër kundërshtive brenda LDK-së, marrëveshja për emrin e Bekim Sejdiut për president, është ende valide.

Ai tha se takimet e reja me LDK-në do të zhvillohen për t’u gjetur zgjidhje.

“Flasim në Prishtinë për këto çështjet tjera. Këtu jemi për eficiencë të energjisë. Por, natyrisht, siç kam thënë mbrëmë, do të zhvillojmë edhe takime dhe mbledhje. Për neve marrëveshja politike është valide”, tha Kurti.

Ai nuk përjashtoi që një takim i tij me liderin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, të mbahet dikur më vonë, por konfirmoi se diçka e tillë nuk ndodhi në mëngjes.

“Jo se në mëngjes u nisa për Viti”, tha ai.

Kurti i bëri këto deklarata pas ceremonisë së përurimit të implementimit të masave të efiçiencës së energjisë në shkollën “28 Nëntori” në Viti.

Një ditë më parë, Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Arben Gashi, Janina Ymeri, Armend Zemaj e Kujtim Shala dolën kundër marrëveshjes që kryetari i këtij subjekti e arriti me Vetëvendosjen për të propozuar Bekim Sejdiun për president. Madje marrëveshja u mbështet edhe nga Kryesia e partisë. Pa këto vota, votimi i Sejdiut duket i paarritshëm nëse nuk përfshihen parti të tjera shqiptare./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara