Lajmet
A do të mund të votohet nga Kosova në referendumin e Serbisë?
Hasani: Referendumi kushtetues është çështje e sovranitetit.
Published
4 years agoon
By
Betim GashiPjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë do të kenë mundësinë që përmes postës ose përmes Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, të votojnë në referendumin e organizuar nga Serbia për ndryshimet kushtetuese për gjyqësorin, konfirmojnë zyrtarët e Qeverisë së Kosovës për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tyre, kjo është forma e vetme, përmes së cilës pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë do të votojnë në referendumin që do të mbahet më 16 janar.
Ata thonë se në mjediset e banuara me shumicë serbe nuk do të ketë hapje të vendvotimeve.
Qeveria e Kosovës ofron një mundësi të votimit
“Kemi ofruar mundësinë e votimit nëpërmjet postës ose nëpërmjet Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, e cila edhe ashtu është derivat i marrëveshjes së arritur në Bruksel më 2012, për hapjen e zyrave ndërlidhëse të Kosovës në Beograd dhe të Serbisë në Prishtinë”, thuhet në përgjigjen me shkrim, të cilën Qeveria e Kosovës ia ka dërguar Radios Evropa e Lirë.
Nga Zyra Ndërlidhëse e Serbisë në Kosovë, e cila gjendet në ndërtesën e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Prishtinë, nuk janë përgjigjur në thirrjet e Radios Evropa e Lirë.
Më 29 dhjetor të vitit 2021, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Qeveria e Kosovës është në dijeni që Serbia synon të mbajë referendum në Kosovë, porse ai nuk pajtohet për një gjë të tillë.
“Qeveria e Republikës së Kosovës nuk është dakord me një synim të tillë, jo vetëm për shkak se kjo është në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën tonë, por edhe për shkak se konsiderojmë që praktikat e mëhershme që i kanë aplikuar qeveritë e mëparshme, kanë qenë po ashtu në shkelje të ligjit dhe Kushtetutës sonë… Ne jemi kundër dhe natyrisht që, si Qeveri, qëndrimi jonë është edhe veprim i yni”, ka thënë Kurti.
Po atë ditë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka reaguar duke thënë se për moslejimin e mbajtjes së referendumit në mjediset serbe në Kosovë, do t’i drejtohet bashkësisë ndërkombëtare.
“A do të reagoni kështu në qoftë se serbët në Kosovë do të ndalojnë të marrin pjesë në zgjedhjet e tyre ose që, mos dhëntë Zoti, në veri të thonë se zgjedhje të tilla nuk do të ketë fare”, ka thënë Vuçiq.
Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, gjatë një takimi me ambasadorët e vendeve të Quint-it më 6 janar, është shprehur e pakënaqur me vendimin e autoriteteve në Kosovë për të mos lejuar referendumin.
Hasani: Referendumi kushtetues është çështje e sovranitetit
Enver Hasani, profesor i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë se Qeveria e Kosovës ka të drejtë që të mos lejojë organizimin e referendumit të Serbisë në Kosovë.
Sipas tij, “referendumi kushtetues çdo herë është manifestim i sovranitetit shtetëror dhe nacional të një vendi”.
Në rastin konkret, siç thotë profesor Hasani, bëhet fjalë për dy sovranitete konkurrente dhe, sipas tij, “Serbia nuk ka të drejtë dhe nuk mund të ushtrojë sovranitetin ose kompetencat e sovranitetit në territorin e Kosovës”.
Për këtë arsye, ai thotë se pavarësisht insistimit të presidentit serb, Vuçiq, se do të kërkojë nga bashkësia ndërkombëtare që të bëjë presion mbi Kosovën për mbajtjen e referendumit të 16 janarit edhe në Kosovë, një presion i tillë nuk do të ndodhë.
“Nuk e besoj, sepse referendumi kushtetues është çështje e sovranitetit dhe nuk besoj që ka shtet që mund t’i bëjë Kosovës presion për të pranuar. Në një rast të tillë, Kosova do t’i nënshtrohej sovranitetit serb dhe nuk besoj që mund ta bëjë dikush një presion të tillë, për të lejuar një sovranitet tjetër që të ushtrohet në territorin e Republikës së Kosovës”, thotë Hasani.
Muhaxhiri: Vendimi të mos ndikojë në raportet me aleatët
Njohësi i zhvillimeve politike, Artan Muhaxhiri, thotë se Qeveria e Kosovës do të jetë para një sfide shumë të madhe në rastin e moslejimit në Kosovë të referendumit të Serbisë për ndryshimet kushtetuese.
