Lajmet

A do të rikthehet ekonomia botërore në normalitet në vitin 2022?

Pagat në sektorin e argëtimit dhe të turizmit janë në rritje.

Published

on

Nga Henry Curr

“The Economist”

Edhe sa do të zgjasin forcat stagflacioniste që po veprojnë aktualisht mbi ekonominë botërore? Gjatë gjithë vitit 2021, bankat qendrore dhe shumica e ekonomistëve kanë thënë se faktorët që shkaktojnë rritjen e inflacionit dhe ngadalësimin e rritjes ekonomike, do të jenë të përkohshëm.

Se kriza e zinxhirit të furnizimeve do të zbehej, se çmimi i energjisë do të ulej dhe se punonjësit në vendet e zhvilluara që kanë mbetur jashtë fuqisë punëtore – për arsye që askush nuk i kupton plotësisht – do të riktheheshin në punë.

E megjithatë, ndërsa viti 2021 i afrohet mbylljes, tregjet financiare, publiku, madje edhe vetë bankierët qendrorë kanë filluar që ta humbasin besimin. Dilema me të cilën përballen politikë–bërësit është e fortë. Përgjigja që japin tekstet shkollore ndaj inflacionit të shkaktuar nga ndërprerjet e furnizimeve, është shpërfillja dhe duke e lënë që të largohet vetë.

E pse të dëmtohen ekonomitë me normat më të larta të interesit, të cilat tek e fundit nuk do të zhbllokojnë situatën në porte, nuk do të krijojnë furnizime të reja me gaz natyror, dhe as nuk do t’i japin fund pandemisë së Covid-19?

Në vitin 2011, inflacioni në Britani u rrit në 5.2 për qind si pasojë i rritjes së çmimeve të mallrave, por Banka e Anglisë i mbajti të ulëta normat e interesit. Në eurozonë, Banka Qendrore Evropiane i rriti normat, duke ndihmuar në daljen e ekonomisë së saj nga recesioni, dhe shumë shpejt u përball me një inflacion shumë nën objektivin e saj.

Ashtu si atëherë, inflacioni në vitin 2022, i nxitur nga çmimet e larta të energjisë ka të ngjarë që të bjerë. (Inflacioni është shkalla e ndryshimit të çmimeve, gjë që do të thotë që edhe nëse çmimet nuk kthehen në nivelet e mëparshme, mjafton që të mos rriten aq shpejt).

Por krahasimi me fillimin e viteve 2010 është i pasaktë. Vështirësitë që ka hasur tregtia globale këtë vit, nuk janë shkaktuar vetëm nga ndërprerjet e zinxhirëve të furnizimit, siç janë për shembull vatrat e reja tëCovid-19 që po detyrojnë mbylljen e shumë fabrikave në Vietnam.

Ndëkohë stimulimi masiv fiskal dhe monetar, i kombinuar me distancimin social, i nxiti konsumatorët të konsumonin mallra nga më të ndryshmet, për të cilat as nuk kishin nevojë.

Në verën e këtij viti, shpenzimet e amerikanëve për produkte fizike ishin 7 për qind mbi prirjen mesatare para pandemisë. Edhe në vende të tjera, ka mungesë të mallrave në krahasim me kërkesën jashtëzakonisht të lartë për to.

Që ekonomia botërore të rikthehet në një lloj normaliteti, duhet që konsumatorët të shpenzojnë më shumë nga paratë e tyre të bollshme për shërbime, si ushqimi në restorant dhe udhëtimet. Mjerisht, ekonomitë janë të dëmtuara nga mungesa e punëtorëve të nevojshëm në këto industri, gjë që pengon lulëzimin e tyre.

Pagat në sektorin e argëtimit dhe të turizmit janë në rritje. Shumë ekonomistë shpresonin që punonjësit do të riktheheshin në masë, pasi përfundoi mbështetja emergjente për tregjet e punës, siç ishin skemat e ndihmës sociale për ata që u pushuan nga puna.

Por deri më tani, çuditërisht ka pak shenja që kjo gjë do të ndodhë. Që inflacioni të jetë i përkohshëm, duhet që të ndalet si rritja e pagave po ashtu edhe rritja e çmimeve. Alternativat janë një rritje e pamundur e produktivitetit, ose marzhe më të ulëta të fitimit, të cilat për biznese të tilla si restorantet janë tashmë të ulëta.

