Lajmet

Valë e madhe infektimesh në Kosovë, ndërpriten disa shërbime spitalore jourgjente

Ende ka hezitim për vaksinimin.

Published

on

Në Kosovë vetëm brenda një jave u regjistruan 42 të vdekur dhe mbi 13 mijë të infektuar me virusin Corona. Për shkak të numrit të madh të pacientëve, ShSKUK ka ndërprerë disa shërbime spitalore jourgjente.

Situata me pandeminë sa vjen e po rëndohet në Kosovë, duke shtuar kështu numrin e rasteve me fatalitet dhe duke rritur numrin e të shtruarve në spitale. 17 viktima si pasojë e Covid-19 u shënuan vetëm gjatë 24 orëve të fundit, ndërsa numri i pacientëve që po kërkojnë trajtim nga Covid-19 nëpër spitale tashmë është rritur shumë. Mbi 20 mijë raste aktive me virusin Corona janë në Kosovë, njofton Instituti i Shëndetit Publik. Sipas një raporti të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, në spitale janë të shtrirë 929 pacientë, prej tyre 723 të konfirmuar me virusin Corona. 35 pacientë janë në gjendje të rënduar shëndetësore, ndërkaq 688 po trajtohen me oksigjeno-terapi.

Sipas drejtorit të SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, nga 929 pacientët e shtruar, rreth 105 prej tyre kanë marrë një apo dy doza të vaksinës. “Numri i pacientëve të shtrirë të vaksinuar, me numrin e atyre që janë të pavaksinuar, është i vogël. Edhe nëse infektohen të vaksinuarit, gjasat janë shumë të vogla të shtrohen në spital, por edhe nëse kanë nevojë për hospitalizim, gjasat për të kaluar më lehtë janë më të mëdha”, njoftoi Krasniqi.

Dezinfektim në hotelet e Prishtinës

Ndërpriten disa shërbime spitalore jourgjente

Të ndodhur para kësaj situate të rënduar me pandeminë dhe rritjes së numrit të pacientëve, Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës ka ndërprerë disa shërbime spitalore jourgjente në sallat kirurgjike, ku kryhen interventimet. Drejtori i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi bën të ditur për mediet lokale, se përveç pushimit të dhënies së disa shërbimeve mjekësore jourgjente, janë ndërprerë edhe pushimet vjetore të stafit shëndetësor dhe janë urdhëruar të kthehen në punë. “Jemi detyruar të ndërpresim pushimet dhe ju kërkoj mirëkuptim edhe qytetarëve edhe pacientëve për këto reduktime në shërbime të tjera, por kjo është situatë e imponuar dhe jemi të shtrënguar të marrim vendime të tilla”, tha Valbon Krasniqi.

Autoritetet shëndetësore ndërkohë u kanë bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë masat kundër COVID -19, siç është mbajtja e maskave, mbajtja e distancës dhe mbajtja e higjienës. Nga 20 gushti qeveria e Kosovës vendosi që të reduktohen pothuaj të gjitha aktivitetet publike deri në masën e mbylljes së plotë siҫ janë klubet e natës dhe ahengjet familjare. Përdorimi i maskave është i detyrueshëm në të gjitha ambientet e mbyllura publike. “Teatrot, bibliotekat, orkestrat, galeritë, ansamblet, baleti, kinematë, qendrat rinore, muzetë, qendrat e kulturës me grupe apo institucionet e tjera të ngjashme vartëse të MKRS-së apo të Komunave, lejohen të punojnë duke shfrytëzuar 50% të hapësirës/sipërfaqeve të objekteve përkatëse për të gjitha aktivitetet”, thuhet në njoftimin e qeverisë.

Po ashtu të gjithë qytetarët, të cilët hyjnë në Republikën e Kosovës, përfshirë edhe ata me leje qëndrimi të përkohshëm ose të përhershëm në Kosovë dhe të cilët vijnë nga vendet me rrezik të lartë sipas listës zyrtare të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), duhet të kenë test RT-PCR negativ për COVID-19 të bërë në 72 orët e fundit.

Denkmal ’Newborn’ in Pristina, Kosovo

Ende ka hezitim për vaksinimin

Qendrat e vaksinimit po punojnë me kapacitet të plotë, por në masë akoma ka hezitim për vaksinim, ndonëse fushatat informuese nuk mungojnë. Imunizimi i qytetarëve kundër COVID-19 po vazhdon të bëhet në 30 komuna me mbi 300 ekipe të vaksinimit. Sipas njoftimit të IKSHPK-së, deri më 23 gusht, Kosova ka administruar mbi 714 mijë vaksina. Kurse të vaksinuar plotësisht janë mbi 239 mijë persona.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka apeluar te qytetarët e Kosovës, që të vaksinohen, pasi varianti Delta i virusit Corona po përhapet me shpejtësi dhe rritjen rapide të rasteve pozitive me këtë virus. “Deltavarianti po vazhdon të përhapet me shpejtësi në Kosovë! Virusi bartet shumë shpejt prej një personi në dhjetëra persona tjerë me pasoja që në të shumtën e rasteve mund të jenë fatale e që fatkeqësisht preken edhe fëmijët! Rastet pozitive me SARS CoV-2 janë në rritje në mënyrë rapide me variantin Delta i cili është dominant! Masat rigoroze të ndërmarra dhe zbatimi i tyre duhet të bëhet nga çdo qytetar i Republikës. Bashkë me masat tashmë të njohura: mbajtja e maskave, mbajtja e distancës dhe mbajtja e higjienës, do të arrijnë efektin e vet ne uljen e lakores, ju lutemi të besoni se masa më efikase në luftë kundër COVID-19 është VAKSINIMI!”, thuhet në apelin e IKSHPK drejtuar qytetarëve.

