Sunderland ka bërë hapa të rëndësishëm në përpjekjet për të transferuar mesfushorin e Bayer Leverkusenit, Granit Xhaka. Raportet e mëparshme nga Italia sugjeronin se Interi kishte marrë avantazh në garën për Xhakën, por situata ka ndryshuar.
Sipas raportimeve të fundit, përfshirë gazetarin e njohur David Ornstein, reprezentuesi zviceran ka bërë të ditur dëshirën e tij të qartë: ai dëshiron vetëm t’i bashkohet Sunderlandit, duke hedhur poshtë interesimin e klubeve të tjera si Fenerbahcen, Interin dhe Milanin.
Në një përditësim të publikuar në rrjetin social X, Ornstein ka bërë të ditur se Xhaka e ka informuar zyrtarisht klubin gjerman se ka vendosur zemrën për një transferim në Stadium of Light, dhe se tashmë ekziston një marrëveshje personale mes lojtarit dhe Sunderlandit.
Aktualisht po zhvillohen negociata mes dy klubeve, me Bayer Leverkusen që, sipas burimeve, i ka kërkuar mesfushorit 32-vjeçar të përshpejtojë përfundimin e marrëveshjes. Edhe pse nuk është bërë publik ndonjë çmim zyrtar, raportohet se Leverkusen mund të kërkojë rreth 15 milionë funte për një lojtar që ka kontratë të vlefshme deri në vitin 2028.
Ky do të ishte një transferim i bujshëm për Sunderlandin, që do të sillte përvojë dhe cilësi në mesin e fushës me një emër të njohur në futbollin evropian si Granit Xhaka, ish-kapiten i Arsenalit dhe një nga liderët e kombëtares së Zvicrës.