Disa ekspertë të politikave monetare, kanë filluar që të kenë frikë se mos ndodh e kundërta:rritja e pagave vazhdon, ndërsa punonjësit presin një inflacion më të lartë. Bota e pasur nuk ka parë një spirale të rritjes së madhe të pagave që prej vitit 1970, dhe ekspertët argumentojnë se në ekonomitë pa një rol të rëndësishëm të sindikatave, punëtorët nuk kanë gjasa që të negociojnë me punëdhënësit për paga më të larta.

Por nëse pritshmëria në rritje mbi inflacionin vërtetohet të jetë një profeci vetëpërmbushëse, atëherë puna e bankave qendrore do të bëhet papritmas shumë më e vështirë. Ata nuk do të ishin më në gjendje që ta mbanin inflacionin sipas objektivave të tyre, pa sakrifikuar vendet e punës.

Tregjet në zhvillim janë mësuar me këtë kalim të dhimbshëm midis rritjes ekonomike dhe inflacionit, por për dekada ajo nuk e ka dëmtuar shumë botën e pasur. Ndër vendet e mëdha të pasura, më pranë politikave monetare shtërnguese është Banka e Anglisë, e cila synon të ruajë besueshmërinë e objektivit të saj mbi inflacionin, në vend që kjo të garantohet nga kushtet ekonomike themelore.

Është e lehtë të imagjinohet që politikë–bërësit të rrisin normat e interesit, dhe më pas të pendohen për këtë veprim. Ndonëse inflacioni do të mbetet i lartë në muajt e parë të vitit 2022, bankierët qendrorë zakonisht mendojnë se duhet të paktën një vit e gjysmë që normat më të larta të interesit të japin efektin e tyre të plotë në ekonomi.

Forcat që më parë mbanin në nivele të ulëta normat globale dhe inflacionin – ndryshimi demografik, pabarazia dhe kërkesa e shfrenuar globale për asete të sigurta – mund të kenë rifituar fuqinë e tyre deri atëherë.

Forcimi i menjëhershëm i politikave fiskale në shumë vende, do të ndihmojë në qetësimin e ekonomive:Britania ka njoftuar rritje të mëdha të taksave, ndërsa presidenti amerikan Joe Biden po përpiqet të miratojë në Kongres disa programe të mëdha shpenzimesh.

Dhe rritja më e ngadaltë ekonomike në Kinë, vend që po përballet me një krizë në tregun e pasurive të paluajtshme, mund të përhapet globalisht. Mbi të gjitha, pandemia nuk ka mbaruar ende. Përhapja e mëtejshme e virusit mund t’i dëmtojë sërish ekonomitë nëse zbehet imuniteti, dhe nëse vaksinat nuk do të jenë efektive për variantet e reja të virusit që mund të shpërfaqen.

Por me zinxhirët e furnizimit në limitet e tyre, bota nuk mund të përsërisë iluzionin e ruajtjes së rritjes ekonomike në nivelet e dëshiruara, përmes përdorimit të stimujve fiskalë, që i zhvendos shpenzimet e konsumatorit drejt mallrave fizikë.

Përkundrazi, bankat qendrore do të duhet të frenojnë rritjen e shpenzimeve përmes miratimit të normave më të larta të interesit,për të shmangur inflacionin e tepruar, për aq kohë sa oferta të përshtatet me modelet e shpenzimeve dhe tregun e punës, të cilat aktualisht janë shumë të ndryshme nga situata që mbizotëronte në vitet 2010. Nëse normaliteti nuk kthehet në vitin 2022, alternativa është një rregullim i dhimbshëm ekonomik.Bota.al

Vendi

UBT nis bashkëpunim ndërkombëtar me Liberty University për “Virtual NATO Simulation”

Published

on

By

Është mbajtur takimi i parë online i punës që shënon nisjen e një bashkëpunimi të rëndësishëm akademik ndërkombëtar në kuadër të aktivitetit “Virtual NATO Simulation”, i cili për herë të parë po zhvillohet në Kosovë me përfshirjen e studentëve të University for Business and Technology.