Për mbikqyrjen e zbatimit të masave kundër COVID-19 pos policisë së Kosovës angazhohet edhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Kosovës (AVUK). Kjo agjenci në fokus ka mbikqyrjen e masave, siç është orari i punës nga lokalet e gastronomisë, mbajtjen e ahengjeve, grumbullimin e njerëzve, distancën e tavolinave e të tjerave, por numri i vogël i inspektorëve sipas zyrtarëve të AVUK-ut e ka bërë  të vështirë kontrollin gjithandej.DW

Continue Reading

Lajmet

REL: Kurti: Kosova dhe Serbia duhet t’i normalizojnë marrëdhëniet

Published

on

By

Kosova dhe Serbia duhet t’i “normalizojnë” marrëdhëniet mes vete, tha kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për agjencinë e lajmeve AFP, disa ditë para mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Megjithatë, ai tha se ky proces është i vështirë.

Kurti është në pushtet që nga viti 2021 dhe dy vjet pasi mori pushtetin, arriti Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe Aneksin e zbatimit të saj, por marrëveshja ende nuk është zbatuar.

“Ne duhet t’i normalizojmë raportet me Serbinë”, tha Kurti. “Por, normalizimi i raporteve me një fqinj që ka regjim autoritar dhe që nuk të njeh, dhe po ashtu nuk i pranon krimet e kryera gjatë luftës, është shumë i vështirë”, shtoi ai.

Tensionet mes dy vendeve vazhdimisht janë të larta dhe një rikthim i trazirave do t’i ofronte Rusisë mjete për ta destabilizuar Kosovën.

“Ne kemi një marrëveshje për normalizim”, tha Kurti duke iu referuar marrëveshjes së vitit 2023, të arritur nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

“Ne duhet ta zbatojmë, që nënkupton njohje të ndërsjellë mes shteteve, të paktën njohje de facto”.

Kjo marrëveshje, me 11 nene, veç tjerash parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

Por, për të rinisur dialogu, Serbia “duhet ta dorëzojë Millan Radoiçiqin”, tha Kurti, duke iu referuar ish-nënkryetarit të Listës Serbe, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë më 2023.

Kurti tha se shpreson që “BE-ja, Franca dhe Gjermania do t’i bëjnë presion” Serbisë që ta dorëzojë Radoiçiqin, ndaj të cilit dhe disa personave të tjerë Kosova ka ngritur aktakuzë për sulmin në Banjskë.

Që nga shtatori i vitit 2023, disa ditë para sulmit të armatosur në Banjskë, nuk është mbajtur asnjë rund i nivelit të lartë në Bruksel, teksa bisedimet në nivel kryenegociatorësh kanë vazhduar, por nuk kanë prodhuar ndonjë marrëveshje.

Serbia po ashtu nuk ka ndërprerë raportet me Rusinë, pavarësisht luftës në Ukrainë, dhe Beogradi varet nga energjia ruse.

“Ka shumë lidhje” mes dy shteteve, tha Kurti, dhe nëse Rusia vendos ta destabilizojë rajonin, “në marshin e saj drejt Evropës Perëndimore, mund të llogarisë në Serbinë si aleat. Dhe, kjo është shqetësuese për shtetin tonë. Por, ne po punojmë me partnerët tanë për të parandaluar një gjë të tillë”.

Kosova, që shpreson t’i bashkohet NATO-s, së voni ka hequr tarifat ndaj produkteve amerikane dhe është pajtuar që të pranojë deri në 50 migrantë nga shtetet e treta që do të dëbohen nga SHBA-ja. Deri më tani, në Kosovë ka arritur vetëm një migrant.

“Nuk po kërkojmë asnjë ndihmë financiare në këmbim”, tha Kurti. “Ne po e bëjmë këtë për të ndihmuar SHBA-në, që është partnerja, aleatja dhe mikja jonë”, shtoi Kurti, i cili nuk e përjashtoi mundësinë e arritjeve të marrëveshjeve të ngjashme edhe me vendet evropiane.