“Ajo (Qeveria e Kosovës) mund të fitojë shumë nëse nuk e lejon mbajtjen e referendumit, sepse për qytetarët e Kosovës kjo do të jetë hera e parë që do t’u dëshmohet se edhe organizimet e tilla mund të parandalohen dhe mund të konsiderohet si një etapë e re në raportet institucionale në mes Kosovës dhe Serbisë. Mirëpo, gjithsesi duhet të kihet kujdes që një vendim i tillë të mos ndikojë negativisht në relacionet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Bashkimin Evropian”, thotë Muhaxhiri.
SHBA-ja dhe BE-ja nuk kanë reaguar ende në lidhje me mosmbajtjen e referendumit të Serbisë në Kosovë.
Muhaxhiri shton se partnerët ndërkombëtarë të Kosovës më herët kanë reaguar ndaj institucioneve të Kosovës, kur ato në disa raste kanë minimizuar rëndësinë e organizimeve të tilla që ishin në përputhje me kërkesat e pakicës serbe, ndonëse në kundërshtim me normalitetin politik.
Dallimi i votimeve për referendum dhe për zgjedhje
Kosova, në të gjitha rastet e organizimit të zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare në Serbi, nuk e ka penguar organizimin e këtyre zgjedhjeve edhe në mjediset e banuara me shumicë serbe në Kosovë.
Qeveria e Kosovës, në përgjigjen e saj për Radion Evropa e Lirë, ka theksuar se nuk ua ka ndaluar dhe as mohuar qytetarëve serbë, të cilët e gëzojnë dyshtetësinë, “që të ushtrojnë të drejtën e tyre të pjesëmarrjes në zgjedhjet e Serbisë”.
“Megjithëkëtë, duhet bërë dallimi mes referendumit për një çështje ekskluzivisht të brendshme të një vendi dhe zgjedhjeve. Në rastin konkret, Serbia po organizon referendum për sistemin e organizimit shtetëror të Serbisë, përkatësisht sistemin e drejtësisë, si tendencë e Vuçiqit që Serbia të duket shtet demokratik e modern”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë së Kosovës.
Profesor Hasani thotë se organizimi i referendumit për ndryshime kushtetuese dhe organizimi i zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të Serbisë në mjediset e banuara me shumicë serbe në Kosovë, kanë dallime substanciale.
“Sa u përket zgjedhjeve për organe shtetërore, ka edhe në vendet tjera persona që kanë dyshtetësi dhe mund të votojnë, sepse ajo nuk është ushtrim dhe demonstrim i sovranitetit. Kurse, referendumi kushtetues është 100 për qind ushtrim i pushtetit konstituiv të një shteti dhe një populli”.
“Prandaj, për zgjedhje të organeve dhe kështu me radhë, ato mund të tolerohen, sepse ka qenë dhe është fryma e Martti Ahtisaarit [ish-presidenti finlandez, i cili ka krijuar ‘Planin Ahtisaari’ dhe ka hapur rrugën për pavarësinë e Kosovës] dhe Kosova nuk është prej atyre shteteve që ndalon dyshtetësinë dhe është krejtësisht në rregull votimi për organet tjera. Do të thotë, nuk ka asgjë të keqe aty”, vlerëson Hasani.
“Leksioni që krijon situatë të re për lidershipin në Beograd”
Analisti Muhaxhiri thekson se vendimi i Qeverisë së Kosovës që në mjediset e banuara me shumicë serbe të mos lejohet hapja e vendvotimeve për referendumin për ndryshimet kushtetuese në Serbi, do të jetë leksion për këtë shtet, i cili nuk është mësuar të ballafaqohet me vendime të tilla bllokuese.
“Kjo do të jetë një situatë e re edhe për lidershipin politik në Beograd, posaçërisht për presidentin Vuçiq. Mirëpo, nëse Qeveria e Kosovës arrin që një bllokadë të tillë ta bëjë duke mos pasur pasoja me aleatët e saj, me SHBA-në dhe me BE-në, atëherë kjo do të jetë një fitore e madhe për Kosovën dhe një precedent pozitiv edhe për rastet e ngjashme në të ardhmen”, thekson Muhaxhiri.
Lidhur me pamundësinë që Serbia të organizojë referendumin për ndryshimet kushtetuese edhe në territorin e Kosovës, deri më tash ka reaguar organizata “Lëvizja për Mbrojtjen e Kosovës dhe Metohisë” në Serbi, e cila ka vlerësuar se mosorganizimi i këtij referendumi edhe në territorin e Kosovës është “në kundërshtim me parimet kushtetuese dhe për këtë shkak paraqet arsye të mjaftueshme për anulimin e tij”.
Referendumi i fundit në Serbi për konfirmimin e Kushtetutës së re është mbajtur në vitin 2006.
Referendumi ka zgjatur dy ditë dhe kanë votuar pothuajse 55 për qind e numrit të përgjithshëm të votuesve.
Preambula e Kushtetutës aktuale të Serbisë, e cila thotë se “Krahina e Kosovës dhe Metohisë është pjesë përbërëse e territorit të Serbisë”, nuk do të jetë temë e referendumit që do të mbahet më 16 janar.