Ky projekt inovativ synon të sjellë një përvojë të drejtpërdrejtë të proceseve vendimmarrëse dhe diplomatike në kuadër të NATO, përmes një simulimi virtual që përfshin role të nivelit të lartë politik, diplomatik dhe të sigurisë.

Në kuadër të këtij simulimi, me iniciativë të Dekanes së Fakultetit Shkenca Politike në UBT, dy grupe studentësh, do të përfaqësojnë shtete anëtare të NATO-s përmes formatit role play. Njëri grup do të simulojë rolin e Turqia, ndërsa grupi tjetër atë të Italia, duke u angazhuar në diskutime dhe vendimmarrje që pasqyrojnë realitetin e sfidave të sigurisë ndërkombëtare.

Përmes këtij angazhimi, studentët do të përjetojnë nga afër dinamikën e negociatave, koordinimit institucional dhe diplomacisë shumëpalëshe.

Ky bashkëpunim po realizohet në partneritet me Liberty UniversityShtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe me universitete të tjera të rajonit, duke krijuar një hapësirë të përbashkët akademike për shkëmbim përvojash, njohurish dhe praktikash ndërkombëtare.

Virtual NATO Simulation u ofron studentëve një qasje praktike dhe ndërvepruese ndaj çështjeve të sigurisë globale, duke zhvilluar aftësi konkrete në analizë strategjike, komunikim institucional dhe bashkëpunim ndërkombëtar.

Takimi i parë online përbën hapin fillestar të një rrugëtimi të ri për UBT-në dhe studentët e saj, duke e pozicionuar Kosovën në një platformë aktive të bashkëpunimit akademik ndërkombëtar dhe duke dëshmuar rolin në rritje të institucioneve vendore në nisma që ndërlidhin arsimin e lartë me realitetet globale.

Continue Reading

Lajmet nga UBT

Profesoresha e Fakultetit të Medias dhe Komunikimit në UBT, Xhevahire Millaku pjesë e konferencës shkencore në Universitetin e Bolonjës

Published

on

By

Profesoresha e Fakultetit të Medias dhe Komunikimit në UBT, Xhevahire Millaku mori pjesë në një konferencë shkencore ndërkombëtare të organizuar nga Universiteti i Bolonjës, në bashkëpunim me disa universitete shqiptare.

I themeluar në vitin 1088, Universiteti i Bolonjës konsiderohet universiteti më i vjetër në botë dhe një ndër institucionet më të rëndësishme të arsimit të lartë në Evropë, me një traditë të gjatë akademike dhe kërkimore.

Konferenca, e mbajtur më 19 dhe 20 shkurt 2026, kishte për temë kryesore: “Arbëreshët e Italisë, një qytetërim midis dy brigjeve të Adriatikut” (The Arbëreshë of Italy, a civilization between the two shores of the Adriatic Sea).

Gjatë dy ditëve të zhvillimit të saj, studiues nga fusha të ndryshme trajtuan aspekte historike, kulturore, gjuhësore dhe identitare të komunitetit arbëresh, duke theksuar rolin e tyre në ndërlidhjen mes Shqipërisë dhe Italisë.

Në kuadër të kësaj konference, Prof. ass. dr. Xhevahire Millaku prezantoi kumtesën me temë: “Gjuha dhe arti diplomatik e letrar i Ismail Kadaresë në studimet italiane”.

Në paraqitjen e saj, ajo trajtoi dimensionin gjuhësor dhe estetik të veprës së shkrimtarit të njohur shqiptar Ismail Kadare, duke u ndalur në mënyrën se si krijimtaria e tij është studiuar dhe interpretuar në qarqet akademike italiane, si dhe në rolin që ajo ka luajtur në ndërtimin e urave kulturore ndërmjet dy vendeve.

Continue Reading

Lajmet

Pjesëmarrje rekord në Testin Provues të Arritshmërisë të organizuar nga UBT International Smart Schools: Mbi 1,500 nxënës nga e gjithë Kosova

Published

on

By

UBT International Smart Schools organizoi me sukses edicionin e dytë të Testit Provues të Arritshmërisë, me mbi 1,500 nxënës të klasave të 9-ta nga e gjithë Kosova që morën pjesë. Ky test, i vetmi i këtij lloji në vend, ka për qëllim vlerësimin gjithëpërfshirës të njohurive të nxënësve dhe do t’u ofrojë atyre që kanë sukses mundësinë për të fituar bursa shkollimi nga 25% deri në 100% në UBT International Smart Schools.