Continue Reading

Lajmet nga UBT

Punëtori statistikore për studentët e Psikologjisë në UBT me ligjëruese nga ShBA

Published

on

Fakulteti i Psikologjisë në UBT, nën organizimin e Asst. Prof. Elona Krasniqi, organizoi me sukses një punëtori statistikore me ligjëruese të ftuar Besjana Krasniqi, kandidate doktorante në Psikologji Zhvillimore të Aplikuar në Universitetin e Maryland, Baltimore County (UMBC), ShBA, si dhe pjesë e Laboratorit për Zhvillimin e Fëmijëve, Familjes dhe Shkollës.

Punëtoria u zhvillua në kuadër të lëndës Metodologji e Avancuar Kërkimore dhe ishte i dedikuar për studentët e programit master në Psikologji. Qëllimi kryesor i këtij aktiviteti ishte avancimi dhe praktikimi i njohurive statistikore, me fokus në përdorimin e modeleve parashikuese përmes analizave të regresionit.

Gjatë punëtorisë, studentët u angazhuan në mënyrë aktive përmes ndërveprimeve dinamike, shembujve konkretë nga kërkimi empirik, testimit të hipotezave kërkimore duke përdorur programin SPSS, si dhe interpretimit të rezultateve statistikore. Ky format praktik u mundësoi studentëve të lidhin teorinë me aplikimin real në kërkimin shkencor.

Ky aktivitet kontribuoi në ngritjen e kapaciteteve shkencore dhe profesionale të studentëve, duke promovuar njëkohësisht rrjetëzimin profesional dhe bashkëpunimin ndërkombëtar me studiues dhe profesionistë nga institucione prestigjioze. Punëtoria është në përputhje me planin strategjik të UBT-së për zhvillimin e kapaciteteve kërkimore profesionale, si në nivel institucional ashtu edhe në atë kombëtar.

Continue Reading

Lajmet nga UBT

Burim Bajraktari ndan përvojën ndërkombëtare me studentët e Dizajnit në UBT

Published

on

Javën e kaluar, në ambientet e Bibliotekës në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së, u mbajt një ligjëratë me karakter edukativ dhe profesional, e organizuar për studentët e vitit të tretë të programit Dizajn i Integruar – specializimi Enterier. Ligjërata u zhvillua në kuadër të lëndës Semiotikë dhe Estetikë, nën udhëheqjen e profesoreshës Ardita Rizvanolli.

I ftuar ishte Burim Bajraktari, Arkitekt Kryesor dhe CEO i studios arkitekturore MODIUM, i cili ndau me studentët përvojën e tij shumëvjeçare profesionale në fushën e arkitekturës dhe dizajnit. Bajraktari ka përfunduar studimet pasuniversitare në Kingston University London në vitin 2011 dhe ka ndërtuar karrierën e tij përmes angazhimeve profesionale në Londër dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjatë ligjëratës, ai prezantoi rrugëtimin e tij profesional, duke filluar nga projektet e hershme të vizualizimit 3D, themelimi i shërbimeve arkitekturore në vitin 2008, si dhe procesin e ribrandimit strategjik në vitin 2015, i cili çoi në krijimin e studios MODIUM. Sot, kjo studio njihet për qasjen e saj bashkëkohore, dizajnet e qëndrueshme dhe trajtimin estetik të hapësirës.

Ligjërata u karakterizua nga diskutime interaktive, ku studentët patën mundësi të bëjnë pyetje dhe të njihen më nga afër me sfidat, mundësitë dhe realitetin e profesionit të arkitektit dhe dizajnerit të enterierit. Ky takim shërbeu si një urë lidhëse mes teorisë akademike dhe praktikës profesionale, duke i motivuar studentët për zhvillimin e mëtejmë të aftësive të tyre kreative dhe profesionale.

Aktivitete të tilla dëshmojnë përkushtimin e UBT-së në ofrimin e përvojave praktike dhe frymëzuese për studentët, duke i përgatitur ata për tregun e punës dhe sfidat e industrisë së dizajnit dhe arkitekturës.

Continue Reading

Lajmet

Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve nis më 24 shkurt

Published

on

By

Gjykata Speciale ka njoftuar se seanca “vepra kundër administrimit të drejtësisë” ndaj Thaçit dhe të tjerëve do të fillojë më 24 shkurt të vitit tjetër.

Tutje njoftohet se do të bëhet paraqitja e provave, marrja në pyetje e dëshmitarëve dhe procedura të tjera administrative.

Më 22 dhjetor 2025, pas marrjes së parashtrimeve nga palët, Gjykatësi i Vetëm Kristofer Gosnell miratoi udhëzime mbi zhvillimin e gjykimit në çështjen gjyqësore të Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, që është planifikuar të fillojë më 24 shkurt 2026.Udhëzimet përcaktojnë rregulla praktike për aspekte si karakteri publik i procesit, nxjerrja e dokumenteve, paraqitja e provave, marrja në pyetje e dëshmitarëve, si dhe aspekte të tjera procedurale që synojnë garantimin e një gjykimi të drejtë dhe efikas.”, thuhet në njoftim

Continue Reading

Të kërkuara