Qytetarët e Serbisë, më 16 janar, do të deklarohen me “po” apo “jo” për një pyetje: “A jeni për konfirmimin e aktit për ndryshimin e Kushtetutës së Republikës së Serbisë?”.
Ndryshimet kanë të bëjnë me gjyqësorin dhe Serbia është obliguar për to në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Siç kanë shpjeguar vazhdimisht përfaqësuesit e BE-së, qëllimi i ndryshimit të Kushtetutës së Serbisë është që të arrihet një gjyqësor i pavarur, pa ndikim politik dhe për sundim të ligjit.
Nëse ndryshimet miratohen, sipas autoriteteve të Serbisë, politika do të përjashtohet nga zgjedhja e gjyqtarëve dhe prokurorëve. RFE
You may like
Vendi
LVV bojkoton seancën për çmimin e naftës, opozita kritikon mungesën e pushtetit në Kuvend
Published
11 hours agoon
April 3, 2026By
UBTNews
Derisa në Kuvend po vazhdon seanca e jashtëzakonshme për çmimin e naftës, as kryeministri, asnjë ministër e asnjë deputet i Lëvizjes Vetëvendosje nuk është paraqitur në sallë.
Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, kritikoi ashpër këtë bojkot, duke thënë se për një çështje kaq të rëndësishme për qytetarët, pushteti ka zgjedhur të mos marrë pjesë. Ajo ironizoi me situatën duke u shprehur: “Mos kanë harru me zbrit prej xhipave të zi”.
Përmes një rezolute, LDK-ja po kërkon uljen e përkohshme të akcizës për naftën nga 36 centë për litër në 20 centë deri në stabilizimin e çmimeve, uljen e TVSH-së për karburantet nga 18 në 8 për qind, si dhe subvencionimin e naftës për sektorët më të ndjeshëm si bujqësia, transporti publik dhe prodhuesit vendorë.
Ermal Sadiku nga LDK-ja u shpreh i dëshpëruar me sallën e zbrazët, duke theksuar se deputetët e LVV-së dhe ata të Listës Serbe janë të vetmit që po mungojnë.
Ai sqaroi se kërkesa për uljen e TVSH-së është teknikisht e realizueshme dhe nuk e dëmton buxhetin, pasi rritja e çmimeve e ka rritur automatikisht edhe grumbullimin e taksave. Sadiku përfundoi duke ironizuar se, nëse pushteti zgjedh të flasë me popullin vetëm përmes Facebook-ut e televizionit, atëherë Parlamenti mund të mbyllet plotësisht.
Kronikë e zezë
Arrestohet një 48-vjeçar në Gjakovë, Policia i sekuestron mbi 5 kilogramë marihuanë
Published
12 hours agoon
April 3, 2026By
UBTNews
Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për trafikim me narkotikë gjatë një aksioni të suksesshëm të realizuar këtë të premte në Gjakovë.
Operacioni është udhëhequr nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, në bashkëpunim me njësitet kundër krimit të organizuar dhe krimeve të rënda, të cilët rreth orës 14:40 kanë ndaluar për kontroll një veturë me targa të huaja.
Sipas komunikatës zyrtare, automjeti drejtohej nga i dyshuari me inicialet A.B., i lindur në vitin 1978, tek i cili gjatë kontrollit në pjesën e ulëseve të pasme janë gjetur dhjetë paketime të mbushura me substancë narkotike të llojit marihuanë.
Pesha e përgjithshme e drogës së sekuestruar është 5 kilogramë e 413 gramë, ndërsa në cilësinë e provave materiale Policia ka konfiskuar edhe veturën dhe dy telefonat mobil që i përkisnin të dyshuarit.
Pas arrestimit, personi i dyshuar është shoqëruar për intervistim në stacionin policor, ku me vendim të prokurorit të shtetit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Ky aksion vjen si pjesë e planeve taktike të Policisë së Kosovës për luftimin e trafikut të drogës dhe krimit të organizuar në vend, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë nga drejtoritë përkatëse.
Vendi
Dënohet me 24 vjet burgim Valon Aliu për vrasjen e ish-bashkëshortes në QPS-në e Ferizajt
Published
12 hours agoon
April 3, 2026By
UBTNews
Gjykata Themelore në Ferizaj e ka dënuar me 24 vjet burgim të akuzuarin Valon Aliu, duke e shpallur fajtor për vrasjen e rëndë të ish-bashkëjetueses së tij, E.C., ngjarje kjo që ndodhi në prill të vitit 2024 brenda Qendrës për Punë Sociale.
Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjyqtarja Fitore Krivanjeva-Daci, Aliu u dënua për tri vepra penale: vrasje e rëndë, armëmbajtje pa leje dhe kanosje, ku në dënimin final do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 12 prilli 2024.