Testi u zhvillua online dhe pa pagesë, duke mundësuar pjesëmarrje të lehtë nga çdo vend. Ai u nda në katër pjesë kryesore:

  • Gjuhët dhe Komunikimi – Gjuhë Shqipe dhe Gjuhë Angleze
  • Shkencat e Natyrës – Biologji, Kimi dhe Fizikë
  • Shkencat Shoqërore – Histori dhe Gjeografi
  • Matematika dhe Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit (TIK)

Ky test provues ishte një mundësi unike për nxënësit që të testojnë njohuritë e tyre dhe të hapin rrugën drejt një arsimi cilësor, inovativ dhe ndërkombëtar. Pjesëmarrja rekord e mbi 1,500 nxënësve tregon interesin e madh të të rinjve për të zhvilluar potencialin e tyre akademik dhe për të përfituar nga mundësitë e bursave të ofruara.

UBT International Smart Schools falënderon të gjithë nxënësit dhe prindërit për besimin dhe pjesëmarrjen, duke theksuar se përkushtimi ndaj arsimit dhe inovacionit mbetet prioritet kryesor i institucionit.

Për më shumë informacione mbi programet dhe mundësitë e tjera të UBT International Smart Schools, mund të kontaktoni në 046 332 233.

Continue Reading

Lajmet

Fatlume Bunjaku nderohet me çmimin “European Shooting Star” në Berlinale

Published

on

By

Aktorja shqiptare nga Kosova, Fatlume Bunjaku, është shpallur fituese e çmimit prestigjioz European Shooting Stars në kuadër të Berlinale, duke shënuar një arritje të jashtëzakonshme për kinematografinë shqiptare dhe atë ballkanike në skenën ndërkombëtare. Ky program, i organizuar çdo vit nga European Film Promotion në bashkëpunim me Berlinalen, konsiderohet një nga platformat më prestigjioze për promovimin e aktorëve evropianë me potencial për një karrierë ndërkombëtare të suksesshme.

Juria e këtij edicioni përbëhej nga emra të njohur të botës së filmit, përfshirë regjisorin fitues të Oscar-it, Danis Tanović, aktoren Danica Ćurčić, kritiken e filmit Leila Latif, regjisoren Jo Monteiro dhe producentin Jacques-Henri Bronckart. Sipas vlerësimit të tyre, Bunjaku lë një gjurmë të pashlyeshme te shikuesi, duke shfaqur një prezencë të fuqishme në ekran dhe një thellësi emocionale mbresëlënëse. Juria theksoi se talenti dhe angazhimi i saj e bëjnë atë një aktore me potencial të jashtëzakonshëm.

Përveç suksesit në film, Fatlume Bunjaku njihet edhe si profesoreshë në Fakultetin e Arteve Dramatike në UBT, ku ndan eksperiencën dhe pasionin e saj me studentët, duke i frymëzuar ata drejt karrierave në art dhe aktrim. Prania e saj si “Shooting Star” në Berlinale u cilësua si një moment historik jo vetëm për Kosovën dhe Shqipërinë, por për të gjithë rajonin e Ballkanit.

Gjatë ceremonisë, Bunjaku tërhoqi vëmendjen e agjentëve dhe regjisorëve ndërkombëtarë, jo vetëm për interpretimin e saj bindës, por edhe për qasjen modeste dhe të ngrohtë. Në fjalimin e saj, ajo bëri thirrje që industria globale e filmit të vlerësojë kineastët e Ballkanit, duke theksuar potencialin e madh të rajonit dhe nevojën për më shumë mundësi dhe bashkëpunime ndërkombëtare.

Aktorja u nominua në këtë program për filmin Hana, me regji nga Ujkan Hysaj, ku interpreton rolin suportues të Mrikës. Ky vlerësim i hap rrugë prezantimit të saj në një nga skenat më të rëndësishme të kinematografisë botërore dhe shënon një kapitull të ri krenarie për artin shqiptar në nivel evropian dhe global.

Continue Reading

Të kërkuara