Midis angazhimeve në punë, takimeve, detyrimeve familjare dhe aktiviteteve, ideja për të shtuar edhe stërvitjen në axhendë mund të duket si sfidë më vete. Sidomos pas festave, ku “pauza” nga aktiviteti fizik zgjatet më shumë seç ishte parashikuar.
Nëse doni të riktheheni në rutinën atletike por hasni vështirësi, ndiqni këshillat nga Nikos Chrysafis, trajner personal, për rifillim të suksesshëm.
1. Mos e ndëshkoni veten
Mos e kritikoni veten për pauzën që keni bërë. Nuk ka rëndësi se kur do të kishte qenë “koha ideale” për të rifilluar, ajo është tani. Shumë njerëz, për të kompensuar kohën e humbur, i drejtohen stërvitjeve të gjata dhe intensive, por kjo nuk është zgjidhje. E vetmja gjë që mund të arrini me 2-3 orë në pistën e vrapimit është ndoshta një dëmtim, jo një rikthim më i shpejtë në formë. Merreni me qetësi dhe mos e teproni.
2. Lëreni peshoren
Po e di, ndoshta nuk jeni më aty ku dëshironit të ishit. Kontrolli i vazhdueshëm i peshës sa shton stresin e zhgënjimin. Dhe kur ndihemi keq, kthehemi te ushqimi për ngushëllim. Pranoni ku jeni tani dhe caktoni një qëllim realist. Po ashtu, shmangni pajisjet që matin kaloritë apo aktivitetin fizik në mënyrë të pasaktë, ato më shumë mund t’ju shkaktojnë frustrim sesa t’ju ndihmojnë.
3. Filloni me dietën
Para se të hidheni në një program stërvitjeje, filloni me zakone të shëndetshme në tryezë. Pini ujë, shtoni më shumë fruta e perime në dietë, kujdesuni për të pasur proteina të mjaftueshme në çdo vakt, si dhe kufizoni ushqimet e përpunuara dhe alkoolin.
4. Bëni hapa të vegjël, por të qëndrueshëm
Mos u përpiqni të bëni gjithçka menjëherë. Filloni me 10 minuta ecje për javën e parë e rriteni kohën çdo javë. Nëse jeni më të avancuar, rifilloni me stërvitje të shkurtra 15 minuta. Pjesëmarrja në aktivitetet e fëmijëve apo miqve është mënyrë argëtuese për t’u rikthyer në formë.
5. Mos harroni të pushoni dhe të kujdeseni për veten
Pushimi është pjesë e rëndësishme e rikuperimit. Shtrirja pas stërvitjes, pushimet e shkurtra gjatë sesioneve të aktivitetit e relaksimi pas tyre, ndihmojnë trupin të përshtatet e të mos lodhet. Gjumi i mirë dhe shmangia e vakteve të rënda para gjumit janë çelës për rikthim të suksesshëm. Pini ujë gjatë gjithë ditës dhe mos harroni se kujdesi për trupin fillon nga rutina e përditshme.