Ngjarja tragjike erdhi pas një fjalosjeje të shkurtër brenda zyrave të QPS-së, ku i akuzuari nxori armën dhe qëlloi viktimën fillimisht në kraharor, ndërsa plagosi në krah edhe vëllanë e saj.
Megjithëse viktima tentoi të largohej, Aliu e qëlloi përsëri në gjoks dhe në kokë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme në vendin e ngjarjes.
Pas vrasjes, ai kishte kanosur edhe një zyrtare të institucionit duke ia vendosur pistoletën në ballë me kërcënimin se do ta qëllonte edhe atë.
Palët e përfshira në proces kanë afat prej 30 ditësh për ankesë në Gjykatën e Apelit, ndërsa Aliu do të qëndrojë në paraburgim deri në plotfuqishmërinë e këtij vendimi.
Lajmet
Përplasje në Kuvend për naftën: LDK kërkon uljen e akcizës, LVV e cilëson propozim populist
Published
14 hours agoon
April 3, 2026By
UBTNews
Seanca e jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës këtë të premte është shoqëruar me një debate të ashpra mes Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) lidhur me çmimin e naftës. Përmes një rezolute, opozita ka kërkuar ndërhyrje emergjente në politika fiskale për të lehtësuar barrën e qytetarëve, ndërsa pushteti e ka refuzuar këtë nismë.
Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka paralajmëruar se rritja e kostos së karburanteve po rrezikon të thellojë krizën sociale në vend. Ajo theksoi se nafta është çmim bazë që dikton zinxhirin e shtrenjtimeve në çdo sektor.
“Nafta është çmim bazë i ekonomisë dhe çdo rritje e saj përkthehet automatikisht në rritje të çmimeve të produkteve bazike, shërbimeve, transportit dhe ndërtimit. Qeveria nuk duhet të qëndrojë si spektatore në një kohë kur qytetarët përballen me rritje të kostos së jetesës,” deklaroi Lushaku-Sadriu.
Rezoluta e LDK-së propozon tri masa konkrete: Uljen e akcizës nga 36 në 20 centë për litër; Uljen e TVSH-së për karburante nga 18% në 8%; Subvencionimin e naftës për bujqit, transportin publik dhe prodhuesit vendorë.
Në anën tjetër, deputetja e LVV-së, Rozeta Hajdari, e ka kundërshtuar ashpër këtë kërkesë, duke argumentuar se ulja e të hyrave publike do të dëmtonte buxhetin e shtetit dhe financimin e sektorëve kyç si arsimi dhe shëndetësia.
“Ne si Grup Parlamentar me qeverisjen tonë kemi ndërhyrë aty ku duhet, kemi formalizuar tregun e naftës, kemi evituar kostot e panevojshme dhe kemi rritur transparencën. Këto masa janë efekt real dhe afatgjatë,” tha Hajdari, duke e quajtur propozimin e opozitës si ekonomikisht të papërgjegjshëm.
Hajdari shtoi se rritja e çmimeve është pasojë e krizave gjeopolitike globale dhe se masat e propozuara nga LDK-ja nuk garantojnë një ulje reale të çmimit në pompë për konsumatorët fundorë. Debati po vazhdon me akuza të ndërsjella, ku opozita kërkon veprim të menjëhershëm, ndërsa pozita mbron stabilitetin buxhetor.
LVV bojkoton seancën për çmimin e naftës, opozita kritikon mungesën e pushtetit në Kuvend
Rrëzohet një avion luftarak amerikan mbi Iran, nisin kërkimet për pilotët
Emocione të forta,Kenan Yildiz publikon fotografi me Edon Zhegrovën
Arrestohet një 48-vjeçar në Gjakovë, Policia i sekuestron mbi 5 kilogramë marihuanë
Dënohet me 24 vjet burgim Valon Aliu për vrasjen e ish-bashkëshortes në QPS-në e Ferizajt
Artemis II nis rrugën drejt Hënës pas ndezjes së motorit final
Ukraina shpreh gatishmëri t’i mbështesë përpjekjet për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit
Arijanet Muric: “Kemi rikthyer shpresën, koha jonë do të vijë”
45 vjet nga demonstratat e vitit 1981, përkujtohet roli i tyre në rrugën drejt lirisë së Kosovës
Të kërkuara
-
Aktualitet3 months agoStudentët e UBT-së vizitojnë agjencinë Base Agency për të mësuar mbi marketingun dhe inovacionin
-
Vendi2 months agoUBT nderon Familjen Jashari me Dekoratën Jetësore të Nderit
-
Lajmet3 months agoNumërohen 31.58% e votave me kusht
-
Lajmet nga UBT3 months agoProfesori i UBT-së, Kujtim Thaçi publikon artikull shkencor në revistën prestigjioze Frontiers in Immunology
